Dijetari Pa Vorr, At Bernardin Palaj O.F.M. (1894-1946)
nga Fritz Radovani
“At Bernardini, mund t’ma kalojnë edhe mue…”
At Gjergj Fishta
At Bernardin Palaj asht le në Malësi të Dukagjinit, janë ata Male kreshnike që i kanë dhanë jo pak “Ushtarë besnikë Atdheut e Fesë së t’Parvet t’vet”.
2 Gusht 1918, At Bernardin Palaj O.F.M., u shugurue Meshtar Françeskan.
Edhe një Dijetar i madh i Shqipnisë që filloi në 1918, me daltue me maje të penës së vet ndër Alpet tona “Visaret e Kombit”!
Viti 1944, në Shqipni, për Dijetarët dhe Klerikët Katolikë Shqiptarë, ka hapë vetëm gropa varrimi pa emën, pas një shenjë tek koka dhe pa Kryqa.
Pranë Spitalit të Shkodrës ishte edhe konvikti “Malet Tona”, një ndërtesë që shpejt u kthye në hetuesi, se i duhej Sigurimit të Shtetit me kenë pranë Spitalit për “autopsi” të përditëshme dhe dokumenta vdekjesh fallco.
Ishte viti 1946, kur asht arrestue edhe një shkodranë që per fat ka jetue deri në vitin 1999, kur shumica e Martirëve tanë e kishin mbyllë jeten e vet. Ky ishte Loro Vata, nder Burrat e nderuem Atdhetar dhe i paharrueshëm për qëndresën ndër tortura dhe në vuejtjet e pafund ndër kampet e shfarosjes.
Atdhetari Loro Vata ishte burrë i njohun edhe për virtyte tjera jo të pakta.
Një tjeter vlerë e Loros që ndoshta, ndër shumë të tjerë edhe mungonte, ishte saktësia e ruejtjes së ngjarjeve në kujtesën e Tij, që kur fliste të dukej sikur po i lexon ata kujtime në ndonjë ditar sekret personal.
Unë pata fatin e madh me u njoftë nga afër me Loron mbas vitit 1992, kur unë porsa kishe fillue me shkrue për vitet e paharrueshme e të mnershme të diktaturës komuniste dhe “luftës së kllasave” në Shkodër.
Një ditë u takueme rastësisht tek Dugajt’e Reja, dhe u ulëm me Loron me pi nga një kafe tek klubi poshtë shtëpisë Plevneshve. Loro filloi bisedën e tij nga vitet 1945 dhe 1946, pak ditë mbas arrestimit kur Loro Vata dërgohet në hetuesinë tek konvikti “Malet tona”. Aty merrej në pyetje nga një hetues katil i njohun i Sigurimit shtetit Shkodres, krimineli Fadil Kapisyzi.
Qelia ku ishte i pranguem Loro, ishte pranë dhomës ku Fadili, merrte në pyetje edhe të arrestuemit tjerë. E mos harroni se ajo hetuesi në Shkodër ishte ndër kryesoret ndër 26 hetuesitë ma kriminale. Në krahun tjeter të asaj dhomë Fadili, i kishte vue pranë Loros, një zonjë shkodrane, së cilës i kishin pushkatue burrin dhe këte po e torturonin pafaj vetëm për me e dënue. Kjo ishte zonja Bedrije Ashikja, e motra e Ahmet Ashikes, që i njoha të dy.
Tregon Loro: Shpesh Bedrijen vinte dhe e merrte hetuesi Dul Rrjolli, dhe e vente me pastrue zyrën. Loro po më tregonte për ditët e para të Dhjetorit 1946, kur Bedrija mbasi mora fshisën dhe kovën e ujit shkoi tek dhoma e Fadilit me e pastrue zyrën e tij. Dy kriminelat, Fadili me Dulin kishin dalë përpara ndërtesës dhe po pinin cigare si zakonisht.
Nuk kishin kalue pak minuta mbasi Bedrija po pastronte dhomën e Fadilit, u ndigjue një virrmë e fortë, që u këput pa u kuptue pse… As nuk mund të merrej me mend arsyeja e asaj brime aq të fortë!
Shumë shpejtë nuk vonoi pak kohë dhe mërrijti nga oborri Dul Rrjolli, i cili mbasi e pyeti Bedrijen: “Pse e preke thesin, a të thashë, se mbas derës mos pastro! Moj e poshtër… moj bushtër!”, dhe Duli, vazhdoi me e sha, tue e tërhjekë rrëshanë Bedrijen, që nuk i ndigjohej fare zani, por tue e sha me fjalorin e njohun të tyne, eci derisa e holli në qeli të saj.
Mërrijti aty prej jashtë edhe Fadili, dhe vazhdoi edhe ai si Duli. Në fund Fadili e porositi me nervozitet Bedrijen: “Guxo e tregon kujt se shka ke pa, se edhe ty do të kalbi n’një gropë me të, moj ..!” I mbylli derën e iku.
Loro tregoi se atë natë ishte i sigurt se ata kriminela i përgjojnë, prandej, as nuk i kishte dhanë asnjë sinjal Bedrijes për me marrë vesht shka kishte ngja atë ditë, në zyrën e torturave të Fadilit, kur kjo po fshinte.
Të nesërmen herët më zgjoi vetë Bedrija: “Loro, Loro, a e di shka ka ngja dje në zyrë të hetues Fadilit?” – Unë, i përgjegja: Jo!
Po në të vërtetë, gjatë natës, unë vështrova nga oborri dhe, aty nga e vona, disa roje hapne një gropë në errësinën e natës tek qerrshija, që ishte tek muri i hetuesisë dhe hollën aty një thes ngjyrë kafe të mbyllët, dhe i pashë mirë kur me lopata e mbuluen me dhe dhe ikën në dhomat e veta.
Kuptova se dikush kishte vdekë në tortura! Po, se kush mund t’ishte Ai aq i pafat që me përfundue aty, as nuk i kishte shkue mendja Loros.
Bedrija i kishte tregue Loros, se: “Të dy më porositne që mos me pastrue mbas derës së Fadilit. Unë vetëm shikova aty. E shka me pa?
“Gjatë torturave me korrent elektrik, Fadilit dhe Dulit u ka mbetë i vdekun në dorë At Bernardin Palaj, dhe ashtu me tela ndër veshë dhe nder duer, e kishin ba si thes në zhgunin e vet ngjyrë kafe. Unë pa dijtë gjà, tue pastrue mbasdere, kur e pashë vrrita dhe nga tmerri dhe, më ka ra të fikët…
Ka ardhë Duli dhe më ka hjedhë ujë, e mbas pak kam ardhë në vedi. Gjithë ditën jam qenë e tmerrueme, as nuk më ka kalue buka!
Një tmerr i vërtetë, me e pa Fratin e shkretë njashtu!!”
***
E mbytja e At Bernardin Palaj në torturë, vazhdon mos me u shkrue si ishte e vërteta nga askush! Një Dosje e mbyllun pa shpresë me u tregue e vërteta!
Keni “harrue” sa vjet janë ba tue tregue përralla me mbret e tetanoz…
E sa mija e mija Martirë t’Atdheut janë të mbuluem me përralla e rrena! Hiqni dorë nga mashtrimet!!
Kërkoni me dijtë dhe me tregue të vërtetën!
Nuk ua hiqni dekoratat “Heronjve” Vrasës dhe Tradhëtarë kriminela!
Ata katila barbarë i mbrojnë bijt’e tyne! I kanë ba si veten e tyne!
E, kur pat pyet Dulin një shok i veti në konfidencë: “Çka po bani në këte popull kështu, o Dul!?”
Duli iu pat përgjegjë: “Kur ishim fëmijë, ndër mejtepe, nga Hoxhallarët e patme ndigjue fjalën Zot! Po këta që po rriten që, as nuk e kanë ndigjue as, nuk e dijnë Atë Emën? Mendoni se çka do të bajnë këta mbi këtë Popull!”
Koha po i vërteton të gjitha parashikimet e tyne! E ma i keqi parashikim asht mashtrimi dhe rrenat e pafund!
Nuk bahet fjalë vetëm për një dijetar Klerik!
Sot Shqipnia asht e mbulueme me Gropa pa Emën!
E përderisa, nuk hapen Dosjet, vazhdojnë msheftësitë e kriminelave!
Vllazen e Motra Shqiptarë të vërtetë! Shqipnia asnjëherë, pa u hapë Dosjet, nuk ka me pasë “Pajtim Kombtar”!
Të gjitha katastrofat pasuese të gjendjes së sotme të mjerueshme, kanë një burim dhe vetëm një: “Mos arritja e Pajtimit Kombtar!”
E ky burim i mnershëm po ju sjellë, ato pasoja që po jetojnë Shqiptarët sot!
Virtytet e Atyne Atdhetarëve që dhanë jetën për Atdhe nuk mund t’i venitni!
Ata nuk ishin as kriminela, as terrorista dhe as barbarë o të “Pa Atdhe e Fe”!
Ata sakrifikuene gjithshka vetëm për një Atdhe të bashkuem, të bukur dhe të ndërtuem bash mbi ato troje të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe, mbi shtrojen aq të bukur të mbulesës së Nanë Terezës, Aty ku janë përjetësisht Zamakët e Flamurit tonë të shtrenjtë dhe të paprekshëm!
Melbourne, 21 Maji 2022.
Pjesa Nr. 31. Zamak i Flamurit…