Nga ditët e fundit te Ludwig van Beethoven…
nga Ervina Toptani
Shkurt 1827.
Në një dhomë të zhveshur, të varfër, të një shtëpie të zymtë që më parë kish qenë manastir, dergjej në shtrat një burrë i shkuar në moshë, me vështrim të fiksuar tek ora në mur. E padurueshme vetmia! Përse nuk vjen askush?
Befas, dera nis e hapet ngadalë. I sëmuri ul vështrimin sepse mysafiri nuk është më shumë se 10 vjeç. Fytyra e burrit që po lëngon çelet ngadalë. Lulja e vogël që hyri në dhomën e tij të mjerë lëshoi dritë që ia mbushi shpirtin.
-Afrohu Ariel! (Ariel quhej fantazma në një komedi të Shekspirit, qw Beethoveni me përkëdheli e thirri djaloshin Gerard von Breuning, djali i miqve të tij më të mirë).
Vogëlushi nuk iu përgjigj, por shkon pranë komedinës nxjerr fletoren e lapsin dhe fillon të shkruajë. Ai e di se me mikun e tij të moshuar bashkëbisedimi është i vështirë. Ai nuk dëgjon.
-E mbarove romanin e Valter Scottit? Të pëlqeu? Dëshiron të të lexoj diçka nga Schiller?
-Si të duash Gerard! – përgjigjet ai – Sa i mirë je, ti më risjell në mend kujtime të fëmijërisë. Por e imja ka qenë tepër e vështirë, Gerard, dhe jo si e jotja! Oh, të lutem, më trego diçka për fëmijërinë tënde… – shkruan Gerardi i vogël në fletore.
-Nuk ka qenë e bukur vogëlush, si e gjithë jeta ime. Plot gjemba e kanë mbushur rrugën e saj. Të vetmet lule i shihja kur qëndroja me sytë mbyllur, e shpesh dëshiroja të qëndroja përjetësisht ashtu. Sapo hapja sytë magjia e bukur zhdukej.
Të të them dhe diçka tjetër… Nuk mund ta duroja kur shokët kapnin flutura. Sa herë ata dilnin fushave unë vrapoja për të përzënë fluturat me shami.
U bë vonë Gerard, shko tani se mamaja se mund të shqetësohet.
-A të vij përsëri sonte, nga ora tetë, dwshiron? – shkruan djaloshi në fletoren e bashkëbisedimit.
Kur djaloshi u largua, burri u krodh përsëri në botën e vetmisë e dhimbjes. Mbetej vetëm në fund të jetës, njeriu që krijoi balsamin e plagëve për shpirtrat e mjerë si i tiji, ai që u përpoq të lehtësonte dhimbjet e të tjerëve me frutin e mrekullueshëm të krijimtarisë së tij, asaj më sublime që ka njohur arti i muzikës botërore: Ludvig van Beethoven.
P.s. E solla për ju këtë pjesë të shkëputur mbi Beethoven, pasi e gjej jetën dhe veprën e tij madhështore të lidhur me një fill të padukshëm me ndjeshmërinë time. Shkoj shpesh të ulem përballë bustit të tij, dhe meqë në më të shumtën e rasteve jam duke shkruar, në tastierë, fletore a bllok (madje njëherë dhe mbi paketën e cigareve) e përjetoj si bashkëbisedim me mjeshtrin e madh. Kemi të gjithë kaq nevojë për ta ndjerë një dimension të tillë ndjeshmërie brenda nesh, i cili shpesh prodhon dashuri e mirësi pafund…
Në foto: Statuja e Beethovenit në Vjenë, i ndërtuar në vitin 1880 prej artistit Caspar von Zumbusch.