Poezia shqiptare ka nevojë të globalizohet Sh. S. Noe
“Fenix” 28 – The best
Këto rreshta janë përshtypje dhe jo sentenca. Gjykoj i nisur nga aq sa kam mundur të lexoj prej poezisë së sotme shqiptare, pasi njohja e tërësishme e saj më është e pamundur. Nuk do të flas për poetët me stazh të gjatë, që sot lëpijnë atë që pështynë në vitet para ’90-ës. Gjithçka më poshtë vlen për poetët e rinj shqiptarë, prej të cilëve pritet turbullimi i ujrave, por edhe për ata që ishin dhe mbeten të përjashtuar prej sofrës së klaneve që iu përshtatën nomenklaturës së re.
Sipas meje poezia e sotme shqiptare është në krizë të thellë. Sidoqoftë ajo nuk është e vetmuar në sëmundjet e saj. Edhe poezia europiane nuk pëlcet nga shëndeti. Por unë do të veçoja sindromat e përbashkëta që kryesisht i kanë larguar ato nga lexuesi: temat e trajtuara pak interesante si dhe mënyrën e paqartë e alkimiste me të cilën ndërtohet figuracioni, që vështirësojnë komunikimin e poezisë me lexuesin e gjerë, duke e trasformuar atë në ushqim shpirtëror të patretshëm.
Veç këtyre poezia shqiptare ka edhe sëmundjet e saj specifike. Si poezi me rrënjë në një të kaluar nën censurë frymëmbytëse, ajo u harlis në vitet e mëpastajme. Por jo të gjitha shpërthimet janë ndryshime drejt të mirës. Kur liria për të shkruar shndërrohet në anarki perverse kjo dëmton sidomos poezinë, si zhanër i posaçëm i shprehjes së emozionit të çastit. Tematika e poetëve tanë të rinj në shumicën e rasteve është dashuria. Por shpesh ajo përcillet në mënyrë mjaft të përciptë deri në banalitet. Në këtë drejtim më duket një poezi «pa brekë». Por jo gjithmonë nudoja është tërheqëse. Në emër të modernizimit është i papranueshëm himnizimi i drogës apo i kurvërisë. Ajo që mungon pothuaj krejtësisht në poezinë shqiptare është motivi social-politik. Edhe kur trajtohet, në të vihet re një ndikim i hapur i grigjës politike të cilës i përket autori. Shpesh vë re edhe një nacionalizëm të sëmurë.
Poezia shqiptare ka nevojë të globalizohet, pa i braktisur rrënjët nga të cilat është ushqyer. Kjo arrihet duke bërë global karakterin tonë kombëtar. Dhe imponohet me një cilësi të lartë.
Një tjetër e metë kryesore në shkrimet e sotme shqiptare, jo vetëm në poezi, është mungesa e vetcensurimit. Sapo dikush bën bashkë nja pesëdhjetë poezi, boton menjëherë librin e parë. Këtu ka «faj» edhe mungesa e kritikës së specializuar. Nuk e kam fjalën për lavdërimet brenda klaneve të njohura. As për intervista e shkrime për autorë dhe libra që një artikullshkrues as që ka lexuar. Mungojnë monografitë. Janë bërë tentativa pa sukses për të shkruar diçka, por me njohje e studim të pamjaftueshëm. Ato botime plot me lista emrash u ngjajnë coprave të letrës që përgatisin gratë para se të bëjnë shpenzimet. Këtij kaosi të vetmit që i gëzohen janë botuesit. Mjafton t’i paguash në cash. Shpesh kam lexuar – edhe nga autorë me një farë përvoje – vargje të mahnitshme, por që gjuhësisht janë shkruar keq. Nuk njihet mirë as sintaksa, as morfologjia e as leksiku i pasur i shqipes: kushte këto të domosdoshme për të përcjellë siç duhet mendimin tek lexuesi.
Shpend Sollaku – Noé (Shënime të shkruara në kuadrin e një anketimi te “Fenix” rreth poezisë së me shqiptare).
Pjer Lleshi:
Normalisht që poezia s’është e shkëputur nga Realiteti. Dhe sidomos nga Linja e Mendimit Aktual Shoqëror. Po të marrim parasysh këtë fakt është “e justifikueshme” gjendja e poezisë sonë. Kjo e ka zanafillën tek vlerësimi që i bëhet Personalitetit të Njeriut në përgjithësi tek ne. Këtë lloj “Vleresimi” e shohim qartë po të krahasojmë dy persona në Shqipëri: Një mësues (në prag pensioni) që gjithë jetën e tij ia kushtoi brezit të ri, dhe një biznesmeni (biznesi i të cilit është ngritur mbi pozita ndoshta edhe kriminale…). Po të vëmë re se kë do të vlerësojnë më shumë (n.q.s. supozojmë se këta janë rritur në të njejtin vend) atehere del qartë Vlerësimi i Personalitetit.
Duke e parë nën kët këndvështrim mund të them se: Politika mund të ndikojë edhe në A.D.N.-në e një kombi!!!