Nji foto e lexueme mbas 22 vitesh…
nga Jozef Radi
Prishtinë, 10 qershor 2000.
Nji vit mbas përfundimit të Luftës së Kosovës, ndodhi edhe udhëtimi ynë i parë drejt Kosovës!
Lazër Radi, ishte largue nga Prizreni familjarisht me 28 tetor 1929, dhe s’mundi kurrë me u kthyej në vendlindje të vet në të gjallë…
Pak para se të vdiste, na e la amanet: “Kosova shpejt ka me u çlirue. Ishte i bindun! Ditën që ajo t’jetë e lirë, due që ju t’jeni atje edhe për mue… Kam besue se n’të gjallë tim kisha me e pa Kosovën e lirë… edhe Prizrenin tim! Po ani, s’prish puën… Mjaft që ajo t’jetë e lirë! Shkoni ju t’parët!”
Kështuqë nji vjet mbas çlirimit të Kosovës dhe ma pak se dy vjet nga vdekja e Lazër Radit, në amanet të tij: Ferdinand Radi, Jozef Radi, Luçiano Radi e n’besë t’nji djali t’Malsisë së Gjakovës, Selami Zallit, u ndërmorr aventura e takimit me Kosovën, at qershor…
Ishte nji udhëtim i rrallë, sa i trishtë aq edhe mahnitës…
Në mbramje para se me hy në Kukës, na u shpue njena gomë e makinës… Fjetëm aty n’nji shoqni të mirë malsorësh, e posa zbardhi drita msymë në kufi, me etjen me prekë tokën e Kosovës… atë tokë që parët tonë ishin detyrue prej represionit me e braktisë… Hymë në mëngjes në Prizrenin e Lazrit…
Na i kishte lanë të shkrueme se ku duhej të shkonim… E shkuem ngado atje ku kishte banue, kaluem ndër urat e Lumbardhës, dolëm te Shpia e Lidhjes, ndalëm te Xhami e Sinan Pashes, shkuem deri te Marashi, pime ujë te Shadrivani, hymë te kisha ku ishte pagëzue e te fusha ku kishte luejtë… N’Prizren, n’ma t’bukrin vend… ishin gjithkund gjurmat e luftës dhe djegjeve. Ishte gëzim, po i trishtë… Ishte nji ndërthurje emocionesh, që mbasi je ringjallë edhe mundesh me vdekë… Drekuem ngutshëm, dhe morëm rrugën për Prishtinë. Kaluem nëpër Grykë të Shtimljes, tue u ndalë gjithkund e tue pytë… Edhe në Prishtinë me të pyetun hymë e me të pyetun i gjetëm kushërinjtë tonë… Dinim veç “Kodra e Diellit” e asgja tjeter. Trokitëm në familjen Ukshini. U kallzuem kush jemi dhe pse kishim ardhë… Takuem për s’pari Filen, mbesën e Lazrit, që e kishte pasë si motër, pse ishin thuej t’nji moshe… Nuk u shmallëm thjesht u njoftëm. Ndjetëm atë natë në Prishtinë… mbi të gjitha provuem “suxhuk Kosove…”
Ishte verë. Kishte mjaft pluhun po edhe erë baruti… Kosova sikur kërkonte me marrë frymë, sikur i kerkonte shpetim vedit…
Të nesërmen pime kafen e mengjesit e mbasi shetitëm me Engjëll Ukshinin, pamë gjithkah gjurmat e gjalla të luftës. Te stadiumi “Boro e Ramizi” dukesh e qartë që “Bashkim-Vllazërimi” kishte qenë nji rrenë e madhe, ashtu si ndër ne “bashkëvuejtës dhe bashkfajtorë…!” Dashnia si parulle gjithkah…
E lamë Prishtinën dhe iu nisëm përmes Fushë-Kosovës e dolëm në Klinë! Takuem dy djemtë që Luçi i kishte mbajtë në shtëpi, gjatë lufte… Drekuem në kullën e tyne me mure të trasha qerpiçi… Gjithkund shtëpi të e djeguna, ura të bombardueme, rrugë me shirita fytyra te hidhta…
Prej aty morëm rrugën për Pejë… Në qytetin e lindjes së nanës sime ka edhe aty gjurma të fisit të saj… Po ne kemi ardhë me ikë, veç nji sy çka asht Kosova…
Qendra e nji Pazari të mrekullueshëm në Pejë ishte i gjithi shkrumb… ende mbas nji vjeti dukej sikur dilte nji tym i zi krimi dhe hajnie… Nganjiherë më vinte keq që po e shifja njat dramë njerëzore dhe barbarie në vetë të parë… Prej aty kaluem në Gjakovë… Edhe aty na u shfaq dhimbja e perzhitun e Çarshisë së Madhe me nji krah e n’nji krah tjetër edhe Kisha Ortodokse, përballë hotelit Liria, n’mos gaboj e hjedhun në ere pak ditë ma parë… Ikëm me dhimbje edhe prej aty, dhe u ndalëm paksa në të hyme të Bishtazhinit e të rranjve të che fisit Radi… Nuk njihnim kërkend, e koha s’na premtonte as me pvetë kend. Morëm për n’Qafën e Morinës… nji prej zonave ma t’egra të luftës… Rrugë pa rrugë… Ngado gropa, shirita minash, copa predhash, ankth udhtarësh pa busull… Humbëm edhe rrugë, e u detyruem m’u kthye mbrapsh… Dikur u futëm në hulli… e mbrritëm mbas peripecish n’majë atje ku ndahet kufini mes shqiptaresh… Gjithçka e mitralueme, gropa bombash, mure te bame fertele plumbash e balte gjithkah… I hodhëm edhe nji sy Kosovës e nji sy Malsisë së Gjakovës… Liria tashma ishte aty… Kishte tmerr e dhimbje… po kishte edhe shpresë…
Dita ishte në t’thyem, kur morëm teposhtën.
At natë do të bujtnim në Bajram Curr, në Familjen Zalli, mbasi me të e kishim çue n’vend si në nji aventurë rreziku edhe Amanetin e Babës…!
jozef radi, 11 shkurt 2022, marre nga Muri i FB
.
Në foto. Qershor 2000, Luçiano Radi, Jozef Radi, Ferdinand Radi dhe Engjëll Ukshini, fotojo realizue nga Selami Zalli.
.