back to top
7.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024

Dada Vocërr… – portret nga Jozef Radi

Gazeta

Vocerr Sherifja (Dada)
Vocerr Sherifja (Dada)

Dada Vocërr…

portret nga Jozef Radi

Vocërr Sherifja ishte e motra e Shpend Sherifit nga Malsia e Gjakovës. Ajo hyni si grue e dytë në kullën e Hoxhëve të Pacit, po pa asnji dhimbë si e tillë sepse simbas saj, nji grue duhet me e fitue e me e mbajtë vendin pranë nji burrë përditë, dhe jo nji herë e përgjithmonë.
Vocërr Sherifja e donte fort jetën, e donte edhe të bukurën, e çka ishte e bukur për të ishte edhe për tanë botën. Nga kulla prej kah kishte ardhë e në derën ku kishte hy ajo kishte mujtë me ndjekë me vëmendje jo veç darkat me miqtë e atyne kullave, apo mbasdarkat e lojnave, kangve apo hajgareve po edhe kuvendet e burrave t’Malsisë dhe kishte në galerinë e mbamendjes së personazheve: burrin ma të bukur, burrin ma të hijshëm, burrin ma të meçëm po edhe burrin ma burrë…!! E njashtu vjedhtas e n’bisht të synit asgja s’i pshtonte vëzhgimit të saj…
Edhe pse emnin e kishte Vocërr, ajo ishte nji grue e bashme e solide me ecje te hijshme e të sigurt, me sy të kaltër e lkurë t’lame bore, me fjalë të matuna e të gdhenduna, me nji guxim me folë çiltas e çiltras si kërkushi! S’e di sa e bukur mund t’kishte qenë n’rini të saj, po di se kur e kam njoftë ma së pari ajo ishte rreth të 50-ve e lodhun mjaft prej jete, po me nji qendrim sugjestionues që të detyronte me e admirue si grue në moshë. Unë, po edhe e shumë si unë e kana njoftë si Dada Vocërr, si të tillë e konsideroj edhe sot, n’ditë të guximit tim me e përshkrue edhe gabim ndonji mosdije të vocërr n’historinë e gjatë e dramatike të jetës së saj!

Kostume popullore të Malsisë së Gjakovës
Kostume popullore të Malsisë së Gjakovës

Mbas pak vitesh, në derë të Hoxhëve u erdh e keqja e madhe! Kulla e tyne u shenjue nën kryqin e kuq të komunistave, po edhe ajo e Sherifëve të saj, shpejt u detyrue me dalë në arrati me tanë robt e shpisë. E kështu kjo e keqe e dyishtë, për Vocërr Sherifen u ba edhe ma e madhe! Asaj i vranë burrin, tue e lanë me nji vajzë sa grima Rukien, e shemrën e saj me nji djalë pak ma të rritun Elezin, nën kërcënimin se e keqja e familjes Hoxha posa kish fillue! Ndërkohë asaj iu desh me marrë vendimin ma të vshtirë të jetës! O me marrë vajzën e me hikë n’arrati me t’vllanë Shpendin, që kishte ardhë me e marrë, o me pranue me vuejtë n’derë të Hoxhëve e me e nda me ta dramën e tyne… Dhe Vocërr Sherifja zgjodhi të dytën!! Ajo s’e braktisi derën e Hoxhëve, po pranoj me u ba nusja e ma të voglit djalë të tyne, Sulejmanit dhe shkoi n’fatin e asaj familje në kalvarin e pafund të interrnimeve!
Mbas dekën së shemrës, Dadës Vocërr shpejt iu desh me përballue detyrën e rritjes së Elezit dhe Rukijes nëpër rrugtë e interrnimeve, po e keqja s’u ndal njaty sepse shpejt kishin me ia arrestue edhe burrin Sulejmanin, për agjitacion e propagandë e me ia dënue me dhjetë vite burg, e do kohë mbas tij dhe djalin n’shpirt Elezin me 17 vite burg, për tentativë arratije… Pra, Dadës iu desh me u ba burrë shpije e me mbajtë dy burra në burgje… Ajo e martoi t’bijën në derë të Ndreve të Sllovës, në nji tjetër kamp interrnimi, e në t’keqën e madhe, fati e desh që e bija Rukia me ia sjellë dy nipa t’hijshëm Kastriotin dhe Shkëlzenin… e n’veçanti Kastriotin ajo e e rriti dhe e trajtoi si loçka e Dadës edhe t’keqen e mungesës së burrave, ia delegoi atij që e rriti vetë…
Nuk kam njoftë ndonji grue n’jetë teme që të kishte kultin e së bukurës si Dada Vocërr. Nji grue e bukur, nji djali i hijshëm, nji gjest fisnik, nji burrë i meçëm, nji tufë drandofillesh, e bante Dadën me u ndalë e me e shprehë n’sinqeritetin ma të thellë njatë çka ajo ndjente! E s’ndalesh te e përgjithshmja, po ma shpesh te e veçanta e ta deklaronte ashtu ambël me aq poezi e muzikë sa të mahniste: “Shazotën Lazër, edhe veç me ndrrue pak muhabet me ty, më knaqet shpirti!” i thoshte tim eti e vazhdonte “Qat t’madhin e ke t’mirë, po njashtu pak dredhaç e kie!”, nji femën me gjoks të bukur e përshkruente: “Me ja vnue filxhanin me kafe në gjoks, si derdhet pika…!” e nji tjetre: “Çikooo, qata sy ti ruejtë zoti sa t’bukur i ke, po mundohu me ua pa hajrin!” o “Me i fjetë n’gjoks e m’u çue pa dhimtë kreje!” thoshte për një vajzë të re puntore… Shpirti i Dadës ishte plot shprehje të kësaj natyre…
Po madhështia e Dadës, në kultin e së bukurës mbrriti bash n’ditën ma të vështirë të jetës së saj…! N’ditën e demaskimit publik të saj…! Kur sekretari i Partisë, Petraq Nushi, nji burrë mjaft i pashëm, kish marrë flamurin “me e ba për nji lek” Dadën në prani të 600 vetëve… E ndërsa ai shkarkonte arsenalin e fyemjeve të njimbasnjishme ndaj saj, ajo me at ruben e bardhë mbi krye, cepat e së cilës i spostonte sa në të majtë e të djathtë të gushës së saj, e shoqnoi pafundësisht me fjalët: “Po mor i miri Dad’s… po mor i bukri i Dad’s! Mirë e kie” Derisa e çmendi…! Mjaft, i ulëriti, po ajo as desh me ia dijtë po vazhdoi! Po mor i miri Dad’s… po mor i bukri i Dad’s!!!
Mbas ngjarjes ajo e takon tim atë, i cili u përpoq me i dhanë gajret për çka i kish ndodhë ajo i tha fjalën lapidare: “As po e xej kryet hiç mor Lazër! Hallall ja kam ba se m’shau nji burrë i bukur, keq kish me m’ardhë me m’pas sha nji shufulak!”

Veshje e grave të Tropojës
Veshje e grave të Tropojës

Dada priti me stoicizëm që burrat e Hoxhajve me dalë prej burgu. E dhimbshme që për të, mbasi Sulejmani, s’u kthye në shpi në Savër mbas burgut… po u vendos n’nji kamp tjetër interrnimi! Mbas do kohe ai edhe u martua përmes një krushqie të organizueme n’burg! E paftueme, Dada u vesh mirë e shkoi në dasmën e ish burrit të saj, që kishte qenë ma i ri se ajo, (n’mos gaboj nja 6-7 vjet) dhe zuni vendin që i takonte në tavolinën kryesore, pa pyetë askënd! Vëzhgoi gjithçka pa thanë asnji fjalë. Në të mbyllun të dasmës ajo u çue la dhuratën e dasmës dhe i tha dhandrit: “O Sulejma Hoxha, u trashgofsh, me kambë të mbarë e me nji djalë! Dada t’kupton fort mirë për njat ke vendosë e të jep të drejtë! T’ia kishe thanë Dadës, se shazoten edhe ma t’mirë ta kish gjetë nji nuse…!” dhe iku njashtu e qetë se çka kish pasë në shpirt e kish shkarkue… Për fat Sulejman Hoxha edhe pse n’moshë, pati tre fëmijë, dy vajza dhe nji djalë…!
Ndërkohë mbas 17 vitesh burg edhe Elezi u kthye në shpi dhe Dada ishte porta e hapun, e që fati mbas viteve ’90, edhe pse gati 50 vjeç, u martue e Zoti ia çoi nji vajzë…
Dadën Vocërr e kam pasë ndër personazhet ma të dashtun të jetës sime, edhe pse n’mendje të saj kam jetue si “dredhaçi” . Shpesh, n’konfidencë e n’mirbesim më merrte me ia shkrue ndoj letër të vllait të saj të vetëm, Shpend Sherifit që jetonte mbas arratisë në Belgique Bruxelles… Mbasi ia mbaroja letrën, ajo hapte syndykun e saj, ku ishte magjia e gjithfarë aromash si ftoj, molla e lule mali që ma dehte shpirtin, diçka që s’e kisha ndje askund tjetër veç te ajo! Aty kishte gjithçka të ruejtun prej ditëve ma të bukra të rinisë së vet edhe teshat e ditës së dekës, kurdo që ajo të ndodhte…
Dada pat fatin e madh me e takue t’vëllanë e saj të vetëm mbas 40 vitesh! Imagjinoni nji grue që betimi i saj niste me: “Pasha kryet e Shpend Sherifit!” çka do të thoshte se n’të bahesh nyje e vërteta e saj… Në vitet e fundit, nji pjesë e të dashtunve të saj u larguen, nji pjesë tjetër u kthyen e ajo u rrethue me dashninë e nipave e mbesave të shumta që mbrritën me e takue, e n’veçanti i erdh nipi i saj, poeti i njohun i gjuhës frënge, Skënder Sherifi!
Dada u ngjit në qiell e lodhun prej fatit e sakrificave të shumta, nën kujdesin e pafund të së bijës…
Prej vitesh matem me i shkrue këto pak rreshta të vështirë për të, sepse mbetem i bindun se kurrë s’e jap të plotë figurën e saj at shpirtin e saj të lirë e guximin e saj prej të cilit ajo s’u tut kurrë njiherë edhe pse ndokush mund t’ia rrudhoste buzët…
Dada Vocërr vazhdon me jetue magjishëm ndër kujtime të mia, un’ veç guxova me i shkrue këto pak rreshta, ndoshta edhe me ndoj gabim të vogël…
20 maj 2022

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.