back to top
10.5 C
Tirana
E enjte, 14 Nëntor, 2024

Nji kafe nga avokati i së keqes! – nga Kazanova Aliaj

Gazeta

Kazanova Aliaj
Kazanova Aliaj

Nji kafe nga avokati i së keqes!

nga Kazanova Aliaj

Në kët vend ku ndodh gjithçka,
një kafe e zezë s’asht asgja…

Qetësisht, me atë shkujdesjen time u ula të pi diçka të freskët, mbasi e kisha kryer shetitjen e mbasdites me biçikletë buzë detit. Nuk po mendoja thuajse asgja… por ishte rastësia ajo që ma ofroj nji të papriturn.
Ndërsa po shihja ashtu e përhumbun detin, ku në thellësi lodronin rrezet e diellit me dallgët dhe krijonin një mozaik vezullues, mbas meje më kapi syni ashtu si pa dashtas një fytyrë, që vrik më ktheu mbas në kohë…
Edhe pse fytyrë e diskutuar mjaft, nuk më shqetësoi ajo prani, sepse për fat s’kisha pasë asnjëherë punë me të, por në indinjatën time për këtë kategori kur përballem me ta nuk mundem me e mshehë.
Asht e randë pesha e ligësisë së tyne dhe asht e papranueshme për një shoqëri në të cilët njerëzit në një kohe jo fort të largët, dënoheshin pa faj vetëm prej ligjeve barbare të këtyne monstrave, mbartës të së padrejtës dje, e avokatë të paligjshmes sot, nga të cilat kanë nxjerrë fitime marramendëse si atëherë edhe sot në këto kohë të turbullta.
E për çudi, shoqnia s’ka fuqi të reagojë, e sa herë shkon drejt tyne, humbet!
“Sa qenie e shëmtuet!” mërmërita nëpër dhëmbë po nuk e ndryshova qëndrimin! Mbrenda vehtes ndjeva një pështjellim që atë moment delikat të mbasdites sime, për çudi po e ndaja me një monstër të qytetit tim!

Kafe e hidhet...
Kafe e hidhet…

Këto janë pengesa për lëvizjet përparuese, – e vazhdova mendimin – sepse këta dinë të përfitojnë nga e keqia që kultivojnë në të përditshmen e përbashkët. Keta janë ushujzat që nuk ngopen me gjak…
Befas e ndjeva një hije që më rrëshqiti përbri edhe kamarierin që ju afru me marrë lekët, e ndërkohë diçka foli nën zà më të…!
Ndërkohë, vrejta se hija e atij abuzuesi u përvodh ngadalë mureve dhe perdeve si hijenë.
Kamarieri, prind i nji nxanësit tim m’u afrue ngadalë e me sjellje të kujdesshme më tha:
-Zysh, zotëria që doli foli me shumë konsideratë për ju dhe jua pagoi kafen…
Unë e vuna pak buzën në gaz dhe ju përgjigja jo pa gjuhë pelini:
-Oh, shumë falemnderit prej shokut hetues, por gjarpëri dhe kur të puth helmon…!
Ai qeshi duke mbledhur buzë dhe shkoi në punë të vet,mbasi misionin e kishte krye…
Ndërkohë m’u soll në mendje ajo silueta e tij me këmishën e bardhë, që kishte me mbulue të zezat që u ka ba qytetarëve të qytetit tim… dhe pikërisht ai, për këto ndjehet ende i fuqishëm dhe befas ban edhe xheste bamirësie e fal një kafe së bashku me “konsideratën ma të lartë…!” E kush?! Ai që kishte vra një jetë qetësinë e njerëzve të zakonshëm të atij qyteti të paqëm!
Po ky zotni sot, ky shok me të keqen e së djeshmes, po me atë çantë në dorë që mbante dosjet e mashtrimit dhe vdekjeve, po me atë çantë mashtron e nuk ngihet me fitimet e bizneseve të tija të errta.
Ashtu si dje, edhe sot mban në çantë po ato dosje të fatkeqëve që dje dënoheshin pse tentonin të arratiseshin nga skëterra, ky zotni sot mban në çantë tapitë e pronave të vjedhura, dhe shkon me pushime gjithkah e askush s’i thotë plaç me gojë!
Eh, paradokse të neodiktaturës!
Dhe as don me ia dijtë sa vite kanë humbë e sa jetë vazhdojnë me humbë qytetarët e këtij vendi, të cilëve ua ka ba jetën ferr me ato dosjet që sikur e banë prokuror e gjykatës mbi dhimbje të pafundme të qytetetarëve të mim e sot deputet e ministër mbi gjanë e vjedhun me ligje!
O Zot mbaj dorën!
Ja pra, kiy është ai modeli ma i shëmtuet i pseudodemokracisë që zbatoi formulën e kompromisit ma famëkeq të kohnave: me bashkëfajtorë e bashkëvuajtes!!
O Zot, pse lejon që këta zvarranikë, këto gjallesa të shëmtuta, këta krokodilë të pangopun të mbijetojnë mbi shpinat tona… dhe jo vetëm… po gjejnë kurajo të më ofrojnë mua edhe kafen…
O Zot, pse na ke lshue kaq poshtë!
E ndërsa kamarieri më buzqeshje të mpime ma solli kafen e me kujdes ma vuni në tavolinë, mua më erdh bota rrotull, e m’u shfaq Avokati i së keqes, me atë këmishën e bardhë, dosjet e zeza e shpirtin katran, teksa më përvidhesh si hije… Ai ishte impresioni ma i dhimbshëm i asaj dite të paqme me diell dhe detë, që e kisha humbë nga soditja!
Kafja pushonte mbi tavolinë, e unë vazhdoja me e kqyrë si të ishte helm…!
Përbri meje ishte një bime e madhe fikusi! E mora me kujdes filxhanin dhe e derdha ashtu ngadalë deri në pikë të fundit… duke mendue atë frazën që i thashë kamarierit se “gjarpni edhe kur puth helmon…!”
Befas më ba sikur lulja e madhe u mpi, u mpak, u mblodh dhe filloi me u lëshu si një krijesë që jepte shpirt…

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.