Dhimitër Pasko – Mitrush Kuteli
Një emanacion i Ndritshëm i Shpirtit Shqiptar
nga Prof. Kristaq Jorgo
4 maji, dita kur Shpirti i Dhimitër Paskos – Mitrush Kutelit, u ngjit në tjetrën Jetë, do të shënohet me siguri dikur në kalendarin shpirtëror tonin si një e Kremte Kombëtare.
Dhimitër Pasko – Mitrush Kuteli nuk është një Individ i shquar, nuk është vetëm një Personalitet i madh, nuk është vetëm një Krijues i rrallë: Dhimitër Pasko – Mitrush Kuteli është shumë më tepër se kaq!
Një Emanacion i Ndritshëm i Shpirtit Shqiptar, me të cilin Bota Shqiptare për herë të parë në historinë e saj ia doli t’arrijë plotësimin e një përkryerjeje të shumëfishtë: të Qenies njerëzore, të Qenies atdhetare, të Qenies qytetare, të Qenies etike e të Qenies krijuese në Jetën dhe Veprën e një Njeriu të vetëm.
Pa këtë vetëtimë drite shpirtërore që e përshkon tej për tej, pa këtë dorëzim tërësor ndaj virtytit, pa këtë neveritje hyjnore ndaj materialitetit e së ligës, pa këtë flijim të vetjakes ndaj së përgjithshmes, pa këtë vetëqortim që veçse shenjtëria e ka, pa sinqeritetin e ndershmërinë sublime, pa devocionin e hekurt për detyrën, pa njësimin dashuror me çdo gjymyrë e çdo përmasë t’Atdheut, pa mrekullitë që përjetë ia fali Shqipes e Shqipërisë – Pa Dhimitër Paskon – Mitrush Kutelin Botës Shqiptare nuk do t’i mungonte thjesht një Individ i shquar, një Personalitet i madh, një Krijues i rrallë.
Pa Dhimitër Paskon – Mitrush Kutelin Botës Shqiptare do t’i mungonte një pikë reference, një institucion, një përmasë.
Një përmasë ndërtuese themelore!
Marrë nga muri i Fb i Prof Kristaq Jorgos, 4 maj 2019