back to top
5.5 C
Tirana
E hënë, 25 Nëntor, 2024

“Heroi i bulevardit” Myslym Shyri, nuk u vra nga pushtuesi – nga Kastriot Dervishi

Gazeta

 

Mysym Shyri - Heroi i rrugës më të njohur në Tiranë
Mysym Shyri – Heroi i rrugës më të njohur në Tiranë

“Heroi i bulevardit” Myslym Shyri, nuk u vra nga pushtuesi

nga Kastriot Dervishi

Një prej rrugëve më të njohura të Tiranës, mban emrin “Myslym Shyri”. Domosdo duhet të kesh kontribuar shumë për vendin që të kesh vend para albanologëve, kryeministrave e ministrave që kanë bërë Shqipërinë para se të mbinte ferra komuniste. Por Myslym Shyri, “meritat” e të cilit u gjetën të mëdha edhe për t’i prerë fotografinë 300 euroshe në bulevard, nuk është vrarë as për liri, as nga armiku. U vra duke sulmuar e grabitur banorët e fshatit Fushë-Alie në Dibër.
Në historikun e Brigadës së I-rë, shkruar nga Sevo Kavaja thuhet se Batalioni i 5-të i Brigadës së I-rë “rrethohet në Fushë-Alie prej mercenarëve, por me një sulm të fuqishëm në kontakt me forcat e tjera të brigadës çanë rrethimin. Armiku pati mjaft të vrarë e të plagosur. Nga ana jonë ranë heroikisht 7-8 shokë, ndërsa po sulmonin me bomba dore”.
Në listën e dëshmorëve të Brigadës së Parë, në numrin rendor 131 gjendet emri i Myslym Sali Shyrit. Nuk ka datë vrasjeje.
Në botimin e brendshëm me dokumente të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, nuk ka asgjë rreth vrasjes së Myslim Shyrit. Përmendet në një dokument për prerjen e linjave telegrafike; një dëshmi e të arrestuarit Nuri Huta, i cili flet për aktivitetin e përbashkët me M. Shyrin dhe Xhevdet Petrelën. Edhe në librin e vitit 1986, faqet 387-390, janë botuar fare pak dokumente.
Në librin “Yje të pashuar”, volumi I, Tiranë 1971, faqe 252-257), ndodhet fotoja e dëmtuar e Myslym Shyrit me uniformë xhandari. Në fund thuhet: “Më 8 korrik (1944) partizanët e batalionit të dytë dhe ata vendas, sulmuan e rrethuan mercenarët e Halil Alisë dhe pastaj u futën në katund deri në pragun e shtëpive të këtij krimineli me damkë. Mirëpo mercenarët e Halil Alisë natën goditën pabesisht luftëtarët pas shpine, duke krijuar një situatë të vështirë”. Thuhet edhe emrat e të vrarëve Ibrahim Shehut dhe Pinellopi Piros.

Rruga "Myslym Shyri" ne vitin 1964
Rruga “Myslym Shyri” ne vitin 1964

Në diskutimin e datës 17.11.1969 të Byrosë Politike për heronjtë, Mehmet Shehu tha se propozonte për titullin “Hero i Popullit” Myslim Shyrin, sepse “ka qenë komisar i Batalionit të 2-të në Brigadën e I-rë sulmuese dhe është vrarë në një luftim të rreptë në Fushë Alie, ku u gjysmua batalioni. Ai ishte një komunist i mirë dhe po të ishte gjallë, do të ishte anëtar i Komitetit Qendror të partisë”. Të gjithë u shfaqën dakord me këtë propozim.
Mbi fshatin Fushë-Alie u bë edhe një sulm tjetër “nacional-çlirimtar”. Këto sulme i ka dënuar vetë Partia e Punës vitet vijuese. Ish kuadri Delo Balili, kur u pyet në procesin ndaj Kadri Hazbiu për sulmin e dytë të 26 korrikut 1944, thotë: “…u drejtuam ne vendin e ngjarjes për të ndaluar masakrën që po bëhesh, atje po digjeshin shtëpi, vriteshin njerëz të pafajshëm, rrëmbeheshin bagëti, ushqime bile edhe plaçka nën pretekstin na treguan qilima, gjoja që ishin vjedhur nga Halil Alia kur kishte qenë në Vlorë”.

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.