back to top
11.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Mehmeti Shehu i shkruan letër Dushan Mugoshës – dhe leximi me sy historik i një dokumenti nga Jozef Radi

Gazeta

Mehmet Shehu- Ffiqerete Sanxhaktari - Miladin Popovic
Mehmet Shehu- Ffiqerete Sanxhaktari – Miladin Popovic

Mehmeti Shehu i shkruan letër Dushan Mugoshës

dhe leximi me sy historik i dokumenteve 

nga Jozef Radi

Mbasi lexova kët letër që Mehmet Shehu, komandanti i Brigadës së I, i shkruante Dushan Mugoshës në shkurt të vitin 1944. rashë në reflktim… Ajo çka munda të vërehej edhe nga një lexim i pavëmendshëm i kësaj letre, dukshëm është e qartë ndjenja e thellë e nënshtrimit ndaj dy emisarëve jugosllavë, që ishin dërguar për organizimin e Partisë Komuniste e më pas edhe luftës që fasadën ta kishte nacional-çlirimtare por që të realizohej i plotë qëllimi i këtyre emisarëve ajo duhej të shëndrrohej në Luftë Civile si një triumf i pansllavizmit, duke shfrytësuar atë pjesë të kësaj shoqërie që lehtësisht do të binte nën kthetrat e internacionalizmit por më shumë nën kthetrat e të dëguarve të Titos: Dushan Mugoshës (Sali Murati) dhe Miladin Popoviçit (Ali Gostivari)
Ndërsa e ndjek letrën, e kupton se Mehmet Shehu është inicues i Luftës Civile. Në shkurt të ’44, ai dëshmon me shkrim se tre betejat më të rëndësishme të tijat në këtë kohë janë kundra ballistëve! Kjo e shkruar prej tij! Në letër ai ka një shpirt nënshtrimi ndaj Dushanit që është e turpshme deri në neveri, ai i drejtohet nëntë herë “Saliut” (të nënvizuara) në trajta nga më të ndryshmet, duke i kërkuar deri edhe të dezertojë nga detyra që ka die të vijë e të jetojë si komit aty në Brigadën e Parë, sepse ai i jep shpirt asaj që ta vazhdojnë bashkë atë krim të nisur kundra shqiptarëve, prandaj i duhej egërsia e paskrupullt e shokut Sali!!! Pastaj me sa entuziazëm e paraqit organizim e Brigadës së parë me 1015 partizanë, ku befas  na dalin 165 ishin të huaj, (ndoshta mbetjet e batalionit “Antonio Gramshi”) pra 1/5 e tyre. Ndërsa kur futet te pjesa autokritike ndaj Dhushanit, aty e gjithë heroika lavdishme e luftëtarit të Spanjës, i ul brekët deri në fund të këmbëve…
Mjafton një letër kësisoji (duhet të jenë me qindra të tilla) për të kuptuar atë mashtrimin e madh që vazhdon e trumbetohet edhe sot: mashtrimi me Themelimin e Partisë, me 28 mijë dëshmorët, me Heronjtë e paepur luftës, me mohimin e paskrupullt të Luftës Civile dhe idenë e marrjes me dhunë e pushtetit! Prandaj bie në sy për kex ajo dashamirësia e historianëve tanë, ndaj së pavërtetës së kësaj lufte, e që tashmë është një sëmundje e pashërueshme ideollogjike e historiografisë sonë…

Letra që Mehmet Shehu i shkruan Dushan Mugoshës shkurt 1944
Letra që Mehmet Shehu i shkruan Dushan Mugoshës shkurt 1944

Letra e Mehmet Shehut drejtuar Dushan Mugoshës:

I dashur Sali*
E ndjejmë menjëherë largimin tënd nga brigada. Na duket vetja sikur na mungon diçka me rëndësi, na duket se kemi mbetur si jetimë. Por nga ana tjetër mungesa jote na bën të përpiqemi më tepër se më parë, për të plotësuar atë që na duket se na mungon. Ndihma jote, shok ka qenë me të vërtetë e madhe për neve. Tash e shohim se kur ishe ti me ne, nuk para kuptohesh siç kuptohet tash. 
Brigada qëndron mirë dhe vazhdon të përmirësohet. Mbas ikjes tënde nga Miçani, forca të brigadës sonë shpartalluan një grup ballistash në Qarrishtë të Sevranit, kanë thyer keqas gjermanët në afërsi të Përmetit (këtej lumit) duke i ndjekur deri në Këlcyrë; forca të tjera shpartalluan 250 ballista në Dëshnicë dhe i ndoqëm deri në Këlcyrë, forca të tjera u zgjeruan në ndjekje të armikut deri në thellësira të Tomorricës, e deri në nahije të Beratit. Kemi tre ditë që ndodhemi në Vërzhezhë, ndërsa një pjesë e B. II që mbeti e bllokuar në Zagori, u tërhoq në Greqi, e pardje na çoi korrierët dhe na thotë se është futur në Poliçan, ku ka rrethuar Ismail Golemin me një çetë balliste.  
O Sali, ç’pamje madhështore! Brigada e gjithë e mbledhur mbi borë në Vërzhezhë, forc’e madhe: 1015 (850 shqiptarë pra 4/5). Bëmë mbledhjen e brigadës sot dhe konferenca doli me sukses. Pas konferencës u mblodh rinija e Brigadës.
Dje dhe pardje bëmë konferencat e shtabeve të batalioneve, të komandantave dhe n/komandanave të kompanive dhe të komisarëve dhe n/komisarëve duke u shpjeguar gjerë e gjatë njoftime taktike instruksione ushtarake, librin “ushtrija Nac-Cli: etje
Së shpejti do lëvizim. Kemi bërë ndryshime të mëdha në kuadrot e Brigadës. Plotësuam shtabet e Batalioneve. Tash jemi prap gati për zajrr!
……………….. 
Tashti Sali, 
letra që më dërgove është ngushëllim për mua, do ta konservoj. Aty tregohet se çfarë interesimi personal, special, tregon, shok, për të më mbushur mendjen mua mbi pikëpamjet e gabuara që shfaqa. Tregon një interesim për të më ndihmuar si komunist, që të kuptoj të vërtetën. Unë kritikoja mbi përbërjen e shtabit operativ,** sepse mendoja se Brigadat do të vareshin për çdo gjë në atë shtab, por tash e shoh në praktikë se neve na është caktuar sektori i veprimit dhe na është lënë autonomija e nevojshme në veprim. Ajo autonomi relative që unë kërkoja e që kishim frikë se mos na ndaloheshe. Neve jemi në lidhje të rregullt me shtabin e po veprojmë simbas udhëzimeve të tij.
Shiko Sali,
një gjë që më trondit: më trondit fraza që ke përdorur në letrën që më dërgoje: “sepse dyshon se do të kuptojmë keq!”
Gabimi është se nuk ndenja të shpjegohesha gojarisht, por u shpjegova me letër të shkruar shpejt e shpejt, e cila të detyron të mendosh se unë dyshoj në juve se… Më trondit Sali, se unë kurrë s’kam dyshuar në ty e në Halimin. E në kë të dyshoj? Në partinë?! Pse s’më ha mortja mua në rast se dyshoj! Çfarë komunisti qenkam unë kur dyshoj në shokët më të mirë të Partisë? Nuk mjafton ndihma që na keni dhënë neve, nuk mjaftojnë sakrificat që keni bërë e po bëni për neve, por edhe dyshimi mbi to? Hajde i shkreti Mehmet, hajde çfarë komunisti! Çfarë mizerabël u bëka njeriu ndonjëherë kur s’është në gjendje të shpjegohet!
Jo Sali,
Mehmeti s’dyshon në Partinë. Partia për mua është gjithçka: jetë! Sa do të kënaqesha sikur të fjaloseshim gjatë një herë. Vetëm ajo frazë më vret dhe tjetra, e gjithë letra më ngushëllon, më përkëdhel,më këshillon, më mëson. Tregon ç’afrim kam me tyj shok, e asnjë urrejtje, as një përbuzje, asnjë kritike destruktive (negative). Po e konservoj letrën e do të më shërbejë si fotografija jote, si kujtim.
Kështu shok i dashur, sa mund të zgjatesh me ty, por ke punë, kemi punë të dy…
Po ju dërgoj vetëm 3 për në Br. IV. Ke mbajtur edhe Qazim Malon që vlen shumë për Kom. kompanije….
Sefedinin e pushkatuam (konspirativisht), sepse me fakte mori rrugën e Xhelalit (Staraveckës).
Po të dërgoj aparatin me gjithë filma dhe fotografi e libra. Është aparat shumë i mirë. Fiqireti ka një aparat “Zais Icon” dhe unë një Agfa që ua zumë gjermanëve. Na shkruaj ç’të duhet se Brigada e I është gati të ta plotësoje dëshirën. Ah Sali, sikur të dezertoje e të na vije prapë, do të mbanim komit, kontrabandë!
Kaq Sali për tash!
Brigada e I sulmonjëse, të jep fjalën, se do të bëj çmos që të bëhet Proletare*** sa më parë, po kërkon prej teje facaletat e ngjyrës proletare. Brigada të bën të fala 
V.F – L.P. 
Qafime me mall Ty, Halimit dhe shokëve
Mehmeti i Brigadës së I-rë S. 

Tarasi midis Dushan Mugoshes dhe Miladin Popoviç
Tarasi midis Dushan Mugoshes dhe Miladin Popoviç

*Sali Murati kishte pseudonimi gjatw Luftës i serbit Dushan Mugosha, që ishte organizator i Partisë Komuniste po edhe organizator i Luftës më shume se çlirimtare ishte Luftë Civile…
**Nga fundim i muajit dhjetor 1943 e deri në fillim të shkurtit 1944, kur Brigada e parë vepronte në zonën e Gjirokastrës, u krijua një shtab i përbashkët operativ me forcat e Brigadës së së I dhe me luftëtarët e Zonës së I Operative Vlorë Gjirokastër, ku përfshiheshin edhe brigada e V dhe e VI.
**Në kundërshtim me emrin Brigada Sulmuese, përcaktuar nga shtabi i përgjithshëm, Mehmet Shehu u dashurua pas termit jugosllav, Brigada Proletare!

.

Ps. materiali u mor nga faqja e FB e Kastriot Dervishit!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.