back to top
2.5 C
Tirana
E martë, 26 Nëntor, 2024

E pashë Atdheun lakuriq… poezi nga Trifon Xhagjika

Gazeta

Trifon Xhagjika (1932-1963)
Trifon Xhagjika (1932-1963)

Katër poezi…

nga Trifon Xhagjika

Ndihmomëni të qesh!

Nuk mundem,
…nuk mundem,
nuk mundem.

E pashë Atdheun lakuriq,
(vetëm, pa miq e shokë)
mundohej të këpuste një degë dafinë
nga lavdia e shekujve.
Atdheun e dija të uritur!
Por sa i vogël qenka!
Asnjë degë nuk e këpuste dot.
E mora përdore
ta rrit në zemrën time…

Vëllezër-
Po e kërkuat Atdheun,
e kam unë.
Ndihmomëni të qesh.
Ndihmomëni të gëzoj.
Atdheu është lakuriq!
1963

në orët e vona të natës... kur ndërgjegja fluturon diku...
në orët e vona të natës… kur ndërgjegja fluturon diku… t.xh.

Ndërgjegje me katrorë të zeza

Natë!
Pa më shkruaj ti vetë.
Ngjyra tënde është e zezë
(nuk ka më të zezë se errësira tënde)

Natë!
Pa më shkruaj pra, vetë
në letrën time
(letra ime është e bardhë,
si ndërgjegja e njerëzve
me katrore të zeza përreth)

Ulu pra, pranë tavolinës
për njerëzit ç’njerëzor!…
(letra ime është e bardhë
ngjyra tënde është e zezë)
Ulu, pra, shpejt
pranë tavolinës
dhe shkruaj
për fëmijët qena bij qenash!
Shkruaj!
Kurse unë,
me zërin tim,
do të thërras,
sa qielli të copëtohet
-“nuk mundem të shkruaj më,
pena m’u thye në 1958”

 

Jam unë

Herë herë
në orët e vona të natës
kur ndërgjegja fluturon për diku
unë eci.
Pa mëshirë,
shkelmoj,
si kalë i harbuar
rininë time
……..
Miq!
I dëgjoni trokëllimat e kalit të
harbuar?
Jam unë!

Ku po shkon... o Njeri?!
O Njeri… nga vete as me thua?! t.xh.

Apologjia ime
(Jetës)

…Marrëzi,
dhe mëkate
për jetën e tërbuar
se kur më ndal, o gjeneratë,
që vuan rrugës ndonjë natë,
më merr për të dënuar
dhe, me një zë që vret,
ngahera më pyet:
-Ku linde, o i ri?
-O jetë, linda në shkreti!
-Ku rron dhe ku vete,
në ç’dhera e në ç’dete?!
-Çudi! Ç’kërkon prej meje ti
dhe si, o jetë, pyet,
kurse në varfëri
më hodhe kur më gjete
të lindur nga skelete
pa dritë, pa liri?
-Njeri!
Nga vete, as më thua?
-S’e di! Jo, Nuk e di!
Po lermë, o jetë, ç’ke me mua?
-Dua ta di, po dua!
-Atëherë, jetë e krisur,
për mua mos pyet
se qysh në n’agim kam nisur
të shkel si skllav i shkretë
mbi gjurma shprese drite…
. . . . . . . . . . . . . . . . . . . .
-O mëkatar,
as falju ligjës sime,
bindu i çmendur ëndërrtar,
s’jeton me shqetësime!…
-M’u thell’ në brendësirë
ku ndjenja rron e lirë,
ku dhembja dhemb e prekur
nga ligja jote e fuqiplotë,
në gjirin tim si hekur,
si hekur e çelik,
qëllo, qëllo, oh me kamxhik;
pa frik’ e pa mëshirë
e pa pendim,
se m’u në thellësirë
të shpirtit, në një kënd,
lindi një shqetësim
që çeli varrin tënd…

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.