back to top
0.5 C
Tirana
E hënë, 25 Nëntor, 2024

100 vite akuza ndaj Esad Pashë Toptanit si politikan – nga Ervina Toptani

Gazeta

Esat Pasha Toptani dhe Medaljet e shumta
Esat Pasha Toptani dhe Medaljet e tij te shumta

100 vite akuza ndaj Esad Pashe Toptanit

nga Ervina Toptani

Po sjell të shkruar një resùme studimore, historike
mbi akuzat që i bëhen Esad Toptanit si politikan.
(në faqen time mund ta gjeni edhe në versionin e ligjëruar)
ervina toptani

Ervina Toptani
Ervina Toptani

Për të mos u zgjatur aspak në hyrje të këtij shkrimi të gjatë, doja t’u drejtoja vetëm një pyetje atyre që akuzojnë gjeneral Toptanin për tradhëti, veçanërisht ia bëj këtë pyetje politikanëve të të gjitha krahëve majtiste të Shqipërisë: Kur djemtë tiranas, durrsakë, shijakas, kavajas, peqinas, elbasanas, dibranë, etj., luftonin në Shkodër si gladiatorët në arenë, në mbrojtje të saj nën komandën e gjeneral Esad Toptanit, gjyshërit a stërgjyshërit tuaj ku ishin vallë????
Esad Pashë Toptani ishte ushtarak i lartë karriere i një perandorie kontinentale e shekullore, i cili është sulmuar vetëm politikisht gjatë kohës kur jetoi e sidomos pas vdekjes së tij kur rezulton të jetë sulmuar edhe më shumë sesa kur ishte gjallë. Kjo nuk ka ndodhur pa arsye sigurisht. Ai ishte një ndër përfaqësuesit e parë e ndër më të fuqishmit të aristokracisë tradicionale konservatore të periudhës së lindjes së shtetit shqiptar. Thënë me terminologji më moderne, ishte pararendësi i së djathtës konservatore shqiptare të kohës (e cila sot nuk ekziston më, gjithçka që i vihet emri konservatorizëm në Shqipërinë e sotme është vetëm abuzim me fjalën, e përforcuar nga mosnjohja e thellë e filozofisë politike të këtij koncepti).
Ushtarak i lartë me titullin Pasha që nuk ishte një titull i dhënë në Perandorinë Osmane siç i marrin sot e dje në mënyrë aspak të merituar titujt akademikë lehtësisht politikanët e përfaqësuesit e institucioneve shqiptare. Eshtë thënë shpesh se Esad Toptani ishte një figurë me dritëhije por mendoj (mbi baza shkencore historike) se dritëhijet më tepër sesa ai vetë i kishte koha në të cilën jetoi e veproi Esad Toptani.
Ne kemi prej dekadash një Akademi Shkencash që shpesh vegjeton në lidhje me studimin prej vërteti të figurave tona historike kombëtare e cila disponon fare pak ose aspak dokumentacion zyrtar të cilëve t’u referohen studiuesit. Në rastin tim, isha me fat që në kohën kur shkruaja librin jetoja në Bruksel dhe ishte më e lehtë të mblidhja dokumentet e nevojshme në disa prej arkivave europiane, të cilat disponojnë në skedarët e tyre pjesën më të madhe të historisë së vendit tonë si shtet e si komb.
Historia jonë, në 8 dekada është e shtrembëruar me vetëdije dhe pjesa më e madhe e figurave tona kombëtare janë etiketuar me lloj lloj emrash e përemrash sipas orekseve politike, shpesh duke ngritur në piedestal vrasësit e shqiptarëve e duke ulur ata që ndërtuan shtetin shqiptar. Kjo ka qenë e është prej dekadash politikë e hollë përçarëse me synim të mirëpërcaktuar.
Esad Toptanit, ndër të tjera i atribuohet Lufta e Shkodrës, një ndër lufrat më të përgjakshme që ka pasur Shqipëria, e vetmja luftë moderne ballore e luftuar ndonjëherë në shekullin e kaluar për Shqipërinë, pa përmendur këtu luftën turko-greke në vitin 1896 ku gjeneral Toptani ishte gjithashtu pjesmarrës. Luftën e Shkodrës nuk e bëri vetë Shqipëria sepse atëherë as nuk kishte shtet por një forcë ushtarake osmane e kryesuar fillimisht nga gjenerali i shkëlqyer Hasan Riza Pasha dhe një ushtri e mirfilltë rezervistësh shqiptarë, me më shumë se 10.000 luanë nga Tirana, Kavaja, Shijaku, Durrësi, Peqini, Elbasani, Dibra etj., nën komandën e gjeneral Esad Toptanit. Shkodra u mbrojt me vetmohim si pak vende dhe sot është pjesë e territorit të Shqipërisë por kjo meritë nuk iu njoh gjeneral Toptanit pothuaj prej askujt në historinë shqiptare, së paku nga ajo zyrtare e Tiranës. Përkundrazi ai pagoi shumë që e mbrojti Shkodrën e vazhdon të paguajë deri sot, 100 e ca vjet pas vdekjes së tij.
Nuk po dua të flas për betejat e tmerrshme si ajo e Berdicës, Taraboshit, etj., ku forcat serbo-malazeze gjatë luftës humbën mbi 40 mijë burra, madje mbetën të vrarë edhe rreth 400 rusë e 300 rumunë që kishin ardhur në ndihmë të serbo-malazezëve, çështje këto që i takojnë më shumë historiografisë ushtarake. Nuk do të përmend këtu as emra autorësh që kanë lënë dëshmitë e tyre të gjalla si të ngujuar në person të parë në rrethim ekstrem të qytetit sepse një pjesë të mirë të emrave e dokumenteve të cilat ata kanë lënë i gjeni të referuara në librin tim. Kush ka dashur të dijë më shumë për këtë periudhë të historisë tonë i ka pasur burime të tilla në dispozicion. Sot është fare e mundur me lirinë e studimit që gëzojmë, por thjesht shumica nuk kanë dashur ta shohin të vërtetën apo janë paguar kinse për ta shtrembëruar atë me urdhër politik.
Historiografia komuniste disa prej malësorëve bajraktarë të zonave të thella malore që u bashkuan fillimisht me serbo-malazezët në luftë kundër vëllezërve të tyre të gjakut i shpalli heronj të kombit, ndërsa dëshmorët e vërtetë të luftës heroike të Shkodrës u lanë pa emra, deri sot. Kam shprehur gjithmonë nderimet e mia të thella për këta dëshmorë të lirisë që dhanë jetën në mbrojtjen e një pjese thelbësore të truallit shqiptar. I paharruar qoftë kujtimi i tyre!
Shqipëria jetonte agimin e saj të pavarësisë, kur në Shkodër derdhej gjak e luftohej si gladiatorët në arenë.
Shkodra nuk u dorëzua, u hapën dyert e rrethimit që të shpëtonin ata që kishin mbetur gjallë. U luftua çmendurisht, deri në marrëzi, pa ushqime, municione, me sëmundje e vdekje në qindra çdo ditë sidomos gjatë 3 muajve të fundit. Por përgjithësisht nuk kam dëgjuar të përmendet prej historianëve zyrtarë që e kanë për detyrë ta shkruajnë historinë siç ka ndodhur se përse u qëndrua heroikisht në Shkodër deri në frymën e fundit, të japin të dhëna konkrete lidhur me rezistencën ekstreme të ushtrisë turko-shqiptare.
Fuqitë e Mëdha e kishin pranuar në parim të paktën 3 muaj përpara se të hapeshin dyert në Shkodër se ky qytet do t’i mbetej Shqipërisë ndërsa Lufta Ballkanike kishte përfunduar kudo në Ballkan përveçse në Shkodër. Esad Toptani kish kërkuar prej Fuqive të Mëdha që një anije e ngarkuar me municion, ushqime dhe mjekime të mbërrinte në Shkodër sa më parë dhe në pritje të saj, e cila nuk erdhi kurrë nuk do i kishte hapur dyert e Shkodrës derisa dhe shqiptari i fundit të ishte shtrirë i vdekur përdhè. Ky fakt dokumentohet nga telegrami i dërguar Fuqive të Mëdha, nr. Protokolli 12, datë 2 mars 1913 (gjendur në SHAT – Service Historique de l’Armee de Terre). Shkodra duhet të rezistonte derisa vendimi i Fuqive të Mëdha të merrte formën e prerë me dokument, dhe në asnjë mënyrë të mos mundej më askush të tërhiqte pas këtë vendim. Dhe në fakt pak ditë pasi hynë në qytet malazezët u detyruan të largohen sepse Shkodra u mor nën administrimin e fuqive europiane, sipas dokumentit të Londrës. Të mos harrojmë se në këtë kohë Austro-Hungaria ishte bërë gati t’i shpallte luftë Serbisë e Malit të Zi vetëm për Shkodrën të paktën 2 herë, duke rrezikuar kështu dhe fillimin e Luftës së Parë Botërore. Gino Berri është ende i gjallë me dokumentin që ka lënë për luftën e Shkodrës, ku ishte i ngujuar në person të parë e që nuk mendonte se do të dilte gjallë nga ai rrethim.
Unë do të veçoja një analizë të shkëlqyer dokumentare historiko-juridike, librin e Tahir Kolgjinit “Esad Toptani dhe akuzat që i bahen”, botuar në Turqi në vitin 1977, i cili hedh poshtë mbi baza juridike shumçka të sajuar e të stisur nga historiografia komuniste shqiptare (së cilës ende sot i referohet shumica duke u bërë qesharakë e tendenciozë) në lidhje me Esad Toptanin. Po sjell vetëm pak rreshta si ilustrim prej këtij libri: “Na ve në dyshim regjimi i sotshëm i vendit tonë, regjim i cili kur ia kërkon puna me i ndrysh ngjarjet historike tu i largue nga hullija e tyne me qëllim që të luftojë dyert e para të Shqipnisë që sollën dhe pavarësinë e saj, mbasi ka vendosë me ia mohue të tana vlerat për të mbajtur në kambë sistemin diktatorial të proletarëve. Po dojnë me kenë të besueshëm për nji burrë që mbrenda 13 ditëve pas rikthimit të Atdhe jo vetëm ka mbledhun forcat e përbame përmbi 10.000 burra, por ka bamë udhëtimin prej Dibre n’Durrës e asht nis me ushtri për Shkodër. Kjo tregon në mënyrë të pakundërshtueme se Esadi jo vetëm që ka pasun nji cilësi të preftë organizative e përveç se ka qenë shumë i shpejtë në veprimet e veta kur ia ka lypë nevoja, ai ka pas gzue gjithashtu nji admirim e simpati të madhe në popull” – fq. 152-153, shih Tahir Kolgjini “Esad Toptani dhe akuzat që i bahen”, Turqi 1977. Ribotuar në vitin 2003 në Tiranë.

Esat Pashë Toptani në Selanik mes ushtarakëve - 1917
Esat Pashë Toptani në Selanik mes ushtarakëve – 1917

Nëse do të bëja disa pyetje që ende nuk di kujt t’ia drejtoj sa kohë që historia jonë është shtrembëruar e manipuluar fund e krye, do të doja të pyesja:
1.Përse u sulmua Esad Toptani që mbrojti Shkodrën dhe jo bajraktarët e malësorët shqiptarë që u bashkuan me serbët e malazezët për të vrarë vëllezërit e tyre të gjakut?
2.Përse ata që e sulmuan Esadin politikisht nuk shkuan vetë në Shkodër për të shkrepur qoftë edhe një pushkë të vetme në mbrojtje të trullit shqiptar?
3.Në kohën kur luftohej në Shkodër, luftohej edhe në Janinë, një tjetër vilajet mjaft i rëndësishëm i cili sot e kësaj dite mbetet jashtë territorit shqiptar. Asnjë fjalë prej përfaqësuesve të historisë së rreme për Janinën, asnjë akuzë për Esad pashë Janinën, i cili pasi u largua në rrethana të mistershme nga Janina u prit në Stamboll me nderime ushtarake!! Ushtria shqiptare dezertoi dhe avulloi e gjitha brenda fare pak kohe. Me urdhër të kujt dezertoi ushtria shqiptare në Janinë? Përse dhe si u lëshua Janina?
4.Ku është Manastiri sot? Po tokat e tjera shqiptare në jug e në veri të saj?
5.Përse jemi i vetmi vend në rajon që kufizohemi po prej tokave tona e kudo nga popullsi shqip-folëse?
6.Çfarë përfaqësonte Esad Toptani për kohën e tij, arsye që kundërshtarët politikë e sulmuan kaq shumë për së gjalli e pas vdekjes dhe çfarë përfaqësonin ata vetë përballë Esad Toptanit? Çfarë do të ndryshonin ata pas vdekjes së tij? Atë që kemi arritur ne sot?!
7.Kujt i shërben ende shtrembërimi i historisë? Përse institucionet tona nuk e kanë analizuar një herë të vetme Luftën e Shkodrës, frontet e saj, ushtrinë e saj mbrojtëse, heronjtë e saj shqiptarë a turq qofshin që dhanë jetën në mbrojtje të saj?! Shumica e atyre që mbetën gjallë më pas u pushkatuan e u internuan prej diktaturës komuniste, së cilës i shërbente mjaft (madje sot më shumë se dje) zhdukja e çdo lloj fakti a dokumenti për të njohur të vërtetën.
8.Dhe një pyetje të fundit: Përse kushdo që e sulmoi Esad Toptanin i mëshoi rëndësisë së një pike të veçantë, sekuestrimin e pronave të tij dhe të familjes së tij? Është tepër e qartë arsyeja, mjafton të shohim realitetin e sotëm…!!
Esad Toptani filloi të sulmohej politikisht në momentin që nxorri në pah të metat e qeverisë së Vlorës, kërkoi përmirësimin e këtyre të metave, zgjedhje të reja në nivel kombëtar për Asamblenë e Përgjithshme, diskutimin e vendit të kryeqytetit të ri të shtetit, etj., e si derivat u largua prej Vlore. Me formimin e Pleqsisë së Shqipërisë së Mesme, qeverinë e Durrësit, filluan dhe një lumë akuzash politike të tjera ndaj tij dhe kësaj qeverie, të përforcuara ndjeshëm më pas nga historiografia komuniste. Por shumë prej figurave e ministrave që ishin pjesë e qeverisë së Vlorës, brenda pak muajsh gjatë vitit 1913 u larguan prej saj e u bashkuan me qeverinë e Durrësit. Përse ndodhi ky fenomen? I kishte vënë re dhe Myfit bej Libohova, Faik Konica e të tjerë shqiptarë me influencë të kohës, të metat e qeverisë së Vlorës të cilët u larguan prej saj po ashtu?
Një prej arsyeve që Esad Toptani është sulmuar prej kundërshtarëve të tij politikë, sepse janë vetëm politike sulmet që i bëhen, është lejimi i kalimit nëpër Shqipëri i trupave të mbetura të ushtrisë serbe gjatë Luftës së Parë Botërore në përkrahje të Antantës. Ky moment historik për kohën kur flasim rezulton të ketë qenë dhe tepër i vështirë si vendimmarrje ushtarake prej të vetmit ushtarak në detyrë të kohës, Esad Toptanit, aktiv gjatë Luftës së Parë Botërore me 3000 trupa të tij, i rreshtuar në krahun përendimor, me Antantën e Përzemërt. Askush tjetër nga shqiptarët që bënin akuza politike nuk kishte një formacion ushtarak e as nuk i njihte njeri në arenën ushtarake ndërkombëtare. Nga dokumentet e gjendura në SHAT (Service Historique de l’Armee de Terre) në Francë, sipas korespondencës së ushtarakëve të lartë të shtatmadhorisë franceze i kërkohet gjeneral Toptanit, aleatit të Antantës, të mundësojë kalimin e mbeturinave të ushtrisë serbe, të mbetur gjallë nga lufta ndaj austriakëve dhe bullgarëve, përmes maleve të Shqipërisë për në drejtim të detit Adriatik ku do i prisnin anijet e flotës perwndimore për imbarkim drejt vendeve aleate të Antantës. Në letrën e dërguar autoriteve franceze, gjeneral Toptani shpreh pamundësinë e kryerjes së këtij akti të kërkuar duke ditur mirë të gjitha palët sesi ishin marrëdhëniet ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve dhe se Esad Toptani nuk garantonte dot se këto trupa nuk do të prekeshin ndërkohë që kalonin në territorin shqiptar, këtë ai personalisht nuk e garantonte dot. Por francezët i kujtuan se ai kishte nënshkruar një marrëveshje aleance me ta, e se kjo gjë atij nuk po kërkohej si nder po si urdhër ushtarak sa kohë që gjeneral Toptani ishte në detyrë, nën armë, si kryesuesi për Shqipërinë në marrëveshje me Antantën. Detyra e tij nuk ishte të shprehte problemet e mosmarrëveshjet që shqiptarët kishin në Ballkan por ishte t’i bindej urdhrit ushtarak të Shtabit të Përgjithshëm të luftës ku ai vetë bënte pjesë si aleat. Nëse Esad Toptani nuk do të pranonte atëherë Shqipëria do të dilte jashtë kësaj marrveshjeje dhe fati i saj në mbarim të luftës nuk do të ishte më çeshtje për diskutim nga asnjëra palë. Pikërisht kjo gjë rezulton të jetë përdorur si akuzë nga historiografia komuniste shqiptare duke mos bërë asnjë analizë historiko-politike në kohë dhe në hapësirë lidhur me kalimin e mbeturinave të ushtrisë serbe në territorin shqiptar në atë moment preçiz historik.
Shqipëria këtë periudhë ishte kthyer në një shesh betejash të vazhdueshme. Ishte e ndarë në pjesë nën pushtimin, administrimin apo mbrojtjen e disa forcave të huaja njëherësh. Shqiptarët ishin të ndarë në krahina, grupe fetare, bindje të ndryshme në përkrahje të kësaj apo asaj ushtrie të huaj, e sidomos të paaftë për të kuptuar çdo të ndodhte më pas. Ne shqiptarët, i kemi filluar grupimet politike me ndërsyerje kundër njëri tjetrit qysh prej atëherë kur menduan se mund të bënim shtet, por kemi qenë përgjat një shekulli viktima të vetvetes e keqdashurisë ndaj Atdheut që ende sot lëngon për demokraci e drejtësi.
Qëllimet politike të tij të pasluftës Esad Toptani i ka shprehur qartë në Memorandumin që u lexua përpara krerëve të Konferencës së Paqes në Paris, kopje të cilit iu dërgua me shkrim edhe presidentit Wilson ku ndër kërkesat kryesore ishte: që Shqipëria të ruante së paku kufinjtë e vitit 1913 dhe të kishte mundësinë e mbështetjes amerikane me prezencë në Shqipëri të paktën deri ditën kur shteti i ri të mësonte të ecte me këmbët e veta në rrugën e shtetbërjes (ishte e vetmja mundësi në atë kohë për të siguruar që fqinjët armiqësorë nuk do të mësynin ushtarakisht për ta pushtuar Shqipërinë e sapo dalë, pa ndërprerje nga lufrat ballkanike në Luftën e Parë Botërore), gjë të cilën Europa nuk do ta pranonte në asnjë mënyrë. Ironi e madhe në fakt që edhe sot pas 100 e ca vitesh i kemi sytë nga të njëjtët shtete me të njëjtat kërkesa për të ndërtuar aq sa mundet nga demokracia e kërkuar e aspak e arritur!
Pra, Esad Toptani e kishte gabim atëherë kur kërkonte pikërisht këtë që kërkojmë ne sot pas 100 e ca vjetësh, ndërsa këta politikanët e sotëm e kanë mirë, kështu?
Një moment tjetër historik, i cili ende sot përmendet si akuzë është varri aktual i Esad Toptanit në varrezat e të rënëve në Luftën e Parë Botërore, në afërsi të Parisit. Përpara se të ndalem në dokumente, dua të bëj një pyetje për ata që nuk lodhen duke blasfemuar pa pasur as dijeninë e as kulturën historike minimale në lidhje me kohën kur flasim sepse gjykimet duhen bërë në kohë e në hapësirë e sigurisht referuar dokumentacionit. Kur akuzat vijnë prej politikanësh e historianësh të paguar për të mbrojtur sistemin politik komunist (një pjesë e mirë e politikanëve të sotëm janë sekretarët e djeshëm të partisë komuniste e bij të etërve të tyre) ndodh që ta paraqesin vetveten krejt transparent në injorancën e tyre historike. Por e bëjnë me vetëdije, me axhendë politike, sepse u shërbejnë atyre që nuk duan kurrsesi zbardhjen e së vërtetës së historisë tonë.
Si mund të akuzohet një i vdekur për varrin ku e varrosën të gjallët pas vdekjes??????
Kjo ka ndodhur vetëm në rastin e Esad Toptanit dhe jo për dhjetra raste të tjera figurash kombëtare që ende dergjen varrezave të Europës e më gjerë.
Esad Toptani pas vdekjes u balsamos prej një shoqërie funeralësh në Paris me kërkesë të familjes së tij, gruas dhe 3 vajzave dhe u vendos në një varrezë private përkohësisht ku qëndroi përmbi dy vjet që nga momenti i vrasjes derisa të miratohej leja e autoriteteve për kthimin e trupit të tij në Shqipëri. Leja e kërkuar u miratua prej Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe asaj të Jashtme sipas dy dokumenteve të gjendura në dy gjuhë, shqip dhe frengjisht, dokumente të datës 08.08.1922 dhe 10.08.1922 me numër dokumenti zyrtar 2033/1 dhe nr. Protokolli 1278. U ra dakord që trupi do të sillej në Shqipëri prej autoriteteve franceze e shqiptare ku do të merrej në dorëzim nga familjarët, por disa muaj pas letrës zyrtare të dërguar nga autoritete franceze, ambasada serbe në Francë kërkon që trupi të mos kthehet dhe se duhet të varroset në varrezat e të gjithë të rënëve në luftën e parë botërore si aleatë të Antantës së Përzemërt (ajo nuk është varrezë serbe, aty ka dhjetra të rënë të tjerë gjatë luftës të nacionaliteteve të ndryshme, por në rastin e Esad Toptanit dëshirshëm është spekuluar e tjetërsuar historia. Unë kam shkuar personalisht për të kërkuar të dhëna në drejtorinë e përgjithshme të funerale të Parisit pikërisht për këtë çeshtje kur shkruaja librin tim të parë “Esad Toptani dhe shqiptarët në vështrimin europian”).

Lufta e Shkodres
Lufta e Shkodres

Francezët nuk e rikthyen kurrë trupin edhe pse bashkëshortja dhe vajzat e Esad Toptanit disa herë me këmbëngulje kishin kërkuar t’u kthehej një përgjigje zyrtare me shkrim se përse kërkesa e tyre u aprovua e më pas nuk merrej më parasysh. Përfundimet logjike të çojnë vetëm në një drejtim: serbët apo dhe interesa të tjera politike do të vazhdonin të përdornin dhe të vdekurit për të futur në sherr e mosmarrëveshje të tjera ndërmjet shqiptarëve, duke përdorur të vdekurit për marrje vendimesh pas vdekjes, gjë e cila iu pëlqente dhe një pjese të shqiptarëve antishqiptarë.
Pse ka ndodhur e gjithë kjo? Duke neutralizuar njëherë e përgjithmonë edhe kujtimin e një dere të madhe të aristokracisë tradicionale shqiptare, si familja Toptani (që i ka dhënë Shqipërisë gjithçka në shekuj, djem, ushtri, pasuri, art e kulturë, politikë, shërbimin e vazhdueshëm e të pandërprerë në shekujt në mbrojtje të vendit, madje dhe selitë e para të ministrive në kryeqytetin e ri të shtetit të ri shqiptar ishin të gjitha shtëpitë e konakët e Toptansve që i liruan në dispozicion të shtetit), do e kishin më të lehtë të gjithë ata që do të uzurponin pushtetin që populli të mos mundej më të organizohej në protesta të armatosura apo protesta të dhunshme rebelimi, pra të mos kishte kush i printe. Duhet lider për të kryesuar mençurisht grupimet e mëdha e ende sot ne liderët i kërkojmë të dalë e të brumosur prej historikut komunist!
Dua të kthej vëmendjen një çast tek një libër e tek një autor amerikan që nëse do të jetonte sot do të kishte hedhur poshtë të paktën një pjesë të mirë të historisë tonë të këtyre viteve, Stephen Bonsal dhe libri i tij, dokument i rëndësishëm për Ballkanin e veçanërisht për Shqipërinë “Suitors and suppliants, the little nations at Versaille”. Përpara se ta sillja në librin tim, dhe të përkthyer e të shpërndarë tek disa miq të veçantë, kapitullin e 5 të këtij libri, ky i fundit nuk njihej në Shqipëri. Jam e lumtur që isha e para studiuese që ia bëra të njohur lexuesit shqiptar këtë libër të rëndësishëm historik për vendin tonë. Kapitulli i 5-të i këtij libri “King Nicolas of Montenegro and Essad Pasha of Albania, Black Mountain folks versus the Sons of the Eagles”, është i një rëndësie të veçantë për zbardhjen e historisë së Shqipërisë së asaj periudhe. Libri u shkrua në vitin 1922 por nuk u lejua të botohej deri në 1946 sepse shumica e dokumenteve që përmbante ishin sekret. Sot libri gjendet online por mua, kur përgatisja librin tim të parë më erdhi nga Libraria e Kongresit Amerikan, me kërkesë prej meje, sepse nuk munda ta gjeja askund tjetër.
Ajo çka shkruan të dokumentuar Bonsal, ish kolonel, diplomat prej 25 vitesh pranë Shtëpisë së Bardhë, përkthyesi zyrtar i presidentit Wilson në 7 gjuhë dhe këshilltari tij për çeshtjet e politikës së jashtme, një Henri Kissinger i kohës së tij, janë faktet të dokumentuara sesi vendosej paqja e rrejshme pas një lufte të madhe e cila duke nisur që prej rrëmujës që po bëhej me shtetet ballkanike, premtonte për një luftë të dytë edhe më e madhe se e para, fakt i shprehur ky në libër e për të cilin nuk gaboi aspak diplomati amerikan.
Stephen Bonsal është ndalur gjatë tek Shqipëria, tek vështirësitë e saj të panumërta dhe padrejtësive që po i bëheshin prej shteteve fitimtare të luftës së madhe. Ai e quan Esad Toptanin, Saladinin e kohëve moderne e ka rrëfyer të gjitha takimet e bisedat kokë më kokë me të në Paris gjatë periudhës dy vjeçare kur mbahej Konferenca e Paqes. Ai gjendej shpesh në tryeza pune aspak të këndshme gjatë kësaj periudhe, duke qenë se ai vetë kishte kaluar 15 vite në Ballkan për arsye pune, i njihte mirë ato vise, armiqësitë e tyre, rivalitetet, mendësitë fetare e krahinore e kjo i jepte përparësi për t’i shpjeguar europianëve se çfarë ishte Ballkani. Bonsal tregon se zyrtarët europianë nuk e njihin aspak Shqipërinë dhe në të njëjtën kohë vendosnin kushte për të e i caktonin ardhmërinë. Atij iu la prej Komisionit Ndërkombtar, detyra të ulte në të njëjtën tryezë bisedimesh dy krerët kryesorë të Ballkanit për kohën, Mbretin Nikolla dhe Esad Toptanin, këta dy burra të fortë, siç i quanin ai në librin e tij, për të vendosur kushtet e paqes ndërmjet tyre edhe pse kishin më shumë se 400 vjet që vriteshin mes tyre, përpara se t’i gllabëronin tokat e tyre shtetet e tjera më të mëdha. Por as Bonsal nuk ia doli në misionin e tij.
Bonsal ndalet në të gjitha bisedat e gjata me Esad Toptanin dhe tregon edhe për politikat reale të shteteve europiane ndaj Shqipërisë e Ballkanit, për interesat dhe mundësitë e Shqipërisë gjatë periudhës së zhvillimit të bisedimeve në Konferencën e Paqes, sikuse dhe lojrave politike të planifikuara në Shqipëri prej Fuqive të Mëdha të cilat nuk ndryshojnë shumë nga këto të sotmet. Esad Toptani e sqaron qartësisht Bonsalin lidhur me zhvillimet politike të viteve të para të formimit të shtetit të ri shqiptar që nga 1912, çfarë po i ndodhte popullsisë shqiptare në trojet e tyre etnike prej serbëve e grekëve, sesi e penguan ata Esad Toptanin me forcë që të shkonte të çlironte tokat tona në Shqipërinë e Jugut nga andartët vorio-epirotë, sesi kishin kërkuar ta vrisnin në shtëpinë e tij ushtarakët hollandezë të mbështetur edhe nga shqiptarë të tjerë që bënin pazare tokash shqiptare me qeverinë e Zografit në të ashtuquajturin Vorio-Epir. Sesi shqiptarët ishin të përçarë së tepërmi e sesi vetëm një superfuqi botërore mund ta mbronte e mbështeste Shqipërinë në hapat e saj të parë drejt konsolidimit të shtetbërjes. Ai ishte i gatshëm të hiqte dorë nga çdo lloj pretendimi politik, titulli a gjithçkaje tjetër nëse Amerika do të pranonte kërkesën e tij për protektoratin ndaj Shqipërisë. Bonsal i ka të gjitha të dokumentura në librin e tij. Është një libër që le mbresa të veçanta e hedh poshtë gjithçka të stisur e të keqpërdorur të fakteve historike të pastudiuara mbi baza shkencore e të manipuluara tendencionalisht në lidhje me figurën e Esad Toptanit.
Esad Toptani ka qenë një burrë i madh i kombit shqiptar. Për këtë flasin dokumentet historike kudo në arkivat e Europës, Stambollit, Amerikës por që fatkeqësisht tek ne ende nuk njihen gjerësisht, megjithëse kohëve të fundit janë bërë libra të shkëlqyer historiko-shkencorë e studimorë për të e kohën kur ai jetoi e veproi. Historia shkruhet me fakte e dokumente e jo me opinione të paguara politike. A ishte perfekt Esad Toptani? Ndoshta jo sepse dhe ai ishte njeri si gjithë të tjerët, me të metat e të mirat e tij, jetonte dhe ai me të njëjtat probleme si bashkëkohësit e tij në një periudhë tepër të vështirë për Shqipërinë. Por është e pamohueshme se ai qè për kohën e tij lideri shqiptar me më tepër influencë në Shqipëri, me një thirrje të vetme ngrinte 10.000 burra nën armë. E sigurisht kjo fuqi e tij ushtarake e politike, njohja ndërkombëtare që gëzonte, pasuria e tij familjare, mbështetja që i jepte atij e gjithë Shqipëria e Mesme deri në Dibër nuk iu pëlqente aspak një pjese të parisë së Shqipërisë së kohës. Eleminimi i tij do t’u hapte rrugën përfitimit politik të një pjese të mirë të politikanëve të rinj që synonin pozita të pamerituara, klienteliste, në kryeqytetin shqiptar. (nuk kemi ndryshuar asnjë ditë të vetme që prej 100 e ca vjetësh në këtë pikë!)
Sa kohë do të vazhdojmë të injorojmë e përbaltim figurat tonë historike, heronjtë e vërtetë të Shqipërisë, aq kohë do të vuajmë dënimin prej Zotit, të mbetemi kështu si jemi sot, pa një shqiptar në krye që ta dojë këtë Atdhe e këtë popull siç e meriton! Të paktën një falje mund ta kërkonin pseudo historianët e diktaturës e post diktaturës për mashtrimet e gënjeshtrat e thëna në seri. Qytetarisht, burrërisht, siç bënin shqiptarët e dikurshëm, njeriu e pranon se ka bërë karrierë duke shitur rrena! Dhe unë do i mirëkuptoja rrenat e tyre!
Po e mbyll këtë resume të gjatë për Esad Toptanin me vargjet e të madhit Fishtë tek “Mrizi i Zanave”:

More Toptan, me shpatë tande binde,
Nji shekull m’at majë Taraboshi,
Prap shpatën njesh e priju prap ti gjinde,
Ndenjun n’votër s’pranohet jo kodoshi.
Mblidh toskë e labë e sot për shyptari,
Qindro si i herë qindrove për Shqipni!

.

©Ervina Toptani

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.