back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Sabri Hamiti: Rugova, shkrimtari president!

Gazeta

Studiuesi Sabri Hamiti
Studiuesi Sabri Hamiti

Rugova, shkrimtari president

nga Sabri Hamiti

Në shekullin modern, disa herë, shkrimtarët (krijuesit) kanë provuar të kalojnë në veprimtarë (politikanë), në rrethana të ndryshme për vendet dhe popujt e vet. Rugova u bë President i Kosovës, ashtu si Vaslav Havel President i Çekisë. Ekziston një lidhje dhe një ngjashmëri e këtyre dy rasteve të fundit, edhe pse misioni i tyre dallohet: Haveli kërkoi liri, kurse Rugova edhe liri, edhe shtet.
Pra, si bëhet e pse bëhet homo politicus një homo poeticus; dhe ky kalim a është produkt personal apo produkt i rrethanave të një vendi e të një populli?
Rugova poeticus (krijues) shtrihet në kohë në dy decenie: nga viti 1968, kur rimori Ismail Qemalin dhe pavarësinë e Shqipërisë, deri në vitin 1987, kur refuzoi pushtetin e dhunës. Rugova politicus (veprimtar e udhëheqës) kap dy decenie kohë, nga viti 1987 deri në vitin 2006. Mirëpo, dramatika e kalimit nuk ngjet përnjëherë. Rugova i parë ishte poet, kritik e mendimtar.
Rezistenca e tij nis e zhvillohet si rezistencë artistike e kulturore, atëherë kur kultura merr një rol themelor social. Kjo disidencë kulturore në fillim duket njëherësh e errët dhe ndriçuese. Është një “zonë gri” ndërmjet asaj që është e lejuar dhe asaj që është e ndaluar, do të nënvizonte Haveli. Kjo është kohë e jashtëzakonshme, kur në gjysmëdiktaturë, krijuesit u drejtohen lexuesve, të cilët lexojnë për mrekulli ndërmjet rreshtave dhe kjo bëhet jehonë. Prandaj kuptohet kaq lehtë në Prishtinën e kohës, refuzimi estetik i Rugovës (ndaj Njëshit e diktaturës), për të pohuar mendimin e lirë dhe alternativën. Prandaj Rugova vetë insiston që krijimi është dhe mbetet autonom. Mirëpo, krijuesi, nëse duhet të ketë përkatësi, atëherë ai duhet të jetë i popullit e jo i oborrit. Kjo do të thotë që refuzimi estetik bën të mundur qerthuj të rezistencës, pa u larguar nga kreacioni letrar i rezistencës. Kjo bën strukturimin e butë të rezistencës, vetërregullimin e jetës në rezistencë dhe filozofinë e jodhunës si hyrje në çlirim.

Dr. Ibrahim Rugova
Dr. Ibrahim Rugova

Rugova, me heshtje krijuese, e mbyt zhurmën rreth vetes, në mënyrë që të dëgjohet gjuha e tij e pëshpëritjes (dhe lutjes njerëzore), me shprehje të buta e qëndrime të forta.
Dramatika e kalimit të Rugovës ishte e dyfishtë: dramë e mbrendshme dhe e jashtme. Grindja e brendshme ndërmjet ëndrrës dhe kreaturës reale bëhet jopaqëtore. Grindja e jashtme, me rrethin e me kundërshtarët bëhet e egër, e rrezikshme. Kjo ka të bëjë me kolegët sederhollë e joveprues, gjendje të cilën Rugova e përkufizonte me figurë: Me hangër gurë të nxehtë. Ndeshja me dhunën e jashtme ishte e rrezikshme dhe pa barazpeshë; gjendje të cilën Rugova e përsëriste shpesh edhe me rezignim: Ne kemi fjalët, ata kanë plumbat. Këtu duhet të kapet filozofia e jodhunës dhe e durimit, sepse urtia popullore po i fliste me zërin e Fishtës: Sepse trimi kurrë nuk ngutet, prej urtie, jo prej tutet.
Prandaj Rugova u bë një me të vetët, u pranua nga mbrenda, u pranua e u adhurua nga jashtë. Ai shumë më herët u bë President i popullit të vet, e pastaj President i shtetit, për ta fituar cilësimin kohor President Historik i Kosovës. Sepse ai u bë veprues e bashkues, por kurrënjëherë militant, duke mbetur mbrenda shpirtit të kreatorit e të vizionarit.
Rugova u bë prijës shpirtëror, që kapërcen kohët e hapësirat. Ai mbeti lundërtar lirie, që nuk ka kapërcim, i gjerë si deti, i qëndrueshëm si mali (mal e det), që nuk tronditet as kur gjuhet me gurë: kjo është filozofia e durimit të tij, e cila niset nga dëshira për t’u bërë shpresë, sepse shpresa në të vërtetë është besim, kurse besimi gjithmonë është i lidhur me një vizion.
Rugova krijoi ide e libra dhe bëri veprime. Librat dhe veprimet e tij tashmë janë trashëgimi e kulturës dhe e humanizmit të kombit shqiptar, që shumëzohet i shenjuar në mendimet e lexuesve të tij, duke e ribërë prapë e prapë Rugovën e letërsisë. Vizioni i tij pra është vepër e papërfunduar, ai mbetet lundërtar lirie i përjetshëm.
Pamja e Rugovës mbetet unike, me flokët e gjatë të (rock) rebelimit, lidhur në fyt një shall, si shenjë identifikuese poetike apo si shenjë e një trashëgimie autentike dhe një kravatë, si shenjë të përfaqësuesit, Presidentit. Kjo pamje është bërë kaq identifikuese e punës dhe e veprës së tij edhe mbrenda edhe jashtë vendit. Dhe kujtimi i tij na çon në kujtimin shpirtëror të Rugovës, që unë do ta bëja me figurën e ikonës.

(2012)
www.kosova.com

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.