back to top
11.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Bartli – historiani që nuk i pëlqente kompromiset – nga Col Mehmeti – In Memoriam Peter Bartl (1938-2022)

Gazeta

Peter Bartl (1938-2022)
Peter Bartl (1938-2022)

Bartli – historiani që nuk i pëlqente kompromiset

nga Col Mehmeti

In Memoriam Peter Bartl (1938-2022)

Në Ballkan historia është njëfarë lufte paqësore në të cilën çdo shkollar vendës është gjeneral. Me këto kundrime në librin “History of Serbia”, historiani britanik Harold Temperley, më 1917, po e përsaktësonte aq serbes një realitet që do t’i ndiqte këmbadorazi historiografitë neofite ballkanase. Sipas tij, “Kosova dhe Stefan Dushani, Car Simoni dhe Qystendili përndezin larg më shumë afshe të gjalla për serbë e për bullgarë sesa që ndodh me emra si Sebastopoli e Waterlooja për ne dhe aleatët tanë”.
Kaq e vërtetdukshme është kjo sa kërkimi shkollaresk i instituteve nacionale ishte gjithnjë i pranëvendosur me politikat zyrtare në Bukuresht, Beograd, Sofje, Cetinë e Athinë. Por, për historianin jetëndërruar gjerman, Peter Bartl, kjo batërdi çirrjesh, ofshamash e ngulmimesh mund të ketë ardhur si jehu i një bote të tejlargët e të pakuptueshme. Gjithnjë duke e mbajtur një barazlargesë të shëndetshme nga e tashmja, duke e ditur psehun e kësaj feje, tërthoret jugballkanike për të ishin thuajse të tjetërbotshme sa më shumë ngjitej pas në kohë, në shekujt që vargiseshin në premodernitetin e çuditshëm ballkanik, në ato kohë ku “ethnicity did not matter in the Ballkans”, siç titullzohet libri i historianit amerikan, John Van Antwerp Fine.
Sikush mund të ketë pritshmëri të ethshme që tek ai do të gjejë histori transgresive, por kjo do të kthehej sakaqherë në një zhgënjim të plotë. Bartli ishte i tjetërsojtë! Krejt oeuvre i shkollarit gjerman të lindur në Cottbus paraqet një alkimi pune përplot diligjencë: si rregull, çdo interpretim lakonik i tij pason një stivë dokumentacionesh për këtë e atë çështje.

Me shqiptarë mes Spanjës dhe Perandorisë Osmane

Në këtë frymë endet edhe monografia e tij “Ballkani Perëndimor midis monarkisë spanjolle dhe Perandorisë Osmane” (Der Westbalkan zwischen spanischer Monarchie und osmanischem Reich) që pa dritën e botimit më 1974 në Wiesbaden. Përjetësisht mirënjohës për dhaskalin e tij, Georg Stadtmüller, që e përudhi në truallin e kërkimeve në çështje ballkanistike, Bartl do të kalonte fundin e viteve ’60 me përendje varavingo nëpër arkivat e Vatikanit, Madridit dhe Simankasit.
Ndonëse e zhvirgjëruar si temë nga L. V. Ranke, pushtimi i Ballkanit nuk ishte epitafi për një histori që do t’i përbinte nga faqja e dheut popujt ballkanikë. Ç’është e vërteta, madje, prej mesit të shekullit të 15-të e tutje, mantra e sa e sa fjalimeve në publicistikën politike të shtettheve italiane dhe Spanjës ishte “Marciare verso Costantinopoli” (Të marshojmë drejt Konstandinopojës).
Kështu, marrëdhëniet e të krishterëve të Ballkanit me Evropën Perëndimore, shestimet për kryengritje dhe gjakimet për një “reconquista” të monarkëve e princërve evropianë ishin tharmi që do të krijonte një histori tjetrazi për këto pjesë. Fatmjerisht, kjo vepër e Bartlit nuk e përftoi vëmendjen e nevojshme përtej mileut akademik gjermanishtfolës.

Peter Bartl - Shqiptaret nga Mesjeta deri në ditët e sotme
Peter Bartl – Shqiptaret nga Mesjeta deri në ditët e sotme

Një Adriatik megjithatë komunikativ

Me pushtimin osman të Ballkanit, pezhishka komunikative e detit Adriatik do të kthehej në një ledh botëkufizues, po të shërbeheshim me një term të Jacques Le Goffit. Por ky pohim ngjan të jetë mbithjeshtëzues kur projektori gnostik dritëson qindra dokumente me anë të të cilave kuptohet se shekulli i gjashtëmbëdhjetë e ngriti dhe e uli siparin e vet me përmeqatje të pakëputura për të sfiduar gjendjen e pushtimit.
Megjithëse, gjendja e brendshme në Ballkanin osman po stërkeqej nga pasiguria e përgjithshme e jetës, që prodhonte pajada lëndë ndezëse për trazime, projektet për kryengritje të përgjithshme thuajse askurrë nuk ishin në kongruencë me këto zhvillime. Sepse, sipas Bartlit, pushteti, ndikimi dhe ambicia për përfitim personal ishin shtysat kryesore që frymëzonin të gjitha planet e aksionet. “Republica christiana” ishte një vello e hijshme, me të cilën duheshin mbuluar motivet thjesht materiale të tyre”.
Mosvlerësimi i rrokakrejtit të kësaj vepre, sidoqoftë, nuk është pengesë që asaj t’i jepet haku e të mbiemërzohet si një nga përpjekjet e para diligjente për një histori alla-braudeliane për Ballkanin Perëndimor, duke e ndërfutur këtë pjesë brenda kaleidoskopit ngjarjeshumë të Mesdheut.

Drejt një Shqipërie mesdhetare

Institucionalizimi i dijes historike në Shqipëri në vitet ’50 mundësoi që për të parën herë të “shkencorizohej” historia e shqiptarëve prej vetë shqiptarëve. Paçka se transparenti ideologjik e kompromentoi shpeshherë punën e njëmendët shkollareske, “katalogizimi” i burimeve parësore historike ishte vërtet një e arritur e shënueshme. Por, narrativa e përgjithshme nuk ia doli të evaluonte as për së afërmi rolin e shqiptarëve në kontekstin mesdhetar. Në të shumtën e herave, Shqipëria e kësofarshme ishte asgjëmangut një “kështjellë” e rrethshkruar në një lloj pakohshmërie të amshueshme, e cila dinte vetëm të sprapste invazorë të jashtëm dhe kaq.
“Feja popullore” – një rast përjashtimisht i rrallë
Por, familjariteti i Bartlit me Shqipërinë e shqiptarët gjeti shprehjen më të mirë tek studimi “Myslimanët shqiptarë në lëvizjen për pavarësi kombëtare (1878-1912) (Die albanischen Muslime zur Zeit der nationalen Unabhwngigkeitsbewegung 1878-1918).
Si subjekt prima facie mund të duket cazë si i përgjithshëm, por premisa e mbarështrimit është dorëzan për një botëvështrim të ri që i integron më mirë faktet që merren si të mirëqena.
Këtij studimi i paraprin një përnjohje kulturore e shqiptarëve, përkatësisht asaj që ai e quan “fe popullore” në Shqipëri, duke nënkuptuar fqinjërimin ndërvete të krishtërimit dhe islamizmit, që prodhoi në prapakthim sinkretizmin fetar “që është karakteristik për shumicën e vendeve që janë islamizuar vetëm në kohët më të fundit”.
I kaluar përgjithësisht pa ndonjë vëmendje kushedi çfarë, por i vlerësuar gjithnjë nga të huajt, ndikimi i fortë i Urdhrit të dervishëve, veçanërisht bektashinjve, edhe për Bartlin ishte një nga shkaktarët kryesorë në fashitjen e ndryshimeve llojellojesh fetare në vend.

Rasti kurioz i nacionalizmit shqiptar

Përveçse në studimet humane, ontosi i nacionalizmit shqiptar vazhdon të përthithë interesime të vazhdueshme edhe nga antropologjia, sociologjia e studimet politike e gjeopolitike. Duke bërë një enumeracion të përpjekjeve herkuliane të brezit të Rilindjes kombëtare në ekumenën shqipfolëse të katër vilajeteve perëndimore të Rumelisë dhe në diasporë, studiuesi gjerman dritësoi një tjetër aspekt që ende nuk po kuptohet në plotninë e vet: ideologjia pan-islamike e Abdyl Hamitit u tregua armiqësore ndaj çfarëdo regëtime të nacionalizmit ndër popujt e myslimanizuar të “devletit” osman.
Megjithatë, nacionalizmi shqiptar, me veçantitë ekskluzivisht të papërsëritshme të kontekstit lokal, sipas vetë Bartlit, përbente një rast të veçantë. Shqiptarët ishin i vetmi popull në “Turqinë europiane” (ky term përdorej dendurisht deri para Luftës së Dytë Botërore!) që, duke pasur një shumicë të myslimanizuar, krijoi një vetëdije kombëtare. “Vetëm te shqiptarët vetëdija e prejardhjes dhe gjuhës së përbashkët ishte më e fortë se përkatësia fetare”, vinte re Bartesi duke e kontrastuar këtë me myslimanët serbë, bullgarë e grekë që ishin tëhuajësuar nga vëllezërit e tyre ortodoksë, madje duke e ndjesuar veten si turq.

Në Kosovë mes relatorësh papalë

Edhe si profesor i historisë së Evropës Juglindore e Lindore në Universitetin e Mynihut, që nga viti 1980, profesori gjerman do të mirëvijonte të ishte i bereqetshëm me prurjet e tij për historinë e shqiptarëve. I tillë ishte edhe studimi i tij 17-faqësh “Kosova dhe Maqedonia siç janë pasqyruar në njoftimet kishtare” i botuar më 1984 në përmbledhjen e vlershme “Studies on Kosova” të redaktuar nga Arshi Pipa dhe Sami Repishti.
Ishte pikërisht kjo fusha e rrahur të cilën ai veçse e mjeshtronte si pak të tjerë në kohën e vet: ky studim solli të përmbledhura të dhënat kryesore të relatorëve të Papatit mbi këto dy treva shqipfolëse të cilat ndodheshin “in partibus infidelium”. Ato, sipas Bartlit, ishin “në domenin e misioneve katolike të administruara nga Propaganda Fide, e themeluar në Romë më 1622”.

Pa shybe…

Kontributi i radhës i Bartlit ishte studimi sintetik “Shqipëria: Nga Mesjeta deri në ditët tona” (Albanian: vom Mittelalter bis zur Gegenwart) që doli në dritë më 1995, në Regensburg. Fryt i një kohe kur zaret ishin hedhur për gjithçka dhe mendimi po polarizohej thekshëm, ky libër megjithatë pati meritën që nuk u katandis në nivelin e të ashtuquajturës “golden mean fallacy”, në kompromiset e pafalshme të atyre që rrahin t’i mëshojnë “mesit” midis dy qëndrimeve ashpërsisht të antagonizuara.
Pa këtë shybe në vete, Bartl nuk ngurroi të merrte edhe qëndrime vështirë të mbrojtshme. Pavarësisht faktit se debati mbi etnofillesën e shqiptarëve po nuancohej e thellohej në përmbajte edhe jashtë mileut akademik të botës gjermanishtfolëse, Bartli habitërisht zgjodhi të mjaftohej me të thënat e dhaskalit të tij, Georg Stadtmüller që i kishte shkoqitur në artikullin e tij seminal të vjetit 1936 “Forschungen zur albanischen Frühgeschichte” (Kërkim në historinë e hershme shqiptare).
Duke e tëholluar problemin e ndërliqshëm të vendbanimit të qëparshëm të shqiptarëve në mesjetë, që luhatej midis Kosovës dhe veriut të Shqipërisë së sotme, Stadtmüller pati përvijëzuar vetëm Matin malor si djep ku lindi etnia shqiptare si vijuese e thërrmiqeve të popullatave të vjetra ilire a thrake. Edhe Bartli e përqafoi si “bindëse” teorinë e dhaskalit të tij, por duke i bërë një latim të vockël. “Por kufizimi vetëm brenda krahinës së Matit është, mbase, ca si i ngushtë; me gjasë kjo krahinë relikte ka qenë më e madhe, ose ka pasur shumë të tilla”, shkroi ai.
Sado që prej Luftës së Dytë Botërore e këndej si communis opinion është pikëpamja pas të cilës shqiptarët janë vijues të një popullate të mbijetuar ilire, me përqendrim më të fortë në brendësirën ballkanoqendrore që rrok veçmas Kosovën dhe Maqedoninë e sotme, Bartli e përvijoi në mënyrë jokritike dhe absolutiste paradigmën e bashkarive parësisht baritore që livadhisnin, për aq sa shkon transhumanca, nga bjeshka në vërri e anasjelltas.

Kur defteri bëhet cak

Është ky parakonceptim që e bëri ta shihte praninë shqiptare në Kosovë të rishtardhur vetëm prej fundit të shekullit të 13-të me, siç thotë, shtegtim nga malësitë përreth (sic!).
I gjithë ky argumentim shtjellimisht ishte thuajse kopje karboni e artikullit “Das türkische Vordringen auf dem Balkan und die Islamisierung” (Depërtimi turk në Ballkan dhe Islamizimi) të studiuesit kundërthënës, Hasan Kaleshi të botuar në vitin 1975. Tekqë Bartli i mbahej asaj që pushtimi turk pati pasoja pozitive në zgjerimin e hapësirës banimore shqiptare, demografinë e errët të Ballkanit osman e kallëpizoi brenda një interpretimi të mbithjeshtëzuar e kallp.
Përqindja e shqiptarëve më 1455 – vit kur pjesa më e madhe e territorit të Kosovës së sotme u fiskalizua nga osmanët me rastin e përpilimit të Defter-i Vilayet-i Vlk – nuk mund dhe as duhet të kuantifikohet gjersa të dhënat janë fillim e mbarim antroponime.
Vetë orientalisti boshnjak, Adem Hanxhiq, qysh më 1968, vuri në pah pamundësinë e nxjerrjes së të dhënave që i referohen shqiptarëve, pasi që “pošto je proces simbioze jednog i drugog stanovništva od same pojave Arbanasa bio vrlo jak, bar u svjetlu iznesenih imena” (shih Adem Handžić, “Nekoliko Vijesti o Arbanasima na Kosovo i Metohiji Sredinom XV Vijeka” në Simpoziumi për Skënderbeun, Prishtinë, 1968, f. 208).
Le ta marrim një shembull fare domethënës: studiuesja serbe Milica Gërkoviq, pasi i kuantifikoi 24.795 emrat e përmendur në defterin e imtësishëm për tokat e Vuk Brankoviqit, evidentoi edhe emrin Gjura (Ђура), të përmendur 154 herë.
Një rravgim midis teksteve kadastrale të kohës do të nxirrte zbuluar një gjendje të shkartisur ku bartës të këtij emri janë hem shqiptarë, hem sllavë: kështu në kadastrën venedikase të Shkodrës për vjetin 1416/17 përmendej shqiptari Gjura Buzulku (Vlada relicta condam Jura Bosulca), që jetonte në Reç të Bregut të Bunës në Ulqin.

Një pushtim me shumë ndikesa

Vështirë e gëlltitshme dhe e papërkitshme me studimet është edhe pandehma e Bartlit (dhe para e tij e Kaleshit) se “ndikimet e rrjedhura nga pushtimi i Shqipërisë nuk mund të krahasohen aspak me ato të Bullgarisë dhe Serbisë; atje turqit shuan kultura të larta mesjetare”, duke aluduar me siguri në “shkatërrimin” e suprastrukturës kishtare.
Por, ç’është e vërteta, megjithëse shteti serb u vu nën sundimin e drejtpërdrejtë osman më 1459, organizimi i tij kishtar nuk u zhduk. Madje me restaurimin e Patriarkanës së Pejës më 1557 me izën e osmanëve, kjo strukturë përfshiu një truall pakrahasimisht me të madh sesa në periudhën paraosmane duke filluar nga Dalmacia, Kroacia, Hungaria, përfshirë edhe Sofjen dhe tokat poshtë Shkupit.
Me serbë që ishin në krye të saj, Patriarkana e ripërtërirë mundësoi ndërtimin e kishave të reja, themelimin dhe fuqizimin e rrjetit të dioqezave, ashtu sikurse edhe lulëzimin e artit fetar dhe botimit të librave. (Shih Aleksandar Fotić, “Serbian Orthodox Church” në Encyclopedia of the Ottoman Empire, red. Gábor Ágoston, Bruce Alan Masters, 2009, ff. 519-20).
Kjo bëhet edhe më kuptimplotë gjersa kujtohet fakti se kur diplomati slloven Benedikt Kuripeshiq me 1530 i ra këmbë mespërmes Kosovës, shënoi ndër të tjerash edhe përshtypjen e tij që: “Skoro u svakom selu ima crkva i sveštenik”, një referencë kjo për serbizimin e Kosovës me priftni e kisha të reja mu në apogjeun e fuqisë osmane (Benedikt Kuripešić, Putopis kroz Bosnu, Srbiju, Bugarsku i Rumeliju 1530, Banja Luka, 2006, f. 41).
marre nga Koha Ditore

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.