back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

7 Prilli 1939 i Ukrainës – nga Agim Morina

Gazeta

Ukraine - 24 shkurt 2022
Ukraine – 24 shkurt 2022

7 Prilli 1939 i Ukrainës

nga Agim Morina

Me 7 prill 1939, trupat ushtarake fashiste italiane zbarkuen në tokën shqiptare. Pushtimi italian nuk hasi në rezistencë serioze. Një superfuqi ushtarake e kohës, Italia, kaloi detin dhe pushtoi Shqipninë Administrative pa ndonjë problem të madh. Shqipnia, as që bahet fjalë, ishte shtet shumfish ma i dobët se Italia, por Shqipnia ishte shtet shumfish ma i dobët edhe se Ukraina. Me numër popullsie shumfish ma të vogël, me industrinë gati joegzistente, me ekonominë që ia mbante gjallë Italia, me ushtrinë që ishte qesharake me u krahasu me atë të Italisë, Shqipnia ishte kafshatë krejt e lehtë për t’u kapërdi. Ukraina sot po përballet me një pushtim dhe në një kontekst politik shum të ngjashëm.
Çfarë bani “bota demokratike” me 7 prill 1939? E la Shqipninë në lloç. Bani sehir, sikur kopeja e deleve që kqyr se si po e shqyen ujku një dele fatkeqe, që i ka ra shorti me u gjendë mes dhambësh t’një bishe, gjithmonë me shpresën se Italia ka me u ndalë aty dhe se të tjerët kanë me shpëtu. Ashtu banë edhe me pushtimin e Çekosllovakisë, kur Gjermania naciste pushtoi pjesën e banueme me gjermanë dhe ia bashkoi Gjermanisë. “Bota demokratike” shpresonte se fashizmi do të ndalej e do të ngopej me kaq. Nuk dhanë pesë pare as për Shqipninë, as për Çekosllovakinë. Bile, kryeministrat e Francës e të Britanisë e nënshkruen me Hitlerin marrëveshjen për pajtimin me aktin e pushtimit të një pjese të Çekosllovakisë, Sudetenlandin, në Konferencën e Mynihut, me 30 shtator 1938.

Rusia, Bjellorusia, Ukraina dhe Moldavia
Rusia, Bjellorusia, Ukraina dhe Moldavia

Tash po përsëritet skena e njëjtë. Sot, më 24 shkurt 2022, Ukraina asht si Shqipnia e 7 prillit 1939. Kopeja e deleve nga “bota demokratike” shpresonte se klero-fashisti pansllavist, Putini, do të ndalej, pas pushtimit të Krimesë, masandej pritnin se do të ndalej në Doneck e Luhansk. Tash Rusia po e pushton gjithë Ukrainën, sepse “oreksi shtohet tue ngranë”.
Nëse Putini ndalet në Ukrainë, “bota demokratike” ka me i mbajtë në fuqi për një kohë sanksionet ekonomike. Dikur lodhen. Lodhet edhe Rusia. Por ma së shumti ka me u lodhë Ukraina. Dhe nëse sehiri i këtillë vazhdon, ukrainasit kanë me u detyru me ndërru taktikën. Kanë me bashkëpunu me klero-fashistin Putini. Për “botën demokratike” këta “bashkëpunëtorë” kanë me qenë “kolaboracionistë”. Për Putinin kanë me qenë “shërbëtorë”. Për ukrainasit kanë me qenë shpëtimtarë.
Kush e din çka ka me ndodhë në studiot televizive e në mediat ukrainase mbas 50 vjetësh. Por, ma me randësi se gjithçka tjetër ka me qenë që ukrainasit me mbijetu si komb. Nëse nuk mbijetojnë, s’ka me pasë as analistë rrokopendlaxhij që kanë me kallxu përralla me mbret për “anën e duhun të historisë”.

.

Marre nga Muri i Fb i Agim Morina, 24 shkurt 2022

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.