back to top
7.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024

Requiem për 22 Martirët e “Bombës” – parathënie nga Jozef Radi

Gazeta

22 Martiret e 26 Shkurtit 1951 - Osman Kaceli
22 Martiret e 26 Shkurtit 1951 – Osman Kaceli

Me rastin e 71 vjetorit të Bombës në legatën Sovjetike, doli nga shtypi dhe është në qarkullim libri: “22 Martirët e 26 gushtit 1951” punuar me përkushtim të thellë nga z. Osman Jonuz Kaceli, një nga Shtatë të Miturit që la jetimë Jonuz Kaceli, Martir i kësaj ngjarjeje, i cili u vra dy herë në këtë ngjarje.

Libri është një dhimbje, një requiem, një dëshmi, një klithmë dhe një akuzë të cilën autori e ka nisur qysh se ishte një adoleshent 8 vjeçar e deri në ditën e sotme të botimit që është 80 vjeç…
Libri ka rrëfime për të 21 martirët burra, ndërsa të vetmen grua, se ka trajtuar por e ka ndërfutur në historitë e dhimbshme dhe tragjike të secilit nga 21 të pafajshmit… Kur e kam mbaruar së lexuari librin… kam thënë: “Ky është një film, të cilin ne si shoqëri, nuk jemi ende të denjë ta luajmë… Atë mund ta shkruajnë, vetëm ata që e pësuan në lëkurë këtë tragjedi… Osman Jonuz Kaceli është njëri prej tyre…
Unë kam pasur nderin e lartë t’i bëj parathënien kësaj klithme… të bërë libër!
jozef radi, 24 shkurt 2022
2 Martiret e 26 shkurtit 1951
22 Martiret e 26 shkurtit 1951

Requiem për 22 Martirët e “Bombës”

parathënie nga Jozef Radi

Qysh herët e kam ndjekë me vëmendje përkushtimin e zotit Kaceli në shumë prej kontributeve të tij për t’iu avitur së vërtetës, së asaj “Bombe n’Legatën Sovjetike”, ku ndodhi nji prej akteve ma flagrante e ma kriminale të diktaturës komuniste, ku zelli me i dëshmue Stalinit (ishte ende gjallë Mustakoçi Gjakatar i Gjeorgjian) tejkaloi çdo limit, mbasi ai spektakël makabër i “qërimit të hesapeve” me intelektualët, ka me mbetë i pashembullt jo veç në historinë shqiptare… po edhe ma gjanë. Do t’ishin dy kryekriminelat ma n’za të Shqipnisë: njeni ideatori i krejt krimeve – Hoxha; dhe tjetri ekzekutori gjakatar i pjesës ma të madhe të tyne – Shehu, që prej kësaj ngjarjeje cekën apogjeun e lavdisë së tyne në barbarizëm. Asnji ngjarje kriminale e këtij dueti, s’asht në naltësinë e cinizmit, barbarisë, sadizmit dhe terrorit si “Ngjarja e Bombës”. Aty asht i koncentruem krejt mercenarizmi jetgjatë i nji politike integrale antishqiptare që s’u lodh tue i kënaqë armiqtë e këtij vendi, po edhe tue dëshmue nënshtrimin ma të thellë e ma të pshtirë ndaj Stalinit, se ishin nxansat e tij ma t’zellshëm!
Kjo batërdi kriminale, asht plan parapërgatitor i studjuem n’imtësi për nji masakër terrorizuese; asht përzgjedhje selektive e figurave prej gjithë shtresave shoqnore e krahinore; asht goditje fatale e grues shqiptare si simbol intelektual e i kurajos civile; asht ai sistem barabar që e tejkalon dukshëm at nazist, pse ai vepronte në kushte lufte; asht barbaria e luftës së klasave si luftë civile, që ka mbetë si atavizëm edhe sot e kësaj dite; asht arrestimi 220 njerzve të njoftun (midis tyne edhe axha im Balto Radi, i cili mbasi u lirue i dogji krejt dorëshkrimet e lana amanet nga i vëllai që vuente burgjeve) e ku 22 prej tyne, patin fatin e keq të ekzekutoheshin pa gjyq, (e aq ma zi t’u bahet gjyqi mbasi ishin pushkatue); asht shpërfillja totale e institucioneve si gjykatat e prokuroritë, (jo pse ato do të mbanin drejtësi), po thjesht edhe si formalitete u qitën jashtë loje; asht goditja edhe urrejtja ndaj familjes shqiptare, mbasi arrestimet u kryen në mesnatë, në prani të grave, të nanave, të fëmijve e foshnjave; asht instalimi i atij sistemi zinxhir fajësie ku pushkatohen prindët, i vidhet gjithçka e shenjtë e familjes, nxirren nga shpia pa teshat e trupit, hidhen n’rrugë fëmijë të mitun, gra të pambrojtura, hypen përdhunshëm si bagti ndër kamiona e degdisen në skërka kampesh e kasollesh, mos me u kthye kurrë ma n’ato çerdhe të lumtuna të jetës së tyne…

Libri i Osman Kacelit "22 Martiret e 26 shkurtit"!
Libri i Osman Kacelit “22 Martiret e 26 shkurtit”!

Cili pushtues e ka ba kët gjà, më thoni cili Neron ka veprue ma zi se kjo bandë antinjerzore Pushteti! Kujt tjetër n’botë mund t’i këtë ndodhë ky hukubet?! Ç’ka asht kjo barbari, kjo lufte civile n’kohë paqeje, dhe si asht e mundun që askush s’mban përgjegjsi për të gjitha këto?!
E ndërsa e kaloja ndër duer kët libër të Osman Kacelit, u ndjeva pjesë e nji kronike të shkrueme me sytë dhe shpirtin e nji fëmije, me sytë e gjithë atyne fëmijve që e pësuen edhe e përjetue kët traumë, kët dramë, kët tragjedi, e cila u luejt n’nji hark kohor të shkurtë e të shpejtë, sa shumë prej tyne ndoshta mendojnë se asht e pabesueshme, ndoshta ishte veç nji andërr e keqe që ua kish prishë gjumin e asgja ma shumë…!?
Por jo, kjo vërtetë rrënqethse asht gdhendë ndër shpirtnat e tyne me thikë, ku autori s’ka pranue me ba kompromis me heshtjen!!!
Pikërisht, “e pabesueshmja e nji fëmije”, siç ka qenë zoti Osman Kaceli e shumë prej mocakve të tij, që n’at mynxyrë duhet të jenë rreth 40, që pësuen atë plojë, përban në trajtë të përshkallëzueme: dramën e individit, dramën e familjes, dramën e qytetarisë, dramën e krejt nji shteti që rropatet me u ndërtue mbi eshta e klithma të shpërfilluna Martirësh, po që ka me mbetë gjithnji i hjedhun në erë, prej aheve të thella të tyne dhe telave me gjemba të mbetuna të nguluna ndër eshtna!
Tragjedia e 22 Martirëve, dramat e 22 familjejeve janë sot e gjithë ditën dëshmia ma flagrante e nji krimi të organizuem shtetnor; damka ma e zezë e nji turpi kombtar, e kjo përban bazën mbi të cilën z. Kaceli, prej dhimbjeve t’nji fëmije, deri n’tetëdhjetat e sotme, asht rrekë me i mbledhë krejt gastaret e thyeme të këtij monstruoziteti, e me na e sjellë sa ma të plotë pasqyrën e atij krimi makabër, për të cilin mbetemi të bindun se ende s’asht shkrue si dhe sa duhet!
Osmon Kaceli ma shumë se nji punë të lëvdueshme, na ka dhanë shembullin e nji përkushtimi të mrekullueshëm: Jo s’duhet me lanë të keqen të vazhdojë me sundue! Përtej kësaj asht e njoftun edhe beteja e tij morale dhe ligjore me i hjekë nji rruge kryesore të Ballshit, emnin e Kryekriminelit Mehmet Shehu, i cili mbasi i kishte vra babën e ia kishte hjedhë nga dritarja e ministrisë!!
Asht e vërtetë, ky libër ka nisë në kujtim të nanës së tij që rriti pa burrë e në mes vuejtjeve shtatë fëmijët, po ma së shumti me iu lanë edhe nipave të vet kët dëshmi kujtese lapidare: Askush s’duhet me i harrue krimet, që ato t’mos përsëriten! Puna e tij asht nji vlefte të jashtëzakonshme, pse s’asht thjesht n’emën të familjes së vet, po n’emën të gjithë atyne tjerëve që janë pjesë të kësaj tragjedie, të mbetun në pamundësi për nji akt të tillë. Por ky libër asht edhe klithma për krejt nji popull që ende s’ka mbrritë në kufijtë e koshiencës se çka ishte diktatura dhe çfarë damesh i ka shkaktue ajo…

Të ekzekutuarit e Bombës në Ambasadë Sovjetike
Të ekzekutuarit e Bombës në Ambasadë Sovjetike

Ndaj, me kurajo mund të them se Osman Kaceli s’ka shkrue thjesht nji libër përkujtimor, ai ka mbledhë pa u lodhë pikat dhe pllangat e gjakut të kësaj tragjedie rrënqethëse, e na i ka ofrue në formën e nji kronike rigoroze, për secilin prej atyne Martirëve, që u gjendën befas nji mesnatë shkurti, në vorbullën e nji çmendunie sadiste e barbare. Libri ka trajtën e nji dokumentari ku në përmbyllje të çdo personazhi të marrë në trajtim, ne ndjejmë breshëritë e automatikëve që sulen egër mbi trupat e të pafajshmëve, po që shprazen edhe mbi çdo lexues. Kjo ndodh pse e vërteta edhe pse ka pushtet të pakufi, ende s’ka mbrritë me e latue sa duhet shpirtin e çdonjenit prej nesh që ende e ka mbi supe diktaturën, po si duket jemi nën efektin e shlyemjen së kujtesës kolektive, dhe kjo e keqe e madhe rrezikon me na e përsëritë të kaluemen…
Autori ka gjetë nji mënyrë mjaft interesante në trajtimin e kësaj tragjedie. Ai ka trajtue jetët dhe netët para arrestimit të 21 Martirëve, kurse Kryemartiren Sabiha Kasimatin ai s’e ka trajtue në veçanti: “…e kam quejtë veten të pazotin me e trajtue si e meriton figura e saj. Ishte tejet e naltë, për formimin tim!” Po ama, të 21 personazhet, e mbyllin jetën nën breshërit e automatikëve me idenë se kanë pranë nji Zonjë të Jashtëzakonshme nji Jeanne d’Arc shqiptare…
Ide fantastike!
Mbas çdo faqeje, mbas çdo Martiri të kësaj “Bombe” të krijohet përshtypja e nji filmi orror, të cilin realiteti shqiptar ende s’ka gjetë guxim me e pranue e jo ma me e realizue në përmasën e asaj drame që vazhdon me rëndue ndër shpirtnat e këtyne njerzve të mirë e të thjeshtë, që ende besojnë në drejtësi, në mos asaj ligjore së paku asaj hyjnore, e ku ban pjesë edhe autori i këtij libri të rrallë… zoti Osman Kaceli!
jozef radi, 14 shkurt 2022

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.