back to top
7.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Flamuri shqiptar në Mariana Trench të Oqeanit Paqësor – nga Avis Gjyshja

Gazeta

Victor Lance Vescovo - para zhytjes
Victor Lance Vescovo – para zhytjes

Flamuri shqiptar në Mariana Trench të Oqeanit Paqësor

nga Avis Gjyshja

Para pak ditësh, pashë diku në rrjetet sociale, një postim të shkurtër e dëshirë-mirë shqiptarësh, i cili pavarësisht ca gabimeve gjuhësore dhe atyre në informacion, mundohej të prekte një histori të madhe ku mplekseshin shkenca, marina, historia, zbulimet gjeografike dhe ajo çka e bënte atë edhe më interesante ishte se aty përziehej edhe Shqipëria. 
Fotoja e atij postimi vinte nga një mision zhytjesh oqeanike, ku dukej një mjet zhytjeje për thellësi shumë të mëdha, në trupin e të cilit, bashkë me flamujt e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kombeve të Bashkuara dhe të Teksasit ishte stampuar edhe flamuri shqiptar. Po njëlloj, flamuri shqiptar, gjëndej edhe në veshjen e njeriut që pilotonte mjetin zhytës.
Pyetja që nuk shpjegohej dot nga ai postim ishte se ku dhe përse qe zgjedhur flamuri shqiptar për një mision të tillë?

Victor Lance Vescovo
Victor Lance Vescovo

***
U mora gjatë me rastin në fjalë, e ku veç të tjerave më tregoi mua se ora e dijenive të mia në këtë fushë kishte ngelur shumë prapa. Unë gjithmonë mendoja se ishja në korent me zhvillimet industrisë së mjeteve nënujore, por fakti tregoi se duke u marrë vetëm me nëndetëset si armë lufte, mua s’më kish rënë në sy asgjë për ekzistencën e kompanisë amerikane “Triton Submarines” një kompani me emrin e djalit të Poseidonit, perëndisë së detrave në mitologjinë greke, dhe kështu unë nuk dija asgjë as për mjetet e saj zhytëse ultra të sofistikuara, të afta për kërkime, filmime dhe eksplorime në thellësi shumë të mëdha, as për programin “Five Deeps Expedition” dhe në fund as edhe për arritjet e pilotit Veskov. E fundit nga dy zhytjet në Mariana Trench të Oqeanit Paqësor që kish ngelur në mendjen time, ishte ajo e 26 Marsit 2012, kur regjisori dhe eksploruesi kanadez James Cameron, uli batiskafin “Deepsea Challenger” në thellësinë e 10908 metrave. Sigurisht që dija dhe për zhytjen e parë në histori, zhytje të cilën e njohin të gjithë, atë kur batiskafi “Trieste”, i Marinës Amerikane, i komanduar nga togeri amerikan Don Walsh dhe shkencëtari zviceran Jacques Piccard, u ul më 23 Janar 1960, në 10.912 metra thellësi, po në Challenger Deep të humnerës Mariana Trench.
Zakonisht, është jashtë përditshmërisë së njerëzve të zakonshëm që të dinë se sa pak o aspak njihen thellësitë e oqeaneve. Ka njerëz që thonë se njerëzimi di më shumë nga kozmosi se sa nga zona ujore Abyssal që është zona midis thellësive 3.000 dhe 6.000 metro e akoma më pak apo aspak fare nga zona Hadal, që është zona akoma më e thellë se Abyssal e ku futen thellësitë më të mëdha se 6.000 metra. Edhe sot, megjithë zhvillimet e jashtëzakonshme teknike, duket se eksplorimi i këtyre thellësive të kobshme e të ftohta, ku drita nuk hyn kurrë, vazhdon dhe duket gjithmonë një gjë njëlloj e pamundur.

Me “DSV Limited Factor”, Victor Veskov zbret në pikën më të thellë të botës - Challenger Deep,
Me “DSV Limited Factor”, Victor Veskov zbret në pikën më të thellë të botës – Challenger Deep,

Por pyetja jonë është se për çfarë arsyeje qe zgjedhur flamuri shqiptar për një mision të tillë të jashtëzakonshëm thellësie?
Përgjigja e pyetjes rreth përdorimit të flamurit shqiptar në një mision të tillë të jashtëzakonshëm zhytje, vjen nga vetë faqja zyrtare e “Five Deeps Expedition”, ku thuhet se “vendosja e flamurit Kuq e Zi të Shqipërisë në nëndetësen “Triton” dhe në uniformën e pilotit të saj Viktor Veskov, është një akt në respekt të popullit të jashtëzakonshëm shqiptar dhe në veçanti edhe të një gruaje shqiptare e cila është partnerja dhe mbështetësja e palëkundur e ekspeditës”.
Vetë piloti, Viktor Veskov (Victor Lance Vescovo), është një ish oficer i Marinës Amerikane, aktualisht investitor, bashkëthemelues dhe partner menaxhues i kompanisë bilionere “Insight Equity Holdings”. Pasioni i tij janë udhëtimet, alpinizmi dhe ekspeditat e zhytjeve në thellësi të mëdha.
Ai lindi në Dallas të Teksasit, më 10 Shkurt të vitit 1966 dhe u rrit po aty. Nga studimet e bëra ai kishte fituar disa diploma të ndryshme si psh në Ekonomi, Biznes, Teknikë, Shkenca Politike dhe bile edhe një për Mbrojtjen dhe Kontrollin e Armëve. 
Në mënyrë unike, Veskov është i vetmi njeri i gjallë në tokë që ka mundur të zbresë në humnerat më të thella të të pesë oqeaneve të globit, gjë kjo që qe bërë e mundur në kuadër të programit “Five Deeps Expedition” ku ai përdori për zhytje mjetin e tij nënujor “DSV Limited Factor”, një nëndetëse dy vendëshe, model “Triton 36000/2”.

Pika më e thellë e botës Challenger Deep të Mariana Trench, në 10924 m
Pika më e thellë e botës Challenger Deep të Mariana Trench, në 10924 m

Më poshtë është kronika e përmbledhur e zhytjeve të tij në kuadër të programit “Five Deeps Expedition”.
-Më 16 prill 2019, nën drejtimin e Veskovos “DSV Limited Factor”, u zhyt në fundin e Sunda Trench në jug të Balit, duke konfirmuar me këtë rast se Sunda Trench ishte dhe pika më e thellë e Oqeanint Indian. 
-Më 28 Prill 2019, po me “DSV Limited Factor”, Veskov zbriti në pikën më të thellë të botës në Challenger Deep, pjesë e humnerës tektonike të Mariana Trench në Oqeanin Paqësor, në një thellësi rekord prej 10.928 m, pra 16 metra më shumë se rekordi i njohur më parë. 
-Më 1 maj, ai u zhyt për të dytën herë në Challenger Deep. 
-Më 7 maj 2019, Vescov dhe Jamieson u bënë njerëzit e parë që zbritën në fundin e Sirena Deep (10.714 m), pika e tretë më e thellë e botës e cila gjëndet më në lindje të Challenger Deep, dhe ku mjeti zhytës qëndroi edhe për 176 minuta duke mundur të kapi e të binte në sipërfaqe dhe një copë guri nga shpati perëndimor i Mariana Trench. 
-Më 10 qershor 2019, Vescov me mjetin e tij, arriti fundin e Horizon Deep, në Tonga Trench në veri të Zelandës së Re, duke konfirmuar se me 10.823 m thellësi ajo është pika e dytë më e thellë në planet dhe njëherësh dhe më e thella në Hemisferën Jugore. 
Zhytja e fundit në kuadër të “Five Deeps Expedition”, ishte ajo e datës 24 gusht 2019, kur Veskov i spostuar në oqeanin Arktik në veri arriti thellësinë 5.550 m, në fundin e Molloy Deep duke u bërë kështu, edhe këtu, i pari midis të gjallëve që të arrinte fundin e detit në këtë rajon. 

Meditim para zhytjes në thellësinë 11.000 metra
Meditim para zhytjes në thellësinë 11.000 metra

Duke vepruar kështu, Veskov i shtyrë nga kurajua e tij e jashtëzakonshme dhe i ndihmuar nga teknika e niveleve më të paimagjinueshme, kishte arritur të bënte të pabesueshmen duke zbritur në të gjtha pikat më të thella të të gjitha oqeaneve të globit. 
Kohë përpara se Veskov të angazhohej me programin “Five Deeps Expedition”, Veskovo, më 24 maj 2010, ishte ngjitur në majën e Everestit në Himalaja, majë e cila me 8.848 metra lartësi është dhe pika më e lartë e sipërfaqes së Tokës. Gati nëntë vjet më vonë, më 29 prill 2019, ai u zhyt në Challenger Deep të Mariana Trench, në 10924 metra thellësi, që është edhe pika më e ulët e sipërfaqes së Tokës, duke u bërë kështu një rekordmen Guinness si njeriu i parë në botë që shkelte në të dyja këto pika ekstreme, në më të ultën dhe më të lartën e sipërfaqes së tokës, me distancë vertikale midis tyre 19.772 metra. 
Përveç ngjitjes në Everest, duhet të themi se Veskov është ngjitur gjithashtu në të gjitha majat më të larta të të shtatë kontinenteve dhe që janë: Everest në Azi, Aconcagua në Amerikën e Jugut, Denali në Alaska, Kilimanjaro në Afrikë, Elbrus në Rusinë Europiane, Vinson në Antarktidë dhe Puncak Jaya në Indonezi. Përveç këtyre ai ka shkuar në Polin e Veriut dhe në atë të Jugut. 

Monika Beu - Gruaja shqiptare në Faqen zyrtare te “Five Deeps Expedition”
Monika Beu – Gruaja shqiptare në Faqen zyrtare te “Five Deeps Expedition”

Ky pra, është njeriu në krahun e të cilit shohim flamurin shqiptar. Ndërsa gruas shqiptare për të cilën faqja zyrtare e “Five Deeps Expedition” flet me aq shumë respekt dhe që u bë shkak i gjithë kësaj historie të bukur unë i di vetëm emrin…  
Ajo quhet Monika Beu.

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.