back to top
4.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Pse nuk jam marksist? – nga Branko Merxhani (botuar më 1937)

Gazeta

Branko Merxhani (1894-1981)
Branko Merxhani (1894-1981)

Pse nuk jam marksist?

nga Branko Merxhani (botuar më 1937)

…Unë jo vetëm se nuk jam anëtar i parimeve doktrinare të shkollës Marksiste, por jam edhe anti-komunist. Hem si njeri mendimtar, hem, dhe bile shumë më tepër, si njeri – shqiptar. Jo vetëm në lëmin e shkoqitjevet theorike, por edhe në pikpamjet politiko-shoqërore të zhvillimit ndërkombëtar, unë nuk jam nga ata që pranojnë thezën se gjoja bota e qytetëruar e sotëshme është ndarë në dy fronte ideollogjike që luftojnë njëri-tjetrin gjer në pikën e fundit. Bota e sotëshme, ashtu siç e shoh unë, është ndarë jo në dy, por në tre fronte ideologjike; pjesa e tretë, pjesa më e madhe, më e shëndoshë, më impozante, mbeti besnike ndaj parimeve të Demokracisë përparimtare dhe kapërcen me fuqi dhe me vullnet gjithë tronditjet dhe tërë nervozitetet që shkaktoi lufta ndërkombëtare e periodës 1914-1918 në struktura shoqërore të popujve të mëdhenj që muarnë pjesë n’atë ndeshje më të tmerrëshme të së gjithë historisë së njerëzimit. Dhe jam i bindur se popujt e qytetëruar, popujt e mbrumur dhe të ritur brenda njëj tradite të gjatë zhvillimi kultural, nuk mund t’i sakrifikojnë për hirë të një aksidenti katastrofal, siç është çdo ndeshje luftarake. Liritë të tyre të shtrenjta dhe të shenjta për fitimin e të cilave derdhën pjesën më fisnike të gjakut të tyre brez pas brezi botëra të tëra. Kjo është bindja e ime e patundur.
Një nga pretendimet e marksismit, ndofta jo nga më themeloret, por nga më të përshtatshmet për të rekrutuar anëtarë, ësht ky:
-Dy të tretat e fitimevet të popullit shkojnë nëpër duart e një të pestës së popullsisë së një vendit.
Shkenca ekonomike dhe statistikat provuan që në krye gabimin e këtij pretendimi. Statistikat që janë bërë me metodën shkencore më të përsosur në këto kohë të fundit nxuarrnë në shesh analogjinë e shtimit të pasuris së të varfëvet në rast se fitimet e të pasurve do të përndaheshin popullit. Kjo llogari nuk është një pun’e lehtë. Por përfundimi i saj është kaq i hapët dhe kaq kategorik sa që edhe ato pika të pakta që mund të bisedohen nuk kanë pasur fuqinë që të influencojnë gjykimin t’onë të fundëm. P. sh. Sociologu gjerman Reiners shumë kohë më parë provoi se në qoftë se fitimet që kapërcejnë 8000 markë në vit do të shpërndaheshin midis atyreve që janë të shtrënguar të punojnë për bukën e gojës, fitimi i përditshëm i këtyre të fundit nuk do të shtohej më tepër se vetëm me një përqindje minimale e 0,19 mark. Me këtë rast shumë në Gjermani nuk mund të blehen as edhe katër cingare. Pra Marksismi nuk ka gjetur aspak “ilaçin për të zhdukur nga mesi varfërinë”…
Nga ana tjetër prap statistikat na mësojnë, me një mënyrë që nuk lë as edhe dyshimin më të vogël, se në çështjen e sigurimit të miravajtjes së një populli, një nga faktorët që lozin rolin e parë është përdorimi dhe përparimi i Teknikës. Bie fjala në Shtetet e Bashkuara t’Amerikës, ku teknika ka arritur kulmin, që nga viti 1919, prodhimi kombëtar ësht shtuar 42%. Influenca e madhe dhe kategorike që ka organizimi teknik mbi shtimin dhe mbi rregullimin më të mirë të pasurisë së një populli mund të mirret vesh edhe nga disa krahasime të vogla të tjera. Simbas statistikave gjermane – jo të kohës hitleriane – prodhimi mekanik vjetor që bie për çdo frymë n’Amerikë është 99 RM. Kurse në Kinë, vend primitiv dhe pa farë teknike, është vetëm 0, 20 RM. Në Shqipëri pothuaj 0.
Një argument tjetër i Marksismit, nga ata që ka marrë në qafë dhe që ka sjellur vërdallë mendjen e shumë njerëzve, është ky:
Regjimi më i fortë i kësaj theorije ka qenë i famëshmi Kautzky. Mirë po statistikat provuan të kundërtën. Industria e vogël kudo dhe kurdoherë mundi të mbrojë vehten e vet dhe bile shumë bukur. Me një mënyrë të përgjithëshme mund të themi se industria e madhe është e vendosur kurdoherë pranë industries së vogël, kudo që ndodhej një industri e tillë. Industria e madhe është një çpikje e kohërave të reja: është një burim i ri për pasurinë kombëtare. Asgjëkundi nuk u zhdukën sipërmarrjet e vogla. Pastaj ç’rëndësi ka për Ekonominë kombëtare të një populli nëse industria është e madhe apo e vogël? Puna qëndron gjetiu: Për makinave, një punë kjo që mvaret jo nga kuadrua formal i veprimit industrial, por nga disa kushte të veçanta, se bie fjala lloji dhe shkalla e organizimeve tregtare dhe teknike. Këto kushte ndryshojnë simbas kategorisë s’industries. Kurse Filosofia marksiste nuk lë asnjë çështje pa e future nën klishen e saj të përgjithësimit. Kërkon që disa formula ndërkombëtare, që paska çpikur, të zbatohen një lloji në tërë ngjarjet dhe çështjet. Studime krahasore ekonomike dhe përfundime të gjurmimeve të bëra mbi zbatimin e Theorisë së Analogjisë kanë mposhtur gjithë këto “zgjidhje shpëtimtare” të marksismit si kërpudha të dobëta dhe t’ushqyera mangut të arës ideologjike të njerëzimit. Shifrat që do të shohim në paragrafin që vijon do të na e mbushin kokën.
Ja edhe një tjetër pretendim marksist dhe bile një nga më themelorët:
Fitimet e kapitalistëve shtohen gjithënjë; kurse mëdijet e punëtorëvet ulen.
Ja si e përmbledh edhe gjendjen e vitit 1932, Hekner-i, prap një nga shkencëtarët me autoritet. “Pretendimet se gjoja grumbullimi i kapitalit në njërën anë, shkakton shtimin e mizerjes s’anës tjetër”, është një gjë krejt absurde dhe bie në kundërshtim flagrant me ngjarjet e rrjedhëshme. E vërteta është kjo: Sa më tepër përparon koncetrimi i kapitalit aq më tepër përmirësohet edhe gjëndja e puntorisë”.
Theorisienët që mbrojnë thezën marksiste thonë: “Një punëtor ka të drejtë të mendojë se nga puna e tij pasurohet vetëm kapitalisti dhe nëqoftëse nuk shtohet edhe mëditja e tij analogjikisht me shtimin e fitimit të kapitalistit etj., e tjera” Mirëpo gjithë kjo leteraturë kryengritëse nuk bëri pothuaj asnjë efekt mbi shpirtin e punëtorit. Punëtori amerikan dhe europian sot është në gjëndje të çmojë më mirë nga çdo kush tjetër gjëndjen e vet ecën mirë nuk merr vesh asgjë nga kontrastet shoqërore që i përshkruan me ngjyra kaqë të tmerrëshme theorisieni marksist dhe nuk ndjen asnjë dëshirë që të shkojë pas thirrjeve kryengritëse të tij. Nëqoftëse punëtori ndodhet me të vërtetë në një gjëndje miserable, atëhere vetëm një efekt mund të ketë kjo ndodhje: Mizerja do të bëhet Ideologji dhe rryma revolucionare e proletariatit do të shkojë duke u shtuar. Mirëpo një proletar mizerablë si do të jetë në gjendje të realizojë detyrat e larta që i ngarkon Marxi? Nga mizerja vetëm një gjë del: Mizerje…!

Filozofi Branko Merxhani
Filozofi Branko Merxhani

Tani le të flasim pak dhe mbi shëmbëllën e Rusisë sovjetike. Rusia e kohës së Carëve ka qenë një vend që ndodhej jashtë kuadros europjane. Rronte ende në epokën feudale dhe nepotike, epokë nga e cila Europa europiane kishte dalë dhe kishte shpëtuar të paktën dy shekuj më parë. Prandaj një krahasim midis Rusisë cariste dhe Rusisë bolshevike s’ka asnjë vleftë për një kritikë rreth parimeve doktrinare të Marksismit. Marksismi lindi n’Europë bashkë me një tok theorirash të tjera, dhe fati i tij do të provohet prap në vënd-lerjen e vet. Një shkrimtar frëng Charles Louis- Philippe, pritëka ardhjen e Barbarëve… Rrugat që kryqëzohen midis Petersburgut carist dhe Moskës bolshevike, si dhe stepet e pafundëshme që shtrihen në të dy anët e Uralëvet, janë grykat e kalimit nga ku shkuan tufa-tufa çeta aventurierësh që plaçkitnin çdo gjë që u dilte përpara. Udhëtarët që sot kalojnë nëpër këto rruga s’kanë asgjë me vehte që bie ndër mend fytyrën e shokëve të tyre të vjetër. Kohët ndryshuan. Ata që pritën dikur n’Europë ardhjen e Barbarëve mbetën gojë-hapët. Nga asnjë anë nuk u dukën Barbarët. Përkundrazi nëpër stepet ruse u hapën rrugat, u shtruan vija hekuri, dhe këtej futën në thellësit e Asis tej-për-tej çpikjet mekanike, tymet e fabrikavet dhe bashkë me ‘to edhe karavane iderash të tëra që mbajnë me vehte palçkat e tepëruara, skartat, të super-produksionit ideologjik të popujve t’Europës. Drejtimi i rrugës shkon nga Perëndimi në Lindje. Nuk është Asia Perëndia e dheut që cakton typin e qytetërimit të Botës. Ndofta kështu ka qenë dikur. Në kohë shumë të lashta. Sot nuk është më. Siç duket këtu kanë për t’arritur mësë fundit punët: Asia do të europizohet – si b. f. janë duke e europizuar, simbas temperamenteve të veçanta të popujve të tyre, Turqia, Persia, Kina edhe… Rusia vetë!

Sido-kudo Bolshevizmi është një prodhim rus dhe s’mund të ketë veçse edhe një zhvillim rus. Atje, kush e di, mund të kenë ndryshuar shumë gjëra. Por Dhespotismi mbeti. Dhe gjer sa nuk do të çkulet nga vendi i tij ky armik i tmershëm i çdo përparimi dhe i së vërtetës, nuk do të jet’e mundur të mësonjë diçka të sigurt mbi gjëndjen e atij vendi. Atje çdo gjë është edhe një eksperiment dhe çdo eksperiment është një problem i s’ardhmes.
E ardhmja! Ja gogoli Bolshevik! Thonë disa: “Qeveria bolshevike për hirë të lumturis të brezave t’ardhëshme sakrifikon jetën dhe lumturin e brezave të tanishëm”. Mirëpo këta harrojnë se Marksistë kanë qenë prap ata që kritikuan ashpërsisht kapitalistët e pafajshëm? Se u sakrifikuan breza të tëra punëtorësh që të sigurojnë t’ardhmen e punëtorëvet të sotshëm t’Anglisë…?
“Nënpunsat e një Qeverie dhespotike, – thonë Marksistët, – kanë një zotsi teknike më të lartë dhe janë në gjendje ta mendojnë më mirë jetën dhe lumturin e punëtorëve!”.
Përrallë! Qytetrimi i Europës ka 2000 vjet që provoi me fakte dhe argumenta që s’mund të rrëzohen se zotësia nuk është një vlerë e prerë. Është një vlerë shum’e veçantë dhe shumë relative. Qysh prej kohës së Sokratit mëndja njerëzore njeh se te një kapitan i një anije, te një mjek, te një makinist, gjenden veç e veç vlerat dhe zotësitë e ndara dhe të ndryshme. Nënpunsat e shtetit janë vetëm nënpunsa të shtetit, dhe aq. Që të bëhesh një reformator i shkëlqyer, veç zotësive teknike të mëdha, duhet të kesh edhe një fuqi imagjinare të vrullshme, por edhe diçka tjetër. Zotësinë që të mos rrëmbehesh shpejt e shpejt nga gjërat fantastike dhe nga ëndërrimet sentimentale…!
Regjimi Bolshevik paska si qëllim kryesor të zhdukë regjimin kapitalist t’Europës. Ëndërr! Bolshevizmi rus s’është gjë tjetër veçse një mënyrë zbatimi ruse që ka si qëllim të futij në Rusi metodat kapitaliste t’Europës. Ndryshimi në mes është në mënyrën me të cilën zhvillohet ky proces, i cili atje kërkon rrugat që të pajtohet me temperamentin e vendit. Bolshevizmi që të vërë në dorë mjetet e punimit që përdor kapitalizmi europian dhe gjer më sot viktima të tmerrshme dhe therorizoi me miliona frymë njerëzish. Në realitet Marksismi nuk mohon aspak vlerën e regjimit kapitalist. Vetëm pretendon se methodat e tij shtojnë rrymën e papunësisë. Pse? Regjimi kapitalist nuk paska qënë i zoti të sigurojë ekuilibrin midis prodhimit dhe nevojës; vetëm Marksismi na qënka në gjëndje të bëjë këtë gjë; nëqoftëse në Rusi nuk u sigurua ende, do të sigurohet brënda 4, 5 ose 30 vjetëve me doemos! – Ka kush që do të na kallëzojë dikur prrallën e këtyre profetiave: Historia!
A doni që t’ju thom edhe një gjë tjetër? Dëgjoni: Unë nuk e pranoj se gjithë faji dhe përgjegjësia e turbullimeve që sot kalon bota dhe gjithë krizat ekonomike, të mëdha e të vogla, është e drejtë t’i ngarkohet kurrizit të qytetërimit europian ose edhe vetëm regjimit kapitalist. Të tilla turbullime ngjajnë edhe në prehrin e Natyrës së lirë dhe janë shumë më të rëndësishme. Jeta e shtazëve t’egra është një luftë e pambaruar ndaj fuqive të Natyrës. Ndryshimet trubullonjëse, tronditjet, vuajtjet dhe krizat në historinë e Europës nuk filluan të çfaqen vetëm atëherë kur doli në shesh sistemi i tanishëm, as edhe kur u dëgjua për herë të parë emëri “kapitalist”. Kapitalismi arriti në kulmin e tij më të lartë brënda në këtë 150-vjetorin e fundit. Periodat e mëparëshme b. f. gjithë epoka mesjetare, kush mund të na thotë se kaluam pa trubullime? Historia është e hapët dhe mjafton të krahasojmë ngjarjet: Në kohët mesjetare popujt e Europës pësuan një tok rrëzime dhe vuajtje dhe bile shumë më të tmerrëshme nga ato të sotëshmet. Gjithashtu edhe historia e popujve t’Asisë ësht’e mbushur krejt me një tok ndryshime, qoftë shkatërrimtare qoftë ndërtonjëse, që u shkaktuan nga një varg të tërë kushtesh natyrale ose edhe temporale. Qytetërimi europian, në krahasim me epokat e vjetra të qytetërimeve, mundi të gjejë mjete më të përsosura dhe të realizojë përparime kolosale më pemë-dhënëse për të luftuar me më tepër fitime këto rryma shkatërronjëse ose edhe ndaj përfundimeve të këqija të këtyre trubullimeve. Këtu, rreth kësaj pike themelore, përmblidhet tërë rëndësia e problemit. Midis botëkuptimit europian dhe botëkuptimit Marksist ka një ndryshim në themel. Të dy këta pika botëkuptime nuk ndahen vetëm në punë e përshkrimit të historisë ose edhe të komentimit të përfundimeve të qytetërimeve të ndryshme, por ndahen në një pikë shumë të mëparëshme, ndahen në parimet që shërbejnë si bazë studimi rreth problemave të jetës dhe rreth fatit të botës. Nëse Marksistët pandehin se kanë zgjidhur problemin e ekuilibrit brënda në shtet ose në se predikojnë se paskan zbuluar çelsin e çuditshëm të parajsit t’ardhshëm, mua më duket se tërë këto trumbetime dhe paralajmërime s’janë tjatër veç se vjellja e injorancës së tyre. Ose shumë-shumë bëjnë gabimin e pafalshëm të lënë krejt mënjanë pjesën më të madhe të faktorëve që shkaktojnë dhe përfundojnë zhvillimin e ngjarjevet njerëzore.
Ideali i Europës, methodat e punimit t’Europës frymëzohen nga parimet e lirisë, të personaliteti të varietetit dhe përmbi çdo gjë tjetër nga parimi i “ndarjes së punës shoqërore”. Dhe nga ky shkak të gjithë problemat që paraqet jeta shoqërore europiane ose edhe e europianizuar, pa përjashtuar edhe problemin të ekuilibrit në Shtet, janë probleme të koklaviturë që s’mund t’zgjidhen menjëherë. Një filozof engles shkruante pak kohë më parë: “Nëse kohët janë të këqija, nëse njerëzit mbetën pa punë, nëse djemtë nuk gjejnë gjë për të shuar urinë e tyre, njerëzimi është sëmurë. Emëri i vërtetë i kësaj sëmundjeje është injoranca…”
Ndryshimet shoqërore nuk mund të parashikohen as të shmangen. Gjithashtu edhe sëmundjet. Kjo është një nga të vërtetat e para që njeh bota. Të paktën Europa ka disa shekuj që provoi trupin e vet qënien dhe vuajtjen e kësaj së vërtete. Rusia u mundua shumë të përhapij gjëmimin revolucionar ndërkombëtar që prej kufivet të sajë perëndimore gjer në bregdetet e Atlantikut. S’bëri gjë. Ose bëri vetëm këtë: Thelloi më tepër hendekun e ngatrresavet midis popujvet, madhëroi dallgën e mizerjes dhe në disa vënde të Perëndimit shkaktoi një kthim – qoftë edhe të përkohshëm – në kohët mesjetare. Por a nuk do të ishin njohur dhe do të kishin arrijtur në një marrëveshje popujt e tyre më lehtë nëse rryma demokratike e Europës do të kishte ndjekur rrugën e saj pa patur vështirësirat që duallnë m’u në gjirin e vet? Të paktën kemi para nesh një shëmbëll mjaft me rëndësi që na jep besimin se popujt mund të kuptojnë shumë më mirë një Europë të çliruar prej idherave të huaja: Asia sot arriti të kuptojë se methodat e punimit europian mund të zbatohen në çdo kënd të botës dhe që përdoren prej tërë popujvet; kudo që janë pranuar këto methoda suallnë përfundime të mira dhe të shkëlqyera. Kjo është e mjaftuarshme sot për sot. Është një çap përpara. Një çap që s’mund të mbetet e mbërthyer atje ku arriti. Do të vazhdojë edhe më përpara. Do të vijë dita të cilën bota mbarë do të kuptojë më mirë parimet e Fesë së Lirisë, atë gjë që një Kanti e quajti “Feja e Vërtetë”. Dhe ata nga bashkatdhetarët t’anë që kanë nëpër dejt e tyre disa pika gjaku fisnik dhe në shpirt ambicjen të punojnë dikur që të nxjerrin gërmadhën t’onë nga pellgu i varfrisë mendore dhe i mizerjes lëndore, le të përpiqen të mësojnë përmënç dhe të çajnë në thellësitë e zemrave të tyre me një dorë që nuk dridhet para punës së tmerrëshme që i pret, këtë varg të pavdekshëm të Goethe-s:

“We immer strebend sich bemuht,/ Den konnen wir erlosen”!*
“Kushdo që përpiqet/ Ne mund ta shpengojmë atë”

Pa një përpjekje të tillë nuk ka Shqipëri! Ndryshe le të përgatitim që tani trasat t’ona. Toka e Europës u ngushtua shumë. Për parasitët vetëm një fat është shkruar: Pas prishjes primitive historike vjen katastrofa moderne historike. Dhe atëhere plaçkat në krah dhe mbeç t’u mirë o Vatan!

.
“Marre nga Perpjekja Shqiptare” Branko Merxhani (botuar më 1937)

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.