“Jeta luksoze…” poezi nga Tracy K. Smith
Kur do njerëz flasin për paren
ata flasin si t’ish fjala për nji dashnor misterioz
që shkoi me ble qumësht dhe kurrë ma s’u kthye, e kjo më ban nostalgjik
për ato vite kur kam jetue veç me kafe e bukë thatë
tanë kohës i uritun, tue shkue n’punë në kambë e veç me pare dite
krejt si ajo amvisa që shkon me bajtë ujë
prej fshatit pa pus, e mandej jeton
nja dy-tri net si askush tjetër
me venë t’kuqe e pulë t’pjekun…
***
“Ndoshta ma i madhi gabim asht besimi se jena vetëm
se të tjerët kanë ardhë e kanë shkue
-si pulse përkohshme ndër radarë –
n’nji kohë kur hapsina mundet t’ketë qenë e mbytun n’trafik
tue shpërthye deri n’tegela prej asaj energjie që ne as e ndiejmë
e as e shohim, përndizet përballë nesh, jeton, vdes, vendos…”
Përktheu Ilir Seci
Tracy K. Smith, është poeteshë amerikane… ka lindur në vitin 1972, ka mbaruar studimet në Harvard në 1994, dhe sot është profesoreshë në Universitetin e Princeton, New Jersey…
Tracy K. Smith, është autore e tre vëllimeve poetike, në vitin 2011 ajo fituar çmimin “Pulitzer” për poezitë e Librit “Jetë në Mars”…