back to top
-1.5 C
Tirana
E diel, 24 Nëntor, 2024

Një fjalë sa qielli e ruajti për njerëzit… – nga Xhahid Bushati – në kujtim të Marian Skanjeti

Gazeta

Vllezrit Skanjeti  Andrea (1906-1992), Emanueli (1911-1953),  Viktori, (1922-1982), Federiku (1908-1988), Mariani (1920-2003)
Vllaznit Skanjeti: Andrea (1906-1992), Emanueli (1911-1953), Viktori, (1922-1982), Federiku (1908-1988), Mariani (1920-2003)

Një fjalë sa qielli e ruajti për njerëzit… 

nga Xhahid Bushati

Në kujtim të mikut tim Marian Skanjeti 
dhe librave të tij poetikë “Midis njerëzve” dhe “Vargje pleqnie”.

Autori i shkrimit Xhahid Bushati
Autori i shkrimit Xhahid Bushati

1.
Marian Skanjeti, vëllai i regjisorit të mirënjohur Andrea Skanjeti, lindi më 18 gusht 1920. Me të vëllanë lidhet kjo histori, për të cilën do t’ju rrëfej: “Në gjyqin e dënimit të Marian Skanjetit, u thirrë si dëshmitar i vëllai, Andrea. Me urtësinë, mençurinë dhe maturinë e tij që e karakterizonte, Andrea i tha prokurorit: “Keni gabuar rëndë që më thirrët të flas kundër vëllait tim. Që nga ky moment po shkoj dhe unë në bankën e të akuzuarit e rrimë bashkë në burg me vëllanë, se gruaja më ka vdekë e fëmijë nuk kam. Ma shumë due vëllanë se partinë.” U dëgjua një klithmë shtazarake e prokurorit dhe e nxorën Andrean jashtë nga salla.

2.
Mariani rridhte nga një familje intelektuale e tregtare. I ati ishte inxhinier ndërtimi, kurse e ëma një grua intelektuale dhe me kulturë.
Mësimet e para i mori në Durrës dhe i përfundoi në Shkodër në kolegjin Saverjan dhe në gjimnazin Françeskan të Gjergj Fishtës. Në Universitetin e Peruxhias në Itali, përfundon studimet për gazetari. Në vitin 1943, në “Cine Citta” të Romës jep provimet për regji teatro-kinematografike. Është i njohur si aktor në skenat teatrore para profesioniste të Shkodrës (1935-1943). Në Durrës dallohet edhe si fitues i medaljeve në not, me ngjyrat e S.K. Teutës.
Veprimtaria e tij politike është e gjerë, që nga mosha 17 vjeçare e deri sa ndërroi jetë. Është dënuar tri herë: në Shkodër (1945), në Korçë (1949), në Durrës (1985) në moshën 65-vjeçare. Ka kaluar në pesë burgje: Shkodër, Korçë, Vlorë, Tiranë e Durrës. Ka punuar në katër kampe shfarosjeje duke përfshirë të pestin kampin e mundimeve, në repartin Nr. 215, në ushtri.
Gjatë viteve 1975-1985 ka shkruar katër vëllime të titulluar: “Vështrime në panoramën historike”, “Martin Shpati” (roman autobiografik), poezi, ditar e shënime të ndryshme, etj. Të gjitha këto materiale bashkë me bibliotekën iu konfiskuan ditën e arrestimit, gjë që vërtetohet në akt akuzën e vitit 1985. Pas daljes nga burgu punoi edhe në bujqësi në fermën e Xhafzotajt e në Sukth.
Në vitet që e njoha, edhe pse i thyer në moshë vazhdonte të shkruante e të merrej me veprimtari shoqërore e politike, për ta parë Demokracinë në piedestalin e nderit. Mariani ka themeluar dhe ka qenë kryeredaktor i gazetës “Pishtari”.

3.
Marian Skanjetin e kam njohur në fillim të pranverës së vitit 1991. Nuk mund të harroj lëvizjet dhe ecjen e tij prej aktori, diksionin e qartë, fjalinë e pastër dhe me kuptim, sytë e qeshur, por shpesh të vrullshëm. Më vonë e njoha edhe për shpirtin e madh dhe dashamirësinë e tij. Më vonë e njoha, edhe kur vishej me kostum, një kostum kafe të çelët me rrigata të holla. Më vonë e njoha edhe kur vinte të më takonte… këtë radhë kishte vënë kapelë republike. E kujtoj…, dhe më bëhet se ende kështu ecën udhëve të qytetit tim, me lirinë në shpirt dhe në ëndërrime… 
Ecën Mariani me një ecje qiellore…
E kujtova, sepse ma kujtoj, në fillim, libri me poezi i titulluar “Midis njerëzve”, dhe më vonë “Vargje pleqnie” me autor Marianin… Nuk mbaj mend sa herë i kam lexuar… Tani po e lexoj përsëri… sigurisht me një optikë tjetër.
Të parën gjë që mendova ishte se poezia nuk njeh moshë. Pastaj thashë, edhe një thinjë e bukur dhe fisnike bashkëjeton me petalin e një trëndafili. Seç duan t’i thonë njëri-tjetrit në dimensionin e zemrës së poetit, i cili në magjinë e madhe të krijimit e ruan një metaforë përjetimi t’ua falë njerëzve, dëshiron t’u thotë një fjalë të mençur e të urtë, edhe pse jeta e Marjanit ka kaluar përmes ferrit dantesk, duke u përpjekur për të parë një copëz qielli të kaltër, një yll të largët shprese e një hënë me mallin e Vendlindjes…
Poeti Marian Skanjeti gjithnjë e ruan një fjalë, një fjalë poeti plot dramë jete e besimi: “Zot,/ dhimbje trupi e shpirti s’duroi ma./ Mjaft durova 22 vjet, brenda telave të shkretë!/ Më kishin mbetë edhe 25 të tjera jashtë me vuajtë,/ ma zi se në tela ndry!// Zot, a do të më besosh se jam me TY?!”

4.
Është e pamundur të mos vëresh se, në shumë poezi të këtij libri, metafora e qiellit të kaltër është e pranishme. Kjo e ka një arsye. Poeti kërkon hapësirë, hapësirë shpirti!
Mariani i beson këtij qielli për të cilin rrëfen… I falet. E ka idhull. Edhe atëherë, kur dritarja e vogël ishte me hekura (në fakt hekurat zvogëlonin jetën), syri i poetit shikonte qiellin dhe shpirti i mbushej me qiell.
Jeta! – pëshpëriste kënga e poetit. E Jetë gjen në çdo varg, në çdo figurë poetike.
Jeta! Jetë! – është thirrja e poetit, edhe atëhere kur plot vargje të brishta e, si një prind flet për Ritën e vogël; edhe atëhere kur flet për trumcakun e vogël…!
Jeta! Jetë! – është një thirrje e shfaqshme në çdo ind të poezive të këtij libri, vibron dhe na fal qartësi dhe kaltërsi qielli, të një qielli dëshmitar dhe ëndërrimtar, të një qielli qiellor…

5.

Por poezia e Skanjetit është edhe luftarake, edhe e ëmbël. Shpesh, konceptimi dhe ndërtimi i figurave krijon në poezi një asociacion të fuqishëm sentencial. Kjo ndoshta lidhet edhe me natyrën e tij, që i pëlqen (te) gurra e mençur popullore e trevës së Veriut. Por edhe ndërtimi i vargut të krijon idenë e hapësirës. Një hapësirë dashurie për poetin Marian Skanjeti, i cili si një kredo e ruajti një fjalë për njerëzit, një fjalë sa qielli, të një qielli të kaltër, pa thinja, të një qielli të kaltër si këngë lirie që e ëndërroi dhe e dashuroi përjetësisht…
Një fjalë e ruajti…
Shkodër, shtator 2018

Botuar te VOAL, 17 shtator 2018

Marian Skanjeti para bustit te Luigi Gurakuqit
Marian Skanjeti para bustit te Luigi Gurakuqit

Një foto e Marian Skanjetin në Shkodër

Jam duke kërku të dhana për disa familje shkodrane se kam një ide për një libër. 
Më ka ra në dorë një fotografi ku Marian Zef Skanjeti (1920-2003) është ulë në gjunj përpara do burrave të demokracisë mbas vitit 1991. 
I kam indentifikue e këta persona përballë janë Gjergj Livadhi, Filip Guraziu, Dhimitër Anagnosti, Ahmet Bushati, Ded Kasneci, Flamur Elbasani dhe Ali Kazazi që e ka kapë përdore.
Pyetja që më lind natyrshëm është: Pse të bjerë në gjunjë i burgosuri politik Marian Skanjeti?! 
Kujt i përfalet dhe përse?
Kush ka dijeni se pse ka ndodhë dhe çfarë shpreh ky moment është i lutur të na e shpjegojë.
Kolec Traboini

Marre nga muri i Fb i Kolec Traboinit

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.