back to top
15.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Shuhet Dalip Greca Ikona e Diellit, Vatrës e Medias Shqiptare në Amerikë, Vatra – Mesazh Ngushëllimi

Gazeta

Dalip Greca (1950-2022)
Dalip Greca (1950-2022)

Shuhet Dalip Greca

Ikona e Diellit, Vatrës e Medias Shqiptare në Amerikë,

Vatra – Mesazh Ngushëllimi

E nderuar familja Greca

I shtrenjtë dhe i paharruar miku ynë i përjetësisë Dalip
Sot për familjen Greca, Vatrën, Vatranët, Shqiptaro-Amerikanët është një ditë zie dhe trishtimi.
Sot, më datë 16 Maj 2022, në orën 4.23 PM në New York, zemra e mikut tonë të çmuar Dalip Greca ndaloi përgjithmonë.
Ikja e befasishme na ka shkatërruar të gjithëve në shpirt. Ky largim i shpejtë dhe i padrejtë na ka vrarë fort e mërzitur pafundësisht.
Një largim fizik që lë pas shumë trishtim, keqardhje e dhimbje të thellë te familja, miqtë e bashkëpunëtorët.
Ne do ta kujtojmë e respektojmë përjetë kontributin tënd të shquar, dedikimin dhe përkushtimin në punët që bëje, korrektësinë e detyrave, besnikërinë e premtimeve e miqësive, përkushtimin e devotshmërinë ndaj komunitetit, miqve, medias dhe kombit shqiptar.
Ikja e Dalip Grecës largon brenda nesh një copë të rëndësishme jete të kthyer në përkujtim të përjetshëm.
Sot, të gjithë kemi humbur shumë. Miqtë një mik special, shok, vatran, patriot, familjar e veprimtar të pa zëvendësueshëm në kauzat ku Dalip Greca bëhej pjesë. Në emër të Federatës Pan- Shqiptare të Amerikës VATRA, në emër të të gjithë vatranëve, të Shqiptaro-Amerikanëve e të familjes sime ju përcjell ngushëllimet tona më të ndjera, më të sinqerta e më të dhimbshme familjes Greca për humbjen e pakthyeshme të mikut tonë Dalip.
Lutjet dhe përshpirtjet tona si vatranë e komunitet janë më të afërta e më të ndjera se kurrë pranë familjes Greca, familjarëve e miqve në këto momente trishtimi, lamtumire, humbje e zie.
Mirënjohje për jetë të jetëve o Dalip Greca për gjithçka që po na lë pas ikjes sate në përjetësi.
Pushofsh në paqen e amshuar, në mbretërinë e qiellit miku ynë i paharruar.
I pikëlluar thellë
Pranë familjes e miqve, me nderime të veçanta
Kryetari i vatrës – Elmi Berisha
Shënim: Në gazetën Dielli, në vazhdim do të jepen detaje rreth organizimit të ceremonisë së lamtumirës dhe nderimeve.

Dy kusherinjte; Harun dhe Dalip Greca
Dy kushërinjtë: Harun dhe Dalip Greca

Ndahet nga jeta gazetari Dalip Greca*

Njoftim i hidhur nga miqtë në New York

Dalip Rexhep Greca, u lind në Lushnje me 10 tetor 1950.
Mësimet bazë i bëri në vendlindje, ndërsa shkollën e Mesme e përfundoi Qershor 1969 në Gjimnazin “Abas Shehu” Tepelenë.
Studioi për Gjuhë dhe Letërsi shqipe në Institutin e Lartë Pedagogjik Shkodër 1969-1971, të cilin e përfundoi me rezultate të shkëlqyera. 1971-1974 kreu shërbimin ushtarak të detyruar në Marinë.
Në vitin e fundit të shërbimit nisi me korrespondencë studimet në Universitetin e Tiranës për Letërsi, të cilat i përfundoi me rezultate shumë të mira në maj 1976. Punoi në arsim deri në vitin gusht 1983, kohë kur filloi punë si redaktor për Kulturën dhe Sportin në Gazetën lokale “Shkëndija”. E humbi këtë vend pune për shkak të përkrahjes së proceseve demokratike në dhjetor 1990.
Mbeti pa punë derisa opozita i ofroi detyrën e sekretarit të Komitetit Ekzekutiv Pluralist të rrethit të Lushnjës. E dorëzoi detyrën për shkak të vendosjes së kandidatures për kandidat për deputet në krah të opozitës në vendlindjen e tij në zgjedhjet e para Pluraliste të 31 Marsit 1991. Kandidoi për opozitën edhe në vitet 1992, 1996, 1997.
Në Prill 1992, u emërua Inspektor i Letërsisë në Drejtorinë Arsimore të Rrethit Lushnje, ndërkohë që drejtonte dhe botonte gazetën lokale të përjavshme “Ora e Fjalës”, gazetë që lindi gjatë Lëvizjes Demokratike (Shtator 1991) dhe vijoi ta drejtoi atë deri në gusht 1996, kohë kur u emërua Kryeredaktor i gazetës së përditshme “Republika”.

Drejtuesit e "Orës së Fjalës" - Sallaku, Hajdari, Greca
Drejtuesit e “Orës së Fjalës” – Sallaku, Hajdari dhe Greca

Më 20 korrik 1999, emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe filloi detyrën e redaktorit-përgjegjës për seksionin shqip të gazetës shqiptaro-Amerikane ILLYRIA, paralelisht nisi dhe përfundoi studimet 2 vjeçare në Institut Tecnnology of Business në New York. Për 10 vite ai ishte një ndër gazetarët që hulumtoi, intervistoi, investigoi personalitete dhe njerëz të thjeshtë të komunitetit dhe fitoi respektin e shqiptarëve të Amerikës. Ai arriti të intervistojë shumë nga figurat e diasporës nacionaliste, të cilët e patën lënë Shqipërinë në fundin e Luftës së Dytë Botërore dhe ka gati për botim librin: “Armiqtë që e donin me shpirt Atdheun”.
Në gusht të vitit 2009, Dalip Greca filloi drejtimin e Gazetës Dielli, e cila nuk botohej prej më shumë se 2 vite e gjysmë. Ai e ringjalli gazetën më të vjetër të botës shqiptare dhe për 12 vite e ka kthyer atë në lavdinë e dikurshme të themeluesve.
“Dielli” nën drejtimin e Dalip Grecës pësoi ndryshime thelbësore. “Dielli” për 12 vite që e drejton gazetari Greca botohet në print çdo muaj, madje nuk u ndal publikimi as në kohën e Pandemisë së shkaktuar nga COVID-19.

Dalip Greca me Diellin (numer Special)
Dalip Greca me Diellin (numer Special)

Gazetari Dalip Greca prej 2 dekadash ka dhënë kontribut edhe në median televizive. Ai ishte gazetar i jashtëm për Televizionin Kultura Shqiptare në New York (Albanian Culture TV), ndërkohë që vazhdonte të bashkëpunonte me median në Tiranë dhe Prishtinë. Greca ishte ndër kontributorët e spikatur në ruajtjen e traditave dhe kulturës shqiptare në SHBA; ishte pjesë e pandarë e Federatës Panshqiptare të Amerikës, anëtar i kryesisë dhe Këshillit, organizator dhe drejtues i shumë veprimtarive të Federatës si: Si përvjetorët e Pavarësisë dhe Ditës së Flamurit Kombëtar, 100 Vjetorit të Vatrës, 110 Vjetorit të Gazetës “Dielli”, Vitit të Faik Konicës, Simpoziumin për Arshi Pipën, Mit’hat Frashërin, Revoltën e Spaçit, bashkorganizator dhe drejtues i konferencës “Demokracia nuk pret”, dhe tash pjesë e projektit -Historia e Vatrës sipas arkivave… etj etj…
Prej tij pritet të dalin në botim librat:
-“Gazeta Dielli në SHBA – Udhëtim në dy shekuj”.
-Histori Shqiptare në Amerikë
-Intervistat e New York-ut”.
Ngushëllime të sinqerta të shoqes së tij, Xhemile, vajzave, djalit, nipërve e mbesave.
I paharruar për familjaret, miqtë, shokët, bashkëpunëtorët.
In eternum.

Titulli redaksional: radiandradi.com.

 Marre nga muri i Fb i Shpend Sollaku – Noe, 16 maj 2022

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.