back to top
8.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Një pyetje sa për kuriozitet! Pse nuk ishte e ftuar Shqipëria në takimin e udhëheqësve të shteteve anëtare të NATO-s të Europës Juglindore në Sofie të Bullgarisë me 28 Mars? nga Frank Shkreli

Gazeta

Frank Shkreli
Frank Shkreli

Një pyetje sa për kuriozitet! Pse nuk ishte e ftuar Shqipëria

në takimin e udhëheqësve të shteteve anëtare të NATO-s

të Europës Juglindore në Sofie të Bullgarisë me 28 Mars?

nga Frank Shkreli

Në fund të muajit që kaloi, me 28 Mars, Kryeministri i Bullgarisë, Kiril Petkov organizoi në Sofie një takim të nivelit të lartë të udhëheqsve të shteteve dhe qeverive të Evropës Jug-lindore, antare të NATO-s.
Në atë takim, sipas të dhënave në media fund muajin e kaluar – të ftuar nga Kryeministri bullgar për të marrë pjesë në atë mbledhje rajonale të nivelit të lartë – morën pjesë Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, Kryeministri i Bullgarisë, Kiriul Petkov dhe Kryeministri i Rumanisë, Nicolae Ciuca. Por jo, Shqipëria, por as Serbia nuk ishin të ftuara, sipas lajmeve.
Sipas njoftimeve zyrtare bullgare, takimi kishte për qëllim diskutimin e ndërlikimeve që lufta në Ukrainë mund të ketë për rajonin e Evropës Jug-lindore dhe shqyrtimin e masave që mund të merren bashkarisht për të përballuar pasojat e krizës energjetike dhe ekonomike. “Lufta në Ukrainë ka krijuar një krizë energjetike si dhe një krizë furnizimi ushqimesh. Por takimi është gjithashtu një mundësi që vendet e Ballkanit Perëndimor të bashkohen për të mirën e popujve të tyre dhe të bashkrendojnë veprimtaritë e tyre, për të përballuar pasojat e krizës”, në Ukrainë, është shprehur Kryeministri bullgar, Petkov, në lidhje me mbledhjen e mbajtur në Sofie në fund të marsit që kaloi.

Open Ballkan - Vuçiq - Rama - Zajev
Open Ballkan – Vuçiq – Rama – Zajev

Ndërsa, Kryeministri i Maqedonisësë Veriut, Dimitar Kovaçevski është cituar të ketë thenë me atë rast se, “Takimi kishte për qëllim parandalimin e çfardo pasojash që kriza në Ukrainë mund të ketë mbi stabilitetin dhe sigurinë e rajonit, në kontekstin e pasojave të mundëshme që mund të rrjedhin nga kriza humanitare dhe nga gjendja e sigurisë në Ukrainë”, duke shtuar se vendet që morën pjesë në takimin e Sofies me 28 të Marsit që kaloi, mbeten të vendosura në dënimin e luftës në Ukrainë si një pushtim ilegal i Ukrainës nga Rusia, është cituar ai nga portali European Western Balkans.
Kur të merren parasysh objektivat e atij takimi si dhe rrethanat nën të cilat u mbajt – për të marrë në shqyrtim pasojat ekonomike dhe të sigurisë që mund të ketë lufta në Ukrainë për rajonin e Ballkanit Perëndimor – por edhe ngërçin e procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian (BE) të disa vendeve të Europës Jug-lindore, përfshirë Shqipërinë – natyrisht lind pyetja kurioze: Pse nuk mori pjesë Shqipëria në takimin e Sofies të 28 marsit dhe pse nuk u ftua të merrte pjesë me vendet e rajonit si vend anëtar i NATO-s dhe si vend i Evropës Jug-lindore, që aspiron antarësimin e saj në BE.
Në takimin e Sofies morën pjesë Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, Kryeministri i Bullgarisë, Kiriul Petkov dhe Kryeministri i Rumanisë, Nicolae Ciuca. (28 Mars, 2022)

Samiti Bullgarise - Sofje - 28 mars 2022
Samiti Bullgarise – Sofje – 28 mars 2022

A thua se mungesa e ftesës Shqipërisë për të marrë pjesë në atë takim në Sofie, mund të ketë lidhje me këmbënguljen kokëfortë të Shqipërisë dhe të Serbisë për të shkuar përpara me nismën e përbashkët famëkeqe të Presidentit serb, Vuçiq dhe Kryeministrit të Shqipërisë, Rama, të “Open Balkans”, ose të ashtuquajturit “Ballkan i Hapur”, megjithë pushtimin barbar të Ukrainës nga Rusia dhe gjithë pasojat gjeopolitike dhe ushtarake që mund të ketë ky akt barbar për Europën dhe botën? Siç dihet, nisma “Open Ballkans” është konsideruar nga shumë ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë, si një mjet ose proces i shtrirjes së mëtejshme të influencës ruse, nepërmjet vasalit të saj Beogradit zyrtar, në rajonin e Ballkanit Perëndimor. “Nisma Ballkani i Hapur”, është parë gjithashtu edhe si një akt kundër Republikës së Kosovës, pavarësisë dhe integritetit territorial të saj, që ende nuk njihet nga Serbia as nga aleatja e saj e ngushtë, Rusia. Ndërsa, Moska dhe Beogradi po bëjnë çmos për të minuar shtetin e Kosovës në nivel rajonal, europian dhe ndërkombëtar.
Fatbardhësisht, nuk është sekret qëndrimi i Bashkimit Europian e sidomos i Gjermanisë ndaj nismës Vuçiq-Rama për Ballkanin e Hapur. Qeveria e re gjermane e bëri këtë të qartë gjatë vizitës së fundit të Kryeministrit Rama në Gjermani, se Berlini zyrtar është i përkushtuar ndaj procesit të Berlinit dhe JO ndaj “Open Balkans”, sa i përket Ballkanit Perëndimor. Për më tepër, në të vërtetë, po qarkullojnë lajme sipas të cilave disa vende perëndimore, duke përmendur Britaninë e Madhe si nismëtare e një fushatë – deri tani prapaskene – për të hequr qafe njëherë e mirë, nismën “Open Balkans”, si një përpjekje edhe për të minimizuar rolin e Serbisë në Ballkanin Perëndimor, duke marrë parasysh qendrimin prej vasali të Beogradit ndaj pushtimit illegal dhe barbar të Ukrainës nga Rusia, si dhe pasojat që ajo luftë mund të ketë tashti dhe eventualisht, jo vetëm në Europë, por sidomos në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Ka ardhur koha që edhe Tirana zyrtare t’i hapi sytë, veshët dhe gojën dhe të shpallë nismën e rrezikshme ndaj interesave kombëtare të shqiptarëve, “Ballkani i Hapur”, si një nismë e vdekur, që e ka vendin në koshin e plehrave të historisë. Hiqni dorë nga “Ballkani i Hapur”!
Frank Shkreli

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.