Si u takova n’nji ditё tё mbrame me Bukowskin…
Parathanie prej Jozef Radi
Rrallë më ka ndodhё që nji poet të njoftun me e ba pjesë të paragjykimit, e n’vend që të zhbiriloja e të rrekesha m’u futë në thelbin e shpirtit të tij, e ruejta njat paragjykim, për të cilin as vetë s’jam i sigurt se prej kah të ka ardhë, e pse kisha mbetё i ngulfatun njaty …
Asht bash ky raport me Charles Bukowskin, për të cilin, me thanë të drejtën kisha lexue pak, po kisha ndigjue ma tepër se kisha lexue, tue krijue kështu përshtypjen e nji poeti kabaresh, nji pijaneci dipendet prej alkooli ku vulgarja nё bahesh se ishta pjesё determinuese e poezisë së tij…
E siç ndodh me rastësitë, nji mbramje, nji mikja jeme m’ofroi me lexue nji poezi t’Bukowskit…
Para se me ja fillue poetit Bukowski, nisa me shfletue do libra e tue kёrkue nё rrjet informacion rreth të tij, me e trajtue me njifarë qetsie jo veç poezinё po edhe jetën e biografinë e tij. E ndjeja të tepërt me iu futë nji pune sado modeste pa e thye ma së pari at pjesë tё paragjykimit që m’ishte ngulitё mbrenda meje…
Pikërisht kjo zhytje e kadaltë në jetën dhe poetikën e Charles Bukowskit, befas m’u ba e dashtun dhe vendosa jo veç me sjellё ndonji poezi të përkthyeme, po u bana pjesё e shumë poezive të tij të sjelluna nё shqip ditë mbas dite, të cilat në harkun e disa muejve i dhanё formë ksaj antologjie, të cilën e kam punue me shumë dashni dhe pata një impakt të jashtzakonshëm me stilin dhe mënyrën se si ky poet e trajtonte poezinë, jetёn, femnën, botёn dhe problemet ekzistenciale.
***
Tue u marrë ma shumë me jehonën se me landën, Bukowskin e kisha konsiderue nji shkrimtar të përjashtuem pa të drejtë prej shijeve të mia, edhe nё at pak qё kisha kalue ndër duer prej tij. E dalloja mirё si nji shkrimtar krejt të veçantë, tue shkrue e dёshmue ate çka të tjerë s’guxonin. Bordellot, pija deri në dehje e dalldi, shpërfillja e gjithçkaje rrethuese, sentimentet e pёrdhosuna, zbraztësia e jetës, madje edhe trishtimi ishin temat thelbsore të tregimeve, romaneve po ma sё shumti e poezive të tij. Nji mishmash i tillë i jetës me artin s’ia bani aspak të lehtë të përditshmen e tij, po me kohё i ofroi edhe nji masë jo të paktë lexuesish e adhuruesish, të cilët mbas vdekjes së tij, jo vetëm banё jo vetёm të lexohen librat dhe vargjet e tija, po edhe të vlersohet e të shpërndahet në mbarë botën, madje me pasё sukses edhe ndër breza tё sotëm!
Bukowskin, shumkush sot mundet me e njoftё përmes përkushtimit ndaj prozës, po ndër regjistrat e mi modestë më bahet me besue se ai ka shkrue veç poezi, njaq shumë poezi, sa çdo çasti tё jetës së vet i ka dhanë frymë dhe ngjyrë poetike, tue e kapёrthye vedin, botën dhe mjediset që ai frekuentonte me shumë prej nuancave të atij shpirti tejet të trazuem. Prandej, mendoj se m’ka qenë e vështirë me bà nji pakt me të; pse gjithnji e kam konsiderue poezinë diçka t’ambël e delikate, thuej hyjnore e sigurisht tejet larg prej perceptimeve të poetit amerikan, që pa më bà asnji t’keqe, ma kishte imponue me kenё skeptik e i ftoftё ndaj artit tё tij deri në refuzim, çka sot m’ban m’u ndje me turp, e mё shtyu edhe tejet vonë me e gjetё vedin ndër përcjellësa tё artit e magjisё së kapërthyeme bukowskiane…
E vërtetë asht, se Bukowski asht prind i mija e mija poezive. Ndoshta vet mënyra e tё menduemit, i kje kthye në nji rutinë poetike, e bash kjo edhe e ka privilegjue në kët trajtim të konceptimeve poetike ndryshe tjerve, tue e kthye nё nji fenomen unik…
Henry Charles Bukowski Jr., i thirrun shkurt edhe “Hank”, po i njoftun edhe me pseudonimin Henry Chinaski, nji alter ego e tij letrare, u lind me 16 gusht tё vjetit 1920, në Andernach, qytet gjerman afër Këlnit, ndёrsa vdekja e mori ndёr flatra e saj me 9 mars 1994, nё San Diego të Kalifornisё nё Shtetet e Bashkueme.
Ai mbeti nji poet dhe shkrimtar i madh amerikan, mbasi shkroi pesë-gjashtë romane, qindra tregime dhe esse, po mbi tё gjitha mija poezi, qё bahen diku rreth gjashtëdhjetë libra, nё përmbajtjen e të cilëve dishmohet shpesh ajo marrdhania e tij tejet e ndërvarun me alkoolin dhe seksin.
Bukowski nis me botue tejet i ri. Mbas eksperiencave të para qendron në hije për nji kohë relativisht të gjatë. Ai përvesh mangët tue ba njimijë punë nga ma tё randat me mbijetue, po shfaqё edhe primje drejt nji jete të çoroditun, hera-herës dramatike. Krejt krijimtaria e tij, vërtitet rreth jetës së vetj, tue u konsiderue shpesh edhe nji vepër e ndërtueme mbi vetvedin nga pikpamja autobiografike. Jeta e Bukowski u trazue së tepërmi prej dy elementesh që përbajnë thelbin e tij si njeri dhe si artist: tërhjekja prej alkoolizmit dhe nji trazim i fuqishëm seksual (i shfaqun ndër librat e tij realisht e shpesh pa dorashka) po edhe prej vështirësive në marrdhanie, tue fillue prej familjes sё vet e tue vazhdue me gra e burra me të cilët e përplaste ajo jetë e shkujdesun prej bohemi të pashoq të letrave e vargjeve; mendimtari që u argas me botën undergraund, tё cilёn s’e pa kurrё si errsinë e thellё po si nji dritë shprese e ndrynte n’vetvedi shpirtin shpërfillës ndaj kësaj bote, tue e sjellë n’art në mënyrën ma tё xhveshun prej ojnash e tue e sublimue, ndoshta si pakkush në botë.
Bukowski kaloi nji fëmini tё shtrёngueme prej prindve tё vet në nji izolim thuejse tё plotё prej botёs sё jashtme. Në moshë trembëdhjetë vjeçe nis rrugёn e pijes dhe shoqnimit me nji bandë të rrezikshme horrash, derisa nё vjetin 1938, dipllomohet pa ndoj’farё entuziazmi. Njizet vjeç, e braktis shpinё atnore, tue nisё jetёn boheme e vagabonde t’nji djaloshi shpёrfillёs ndaj gjithçkaje, shenjue prej alkoolit e ecejakesh të pafundme prej New Orleansi nё San Francisko e prej Sant Luis nё San Diego, tue ushtrue nji seri punësh nga ma të çuditshme, sa n’nji bordel filipinasish, nё pjatalarës a shërbtor, herё si portier e her si postier, tue e gjetё shpesh vedin në stolat e parqeve publike, pse jo edhe mbas zgarave tё burgjeve, po gjithnji me obsesionin e të shkruemit. Kjo fazё kalimtare e mbushun pёrplot zemёrim ndaj jetёs ka krejt limfёn e krijimeve tё tij pafundme. Seksi, pija, garat me kuaj, përplasja e jetës nё kufijtё e skajmё, hipokrizia e “andrrës amerikane” mbeten tema ku me nji kambngulje prej bishe ai end pёlhurёn e artit tё vet, ku pёrmes nji mënyre të shkruemi tё dendun, të thjeshtë, po tejet të egër, grryes e gllabrues.
Nё vitet ’50, për çudi e gjen vedin tё punësuem nё postën e Los Anxhelos, e pёr Bukowskin bashkё me punёn nisin dhjetё vite tё stuhishme tё nji marrdhanie sentimentale me Jane Baker, ndёrkohё qё në shtator të 1964, papritmas bahet baba i Marinës, sё lindun prej nji mardhanie fluide me poeteshёn e re Frances Smith.
Vazhdon me botue e m’u shfaqё gjithnji e ma tepёr me shpresёn se mund tё bahej shkrimtar me kohë të plotë. E braktis postën në moshën 49 vjeçare dhe po at vjetё, mbas vdekjes tragjike të Jane Baker prej alkoolizimit, Bukowski takon njeriun e providencёs: John Martin, nji pasionant i artit, i cili i impresionuem prej vargjeve të tij, i sugjeron me e lanё punën dhe me iu përkushtue vetёm shkrimit, tue e ngjitё kështu te lavdia e suksesit.
Dhe nisi pёr poetin e “underground” periudha e leximeve poetike, e përjetueme prej vetё Bukowskit si nji makth i vërtetë, po e shfaqun madhështisht në shumë prej shkrimeve tё veta… Janë bash kёto lexime, qё në vjetin 1976, Bukowski të takohet me Linda Lee, e vetmja mes mikeshave tё tij të shumta, e aftё me ia zbutё at frymё vetshkatrruese, e me ia frenue rreziqet qё ai i shkaktone pa dhimbё jetёs sё vet. Linda Lee i dhuroi ndryshmet thelbёsore tё jetёs, tue ia mbyllё at periudhё tё vështirë prej bohemi e alkoolisti.
Vitet e fundit Bukowski i jetoi në paqe e lehtësi të madhe, tue vazhdue me prodhue art. Në vjetin 1988, sëmuret prej tuberkulozi, dhe shёndeti i tij merr teposhtёn e pakthim, derisa në mbramjen e 9 mars 1994, kur nisi fluturimin drejt pёrjetsisё.
Të famshme mbetën fjalët e fundit tё tij: “Ju kam dhanë njaq shumë mundsi me më hjekё qafe, shumë kohë ma parë! Tash, dishroj me m’vorrosё pranë hipodromit… me e ndje njat fluturimin drejt mbrritjes…!”
***
Nё mbyllje tё kёsaj parathanie, si nji formё ndjese pёr paragjykimin tim tё hershёm ndaj Charles Bukowskin, lajmёroj nisjen e nji kolanё botimesh titullue “55 Poezi (diçka ma shumё o diçka ma pak) tё Charles Bukowskit, prej Jozef Radit”, ku ai ka me kenё autor i i parё i kёsaj kolane, dhe ka m’u ndjekё prej poetёve italianё Montale, Pavese, Merini, Raboni e Ungaretti; prej portugezit Pessoa; prej brazilianit de Moraes dhe francezve Baudelaire, Elyard dhe Prevert. Nji punё e nisun qysh herёt thjesht pёr kёnaqsinё e egos, po qё vetç tash besoj se asht e drejtё me e nda edhe me do sqimatarё tё poezisё sё bukur, e qё ju del sado pak kohё me e ndigjue o me e ndjekё shpirtin e atyne qё edhe gjanava ma t’rёndomta t’jetёs u mveshёn bukurinё o trazimet e shpirtnave tё tyne.
Veç kёshtu mundet m’u shlye sado pak ai paragjykimi im ndaj Bukowskit, e tue u nisё prej tij, me iu hapё rrugё edhe atyne tjerёve qё i kam pasё fort pёr zemёr nё pёrkushtimet e mia tё kahershme ndёr pёrkthime…
Ancona, maj-qershor 2021
5 Poezi nga Charles Bukowski
Shkёputё nga libri 55 Poezi – pёrkthye prej Jozef Radit
Kur Zoti krijoi dashninë
Kur Zoti krijoi dashninë, s’asht se ndihmoi kushedi çka
kur Zoti krijoi qentë s’asht se i përkrahu fort qentë
kur Zoti krijoi pemët bani diçka krejt e natyrshme
kur Zoti krijoi urrejtjen na e ofroi si gjà normale, të dobishme,
kur Zoti m’krijoi Mue m’krijoi bash Mue
kur Zoti krijoi majmunin ishte jetë
kur krijoi xhirafën ka qenë i dehun
kur krijoi narkotikët ishte me humor te hyjtë
e kur krijoi vetëvrasjen ishte me kambë n’tokë.
Kur t’krijoi ty shtri n’shtrat
mirë e kish dijtë çka ishte tue ba
ishte i dehun e me humor te hyjtë
ndaj krijoi edhe malet, edhe detin, edhe zjarrmin
në t’njajtën kohë.
Po sigurisht, edhe do gabime i ka ba
ama, kur t’krijoi ty shtrì n’shtrat
na dhuroj mbarë Gjithsinë e vet t’Shenjtë.
.
Zemra që qesh
Jeta juej asht jeta juej.
e mos lejoni që përplasjet t’ju zhysin n’bodrumin
e t’qenit të mbaruem,
rrini n’roje,
rrugdalje ka,
e prej dikah vjen drita.
Ndoshta s’ka me qenë ndoj dritë vezulluese, ama terrin e mposht.
rrini n’roje.
Perenditë kanë me ju ofrue ndonji mundsi,
vlersojeni, kapuni mbas saj.
s’mundeni me e mposhtë vdekjen, po ndoj’herë mundeni
m’e sfidue vdekjen e jetës.
e sa ma shumë t’mësoni e sa ma shpesh t’veproni,
aq ma shumë dritë ka me pasë.
Jeta juej asht jeta juej.
jetoje për sa ta kesh.
.
Ti je i mrekullueshëm
e perenditë presin m’u knaqë me ty.
.
A vërtet e ke dashtë?
A vërtet e ke dashtë?
E aj psherëtiu:
“Si mund t’ju përgjigjem? Ajo ishte e çmendun!”
E dorën e shkoi ndër flokë.
“Oh Zot, pse t’ishte njashtu e çmendun!
Çdo ditë nji tjetër grue
nji herë e papërmbajtun, tjetrën herë e hutueme.
nji herë stuhishme, tjetrën herë e mpime.
E pasigurtë po e vendosun,
e ambël po edhe arrogante.
Ishin njimijë gra mbrenda saj, po parfumi ishte gjithnji i njejti
– i pangatrrueshëm.
Ajo ishte e vetmja siguri e jemja.
M’buzqeshte, pse e dinte mashtrimin e asaj buzqeshje.
E kur un i buzqesha, s’kuptoj ma asgjà n’botë,
s’dinte ma as me folë as me mendue
po asgja, zero!
Papritmas ishte veç ajo.
Ishte e çmendun, krejt e çmendun.
Kajherë edhe kjante.
Thonë se njat çast grave u nevojitet thjesht nji përqafje,
po jo asaj.
Ajo bahesh bishë.
Tash s’e di as ku ndodhet, po jam i bindun
se ajo asht ende n’kërkim t’andrrave.
Njashtu e çmendun, krejt e çmendun.
Ama, un çmendesha mbas saj.
.
Dashnia asht nji qen i lshuem ferri
Kambë prej djathi
shpirt si gjerbë kafje
duer që urrejnë stekat e bilardos
sytë njashtu si karfica.
.
M’pëlqen vena e kuqe
më mërzisin aeroplanët
ndihem n’paqe kur bjen tërmet
m’xen gjumi ndër vorrime
m’vjen e vjella ndër parada
Luej tue sakrifikue n’shah
me vaginat e me ndjesitë
ndiej aromë urine ndër kisha
e s’mundem ma me lexue
po as me fjetë s’mundem ma.
.
Burrë e grue n’shtrat n’dhjetë të mbramjes
Ndihem si n’nji kuti sardelesh, – tha ajo.
Ndihem si nji garzë, – i thashë un’.
Ndihem si nji panine me ton, – tha ajo.
Ndihem si nji domate e preme n’feta, – i thashë un’.
Ndihem sikur kam m’u derdhë n’formë shiu, – tha ajo.
Ndihem si nji orë e ndalun, – i thashë un.
Ndjej sikur dera m’asht hapë, – tha ajo.
Ndjehem si nji elefant që kërkon m’u futë mbrendë, – i thashë un.
Ndjej se duhet m’u pague qiraja e shpisë, – tha ajo.
Ndjej se të duhet me gjetë nji punë, – tha ajo.
S’ma ndin hiç me punue, – i thashë.
Ndjej që s’të bahet vonë hiç për mue, – tha ajo.
Ndjej se duhet ba dashni, – i thashë.
Ndjej se kena ba dashni ma shumë se duhet, – tha ajo.
Ndjej se duhet me e bà at gjà ma shpesh, – i thashë.
Ndjej se të duhet me gjetë nji punë, – tha ajo.
Ndjej se të duhet me gjetë nji punë, – i thashë un.
Ndiej nji dishirë të ndezun me pi, – tha ajo.
Ndihem si nji shishe uiski, – i thashë un.
Ndej se kemi me përfundue si dy pijanecë, – tha ajo.
E ndiej se ke të drejtë, – i thashë un.
E ndjej se duhet me hjekë dorë nga gjithçka, – tha ajo.
E ndiej se kam nevojë me ba nji dush, – i thashë.
Edhe unë e ndjej se ke nevojë me ba nji dush, – tha ajo.
E ndiej se duhet me ma fërkue pak shpinën, – i thashë.
E ndjej se ti s’më don ma, – tha ajo.
E ndjej se të due fort, – i thashë.
E ndiej at gjanë mbrenda tash, – tha ajo.
Edhe un e ndiej që tash ajo gjà asht mbrenda teje, – i thashë.
E ndjej se tash të due fort, – i tha ajo.
E ndiej se jam tue të dashtë un ma fort se ti, – i thashë.
Ndjehem njaq mirë, – tha ajo, – sa kam dëshirë me bërtitë.
Ndihem sikur s’kam m’u ndalë kurrë, – i thashë.
Edhe unë e ndjej se ti mundesh, – tha ajo.
E ndjej, – i thashë.
E ndjej, – tha ajo.
Poezitë janë shkëputë nga Libri Charles Bukowski, 55 Poezi, përkthye nga Jozef Radi!