back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Dr. Haxhi Hafiz Hasan Kaduku (1865-1948), Stomatologu i parë shqiptar – Materiali u mblodh Genti Kruja & Hamit Boriçi

Gazeta

Dentist H. H. Kaduku
Dentist H. Hasan Kaduku

Dr. Haxhi Hafiz Hasan Kaduku (1865-1948),

Stomatologu i parë shqiptar

Materiali u mblodh Genti Kruja & Hamit Boriçi

Dr. Hasan Kaduku ishte vëllai i madh i Haxhi Ibrahim Kadukut, i cili kreu detyra të rëndësishme në shërbim të Islamit dhe vendit të tij, vëllai i Riza Kadukut, funksionar në Komunitetin Mysliman në sektorin e financës, Sulejmanit (i cili posedonte kartolerinë më moderne), si dhe Hafiz Jusuf Kadukut, një prijës fetar i shkolluar si vëllezërit e tij Hasan e Ibrahim në Universitetin e Stambollit, ku njihej për komentimin e Kur’anit gjatë qëndrimit atje.
Hasan efendiu që në moshë të re shkon në Stamboll për të vazhduar shkollën, ku vendoset pranë dajës së tij Fetah Lini, ku fillon dhe punë. Atje njihet me dijetarë të kohës, nga të cilët merrte edhe mësime mistike, si dhe filloi mësimin përmendësh të Kur’anit. Sipas kronikanit Hamdi Bushati, mësuesit e tij kishin vënë re se kishte disa probleme me dhëmbët e parë të cilët i kishin rënë dhe bënin që të mos i shqiptonte qartë shkronjat arabe me “texhvid”, të cilët duan një vokalitet shumë të pastër. Nga dashuria që kishte për Kur’anin, ai vendos fillimisht që paralel me mësimin e Kur’anit, të rregullojë edhe dhëmbët, ku u njoh edhe me profesionin e dentistit, të cilin e dashuroi menjëherë. Kështu ai i lutet dentistit të tij, që ta merrte në punë, por dentisti i thotë se nuk ka nevojë. Hafiz Hasani i thotë se, “ti nuk ke nevojë për mua, por unë kam nevojë për ty dhe jam gati të të paguaj rrogë, vetëm të rri pranë teje dhe të mësoj profesionin”, e kështu ndodhi. Më vonë fillon praktikën edhe pranë dentistit të famshëm Halid Shenazi Bej dhe më pas dhe te profesor Dionizi me kombësi armene. Pasi siguron lejen e ushtrimit të profesionit, ai kthehet në vendlindjen e tij, në Shkodër.
Kështu ai për një kohë të shkurtër rreth tre vjeçare bëhet Hafiz Kur’ani dhe dentist.

Studio Dentisti i Kohes
Studio Dentisti i Kohes

Hafiz Hasani me t’u kthyer nga Stambolli në Shkodër, fillon ushtrimin e këtij zanati, duke hapur një klinikë portative, duke shkuar në shtëpitë e atyre që kishin nevojë, siç shkonin edhe mjekët e tjerë. Por nga dëshira e madhe për profesionalizëm të plotë me t’u hapur Fakulteti i Stomatologjisë në Universitetin e Stambollit (1907), pasi punoi disa vjet si dentist diletant, në një moshë kur tashmë ishte familjar dhe me fëmijë, shkon përsëri në Stamboll, ku nga tre vjet studimi, që kishte fakulteti, ai i kryen studimet për dy vjet, favor ky që iu bëhej atyre që kishin njohuri praktike disa vjeçare. Hafiz Hasani arrin të bëhet një nga studentët më të përparuar të fakultetit, pavarësisht moshës së tij gati 40 vjeçare. Madje familjarët e tij tregojnë se edhe letrat që i vinin nga familja nuk i hapte deri në fundjavë, për të mos u shkëputur nga mësimet. Ai diplomohet më 1908 dhe kthehet në vendlindje si i pari mjek stomatolog, apo siç njihej ndryshe “mjek dhëmbësh” me diplomë universiteti, jo vetëm në Shkodër, por edhe në të gjithë Shqipërinë. Ai njihte gjithashtu shumë mirë arabishten, osmanishten dhe frëngjishten.
Hafiz Hasan Kaduku mbahet si njeriu që vuri bazat e shërbimit stomatologjik modern në qytetin e tij të lindjes, në Shkodër.
Studiuesi Osman Hoxha e përshkruan kështu figurën e Hasan Kadukut: “Njeri madhështor, shtatlartë e shpatullgjerë, syshqiponjë e hundëshkabë, me mjekër të bardhë dhe shumë i pashëm, fisnik dhe zemërgjerë, i respektuar dhe mendjemprehtë, energjik dhe i papërkulur, i dashur e bujar, ishte gjithmonë mes njerëzve, që e donin dhe i donte aq shumë. Ishte i punës por dhe i pushkës. Në kohën e rrethimit të Shkodrës nga malazezët në vitet 1912-1913, Hafiz Hasan Kadukun e gjejmë të rreshtuar në llogore përkrah vullnetarëve të tjerë, duke kryer detyrën ndaj atdheut.
Në vitin 1932, kreu edhe ritualin e Haxhit. E tashmë njerëzit e njihnin si Dr. Haxhi Hafiz Hasan ef. Kaduku: “Shprehja ‘po shkoj te Kaduku’”, më shumë se prej një shekulli në Shkodër nënkupton “po shkoj te dentisti”.

Përtej klinikës…
Studiuesi Gëzim Uruçi shkruante se H. H. Hasani ishte një prej “turistëve” të hershëm që pushimet verore i bënte në Theth, tashmë fshat turstik kombëtar e ndërkombëtar. Ai u ngjit në Theth për pushime në verën e vitit 1936, i ftuar nga Bajraktari i zonës, pacient i tij.
I mahnitur nga bukuritë e natyrës dhe mirëpritja tradicionale e malësorëve filloi të mendojë e të veprojë në ndihmë të Thethit. “ Gjithëherë merrte me vete kutinë e “ndihmës së shpejtë” për t’u shërbyer malësorëve edhe pa pagesë.
Me një marëveshje me Bajraktarin e fshatit Shosh, ndërtoi depozitën e parë të ujit duke hapur kanale e sjellë ujët në disa kulla. Që nga ajo kohë ai krua quhet “Kroni i Kadukut”.
Ndërkohë, gjatë pushimeve në bjeshkët e Thethit mblidhte dhe përpunonte shumë bimë mjeksore, duke u treguar banorëve për vlerat që kishin ato për kurimin e shumë sëmundjeve.
Toponimet e atëheshme si “Livadhi i Kadukut”, “Bajrakja e Kadukut” etj “dëshmonin” për lidhjen e doktorit me Thethin e thethjanët. Ai i ftoi banorët e atij fshati turistik për kurim falas në klinikën e tij në Shkodër”.
Materiali asht mbledh ne Web dhe është kontribut i Genti Kruja e Hamit Boriçi, e pergaditi per botim Teona Bushati te Gegnishte

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.