back to top
6.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024

Një intervistë e Lea Ypit në “The Guardian” dhe një reagim nga Ermal Hasimja

Gazeta

Lea Ypi
Lea Ypi

Një pakicë e zëshme e shqiptarëve e kanë vërshu me sharje…

Matthew Weaveri – The Guardian – e hënë, 3 janar 2022

Autorja Lea Ypi pohon se kujtimet e e saja
për Shqipërinë komuniste u përballën me shpërdorime “të vrazhda”
në internet, duke kritikuar bestsellerin e saj, “Të lirë”
.
Një memoar për jetën para dhe pas rënies së komunizmit në Shqipëri ka marrë një varg lavdatash në Perëndim, por ka shkaktu shpërdorime “të vrazhda” nga një pakicë e zëshme e shqiptarëve, thotë autorja.
“Të lirë” nga Lea Ypi, profesoreshë shqiptare e teorisë politike marksiste në Shkollën Ekonomike të Londrës, mund të duket si njëfarë bestselleri i pamundshëm.
Por në muajin e parë rrumbullak të shitjes në nëntor, libri me kujtime u shit me një shifër prej 10.000 kopjesh. Ësht përzgjedhë në listën e ngushtë të vitit “Costa biography” dhe së shpejti do të jetë në dispozicion në 17 gjuhë, duke përfshi koreanishten dhe mandarinishten. Pavarësisht kritikave për ndikimin katastrofik të ndryshimeve të tregut në Shqipëri, libri mori vlerësime me pesë yje në ‘Daily Mail’ dhe ‘Daily Telegraph’ dhe u qujt libri i vitit në ‘Sunday Times’.
Por në Shqipëri libri shkaktoi një vërshim të tillë sharjesh në internet, saqë Ypit iu desh t’u bënte thirrje shqiptarëve që të ndalnin dërgimin e mesazheve “fyese, akuzuese dhe shpifëse” kundër saj.
Ajo tha për ‘Guardian’-in se zakonisht i pëlqente të merrej me kritikët e saj. Por, tha se këto fyerje ishin ndryshe, ngaqë vinin nga njerëz që, ose nuk e kishin lexu librin, ose e kishin keqkuptu kritikën e saj ndaj kapitalizmit dhe komunizmit.
Libri tregohet nga këndvështrimi i saj si fëmijë në Shqipërinë e viteve 1980, kur ajo mësonte në shkollë me adhuru diktatorin Enver Hoxha dhe pikëpamjet disidente të familjes së saj u bënë të qarta vetëm pas rënies së regjimit.
“Një nga mesazhet më të rëndësishme në libër është se sado shtypës që të jetë një regjim, aj kurrë nuk e shkatërron plotësisht dinjitetin njerëzor,” tha ajo.
Disa nga kritikët shqiptarë të Ypit kanë kapë gabimisht idetë e tilla si të ishin apologji për komunizmin dhe e kanë akuzu se ka pësu Sindromën e Stokholmit. Kjo ka qenë për Ypin veçanërisht e vështirë me përballu. “Të lëndon personalisht nëse ke një gjysh që ka kalu 15 vjet në burgjet komuniste, të thuhet se po përpiqesh disi të rehabilitosh vrasësit komunistë…” – tha ajo.
.
Doli në Amerikë Libri "Free" i Lea Ypit
Doli në Amerikë Libri “Free” i Lea Ypit

Disa nga reagimet kanë qenë seksiste – në një nga mesazhet Ypit iu tha se ajo dukej “më shumë si një ‘showgirl’, sesa si akademike”. Një tjetër kishte gjetë një copëz gazete të vjetër, duke citu Ypin si një 11-vjeçare që shprehte dëshirën për me ndihmu vendin e saj dhe e akuzoi se ishte kthyer kundër vetvetes së saj, kundër prej asaj qysh kishte qenë më parë.
Ajo tha: “Ësht një pakicë, por ësht kaq e zëshme, kaq personale dhe kaq dashaligë, saqë ndikon shum më tepër sesa përgjigjet e tjera që kanë qenë jashtëzakonisht pozitive.”
Në libër, ajo tregon se ishte mujshu si fëmijë, pjesërisht ngaqë fliste frëngjishten. “Ësht pikërisht i njëjti lloj i njerëzve që më mujshonin kur isha fëmijë që po e bëjnë këtë tani,” tha ajo.
Ypi thotë se shumë nga kritikat erdhën pasi botimin shqip të librit e promovoi në ish-shtëpinë e Enver Hoxhës në kryeqytet, në Tiranë. “Për mua ishte si të imagjinoja Hoxhën në ferr, pasi dikush nga një familje disidentësh po e promovonte një libër për trashëgiminë shqiptare. Simbolikisht kjo ishte vërtet e fuqishme…” – tha ajo.
Por, porosinë ironike të vendit ku u mbajt ky promovim, disa nuk e kapën. Ata mendojnë se kjo godinë duhet të shkatërrohet dhe u shkon mendja sikur se Ypi po përpiqet me rehabilitu diktatorin.
Prania në promovim e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, dhe e shumë ministrave të tij u keqinterpretu po ashtu. Ypi tha: “Unë jam shumë kritik ndaj qeverisë shqiptare, por njerëzit mendonin se po manipulohesha, apo se po më bënin për vete!”.
Perceptime të tilla kanë nxitë edhe thashetheme të rreme se Ypi do të bëhet presidente e ardhshme e Shqipërisë.
Ajo tha: “Nëse vazhdoni të përsëritni lajme të rreme si ky, bëhet pothuajse si lajm i vërtetë. Dhe kjo pastaj i vë në hije kritikat konstruktive. Ajo që duhet të ndodhë me shtëpinë e Enver Hoxhës është një debat i vlefshëm, por nëse fillon ta bazosh në lajme të rreme dhe keqlexime, debati i mirëfilltë nuk ndodh kurrë.”
Ypi, që e ka shkru librin paralelisht në anglisht dhe në shqip, mendon se me gjithë komentet negative në internet, libri ka arrijtë të ndezë diskutime konstruktive për meritat e socializmit dhe të kapitalizmit.
Ajo tha: “Nëpërmjet historish familjare, përpiqem t’i angazhoj që të gjithë në një debat të gjerë rreth lirisë – nëna ime ka një ide për lirinë, ndërsa babai ka një tjetër. Kur kjo funksionon, hap diskutime të mëdha, në vend që t’i mbyllë ato. Dhe egziston një brez i ri që shqetësohet se në ç’lloj sistemi jemi duke jetu.”

.

(Përgatiti Agim Morina)
https://amp.theguardian.com/…/author-memoir-communist…
Marrë nga muri i FB i Agim Morinës, 3 janar 2022 
.
Ermal Hasimja
Ermal Hasimja

Disa komente te kursyera mbi librin e Lea Ypit

nga Ermal Hasimja

Lexova librin e Lea Ypit. 99% e librit është përshkrimi i kujtimeve të një fëmije në komunizëm dhe deri këtu është përvojë e njëjtë me pothuajse këdo që sot është mbi 40 vjeç. 
Ndonjë pasaktësi e vogël nuk më duket problem. 
Qëndrimi i autores në mbyllje se njerëzit sot janë po aq larg lirisë sa ishin në komunizëm nuk është dhe aq i argumentuar, por nisur nga formati letrar i librit as nuk mund ta presësh. Nuk e ve në dyshim se autorja e bën këtë argumentim gjetiu rregullisht si pedagoge dhe përmes publicistikës. 
Shija e hidhur që më la libri në fund lidhet me keqardhjen time që ka njerëz që barazojnë mungesën e lirisë në një regjim totalitar me mungesën e supozuar të lirisë në ditët e sotme. Duhet të kesh një konceptim shumë të veçantë të lirisë që të mund ta përligjësh këtë barazim të përdhunshëm. 
Është disi e pamundur të argumentosh pse liria në komunizëm nuk është njësoj me lirinë në kapitalizëm. Jo për mungesë argumenti, por për mungesë shprese. Kur dikush mendon kështu zakonisht dorëzohesh, nuk ke pikë vullneti për të debatuar. Thjesht të vjen keq. 
Autorja e koncepton lirinë si mundësi për të realizuar diçka, si liri pozitive (në kuptimin e dhënë, e mbështetur, e krijuar) nga shteti. Kjo trajtë i kundërvihet konceptimit klasik liberal të lirisë si mungesë pengesash të qëllimshme nga shteti. Në komunizëm ne nuk vuanim thjesht nga pamundësia për të realizuar dëshirat tona, ne vuanim nga ngulfatja e çdo grimce frymëmarrjeje lirie nga doktrina marksiste-leniniste. Në komunizëm ishim të gjithë të varfër deri në mjerim qesharak. Sot natyrisht ka njerëz të varfër. Por sot nuk të ndalon askush të ndryshosh jetën tënde. Kur autorja thotë se “strukturat” e sotme pengojnë njerëzit të jenë të lirë, në fakt kjo përkthehet “shoqëria e shteti nuk i mundësojnë të gjithëve të përkthejnë lirinë e tyre në një jetë më të mirë”. Por ka një dallim gjigand mes pengesës së lirisë dhe mosofrimit të realizimit të fryteve të saj. Një shembull, nëse komunizmi do të vazhdonte autorja nuk do të mund të shkonte në universitet për shkak të luftës marksiste të klasave. Sot, autorja është e lirë të japë leksione (me sa duket frymëzuese) për Marksin në një nga universitetet më të njohura të botës. Në të njëjtin universitet kam konstatuar edhe vetë lehtësinë e papërballueshme të përdorimit të kësaj lirie për të promovuar teorinë e diktaturës së proletariatit si teorinë e lirisë së vërtetë. Zonja Ypi, në një sistem kapitalist që ajo e konsideron me të njëjtën mungesë lirie si komunizmi, pati mundësinë të realizonte lirinë e saj. Duke nisur rrugëtimin e saj nga e njëjta pozitë, i njëjti mjerim, përballë të njëjtave “struktura lirivrasëse” të kapitalizmit si 3 milionë shqiptarët e tjerë. Në komunizëm do t’i mjaftonte shprehja e një dëshire të tillë për të përfunduar në burg. Vetë karriera e autores hedh poshtë krahasimin që i bën ajo lirive ose mungesës së lirive në komunizëm e kapitalizëm. 
Nuk kam aspak nevojë të përdor kritikën liberale për të hedhur poshtë konceptimin e lirisë që sygjeron libri. Mjafton analiza e tekstit. Por po shtoj edhe një element tjetër:
Në një intervistë me Ilva Taren dëgjova zonjën Ypi të thoshte se për të “të jesh i lirë është të bësh atë që duhet nga ana morale”. Ky është konceptimi gati-kantian mbi të cilin është mbështetur çdo totalitarizëm e diktaturë moderne. Kjo vjen për dy arsye: Së pari sepse liria është e kundërta e detyrimit. Kur ti bën diçka sepse duhet dhe jo sepse do, atëherë nuk je i lirë. Ndoshta je i drejtë, i saktë, korrekt, i ndershëm, i dobishëm, por jo i lirë. Normativja morale egziston dhe është krijuar pikërisht si kufizuese e lirisë. Ligji e morali përcaktojnë atë që është e ndaluar, domethënë kufizimin e lirisë. Liria nuk ka nevojë për përcaktim. Liria egzistonte përpara se njeriut t’i shkonte ndërmend të krijonte ligje. Kompromisi që bëjmë në organizimin politik është ai mes normatives dhe lirisë, thënë ndryshe një negociim i përhershëm i përcaktimit të kufinjve të njërës në kurriz të tjetrës. Sa më shumë norma aq më pak liri. Kur i jep dikujt të drejtën të përcaktojë çfarë është e drejtë për të bërë, ti i jep të drejtën e pakufishme për të të hedhur në qafë zgjedhën e robërisë.
Së dyti, morali është një koncept lehtësisht i manipulueshëm e i interpretueshëm sepse të hap një kuti Pandore aksiologjike më të thellë sesa pusi i Danaideve. Komunizmi, fashizmi, nazizmi, teokracitë fondamentaliste janë ngritur të gjitha mbi idenë e superioritetit detyrues të moralit mbi lirinë individuale. Shkurt, ky koncept i lirisë është në fakt e kundërta e lirisë. Çfarëdo që të jetë liria, nuk është kjo. Ky konceptim do të trondiste jo vetëm një liberal, por edhe shumë të majtë që kanë hequr dorë nga konceptimet e përbotshme të vlerave që mbrojnë dhe tashmë synojnë më tepër ngritjen e një hegjemonie kulturore të majtë pa pretendime të atij lloji të metafizikës shkencore që ndërtoi Marksi. 
Ky libër mund t’i shkojë për shtat shijeve të së majtës së kaviarit në universitetet perëndimore. Ai mund t’i pëlqejë edhe një publiku shqiptar të pamësuar me sportin e debateve politike. Kam vërejtur me çudi se i ka pëlqyer edhe ndonjë antikomunisti që njoh. 
Reagimi duartrokitës ndaj librit flet shumë për mënyrën sesi shqiptarët e kanë përtypur historinë e tyre në komunizëm dhe sa janë meritues të realizimit të lirisë për të cilën brohorisnin në 1990.
.
Marrë nga muri i FB i Ermal Hasimes 25 dhjetor 2021
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.