back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Autostima nga një mendje brilante si Michel de Montaigne – nga Ervina Toptani

Gazeta

Michel de Montaigne (1533-1592)
Michel de Montaigne (1533-1592)

Autostima nga një mendje brilante si Michel de Montaigne

nga Ervina Toptani

Të gjithë e kemi parë veten ndonjëherë si fitimtarë e të pathyeshëm, po aq sa dhe të pashpresë, të pa suksesshëm, etj. Ta shohësh veten disi me keqardhje sepse nuk je aq i pasur, aq inteligjent, aq i pashëm apo aq i talentuar është deprimuese dhe shpesh krijohen vështirësi të tjera artificiale rreth nesh prej kësaj bindjeje, të cilat kërkojnë energji të madhe për t’u kaluar.
Pikërisht në lidhje me situata të tilla, pjesë e së cilët bëhen dhe smira, zilia e ndjesi të tjera të shëmtuara që fatkeqësisht çdo njeri prej nesh ua ka njohur kuptimin në jetë, ka shkruar një kryevepër një filozof shumë i dashur për mua, Michel de Montaigne. Ai duket se e ka kuptuar shumë herët e para të gjithëve se çfarë është ajo që na bën të ndjehemi keq tek vetja.
Në libër përfshihen tre shtylla kryesore të cilave mund t’u referohem si “problemet e pamjaftueshmërisë”. E para, është ajo e të mos ndjerit rehat me trupin tonë, pamjen tonë të jashtme apo pjesë të veçanta të trupit të cilat i fshehim. Së dyti, është pamjaftueshmëria kur ndjehemi të gjykuar, kur mënyrat tona, të qenit siç jemi nuk priten mirë nga të tjerët. Së treti, pamjaftueshmëria intelektuale, ajo ndjenja që nuk jemi mjaftueshëm inteligjentë. Për të treja këto shtylla të rëndësishme, Montaigne ka dhënë zgjidhje shumë të thjeshta, praktike dhe efikase.
Në zemër të Francës rurale, rreth 50 km nga Bordó, ende gjendet një kështjellë e bukur mesjetare në të cilën lindi e jetoi Michel de Montaigne. Ai lindi pikërisht aty në 1533, dhe ishte fisnik, avokat, mik i ngushtë i mbretit të Francës dhe ka mbajtur detyra shumë të rëndësishme politike në krahinën e Bordó-së. Por në moshën 38 vjeçare, Montaigne vendosi të tërhiqej në kështjellën e tij për të kaluar pjesën tjetër të jetës duke lexuar, reflektuar dhe shkruar. Fillimisht nuk ishte fort i qartë mbi çfarë mund të shkruante, por pastaj pati një ide revolucionare, të shkruante një libër mbi një argument që e njihte më mirë se kushdo tjetër: veten e tij. Dhe kështu filloi të shpjegojë çdo të thotë të jesh Michel de Montaigne.
Libri i tij më i famshëm “Esetë”, nuk është një libër i mirfilltë filozofie. Eshtë diçka tjetër edhe më e dobishme se vetë filozofia, shumë më praktike. Montaigne në këtë libër ka ridimensionuar të gjithë konceptin dhe idenë që ne kemi mbi atë çfarë është njeriu. Për Montaigne shumica e librave nuk reflektojnë eksperiencën njerëzore, të vërtetën, të prekshmen e përditshme, dhe lënë jashtë shumicën e këtyre aspekteve të rëndësishme. Ai dëshironte t’i riintegronte këto aspekte e për këtë arsye ndërmerr këtë udhëtim për të folur në librin e tij për gjëra që asnjë filozof më parë nuk kishte marrë guximin për t’i trajtuar, pjesë e së cilës janë dhe organet gjenitale të njeriut. Ai shkruan: “Çdo pjesë e trupit tim më bën mua ky që jam dhe asnjëra prej tyre në veçanti nuk më bën dot më shumë se njeriu që jam. Ia sjellim të tjerëve veten tonë ashtu siç jemi në të vërtetë, të plotë”. Të gjitha këto aspekte që bëjnë pjesë tek realiteti ynë i përditshëm nuk thuhen në librat e filozofisë, imagjinoni për shekullin e 16-të si ka qenë.
Montaigne mendonte se ne jemi të rrethuar nga modele të gabuara, të paaftë për t’i dhënë hapësirë asaj çka ne jemi në të vërtetë dhe të predispozuar për të gjeneruar antistimën tek vetja nëse nuk ndjekim objektiva të caktuara. Ai ka paraqitur një platformë të mirfilltë hapësire për aspektet më të zakonshme të jetës për të na inkurajuar që të pranojmë zakonshmërinë tonë ashtu siç është. Ka aspekte në natyrën e njeriut, në çdo kohë mendoj, që nuk janë gjithnjë fort të këndshme për t’iu referuar apo për të treguar apo për t’u pranuar edhe nga vetë ne.

Keshtjella e St Michel de Montaigne
Keshtjella e St Michel de Montaigne

Gjëja më e keqe që ne mund t’i bëjmë vetes konsiston në shenjtërimin e vetë qenies tonë sikurse dhe në shmangien e saj. Montaigne ka shumë besim tek ne si lexues dhe na e paraqet veten kaq transparent e kaq të sinqertë sa duket sikur njihemi prej një jete bashkë (fenomenal është ky aspekt në libër). Ai flet për gjëra të cilat normalisht nuk thuhen apo nuk tregohen si impotenca apo ereksioni. E konsideronte të mrekullueshëm çastin e zgjimit dhe i pëlqente aq shumë kjo gjë sa i binte këmbanave të kishës që ishte pjesë e kështjellës së tij në mes të natës vetëm që të zgjohej e të kishte mundësi të flinte sërish e që të zgjohej sërish. Ai ishte njeri shumë i thjeshtë. E gjente veten plotësisht në të njëjtën barkë me çdo njeri tjetër që nuk kishte pozitën e pasurinë e tij. Një burrë mjaftueshëm i guximshëm për t’u përballur me të vërtetat e mëdha të jetës me thjeshtësinë dhe mprehtësinë më të madhe.
Montaigne ishte një filozof shumë i pazakontë. Shumica e filozofëve të brezit të tij e më parë, nëpërmjet punës së tyre kanë treguar se të kesh mendje (të mendosh) na çon drejt zbulimit të lumturisë, e cila është dhe arsyeja kryesore që na jep atë ndjenjën e të plotësuarit në gjithçka. Montaigne e ktheu përmbys këtë ekuacion dhe ndërtoi një filozofi krejt tjetër sipas së cilës problemet tona vijnë pikërisht prej faktit se ne kemi arsye dhe si derivat mendime. Problemi i parë që ai thekson është se mendja gjeneron relacione të pasigurta me trupin tonë. Ne jemi frymorët e vetëm në rruzullin tokësor që kemi probleme të shpeshta me paraqitjen tonë fizike. Mendojmë se jemi shumë të shëndoshë apo të shëmtuar duke u bërë viktima të problemeve me ushqimin, seksin, i fshihemi të tjerëve e bëhemi të pashoqërueshëm.
Montaigne mori në shqyrtim shumë njerëz rreth e qark tij të cilët vuanin nga çrregullime të tilla që nuk e kuptonin as vetë rëndësinë e përmasën që u kishin dhënë këtyre problemeve. Kishte njohur njerëz që kishin vrarë veten se ishin refuzuar në dashuri etj si këto. Montaigne e dinte ku qëndronte problemi. Trupi i njeriut ishte pasqyruar, treguar, pikturuar e folur sipas disa modeleve të caktuara që quhen si modele perfekte dhe gjithçka që nuk është si ky model quhet e shëmtuar, e gabuar. Pikërisht kjo qasje e njeriut ndaj vetes dhe ndaj prerogativave boshe që vetë njeriu i kushton rëndësi madhore, e kthejnë atë në një qenie me vlerë më të vogël se kafsha ndonjëherë. Ai mendonte se shumica e kafshëve mund të ishin më inteligjente se njerëzit sepse ishin shumë në paqe me trupat e tyre, me pamjen e tyre, me mënyrën sesi jetonin në familjen e tyre e mbi të gjitha që nuk u vinte turp përballë njerëzve që kishin atë trup e atë fytyrë. Kafshët e kishin kuptuar thelbin shumë më herët se njeriu.
Ai nuk e krahason njeriun me kafshët e fermës për të degraduar, por për të na ndihmuar ta shohim veten me më shumë thjeshtësi e vërtetësi e të themi njëherë e mirë se nuk është e nevojshme të jesh i hollë e i bukur për të qenë i pranuar. Ne e detyrojmë veten të mendojmë e të harxhojmë kaq shumë energji për gjëra të kota si pamja, pesha, format e trupit etj. ndërkohë që vrasim gjithnjë pjesën më të bukur të shpirtit duke mos i dhënë mundësinë e mjaftueshme për t’u ekspozuar. Po pse vallë gjërat duhet të jenë të komplikuara për të qenë të vërteta? Dhe kjo është e para ndër të shumtat të vërteta për të cilat ky filozof ka shkruar në mënyrë kaq të qartë e të kuptueshme.
Të kesh mendje, dmth të konsiderohesh inteligjent nuk sjell vetëm krijimin e problemeve nëpërmjet të menduarit (shumica mendjen e përdorin për të krijuar probleme e jo për t’i zgjidhur ato) por edhe se njerëzit shpesh mendojnë se janë mbi të tjerët, bëhen arrogantë, mendjemëdhenj dhe ua imponojnë këtë vizion të vetvetes njerëzve të tjerë. Të gjithë ne e ndajmë botën në atë çka është normale dhe atë që nuk është. Njerëzit sillen keq ndaj atyre të cilët nuk i pranojnë apo nuk ndajnë të njëtjat mënyra, mendime apo zgjedhje. Njerëzit tentojnë që “normalen”, sipas këndvështrimit të tyre ta bëjnë të absorbueshme për të tjerët nëpërmjet forcës kur ata nuk janë dakord dhe i persekutojnë ata të cilët janë kundër. (ne shqiptarët e njohim mirë këtë pjesë përgjatë historisë). Atëherë cfarë duhet të bëjmë nëse jemi përballë paragjykimit të të tjerëve? Në fjalë e vetme: Udhëto! Nëse nuk e bën dot fizikisht udhëto nëpërmjet mendjes, librave, njerëzve që këto udhëtime i kanë paraqitur për ty aty. Duke ndjerë dhe përqafuar diversitetin e botës do të mësohemi ta pranojmë atë. Çfarë është e duhur apo e gabuar kuptohet mbi bazën e zakoneve në çdo shoqëri.
Nuk është vetëm gjykimi i të tjerëve që mund të na bëjë të ndjehemi të pamjaftueshëm por edhe koncepti i pamjaftueshmërisë intelektuale që shpesh e vuajmë tepër është një tjetër pikë e rëndësishme. Në epokën kur jetonte Montaigne ekzistonin disa veçori tipike për t’u mbiquajtur inteligjent, pikësëpari të kishe një diplomë. Por të gjithë e dimë pak a shumë që inteligjenca ka pak lidhje me titujt dhe diplomat e përftuara. Montaigne mendonte se shumica e të diplomuarve ishin injorantë. Ai nuk dëshironte të fyente njeri por të pohonte se titujt për të reklamuar inteligjencën janë shpesh në kontrast me realitetin.
Inteligjencën e vërtetë Montaigne e quante: urtësi, mençuri. Dhe dikush mund të ketë urtësi edhe pa pasur diplomë universiteti. Gjithçka që na nevojitet për të qenë të mençur, pra për të pasur urtësi është përulësia, modestia e pranueshmëria e limiteve intelektuale të vetes. Të mençurit, të urtët nuk kanë nevojë të dinë gjithçka për t’u quajtur të tillë, ata e pranojnë me përulësi faktin se shumë gjëra ndodhin jashtë kontrollit të tyre. E pranojnë këtë kufizim të limiteve të mendjes së tyre, por dhe të trupave të tyre. Ai kishte njohur mjaft njerëz të tillë aty ku jetonte të cilët ishin shumë herë më të mençur se shumica e atyre që drejtonin punët publike e politike të qytetit. Montaigne nuk mendonte se edukimi dhe arsimimi ishin të parëndësishëm, përkundrazi. Ai kishte kuptuar se shumë prej të diplomuarve nuk ishin as më të mençur, as më inteligjentë e as më të lumtur se ata që nuk ishin të diplomuar. Edhe unë, bazuar në eksperiencën time personale, mendoj se Montaigne kishte të drejtë…
ervina toptani, 14 mars 2022

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.