back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Të vërtetat e Duhanit e muajin e luftës kundër tij – nga Lutfi Alia

Gazeta

Profesor Lutfi Alia
Profesor Lutfi Alia

Të vërtetat e Duhanit e muajin e luftës kundër tij

nga Lutfi Alia

Tymosja e duhanit (tabagismi) mbetet një ndër problemet shqetёsuese të shoqёrisё dhe të shëndetësisë në nivel botëror, është një ndër faktorët madhor të dëmtimit të shëndetit të popullatës, e shprehur me rrezikshmëri të lartë për zhvillimin e neoplazive (tumoreve), të sëmundjeve të zemrës dhe të aparatit të frymëmarrjes.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, tymi i duhanit është shkaku i dytë i vdekjeve në botë, por dhe shkaktari që mund të shmanget. Në vitin 2021, në botë humbën jetën 8 milion duhanxhinj nga sëmundjet e shkaktuara nga tymi i duhanit. Nga studimet epidemiologjike rezulton se në vitet 2025 – 2030 nga tymi i duhanit, në botë do të vdesin çdo vit nga 12 milion duhanxhinjë (32.800 raste në ditë).
Europa mban një primat të padëshirueshëm, ka konsumin e duhanit më të lartë për banorë, të përfaqësuar me 260 milion duhanxhinj, nga të ciët 1.8 milion vdesin çdo vit nga dëmtimet që shkakton tymi i duhanit.
Në Itali janë 13 milion duhanxhinj, pothuajse 25 % e popullatës me mosha mbi 14 vjeç, nga të cilët 40 % janë duhanxhinj “të fortë” që tymosin mbi 20 cigare në ditë. Në Itali çdo vit vdesin 90.000 persona nga sëmundjet e shkaktuara nga tymosja e duhanit. Krahas tyre janë dhe 12 milion persona të ekspozuar nga tymi pasiv, ndër të cilët 4 milion fëmijë. Nga përmasat e përhapjes së duhanit në botë, rreth 300 milion adoleshentë fillojnë para kohe të tymosin duhanin, nga të cilët 30 % në vendet në zhvillim.
Dëmtimet e shëndetit nga tymi i duhanit njihen prej shumë kohësh, askush nuk i ve në dyshim, sepse janë vërtetuar shkencërisht, me përjashtim të kultivuesve të industrisë të duhanit dhe të duhanxhijve të pakorigjueshëm, që i nënvleftësojnë dhe i shpërfillin rreziqet nga tymosja e duhanit. Gjethet e thara të duhanit të grira, duke u djegur pa flakë në cigaret, në purot (sigare), në llullë, në pipë dhe me nargjile, çlirojnë tym me aerosole që lëndojnë shëndetin, me përmbajtje 4700 substancash gazoze dhe korpuskulare, me efekte toksike, irituese, alergene, inflamatore, me efekte droge, ndërsa 75 prej tyre kanë veprim kancerogen.
Tymosja e duhanit krijon dipendencë fizike dhe psikofarmakologjike nga nikotina, një drogë e lehtë me të gjitha efektet eksituese dhe hypnotike (krijon alteracione fizike dhe psikike, svenitje dhe trullosje mendor), që shkaktojnë ndryshime të përkohëshme psikofiziologjike dhe në sjelljen e duhanxhinjëve. Është vërtetuar se nikotina ka fuqi më të madhe dipendence se sa drogat e mëdha si heroina, kokaina dhe alkooli. Duhani është drogë e lehtë, fatkeqësisht e lejuar nga të gjitha qeveritë e botës.
Prodhuesit e duhanit kanë nxitur krijimin e një industrie të fuqishme përpunimi dhe tregëtimi të duhanit me fitime kolosale, andaj e propogandojnë si një sjellje shoqërore normale dhe pse e lidhur me rreziqe të mëdha për shëndetin dhe jetën e përdoruesve. Në Itali, fitimi nga tregëtia e duhanit arrinë 14 miliard euro në një vit.
Tymosja e duhanit është zgjedhje individuale dhe e lirë e njerëzve, të tymosin, ose të mos tymosin duhanin, por kuptohet se janë të “bindur” në mënyrë të pandërgjegjëshme për këtë vendim të gabuar dhe kur fillohet tymosja, vazhdon gjatë për efektin e dipendencës që krijon nikotina. Tymosja e duhanit është jo vetëm veprim individual, por dhe sjellje shoqërore problematike, që ka implikuar shkencat mjekësore, që studjojnë pasojat mbi shëndetin, sëmundshmërinë, invaliditetin, vdekshmërinë, kostot mjekësore dhe shoqërore, ashtu si shpreh dhe aspektet politike, tregëtare, ekonomiko-financiare, kulturale dhe historike.
Tymi i duhanit shkakton shumë sëmundje invalidizuese, madje dhe vdekjeprurëse, pra nga duhani njeriu mund te vdesi, por çdokush mund të zgjedhi një jetë të shëndetëshme dhe të mos tymosi, ndërsa duhanxhinjtë mund të marrin një vendim të mençur, të ndërpesin sa më herët tymosjen e duhanit. Cigarja është instrument vdekje, andaj lufta kundër tymosjes të duhanit mbetet aktuale, e domosdoshme, intensive dhe afatgjatë.

Duhani dhe Cigaret një nga tregëtitë më të fuqishme të botës
Duhani dhe Cigaret një nga tregëtitë më të fuqishme të botës

Vështrim i shkurtër historik i origjinës dhe i rrugëve të përhapjes të duhanit nëpër botë.
Tymosja e duhanit prej 530 vitesh është shndërruar në fenomen global, nuk ka kursyer asnjë shtetet, madje 35 % e popullatës botërore në moshat mbi 14 vjeç tymos duhanin, nga të cilët 80 % janë meshkuj dhe 20 % femra, por në dy dekadat e fundit është shtuar përdorimi i duhanit nga femrat dhe është paksuar nga meshkujt.
Historia e duhani lidhet me zbulimin e Amerikës. Pasi zbarkoi në Guanahana të ishujve Bahama më 12 tetor 1492, Kristofor Kolombi tregon: “Takova burra dhe gra, që mbanin në duar një shuk me gjethe, që digjej duke çliruar një tym me erë të pëlqyeshme. Këto gjethe të thata të mbështjella rrotull, ishin ndezur në njërin skaj dhe në tjetrin thithnin tymin. Këto ishin gjethet e thata të bimës cojiba (kohiva), të cilët banorët e quanin tabako, nga emri i ishullit Tobago të Antileve ku rritej spontanisht bima e duhanit”.
Europiani i parë që tymosi duhanin në vitin 1492, ishte Rodrigo de Jerez, pjestar i ekipit të Kolombit, të cilin dhe e burgosën për këtë veprim. Është interesant fakti, se duhani në Europë u përhap nga klerikët misionarë.
Kur u kthye nga Amerika, pas udhëtimit të dytë me Kolombin, murgu Ramon Pane e përshkruan përdorimin e duhanit nga banorët e Haitit, të cilët bimën e quanin “cojiba-kohiva” dhe sipas tij, tymin e duhanit të thithur me pipë të bëra me argjilë, apo me dru, e përdornin për të larguar mushkonjat, madje dhe i përtypnin gjethet e duhanit për mjekimin e disa sëmundjeve.
Duhani arriti në Europë në gjysmën e parë e shekullit XVI. Në vititn 1518, murgu Ramon Pane pruri në Spanjë farat e bimës të duhanit, që shënoi fillimin e kultivimit të kësaj bime në Europë. Në vitin 1519 kapiteni Fernando Kortes mori në Meksikë, farat e duhanit dhe ia dërgoi Karlit V, mbretit të Spanjës, por kjo bimë e re ende nuk tërhoqi vemendjen e publikut, në ndryshim nga domatja, nga perimet e tjera dhe nga misri, të ardhur nga kontinenti i ri, të cilat filluan të kultivoheshin gjerësisht. Në vitin 1519, Gonzalo Hernandez de Oviedo y Valdes guvernatori spanjoll i Santa Domingo, kur u kthye në Madrid, kishte sjellë gjethet e thata dhe farat e bimës të duhanit dhe nxiti kultivimin e kësaj bime. Valdes tregon: “Krahas shumë sjelljeve dhe riteve djabolike që aplikonin indigjenët, tymosnin dhe gjethet e bimës tabako, që shkaktonte një gjendje të thellë inkoshience”.
Në vitin 1555, frati Jean André Thévet kur u kthye nga Brazili në Francë, farat e kësaj bime çudibërëse i mbolli në kopështin e kishës dhe nën kujdesin e tij e kultivoi duhanin në provincën Angouléme.
Në vitin 1558, në Portugali, kultivuesit e bimës, gjethet e thata të mbështjella i quajtën cigarro dhe nga ky emër u krijuan emërtimet sigaro – sigare – puro, në frëngjisht cigare, në italisht sigaro e më pas kur u mbështollën me letër të hollë u quajtën sigaretta (sigare të vogla), ashtu si dhe në shqip u quajtën cigare.
Në vitin 1560, farat e bimës së duhanit i solli në Spanjë mjeku natyralist Françisko Hernandes de Toledo, të cilin mbreti Filipi II e kishte dërguar në ishujt Karaibe, për të vëzhguar natyrën dhe qytetërimin në ato vende.

Procesi i tharjes së gjetheve të duhanit
Procesi i tharjes së gjetheve të duhanit

Në vitin 1560, Jean Nicot, duka i Villemain, ambasadori i Francës në oborrin mbretëror të Portugalisë, mori farat e bimës së duhanit nga flamingu Damian de Goes, që ai i kishte sjellë nga Florida dhe i mbolli në kopshtin e rezidencës së tij. Jean Nicot i eksperimentoi cilësitë e kësaj bime të re, madje e përdori për kurimin e disa personave, duke u bërë i famshëm në Lisbonë me përdorimin e duhanit si medikament. Jean Nicot, bazuar në rezultatet, gjethet e thata të duhanit i dërgoi në oborrin mbretëror të Francës, ku mjekët i përdorën për trajtimin e mbretëreshës Katerina De Mediçi e cila vuante nga migrena (hemikrania). Pasi thithi tymin e çliruar nga djegia e gjetheve të thata të duhanit, mbretëresha Katerina De Mediçi humbi ndjenjat, por kur e rimori vehten, pati përmirësime, i ishte pakësuar shumë dhimbja e kokës, që ia provokonte migrena dhe për këtë efekt, kjo bimë u quajt dhe Herba Reginae (bima e mbretëreshës), si dhe Herba Kateriniana.
Në nderim të Jean Nicot, që kultivoi bimën e duhanit në Francë, duka Françesku I i Guisa, propozoi që kjo bimë të quhej “Nikotiana”, propozim që u miratua nga botanisti Jacques Daléchamps, ndërsa emrin shkencor Nicotiana tabacum ia dha Karl Linneo, i cili e klasifikoi këtë bimë të re në familjen e Solanacee, grup bimësh me përmbajtje të lartë alkaloidesh.
Në vitin 1561, kardinali Prospero di Santa Kroçe, Nunci Apostolik në oborrin e mbretit të Portugalisë, mori në Lisbonë farat e bimës të duhanit dhe me aprovimin e Papës iu a dha murgjëve ta koltivonin në kopshtet e Vatikanit dhe të manastireve të Romës, madje ky varietet u quajt Nicotiana rustica. Nga disa burime jo të plota të kësaj epoke, thuhet se në vitin 1574, Ipeshkëvi Nikolò Tornabuoni, Nunci Apostolik dhe ambasadori i Vatikanit në oborrin mbretëror të Francës, farat e Nicotiana tabacum ia dërgoi të vëllait Alfonso Tornabuoni (Ipeshkëv i Sansepolkro), i cili i mbolli në kopshtet e kishave dhe prodhimin e parë ia dërgoi dhuratë Grandukës të Toskanës Kozimo I dei Mediçi, i cili e aprovoi dhe e nxiti kultivimin e duhanit në tokat e Toskanës. Në vitin 1574 kultivimi dhe tregëtimi i duhanit mori zhvillim në Republikën e Kospaia (Umbria), ku ekonomia e këtij shteti të vogël u mbështet në kultivimin e duhanit në 25 hektar tokë dhe zhvilloi tregëtinë aktive, duke iu a shitur shteteve fqinje, sidomos shtetit Papal, dukatit të Firences dhe Republikës së Venedikut.
Kultivimi i duhanit u përhap gjerësisht në Itali, ku seicili rajon kultivonte varietetet e veta të kësaj bime, kështu ishin “Nostrano” në Brenta të Veneto, “Spadone” në Marke dhe Umbria, “Moro” në Lacio, “Brasile” në Kampanja, “Katarro” në Salento, “Selvaxhio” në Sicili etj. Kultivimi, përpunimi dhe përhapja e tymosjes të duhanit, diktoi krijimin e monopolit të duhanit, që u ligjërua për herë të parë në Republikën e Venedikut, ndërsa në vitin 1655, Papa Aleksandri VII, krijoi monopolin e duhanit në Shtetin Papal, me një “Privativa”, me të cilën lejonte kultivimin dhe tregëtimin e duhanit nga familja Mikilli, në lagjen Trastevere të Romës.

Purot - nje nga llojet e cigareve
Purot – nje nga llojet e cigareve

Në fjalorin enciklopedik të botuar në vitin 1584, Etienne de Thierry përfshiu dhe Nikotiana tabacum, që e përshkruan: “Bimë me cilësi të mrekullueshme veprimi kundër ulçerave, dermatit skuamoz si dhe ndaj shumë sëmundjeve të tjera, të cilat i zbuloi zoti Jean Nicot në Francë, andaj dhe bima mori emrin e tij.”
Kultivimi dhe tymosja e duhanit u përhap gjerësisht në botë, fillimisht në Spanjë dhe Portugali, në vitin 1561 arriti Francën dhe Italinë; në vitin 1565 u përhap në Angli; në vitin 1570 protestanti Ugonoti i persekutuar nga kisha katolike e Francës, iku në Gjermani, ku kultivoi bimën e duhanit dhe e përhapi gjerësisht; në vitin 1570 duhani arriti Vjenën; në vitin 1580 Turqinë, që hapi portat për përhapjen e kësaj bime në vendet aziatike dhe në vendet ballkanike, kësisoj në vitin 1580 duhani arriti dhe në Shqipëri. Në vitet 1580-1595 kultivimi dhe tymosja e duhanit pushtoi Kinën, Japonin, Korenë dhe vendet juglindore të Azisë. Në vitin 1593, bima e duhanit arriti në Marok dhe vendet e Magrebit.
Fuqia pushtuese dhe kundërshtimet e para për tymosjen e duhanit.
Në shekujt XVI-XVII duhani pushtoi botën, tymosja e duhanit u bë modë masive, por në të njejtën kohë filluan të shfaqen dhe kundërshtimet për tymosjen e duhanit, duke evidencuar dhe dëmet ndaj shëndetit.
Në fillimet e shekullit XVI, klerikët katolikë prunë farat e kësaj bime, e kultivuan në kopshtet e kishave e të manastireve dhe përhapen tymosjen e gjetheve të thata të Nikotiana tabacum në popullatë. Ky “ves” i ri u përhap shpejt dhe në përmasa të gjëra, sidomos pasi u kthyen marinarët europianë nga tokat e botës së re, që e kishin zbuluar me Kolombin. Duhanxhinjtë e parë i dedikuan duhanit efekte afrodiziake.
Në vitin 1527, ipeshkëvi Bartolomeo i Las Kasas iu kundërvu banorëve të Spanjës dhe të Portugalisë, duke i kritikuar se tymosja e duhanit ishte një “veprim i turpshëm”, ndërsa duhanxhinjtë mbroheshin duke insistuar se nuk arrinin të ndërprisnin tymosjen e duhanit, duke shprehur dëshimtë e para të dipendencës të provokuar nga nikotina, gjendje që ende vazhdon t’i mundojë duhanxhinjtë.
Në fillimet e shek. XVII, në Angli, të gjitha klasat shoqërore organizonin “smoking parties” (festa me tymosje duhani), madje fëmijëve kur shkonin në shkollë, prindërit iu jepnin pipën dhe duhan të grirë në qese dhe gjatë pushimit të madh, mësuesi ndizte pipën dhe iu mësonte fëmijëve si mbushesh pipa me duhan të grirë, si ndizesh dhe si tymosej. Mbreti i Anglisë Xhiakomo I Stuart (1566-1625), nxorri një dekret kundër tymosjes të duhanit duke e cilësuar “zakon i dënueshëm, bezdisës për sytë, i pakëndshëm për hundën, i rrezikshëm për trurin, shkatërrimtar për mushkëritë”. Gjithashtu vendosi një taksë të rëndë për kultivimin dhe tregëtimin, çka nxiti kultivimin dhe tregëtimin klandestin të duhanit.
Në Francë, në periudhën e mbretërimit të Luigjit XIII (1601-1643), kur ishte bërë modë tymosja e duhanit, disa mjekë filluan ta konsiderojnë të dëmshëm për shëndetin e përdoruesve, por autoritet shtetërore mbajtën qëndrim indiferent, pasi shihnin interesat ekonomike, sepse duhani ishte bërë mall fitimesh të mëdha për arkën e mbretërisë. Më 1621, kardinali Richelieu, i rriti në mënyrë të konsiderueshme taksat për importin, kultivimin dhe tregëtimin e duhanit.
Në Persi, shahu Abbaz, duke iu referuar Kuranit, urdhëroi prerjen e hundës dhe të buzëve duhanxhinjëve.
Në perandorinë Osmane, Sulltan Murati IV nxorri fermanin për dënimin me vdekje të duhanxhinjëve, duke iu dhënë mundësinë të zgjidhnin varje me cigare në buzë, ose djegia e duhanxhiut në zjarrin e turrës me gjethe të thata duhani. Në Rusi, duhanxhinjtë dënoheshin me rrahje publike, ose iu pritej hunda, megjithë këto masa të rrepta, Cari Pjetri i Madh e tymoste duhanin me pipë të gjatë argjile, qetësisht dhe në kënaqësinë e tij.
Kundërshtime dhe mosaprovim i tymosjes të duhanit shprehën dhe shumë gra europiane, kështu p.sh në qytetin Bayonne të Francës, në vitin 1610, gratë u shprehën: “Më mirë të puthim prapanicën e djallit, se gojën e burrave tonë që tymosin duhanin me erë të keqe”.
Papa Urbani VIII, në vitin 1630, inspiruar nga Santa Inkuizicioni Spanjoll, nxorri bulën që i skomunikonte duhanxhinjtë, megjithatë tymosja e duhanit vazhdonte të përhapej gjerësisht dhe në mënyrë të fshehtë. Në këto vite, duhani i tymosur në cigare mbështjellë me gjethet të thara dhe tymosja me pipë dhe përtypja e gjetheve u përhap ndër marinarët dhe ushtarët e të gjithë shteteve europiane. Ushtarët i përtypnin gjethet e duhanit, ndërsa oficerat kishin privilegjin ta tymosnin me pipë.
Në shek. XVII-XVIII në të gjitha shtetet europiane tymosej duhani, madje u zgjeruan dhe metodat e përdorimit të duhanit. Pas tymosjes me pipë, tymosjes të shukut me gjethe të mbështjella rrotull dhe përtypjes të gjetheve, në vendet europiane filloi të praktikohej nuhatja e duhanit. Gjethet e thara të duhanit shkërmoqeshin deri në formim pluhuri, i quajtur bernut, i cili mbahej në një kuti të vogël dhe herë pas here, thithej në hundë, duke shijuar aromën e shpesh duke provokuar teshtitje të pëlqyeshme. Kjo mënyrë “shijimi” e bernutit u shndërrua në modë të aristokracisë dhe të borgjezisë. Këtë praktikë e shfrytëzuan artizanët, të cilët prodhonin tabakiera – kuti ari, argjendi, tunxhi, druri etj, të bukura plot art, madje të kësaj kohe janë kutitë e bërnutit me kapakun të zbukuruar me portretet e mbretërve Luigjit XIV dhe Karli X, të rrethuar me diamante, me gurë të tjerë të çmuar dhe të mbushura me bërnut, ndërsa masa popullore përdorte kuti të thjeshta druri. Thithja e duhanit me hundë, krijonte ndjenjë dehje të lehtë, dipendencë dhe natyrisht toksikomaninë.
Në vitin 1742, Papa Benedikti XIV, urdhëroi ndërtimin e fabrikës për përpunimin e duhanit, ku puntorët i dridhnin me dorë cigaret e mbështjella me gjethe të thatë duhani, kështu Vatikani u shndërrua prodhuesi dhe tregëtuesi më i fuqishëm i duhanit, që i garantonte fitime të mëdha arkës papale.
Masivizimi i tymosjes të duhanit, nxiti interesin e kimistëve dhe botanistave të studionin përbërjen dhe cilësitë e lëndëve përbërëse. Në vitin 1809, kimisti francez Nicolas L. Vanquelin izoloi nikotinën, një alkaloid parasimpatikomimetik toksik, që provokon dipendencë. Nikotina është lëndë aktive, e cila e shton sekretimin e neurotransmetuesve, me rol në rregullimin e humorit e të sjelljes individuale dhe shoqërore të duhanxhinjëve, ashtu si nxit dhe prodhimin e dopaminës, që është molekula që krijon ndjenjën e kënaqësisë të subjekteve që tymosin duhanin.
Përhapja masive e tymosjes të duhanit, shpejt degjeneroi dhe nxiti abuzimet, së pari nga qeveritë e shteteve që e shfrytëzuan këtë “ves qejfi”, për të rritur fitimet me taksat e larta, ashtu si dhe duke krijuar monoplet e prodhimit e të tregëtimit të duhanit, por dhe kontrabandën. Në vitin 1860, Papa Pio IX urdhëroi ndërtimin e një manifature të madhe, ku u grumbulluan të gjithë impiantet e Romës, në një ndërtesë në sheshin Mastai, kësisoj monoplizoi prodhimin dhe tregëtimin e duhanit. Prodhimet e para të cigareve, publiciteti i tymosjes të duhanit dhe lufta kundër duhanit.
Në vitin 1830, u prodhuan për herë të parë cigaret e holla dhe të shkurtëra, të formoheshin duke e mbështjellë duhanin të grirë me gjethe. Fillimisht cigaret u prodhuan duke i dredhur me dorë puntorët, ndërsa në vitin 1831, u prodhuan makineritë e para të prodhimit të cigareve, çka çoi në shtimin e prodhimit dhe shtimin e numrit të duhanxhinjëve. Në vitin 1832, ushtarët e Ibrahim Pashës, gjatë rrethimit të Shën Xhiovani i Akra, në cilindrat prej letre të boshatisur nga baruti, fusnin duhan të grirë dhe e tymosnin. Këtë shpikje të rastit e përvetësuan ushtarët italianë që kishin marrë pjesë në luftën e Krimesë dhe e sollën në Itali në vitin 1857.
Moda e cigareve u përhap shpejt në të gjithë Europën dhe në vitin 1860, u shndërrua në preferencë të cigareve turke dhe më pas të atyre të prodhuara nga anglezët dhe të tregëtuara me kutia.
Gjatë luftës civile amerikane (1861-1865) u prodhua një tip i ri cigare me duhan amerikan, me ngjyrë më të qartë dhe më aromatik. Përsëri, lufta e shtoi tymosjen e duhanit nga ushtarët, fillimisht nga të konfederatës seçesioniste e më pas nga ata të Shteteve të Bashkuara. Pasi shijonin një cigaretë, duhanxhinjtë e rinj ndjenin dëshirë të madhe të tymosnin të dytën, çka shprehte dhe dipendencën nga nikotina. Sa më e pakët nikotina në cigare, aq më e madhe dhe më e gjatë dipendencë ndaj duhanit.
Ritmet e larta dhe masivizimi i modës me cigare të mbështjella me letër, u shfrytëzua nga industria e duhanit e cila e shtoi prodhimin. Tregëtarët e duhanit filluan të zhvillojnë një publicitet të çfrenuar, kështu tërhiqnin klienta të shumtë, sidomos moshat e reja. Tymosja e duhanit u shpreh me problematikë shëndetësore ndër duhanxhinj, andaj në vitin 1868, mjekët themeluan Shoqata Franceze kundër abuzimit me duhanin, e para shoqatë në historinë botërore, e impenjuar në luftën kundër tymosjes të duhanit.
Në ato vite, shpërthyen debatet shoqërore ndërmjet promovuesve të tymosjes të duhanit, që prezantonin reklama sportistësh dhe vajzash të bukura me cigare në buzë dhe kundërshtimeve për të ndërprerë duhanin për dëmet që shkaktonte për shëndetin dhe jetën e përdoruesve. Në këto rrethana, industria e fuqishme e duhanit, financoi modernizimin e makinerive të përpunimit të duhanit, kështu në vitin 1880, u prodhua një makineri që rriti shumë sasinë e prodhimit të cigareve, çka ndikoi në uljen e çmimit të shitjes në treg dhe shtimin e klientave, sidomos të moshave të reja.
Në shek. XX, mekanizimi i procesit dhe perfeksionimi teknologjik i prodhimeve të duhanit e shndërruan industrinë e duhanit në një fuqi ekonomike dhe financiare, që nuk njihte pengesa.
Sipas historianit Robert Soleil, dy metodat kryesore për përhapjen e tymosjes të cigareve janë publiciteti (reklamat) dhe luftat. Në fakt, prodhimi dhe konsumi i duhanit u shtua në mënyrë marramendëse gjatë Luftës së Parë Botërore. Vetëm në USA nga 18 miliard cigare që prodhoheshin në vitin 1914, arritën në 47 miliard në vitin 1918, madje qeveria amerikane ua jipte cigaret gratis ushtarëve, kësisoj favorizoi efektin narkotik të nikotinës, të cilën e konsideronin të nevojshme për të përballuar vetminë dhe rreziqet e luftës. Propoganda ndër ushtarët për të tymosur duhanin ishte intensive, madje në një nga këngët që këndonin ushtarët anglezë thuhej: “mbylli problemet tuaja në çantën e shpinës, nxirre çakmakun (shkrepsin) dhe ndize cigaren etj” Masa e ushtarëve që filluan tymosjen e duhanit gjatë luftës, mbetën klienta afatgjatë të duhanit edhe pas luftës.
Publiciteti i industrisë amerikane për tymosjen e duhanit vazhdoi dhe u intensifikua gjatë krizës ekonomike të vitit 1929. Në vitin 1931, Industria e duhanit shpenzoi 75 milion dollarë për publicitetin, madje u shtri dhe në filma, duke ekzaltuar artisten Marlene Dietrich, e cila kontribuoi duke krijuar një imazh të sofistikuar si diva dhe e duhanxhinjve, që tërhoqi pas dhe gratë në modën e tymosjes të duhanit, madje në prag të Luftës II Botërore, gratë amerikane sëbashku me burrat tymosën 180 miliard cigare vetëm në vitin 1939.
Gjatë viteve të Luftës II Botërore, ushtarëve iu jepeshin gratis cigaret dhe ata që mbijetuan vazhduan të tymosin dhe pas luftës, madje deri ne vitin 1955 konsumimi i duhanit u shtua progresivisht. Në vitet pas luftës një stekë me paketa duhani, fitoi vlera të mëdha, sa e zëvëndësoi valutën në tregun e zi.
Në marshimin e gjatë triumfues, duhani e pushtoi botën e në këtë rrugëtim pati shumë aleatë, por dhe shumë kundërshtarë. Në disa raste në publicitetin e përhapjes të duhanit kanë kontribuar dhe strukturat shtetërore, si ndodhi në vitin 1982, kur Posta Italiane emetoi pullën postare kundër duhanit, e cila u ble nga Monopoli Shtetëror i Duhanit. Si shihet duhani ka krijuar shpesh situata paradoksale.
Në vitin 1952, dy epidiemologët Richard Doll dhe Austin Bradford Hill, bazuar në rezultatet e studimeve të një numëri të konsiderushëm të sëmurësh me kancer të mushkërive, dolën me konkluzionin se kjo sëmundje e rëndë zhvillohej në shumicën e duhanxhinjëve, duke konfirmuar se tymi i duhanit është shkaktari i kancerit bronkopulmonar. Rreth këtij konkluzioni, i madhi Fischer theksoi: “Doll dhe Hill jo vetëm zbuluan shkakun, por na dhuruan dhe mjetin për ta luftuar – të ndalohet tymosja e duhanit”. Në vitin 1964, Shoqata e Kirurgëve Amerikanë, botoi një raport shkencor me 387 faqe, ku argumentoi se tymi i duhanit përfaqëson rrezik për shëndetin e duhanxhinjëve, çka diktoi marrjen e masave parandaluese për t’u ndaluar tymosja e duhanit”. Pas këtyre konkluzioneve, në auditoret e Departimentit të Shtetit të USA, u ndalua tymosja e duhanit.
Në këto rrethana, industria e duhanit u bë objekt akuzash dhe sulmesh të forta, së pari me rritjen e taksave, çka çoi në rritjen e çmimeve të paketave me cigare nga 40 % deri në 85 % në Mbretërinë e Madhe dhe në Itali.
Pas vitit 1990, industria e duhanit u përballë më akuzat ligjore për lëndimin e shëndetit të duhanxhinjëve, për më tepër se të gjithë prodhuesit e duhanit ishin njohur dhe të ndërgjegjshëm për rrezikshmërinë e lartë të tymit të duhanit në shkaktimin e kancerit bronkopulmonar. Pesë vjet pas rastit të parë gjyqësor, që akuzoi industrinë e duhanit përgjegjës për pasojat e rënda për shendetin e përdoruesve, shoqatat kryesore Amerikane të Duhanit firmosën një marrëveshje kuadër me 46 Prokurorët e Përgjithshëm, për t’i dorëzuar arkës së shtetit 200 miliard dollarë dëmshpërblim për shpenzimet sanitare ndaj duhanxhinjve të sëmurë nga efektet dëmtuese të duhanit.
Ky vendim i detyroi industritë e duhanit në shumicën e vendeve, të ndryshojnë taktikën e publicitetit, kështu në paketat e cigareve vendosën shkrime: “Duhani vret”, “Duhani dëmton shëndetin tënd dhe të atyre për rreth”, “fëmijët e duhanxhinjëve rrezikojnë më shumë të tymosin duhanin” etj, të shoqëruara me fotografi me gjendje të dëshpëruara të sëmurësh me kancer, me diabet, me sëmundje kronike të mushkërive etj. Natyrisht ky veprim i vonuar, është një paralajmërim për duhanxhinjtë, por më tepër është një mënyrë për t’u mbrojtur nga akuzat e subjekteve me sëmundje të shkaktuar nga përbërësit e tymit të duhanit, sepse megjithë gjobat e mëdha, ata nuk e kanë pakësuar prodhimin, përkundrazi e kanë shtuar, madje filluan prodhimin dhe tregëtimin e cigareve të tipit Slim, të atyre cigareve të holla, por me që ato përmbajnë sasi më të pakta nikotine, krijojnë dipendencë më të fuqishme, detyrimisht subjektet që përdorin këto tipe cigaresh tymosin më shumë dhe më gjatë.
Këto ngjarje në USA u përgjithësuan dhe në vendet e tjera, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë, miratoi një konvencion kuadër për kontrollin e duhanit WHO – FCTC (Framework Convention on Tobacco Control). Ky dokument i rëndësishëm u miratua nga Asamblea e 56 e OBSH më 21 Maj 2003 në Gjenevë dhe hyri në fuqi më 27 shkurt 2005, e firmosur nga 168 shtete ndër 181 anëtare, ndërsa e 9 shtete nuk e firmosën dhe 4 shtete e firmosën por nuk e ratifikuan. Ky dokument i rëndësishëm përcaktoi masa konkrete në kufizimin e aktiviteteve publicitare, vendosi norma të reja etikete në paketat, në kontrollin e cilësisë të ajrit në mjediset e mbyllura dhe masa të rrepta për kontrollin e kontrabandës të duhanit. Duke filluar nga viti 2003, shumë vende europiane aprovuan ligje me masa të rrepta për ndalimin e tymosjes të duhanit në mjediset e punës, ne mjediset e mbyllura etj, çka ndikoi në pakësimin e numrit të duhanxhinjve nga 12 deri 20 % ne shumicën e vendeve.
Për të përballuar fushatat kundër tymosjes të duhanit, British American Tobacco prodhoi dhe vuri në shitje kutitë me SNUS (kategoria e smokeless tobacco, duhani që nuk digjet, por përtypet. Emërtimi snus është me origjinë nga gjuha suedeze “duhani për përtypje”). Duhani që përtypej gjeti përhapje në Suedi, Japoni, Afrika e Jugut, Kanada etj, i lejuar të përdorej me pretendimin se shkakton dëmtime të lehta të shëndetit.
Në vitin 2003, kinezi Hon Lik prodhoi cigaren elektronike tymuese me avull, pa nikotinë dhe një tip me pak nikotinë, e cila pas debutimit në tregun aziatik, në vitin 2004 arriti dhe u përhap dhe në tregun europian.
Në fakt patenta e cigares elektronike (e-cig) i përket Herbert A. Gilbert, i cili e kishte prodhuar në vitin 1963 dhe këtë zbulim ia kishte prezantuar industrive kimike, farmaceutike dhe industrisë së duhanit, por ato në ujdi mes tyre, bënë gjithçka për të penguar prodhimin dhe nxjerrjen në treg të e-cig.
Në vitin 2020, shitja e-cig arrijti në 25 miliard dollarë, ku mbi gjysma të faturuara në USA (55 %), e pasuar me Anglinë (12 %), ndërsa 23 % e shpërndarë në Kinë, Itali, Francë, Gjermani, Poloni etj. Parë nga ritmet e larta të përhapjes lind pyetja po cigaria elektronike a është e dëmshme për shendetin e përdoruesve? Rreth këtij argumenti do të ndalem në veçanti në pjesët në vazhdim.
Dhjetë shtetet kryesore të prodhimit të duhanit.
Në traditën tonë, për të kritikuar ndonjë person që tymos shumë duhanin thuhet: “tymos si një turk”, me idenë se janë tuqit ata që na sollën dhe që tymosin me shumë duhanin, por në fakt Turqia rradhitet e teta ndër 10 shtetet prodhuesit më të mëdhenj të duhanit.

1.Kina, mban primatin botëror me prodhimin e 3.150.000 tonelata duhan, me një fitim 150 miliard dollarë, që hyjnë në arkën e shtetit çdo vit. Vetëm China International Tobacco Corp, prodhon çdo vit 2550 miliard cigare në vit. Faturimi i fitimit nga shitjet e duhanit nga kjo korporate arrinë 100 miliard dollarë në vit.
2.Brasili, renditet në vendin e dytë dhe është vendi më i vlerësuar dhe më i preferuar në nivel botëror, për cilësinë e gjetheve të thara të duhanit. Kultivimi i duhanit është i përqëndruar në jug dhe në verilindje, me prodhimin e 850.000 ton duhan në vit.
3.India, është në grupin e vendeve të quajtura BRICS (vendet në zhvillim me burime të mëdha natyrale, të karakterizuara me rritje të lartë të prodhimit të brendshëm bruto), prodhon 830.000 tonelata duhan dhe është ndër eksportuesit kryesor në vendet e Azisë Juglindore.
4.USA, në 50 vitet e fundit e ka ulur prodhimin e duhanit, duke preferuar importimin dhe me çmime më të ulëta nga vendet e tjera të kontinentit. Aktualisht prodhon 345.000 tonelata duhan, por me sasitë e importuar është vendi i dytë në botë për prodhimin e cigareve (rradhitet pas Kinës).
5.Indonezia, prodhon 260.000 tonelata duhan në vit, madje përfaqëson sektorin më fitimprurës të ekonomisë kombëtare. Indonezia nuk ka ligj për ndalimin e duhanit, çka ka ndikuar që duhani të tymoset nga të rinjtë.
6.Argjentina, prodhon 207.000 tonelata duhan. Parlamenti i Argjentinës ka miratuar ligje për ndalimin e duhanit në mejdiset publike, çka është shprehur me pakësimin e duhanxhinjave, por ka shtuar eksportin.
7.Zimbabve, me 205.000 tonelata duhan në vit, është prodhuesi më i madh në kontinentin Afrikan. Duhanet e kultivuar në Zimbabve të varieteteve Burley, Virginia dhe Oriental, janë shumë të preferuar nga industria e duhanit dhe për faktin se prodhimi ka kosto të ulët. Multinacionalet e mëdha të industrisë të prodhimit të cigareve dhe të sigaro (purove), kanë bërë investime të mëdha duke i pajisur fshatarët zimbabvianë me teknologji moderne dhe mjete fertilizante, për shtimin e prodhimit të duhanit.
8.Turqia, prodhon çdo vit 194.000 tonelata duhan.
9.Malawi, ndonëse është një ndër vendet më të varfëra në botë, prodhon 175.000 tonelata duhan në vit, që përbëjnë mallin kryesor të eksportit dhe të fitimit.
10.Pakistani, prodhon 102.000 tonelata duhan në vit, që është dhe burimi kryesor i fitimit për arkën e shtetit.

Në numrat e ardhshëm do të trajtohen: 2. Dipendenca nga nikotina; 3. Dëmtimet

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.