back to top
11.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Dramën e Bedri Blloshmit nuk e nxë një libër… – nga Lekë Tasi

Gazeta

 

Bedri Blloshmi në Burgun e Spaçit
Bedri Blloshmi në Burgun e Spaçit

Dramën e Bedri Blloshmit nuk e nxë një libër…

nga Lekë Tasi

Parathenie
Libri i Bedri Blloshmit, Dosja Formulare Kategoria 2A Nr.1594 për Bedri Sami Blloshmin na jep historinë e procesit të Librazhdit (Qershor 1977), e treguar nga autori dhe paralelisht e ilustruar me dokumentet Tepër Sekret Model 4, që autori ka mundur t’i gjejë megjithë pengesat e segmenteve të lidhura ose të kushtëzuara ende nga ish drejtësia kriminale e së kaluarës. Ky dokumentim i dyfishtë, njeri me gjuhën e çakenjve të aparatit enverist, dhe tjetri me përshkrimin real që u bën autori ngjarjeve, (provokimet, arrestimet në familje, hetuesinë me tortura, seancën publike të gjyqit, ndërprerjen e paturpshme të saj, për t’i përçarë dy kushërinjtë me presion psikologjik veçmas njerit (me premtime e narkotike), izolimin me javë të të dënuarve me vdekje të lidhur kokë e këmbë në vapën e Korrikut, pretenca me tre dënime kapitale, vëllait, kushëririt dhe atij vetë, e në fund vendimin që ia zëvendëson Bedriut plumbin me 25 vjet burg. Periudha e burgut të tij pastaj, që nga 25 u reduktua në 15 vjet, për shkak të falimentos së regjimit, ka brenda tij episode që e zgjerojnë shikimin nga fati personal e familjar, në atë të një pjese të gjerë të shoqërisë të cilsuar ‘armike’, e cila mbajti në kurriz tërë peshën e luftës së klasave dhe të ekonomisë së mbrapshtë të bazuar në punën angari të qytetarëve të pafajshëm. Edhe kjo pjesë ashtu si ajo e hetuesisë e gjyqit, përmban episode të një egërsie të pabesueshme, mes tyre raste djemsh që bënë provën e dëshpëruar të arratisjes dhe i goditi plumbi i diktaturës me të dalë nga telat apo në kufi, të tjerësh që donin të arrinin me durim ditën e lirimit, por nuk e arritën nga shembja e galerisë, raste burgimesh pa afat, vdekjesh të provokuara qëllimisht nga neglizhenca mjeksore e ndërgjegjëshme, rrahjesh sistematike me qëllim depersonalizimin…

Dosja Formulare Kategoria 2A Nr.1594
Dosja Formulare Kategoria 2A Nr.1594

Shkurt në libër lexuesi gjen historinë e përmbledhur të pjesës më fatkeqe të popullatës, që e zuri shorti i keq të përzgjidhej nga diktatura për të punuar thellë në mal, në pasiguri të vazhdueshme nën dhunën kafshore të gardianëve sadistë. Materiali njerzor i vuajtësve është i larmishëm pa tjetër. Ka nga ata që i qëndruan përballë dhe e sfiduan me duar të xhveshura dhunën e hekurt të rojeve, ka të tjerë që u thyen dhe degjeneruan prej kushteve çnjerëzore të viteve pa fund të burgut. Tregimi i Blloshmit vazhdon mbas lirimit të tij në Mars 1991, me dramën e familjes në internimin dhjetë vjeçar, pastaj kërkimi këmbëngulës dhe gjetja e eshtrave të kushëririt dhe vëllait të pushkatuar në 1977, si dhe nderimet që iu bënë atyre me pjesëmarrjen në varrim të organeve më të larta të shtetit në 1994. Kjo linjë bashkohet me fazat e rehabilitimit personal që nis disi mirë me punësimin, arsimin e lartë dhe vendosjen në Tiranë, dhe përfundon me zhgënjim të plotë kur mbështetja nga shteti për ish të përndjekurit dhe kauzën e tyre, merr fund me braktisjen në fatin e tyre.
Libri ka vlerë pikë së pari si një pasqyrë e qartë, mbresëlënëse, mund të thuash një ‘radiografi’ e asaj që ndodhte në brendësi të hetuesive, burgjeve e kampeve, nën pushtetin e pamëshirshëm të organeve represive enveriste. Askush nga ata që jetonte jashtë telave s’mund të imagjinojë se sa e errët, djallëzisht e rrezikshme ka qënë jeta e atyre që lufta e klasave u caktonte fatin të hynte në një xhips, me porosi nga lart për t’u zhdukur apo përdorur si skllav pa afat. Dhe në këto përshkrime të habit se sa shumë skllavërohen vet ata që e zbatojnë praktikën e skllavërimit. Kaq thellë në gjak ky tipar i servilizmit kriminal, sa që shoqëria jonë nuk gjen mundësi shmangieje edhe sot prej asaj kloakë morale që kreu djallzor banda e ndërtoi në 45 vjet me kuadro të panumërt, dhe së cilës i vjen era akoma. Provën e kemi te fakti që tek ajo ndyrësi u mbytën njeri pas njerit, një numër kuadrosh, kryesisht të lartë, (të kujtojmë byroistët që kishin kontribuar aq zellshëm në ngritjen e saj), madje deri vonë, pa kuptuar fare që në mes të vorbullës ishte ai, njeriu-piletë që do t’i përcillte për teposhtë, detyrimisht, për të ruajtur vijën e tij të trashëgimit.

Vend Groposja e te Burgosurve politike ne Burgun e Qafe Barit Bedri Blloshmi, Bujar Sala, Agron Talo dhe Lutfi Kelmendi
Vend Groposja e te Burgosurve politike ne Burgun e Qafe Barit
Bedri Blloshmi, Bujar Sala, Agron Talo dhe Lutfi Kelmendi

Por e para nga bëmat e bashkësisë servile në shërbim të krimit, që del publikisht dhe figuron në këtë libër, është mbledhja e zgjeruar, e organizuar nga sekretariati i Komitetit të Partisë së Librazhdit më 28 Prill 1977, në të cilën u caktua plani i gjyqit i cili do të bëhej 43 ditë më pas, dhe dënimi i secilit prej të pandehurve. Organet e drejtësisë marrin pjesë si figurantë të thjeshtë në këtë mbledhje, e cila numëron si pjesëmarrës kryesorë kuadro të partisë, të pushtetit lokal, komandantë të reparteve ushtarake, të policisë, drejtorë të ndërmarrjeve me rëndësi, e gjithfarë të tjerësh. Shkurt – aksion në shkallë rrethi për të vrarë dy të rinj pa bërë asnjë faj, vetëm se ishin me origjinë armike tridhjet vjet të shkuara! Dokumenti i gjetur nga autori ndër arkivat më sekrete mban titullin “Protokoll i mbledhjes së Sekretariatit të Komitetit të Partisë rrethi Librazhd Nr 23, datë 28.04.1977”. Prokurori dhe gjyqtari janë thirrur thjesht që të dëgjojnë nga goja e sekretarit të parë të partisë së rrethit Sotir Koçollari, platformën se si duhet të funksiononte procesi i pritshëm gjyqsor, fajet, nenet që u takojnë, dhe dënimet. Dhe kjo kurdisje, këtu qëndron çudia, nuk bëhej mbyllur në zyrë, mes shefit dhe dy tri “levave” të gjoja drejtësisë, me pëshpërima në vesh, por hapur dhe pa turp fare, në prani të gjithë ofiqarëve që përbënin parinë e pushtetit në rreth! E po… kishin kaluar mbi tri dekada nga koha kur kishin hapur fjalën se pushtetin e kishte diktatura e proletariatit. Tashti i ashtuquajturi proletariat do të futej në sallë, veç për të brohoritur, kurse në rrugë, me pankarta për të tmerruar popullin dhe të pandehurit e lidhur në pranga. Çjerrjet e atyre leckamanëve do të nisnin me komandë qysh pa filluar gjykimi… Kryetari i gjyqit me dosjet në dorë guxoi të thoshte në atë mbledhje se… “nuk ka të dhëna që të pandehurit të jenë të organizuar, dhe që të kenë kryer akte sabotimi, për të cilat parashikohet dënimi kapital… Nuk kemi prova për gjë të tillë… Nuk ua vërtetojmë dot” tha shprehimisht ai. Heshtje. Sekretari i parë ia kthen me autoritet: “Unë kam mendimin se këta janë grup i organizuar, bile me një platformë në mendjen e tyre. Sekretari i dytë, i gatshëm për t’ia pasuar mendimin, pyet: Si do të quhet grupi? Edhe të tjerët bëjnë garë për ta mbështetur e argumentuar sekretarin e parë në variantin e tij vrasës, derisa kryetari i Degës Brendshme arrin deri sa t’i kërkojë llogari gjyqtarit që “pse ti mendon se Vilsoni nuk hyn në këtë nen derisa kjo vërtetohet nga thëniet e të tjerëve?” (kupto: dëshmitarëve të akuzës). Atëhere gjykatësi si nxënës i bindur pyet: “Pra, të tetë të pandehurit do të futen në të njejtin nen?” Ja pra, ai, specialisti ligjor dhe njohës i deponimeve dhe fakteve, e pyet partiakun se ç’duhet të bëjë, kurse avokatit as që i duket hija, i zhdukur me kushtetutë njëmbëdhjetë vite më pare(!). Sekretari i parë nxjerr konkluzionet e debatit që u arritën unanimisht me kolegjialitet dhe frymë partie. Një nga argumentimet e tij është dhe ky: “Vilsoni nuk e pranon akt-akuzën se e di që e pret pushkatimi!” Në arkivin qëndror kam gjetur dokumenta me firmën e Hysni Kapos, Ramiz Alisë e disa të tjerë të kupolës së Tiranës.

Poetët Martirë - Bedri Blloshmi dhe Genc Leka - nga Klubi i Poezisë
Poetët Martirë – Bedri Blloshmi & Genc Leka – Klubi i Poezisë

Dokumentacioni i gjetur nga autori, zgjat siç thamë që nga hetuesia, te gjyqi dhe përtej gjyqit, me të dhëna për çdo hap që ai ka bërë në kampet e punës në ato 15 vjet, Spaç, Qafë Bari, përsëri Spaç, në Degën e Pukës dhe më pas në Burgun e Burrelit, me qëllim se mos është lodhur dhe arrijnë ta rekrutojnë ose dhe ta elimininojnë si armik i pandreqshëm që është. Këto figurojnë në shkresa të firmosura dhe të vulosura. Çdo fjalë që pat nxjerrë nga goja, dhe përgjigjjet e shokëve (policia i siguronte ato nëpërmjet një rrjeti të dendur spiunësh) autori ka arritur ta gjejë, dhe ndodhen në libër, që nga Plani i Masave (që kryetari i gjyqit hartoi mbas mbledhjes si nxënës i përulur i sekretarit të partisë, i cili i mësoi se si bëhet drejtësia; tek proces-verbalet në hetuesi të nxjerra me dru dhe pranga të shtrënguara deri në paralizim të dorës. Vilsoni u arrestua tek “Ura e Librazhdit” dhe përfundon direkt në birucat e “Mine Pezës” në Tiranë, ku torturohet personalitsht nga xhelati Kadri Hazbiu që kërkoi ta bënte bashkëpunëtor dhe ta dërgonte në Belgjikë tek daja i arratisur, Sabri Debrova. (Vilsoni gjatë seancave të gjyqit duhej ta merrte me dorë dorën tjetër për ta vendosur në gju, se nuk e komandonte dot), tek veprimtaria e tyre “armiqësore” (copat e shkruara nga informatorët, për ndonjë fjalë që kishin shkëmbyer mes tyre të dënuarit), e deri tek raportet e operativëve që këto spiunllëqe të mjera i transformonin në rreziqe për rrëzimin e pushtetit (ata do ta bënin revolucionin aty në minierë, të rrethuar nga paretet e galerive dhe nga telat me gjëmba e shkëmbi i malit! Çdo episod jepet në dy variante, në atë të dokumentave, me gjuhë të fryrë që gërthet për falsitetin e saj, dhe në atë të autorit, që me anë të rrëfimit të tij troç krijon groteskun herë tragjik, herë qesharak në të cilin jetonin të shtypur nga aparati gjigand i klikës dhe të harruar nga shoqëria.
Interesante bëhet kjo lojë kur kohët ndryshojnë, psh. kur vdekja e Enverit komentohet nga të burgosurit e ngazëllyer – dhe kjo është e para herë kur te komentet e vuajtësve, mund të lexojmë të bartura nga dora e operativëve një raport të vërtetë të këtyre të fundit… Por autori, përherë i drejtpërdrejtë arrin kulmin e tij kur Burgun e Burrelit e vizitojnë përfaqësuesit e Grupit të Helsinkit, mbas vizitës së Sekretarit të OKB Perez de Quellar. Të ngjan sikur diktatura don të ‘lëvdojë’ veten sa e egër dhe e panjerzishme kishte qenë kur zgjodhi pikërisht Bedri Blloshmin t’ia ilustrojë bëmat botës së lirë me gjuhën e tij të pamëshirshme. Aq sa vizitorët, mbeten gojëhapur para shpjegimit të tij praktik se si një qënie njerzore mund të varet me ganxhë në mur posi një kafshë.
Se sa dhembje përmban ky libër, e kuptojmë sidomos në pjesën e fundit të tij, kur autori, i liruar mbas 15 vjet vuajtjesh të pabesueshme, me xhaxhanë e tij më të respektuar të vdekur atje, me shokët e ngushtë të ekzekutuar, i vjen radha të ndeshet me pjesën më të brishtë të familjes, të cilën e gjen të posakthyer nga një internim dhjetvjeçar mirfill shfarosës në fshatin më të largët të Polis-Gostimës. Duhet të takojë prindët e plagosur thellë në shpirt dhe të telikosur në trup, veçanërisht nënën, që sikur të mos mjaftonte gjëma e djalit të madh dhe mbyllja e tjetrit në zgafellat e Spaçit, i është dashur të heqë dhe një raskapitje të tillë që e tronditën psiqikisht. Çdo gjë është e shkatërruar në atë shtëpi të madhe e historike. Një fis me kaq të vrarë në luftë dhe të ekzekutuar e të burgosur gjatë tërë periudhës komuniste, vështirë të gjendet tjetër në Shqipëri. Por si një gjurmë qëndrese burrnore dhe inatçore të të parëve, Bedriu paraqitet realisht i paepur.
Zbulimi dhe varrimi me nderime i eshtrave të dy dëshmorëve i detyrohet tërësisht zotimit të tij që nuk njeh lodhje. Nuk di lodhje, sepse angazhimi i tij nuk është vetëm familjar e shoqëror. Në ofiqet që ka mbuluar, si oficer i Gardës dhe më vonë drejtor i ‘Institutit të Ish të Përndjekurve’, ai s’ka lënë cep të Shqipërisë pa shkelur, kudo ku kishte sinjalizime ose njohuri nga burgu i vet që aty ka pasë ekzekutime të fshehta. Ai shkonte atje për të ndihmuar jo vetëm si zyrtar, por kryesisht si qytetar dhe mik. Kësisoj ai zë vendin e kryes në shtëpitë e shumë familjeve që duke mos patur mjetet, kishin humbur shpresat për të gjetur të dashurit e tyre. Ai mund të cilësohet qytetari që po i bën qilizmë komunizmit për të nxjerrë në shesh krimet e tij në çdo cep të vendit. Ashtu bëhet i plotë edhe nderimi i heronjve dhe i viktimave, kusht për një ndërrim real të historisë së djeshme dhe të dinjitetit qytetar sot në Shqipëri.
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.