back to top
3.5 C
Tirana
E diel, 24 Nëntor, 2024

At Giovanni Fausti S.J. (9 tetor 1899 – 4 mars 1946) – nga Fritz Radovani

Gazeta

Giovanni Fausti S.J. (9 tetor 1899 - 4 mars 1946)
Giovanni Fausti S.J.
(9 tetor 1899 – 4 mars 1946)

At Giovanni Fausti S.J. (9 tetor 1899 – 4 mars 1946)

nga Fritz Radovani

“Atë Giovanni Faustit, Klerik Jezuit (S.J.), ra dëshmor i Fesë në Shkodër të Shqipnisë me 4 Mars 1946. Në përvjetorin e 20-të të flijimit, Administrata Komunale dhe gjithë popullata, ia kushton këtë ndertesë, në të cilën do të edukohen breznitë e reja”. Këto fjalë janë shkrue në Marcheno, ku asht le me 9 Tetor 1899, në lokalitetin Brozzo të Val Trompios, në province shumë të njohun të Breshies në Itali. Ishte ma i madhi ndër 12 fëmijë të Paolos. Ishte i njohun me Giovanni Battista Montini, që ma vonë u ba Papa Pali VI.
Kur ishte 20 vjeç, u thirr me krye shërbimin ushtarak. U lirue me graden e togerit, e hyni në Seminarin Papnuer të Universitetit Shën Toma i Akuinit.
Mbas një viti u kthye në Breshia, ku jepte aty landën e filozofisë në Seminar.
Mbas pesë vjetësh, si Jezuit, At Giovani Fausti u dërgue në Shqipni, në Seminarin Papnuer të Shkodres, ku jepte landën e filozofisë. Mbas plot tri vjetësh mësoi Gjuhën Shqipe, njëkohësisht thelloi edhe studimin e Islamit në sektin Bektashi, halveti e rufai, ku ka shkrue dhe disa artikuj në revistën e 1931-33 Civilta Cattolika. Materiale që u pritën mirë si mirkuptim besimi.
Në vitin 1932, u rikthye në Itali, në Mantova mbasi u smue nga tuberkulozi. U mjekue në Zvicër dhe vazhdoi me dhanë mësim në Gallarate, Milano.
U dallue si Profesor i filozofisë në fushën e dialogut Myslimano-Katolik, dhe në 1937, krijoi Lidhjen “Miqtë e Orjentit Mysliman”, që u përhap shumë.
Në vitin 1942, u rikthye në Shqipni, si Rektor në Shkodër, po mbas pak kohe shkoi e u vendos në Tiranë. Atje mori një goditje plumbi në mushkni.
Sigurisht që pat problem shndeti, të cilat u pasuen edhe mbas pushtimit të Shqipnisë nga komunistët e diktatorit barbar Ever Hoxha.
At Giovanni Fausti S.J., asht një prej figurave ma të shqueme që u bien në sy komunistëve të Shqipnisë, jo vetëm për kenien Italian po edhe si Jezuit.
Me datën 31 Dhjetor 1945, e arrestojnë bashkë me At Daniel Dajanin, dhe të dy i akuzojnë për veprimtari antikomuniste, ndërsa At Faustin e akuzojnë edhe për “tentativë arratisje” si dhe, për formimin e Partisë Demokristiane, akuza të cilat nuk ishin fare të vërteta.
Gjatë zhvillimit të gjyqit të Organizatës “Bashkimi Shqiptar” foli: At Giovani Fausti S.J., ose At Gjon Fausti S.J.:
Unë nuk dij sepse e zaptoi Italia Shqipninë, se nuk na ka lypë lejen tonë e, as nuk e kemi ftue që të vinte. Kur kanë ikë gjermanët nga Tirana, unë jam plagosë. Për lëvizjen Nacional-çlirimtare nuk e kam dijtë se ç’parime ka pasë. Derisa lëvizja Nacional-çlirimtare nuk përket Fenë, jemi në pajtim të plotë me këtë lëvizje. Ballin e Legalitetin i kam quejtë si lëvizje nacionaliste dhe kundra Italisë fashiste, por nga krenët e tyne nuk njof, vetëm Don Zef Shestanin, por unë me té nuk jam takue asnjiherë. Jam largue për shkak se ky merrte pjesë në politikë.
Të gjitha sendet janë ba pa dijeninë teme. Françeskanët dhe Jezuitët nuk kanë ardhë në Shqipni për qëllime politike, por për qëllime fetare, dhe jena mundue gjithmonë me u largue nga politika. Unë i nënshtrohem gjykimit, por nuk kam punue kundër Pushtetit. Kundër qeverisë nuk kam folë, veç kundër Partisë Komuniste, të cilën e kemi konsiderue ateiste dhe imorale!
Mora vesht, kur erdha nga Tirana, se Mark Çuni asht marrë me trakte dhe se ishte udhëheqës i atij grupi. Deshtme ta qitnim jashtë prej Seminarit, por atëherë ishte kot, prandej e mbajtëm. Në atë kohë ka ardhë edhe xhakoni Gjon Shllaku, që donte t’ikte po ne e mbajtëm.
Kisha nuk duhet të përzihet në politikë. Zogu, vërtetë i ka mbyllë shkollat, por në punë të tjera s’asht përzì. Kisha, kjoftë edhe një qeveri tiranike e nderon për mos me shkaktue randime ma të mëdha, dhe shkakton salvimin e Kishës. Padër Anton Harapi, ka hy në qeveri për me shpëtue Shqipninë, por ka ba gabim se qeveria ishte kuislinge, e qëndrimi i em ka kenë negativ.
Xhakojt nuk mund të marrin pjesë aktive në ndonji parti. Unë kam njoftë mjaft Katolikë intelektualë, që mund të punojshin mirë në punët e qeverisë por, për fat të keq, Katolikët janë minorancë.
Ndërhynë prokurori Arianit Çela: “Juve kështu keni kërkuar me përçarë popullin shqiptarë, duke e konsideruar pjesën Katolike gjithnjë një minoritet!”
At Giovani Fausti, përgjegjet: “Jo, jo, e keni gabim, jo minoritet, por minorancë, e kam fjalën për Pakicë”

Busti ne kujtim te Giovanni Fausti S.J. (1899-1946)
Busti ne kujtim te Giovanni Fausti S.J. (1899-1946)

Me datën 22 shkurt 1946, u dha vendimi i Gjykatës Ushtarake në Shkodër, dhe mbasi u njoftue zyrtarisht Tirana, vjen kjo përgjegje:

Gjykatës Ushtarake Shkodër, nr. 6-55, dt. 26. 02. 1946,
(Dosja 1068, Arkivi M. M. Tiranë):
“Aprovohet ndëshkimi me vdekje për:
1.Pater Giovani Fausti nga Breschia Itali, (9 Tetor 1899-4 Mars 1946)
Na lajmëroni datën e ekzekutimit dhe vullnetin e tyre të fundit.
Ministri i Luftës dhe i Mbrojtjes Kombëtare –
Gjeneral Kolonel Enver Hoxha d.v.
Sot ditën e hënë, datë 4-Mars 1946, ora 05.00, në vendin e caktuar tek Muri i Vorreve të Rrëmajit në Zallin e Kirit në Shkodër, u ekzekutuan armiqtë e popullit, dhe vullneti i tyre i fundit ishte:
3.Patër Giovani Fausti: “Jam kondend se vdekja po më vjen tue krye detyrën teme. Dërgoni shëndet Jezuitve, xhakojve, Apostolikve dhe Argjipeshkvit. Rrnoftë Krishti Mbret!”
Prokurori Ushtarak (Tonin Miloti) d.v.

Sigurisht, dihej fundi i një grupi antikomunist e Fetar, i formuem pa asnjë fakt nga njerëz pashkollë, të brumosun me ide marksiste dhe ateiste. Kryesore tek ky brez ishte fryma sllavokomuniste, që i ka shoqnue gjithë jetën deri në fundin e veprës së tyne. Pa dashtë me u zgjatë do të ve në dukje se aq të rrezikshëm ishin këto bisha, sa edhe sot u shihen pasojat e tyne.
Pasojat e tyne janë shkatrrimtare dhe të pariparueshme, mbasi fatkeqsisht, asnjeni nuk u dënue atëherë kur Europa Lindore e dënoi për veprën e tyne.

Giovanni Fausti S.J. (1899-1946)
Giovanni Fausti S.J. (1899-1946)

Kush ishte At Giovanni Fausti S.J.:
At Fausti na la ditaret e tij, përmes të cilave mund të njohim hollësisht ndjenjat, mendimet, shqetësimet, luftën shpirtnore, dëshirën për t’i shërbye sa ma mirë Jezu Krishtit. Njohim hollësisht edhe ngjarjet e ditëve të tmerrshme të viteve 1945-1946, ditë martirizimi të klerit katolik, njëra nga të cilat asht edhe – 4 marsi – që do t’i jepte Palmën e Martirit.
Fragmente nga këta ditare u botuen në librin “Padre Fausti, Martir në Shqipni”, shkrue nga Armando Guideti, botue në Romë, më 1974.
Për të zbulue në mënyrë sa ma të plotë personalitetin e At Gjon Faustit, jeta e tij në këtë libër përshkruhet tue u nisë nga vdekja. Sepse vetëm tue u nisë nga vdekja, nga dita kur një plumb komunist e qëlloi në lule të ballit, mbas murit të Vorrezës Katolike të Shkodrës, mund t’i jepte përgjegje pyetjes: “A ishte At Fausti Ai, që u përshkrue nga shtypi komunist si kriminel, thjesht për të përligjun arrestin, procesin, dënimin dhe pushkatimin? Apo ishte Njeri krejt tjetër!”  Epitetet komuniste nuk i përkasin At Faustit!
Ai u arrestue me 31 dhjetor 1946, doli para gjyqit ushtarak më 30 janar 1946, dhe u pushkatue më 4 mars 1946. E ku e ka sot vorrin At Fausti?
Veni një Zamak mbas Murit Vorreve të Rrëmajit… Aty asht edhe Ai!
Melbourne, 2 Prill 2022

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.