back to top
9.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Nëntor, 2024

“Let my people vote”, Zonja Kim – nga Frank Shkreli

Gazeta

Wesley Clark & Frank Shkreli
Wesley Clark & Frank Shkreli

“Let my people vote”, Zonja Kim

nga Frank Shkreli

Unë as dua dhe as dëshiroj që të polemizoj nga Amerika me zonjën Yuri Kim. Unë i kam shprehur edhe më herët mendimet e mia për disa veprime të saja gjatë këtyre dy viteve të kaluara, duke venë në dukje shkeljen e shumë vijave të kuqe nga ana e saj, që një ambassador/e nuk duhet të shkeli në asnjë vend të botës. Por kjo që po ndodhë në Shqipëri, si në asnjë vend tjetër të botës, por as në Shqipëri nuk ka ndodhur në këtë mënyrë arrogante dhe provokuese, siç ka vepruar dhe po vepron një ambasadore që pretendon të përfaqësojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Tiranë dhe vlerat e Amerikës. Në të vërtetë është vështirë të gjendet një rast si ky, që një ambasador i Shteteve të Bashkuara, të ndërhyjë në një mënyrë kaq brutale në politikën shqiptare, sidomos në sistemin e shenjtë të drejtës së votës së lirë. Megjithë disa probleme me përfaqësuesit tonë në Tiranë, gjatë tre dekadave të fundit, asnjë nga ish-ambasadorët amerikanë në Shqipëri nuk kanë ndërhyrë në këtë mënyrë në punët e mbrendshme të Shqipërisë. Siç ndodhë sot me Zonjën Kim, ashtu bënin dikur përfaqsuesit e regjimeve komuniste, fillimisht, jugosllave, sovjetike dhe kineze, më vonë.
For God’s sake, Ms. Kim, in Albania you represent the United States of America, not a particular local politician or party and not a third world autocratic dictatorship, either! How can you, as a representative of the greatest country on face of the earth – where you and I and millions of others have found freedom and democracy for ourselves and our families – even suggest who the Albanians should vote for or not?
Nuk e sheh, Zonja Kim se duke sugjeruar, duke promovuar, për të mos thënë duke urdhëruar shqiptarët se për cilën parti ose politikan duhet të votojnë shqiptarët, është duke i përçarë votuesit shqiptarë në pro dhe anti-amerikanë!? Vetëm në kohën e Enver Hoxhës flitej për shqiptarët si anti-amerikanë, megjithëse nuk ishin të tillë. Ky është një krim dhe shërbim i keq ndaj Shqipërisë dhe sidomos ndaj marrëdhënieve shqiptaro-amerikane. A është, ky misioni i mandatit të kësaj zonje në Tiranë, në këtë 100-vjetor të këtyre marrëdhënieve? Kujt i intereson që populli shqiptar të përçahet në pro dhe anti-amerikanë? Lidhjet e forta dhe promovimi i këtyre marrëdhënieve midis dy popujve tanë duhet të jenë përparësia numër një e ambasadës amerikane në Tiranë dhe jo lëvizjet e brendshme politike – e bërja palë, haptas, me njërën ose tjetrën parti ose politikan, duhej të ishte shkelje e rendë diplotmatike dhe arsye për këthim në atdhe. Po për çfarë ëshët fjala?
Arroganca dhe provokimet e kësaj zonje nuk kanë të ndalur. Ja deklarata e saj e fundit, e ditës së hënë. Lexojeni për veten tuaj, se unë as nuk e lexoj as nuk mund e shikoj më se më shkakton dhimbje në stomak dhe në kokë.
Zonja Kim, nëqoftse ti ose Shtetetet e Bashkuara të Amerikës kini probleme me Sali Berishën dhe të tjerë, kushdo qofshin ata, merruni me Sali Berishën dhe me të tjerët dhe jo me të drejtën e shqiptarëve për votë të lirë. Shqiptarët kanë të drejtë të votojnë të lirë, pa ndërhyrje, pa kërcënime dhe pa manipulime, nga askush – qofshin ato forca të brendshme ose të jashtme.

Ambasada Amerikane
Ambasada Amerikane

Ata që më njohin mirë e dinë se unë, si individ, nuk kam shprehur kurrë ndonjë preferencë politike për partitë politike as mbështetjte për asnjë nga liderët politikë shqiptarë të këtyre tre dekadave. Përkundrazi, jam shprehur, vazhdimisht, kundër kësaj klase politike 30-vjeçare dhe për liderët e tyre, pa dallime politike, sepse të gjithë janë përgjegjës për gjendjen e mjerueshme ku është sot Shqipëria. Me një klasë politike të korruptuar, pa demokraci të vërtetë, pa votë të lirë e të ndershme, me një regjim që kontrollon pothuaj çdo gjë në vend – politika e të cilit po zbrazë vendin. Shqiptarët po ikin. Me këtë Shqipëri dhe me këtë klasë politike të gjitha ngjyrave, krenoheni ju Zonja Kim?
Duke shpresuar gjatë viteve se pas një diktature ndër më të këqiat e botës, Shqipëria do bëhej më në fund – jam shprehur vazhdimisht se duhet pasur kujdes se, “Demokracia nuk Pret”, se ajo del shpejt prej dore, se ajo kërcënohet çdo ditë, sidomos kur nuk mbrohet e drejta e votës votës së lirë dhe të drejtat e tjera themelore bazë të njeriut, siç është liria e shtypit! Pa votë të lirë nuk ka demokraci. Për veten time, as nuk mund ta marr me mend se në vitin 2022, Shqipëria dhe shqiptarët ende luftojnë për votën e lirë – pas një gjysëm shekulli të mohuar atyre nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Fatkqesia, është siç kemi parë historikisht, në Shqipëri, ndërhyrjet nga diplomatët e huaj në këtë mes, në këtë kënetë politike ballkanike, veçse i kanë përkeqësuar punët. E kam thënë shpesh, nëqoftëse të huajt nuk kanë gjë për të thënë që të përmirësojnë gjërat për më mirë, është më mirë të heshtin dhe të sillen sipas normave diplomatike.
Siç e dini, këtu në Shtetet e Bashkuara, muaji shkurt, i është dedikuar historisë së afrikano-amerikanëve (The Black History Month) dhe lëvizjes për të drejtat civile për afrikano-amerikanët e vendit tonë, të shkelura dikur, brutalisht, këtu në Amerikë – përfshir të drejtën e votës, që u është mohuar atyre deri në vitin 1965. Me rastin e mësipërm të mesazhit të Zonjës Kim drejtuar shqiptarëve për zgjedhjet e 6 marsit në Shqipëri, dhe në kujtim të këtij muaji që shënon historinë afrikano-amerikane, po përmend një shkrim të ish-Udhëheqsit të Drejtave Civile në Amerikë, Martin Luther King-ut, shkruar në Gazetën afrikano-amerikane, “New York Amsterdam News”, para se të miratohej Ligji për të Drejtën e Votës (6 gusht, 1965).

The Rev. Dr. Martin Luther King Jr. and Coretta Scott King fought hard for voting rights (Public Domain)
The Rev. Dr. Martin Luther King Jr. and Coretta Scott King fought hard for voting rights (Public Domain)

Ndërsa bën thirrje për ndryshim dhe në favor të drejtave civile dhe të drejtës së votës për afrikano-amerikanët, mesazhi i Martin Luther King-ut i vitit 1965, drejtuar Kongresit dhe klasës politike amerikane në përgjithësi, ishte, “Let my People Vote”. (Lejo Popullin tim të votojë). Thirrja e Martin Luther King-ut është aktuale edhe për shqiptarët sot, 30-vjet pas një tranzicioni të dështuar politik dhe ekonomik: Let my People Vote që të dilet nga ky qorrsokak politik në Shqipëri. Sa më shumë të përkrahet kjo klasë politike e korruptuar politike nga ndërkombëtarët, aq më i gjatë do jetë tranzicioni, status-quoja do vahdojë. Prandaj, ashtu siç kishte nevojë Amerika për ndryshim në vitin 1965, ashtu edhe Shqipëria dhe shqiptarët kanë nevojë sot për ndryshim, ndryshim rrënjësor dhe historik. Shqiptarët janë lodhur me këtë klasë politike dhe duan ndryshimin e madh, deri kur duke pritur. Demokracia nuk pret më. Demokracia po dështon në Shqipëri. Sepse siç është shprehur Martin Luther King në artikullin e tij në mbrojtje të votës së lirë për afrikano-amerikanët në vitin, 1965: “Duhet patjetër të ketë ndryshim. Do të ketë ndryshim. Sepse për t’i mohuar një personi të drejtën për të ushtruar lirinë e tij politike në vendin e votimit, nuk është aspak një akt më i shëmtuar se t’i mohosh një të krishteri të drejtën për t’iu lutur Zotit” – janë fjalët e priftit të krishterë protestan, dhe udhëheqsit të lëvizjes së të Drejtave Civile në Amerikë, Martin Luther King.
Ndoshta është detyra e Zonjës Kim që të merret me personat shqiptarë të shpallur “non-grata” nga Shtetet e Bashkuara, por nuk besoj të jetë detyra e saja, as e drejtë e saja që të përzihet në sistemin zgjedhor dhe në të drejtën e shqiptarëve për të zgjedhur zyrtarët e cilitdo nivel, që duan vet. Pa marrë parasysh mesazhin e panevojshëm të Zonjës Kim, Shtetet e Bashkuara nuk duhet të presin asgjë më pak as më shumë se ushtrimin e plotë dhe të drejtë të votës lirë për shqiptarët, me 6 mars dhe gjithmonë. Prandaj, si shqiptaro-amerikan dhe taksapagues i këtij vendi – bëjë thirrje me me vendosmërinë dhe me kurajon e Martin Luther King-un tonë – “Let my People Vote” (Lejo Popullin tim të Votojë), lirisht dhe pa ndërhyrje nga askush, përfshirë diplomatët, e sidomos, jo diplomatët. Kjo është e drejtë e mbrojtur nga kushtetuta shqiptare dhe nga kushtetuta amerikane si dhe nga Karta Universale e të Drejtave të Njeriut.
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.