Për t’parën herë paraqes në kët portal nji shkrimtar o ma mirë nji poet që asht përfaqësues i gjeneratës sime e që n’emnin e tij jam ndeshë qysh n’kohnat e betejave për botimin e librit të parë.
Nga biseda që pata me Vaid Hyzotin, para botimit të kësaj poeme të trishtë me fatin e mërgimit dhe raporteve prindën-fëmijë në betejën e madhe për nji botë ma të mirë, patëm mundsi me i rrëfue njeni-tjetrit nga pozita thuejse simetrike… për at rrugën e përbashkët që kemi ba n’nji kohë të vshtirë si edhe ato pikat e takimit që edhe pse n’nji kohë tejet t’vonë, në njifarë mënyre i kemi përjetue ngjajshëm. Edhe pse ai librin e parë e ka botue rreth vitit 1986, e u fol si nji talent premtues… ai krijoi njifarë armiqsie me at libër dhe masakrimin që iu ba prej “shtëpisë botuese”, sa për nji periudhë të gjatë kohe vendosi mos me botue asgja…
Ma mbas erdhën kohë tjera e Vaid Hyzoti ndërmori edhe ai ikjen prej atdheu si mjaft prej atyne që kishin besue dhe luftue me jetue në realitete ma pozitive, po që kjo mbeti si të thuesh nji andërr e trishtë. Fakt asht se Vaid Hyzoti për herë të parë ash mysafir në faqen time e që unë besoj se ky bashkudhtim mes nesh ka me vazhdue për ma gjatë…
jozef radi, 23 qershor 2022
Ikim, biri im!
Poemë nga Vaid Hyzoti
1.
Duhet të nisemi sa më parë
Në një rrugë pa kthim.
S’ka vend për ty këtu, biri im!
S’ka rënë shi, por toka është e butë,
Ne na duket se është dhé i hedhur.
Themelitë nuk po na zënë,
Çdo çast mund t’ia behin rrufetë.
Biri im, jemi të përndjekur!
2.
Shkuan rend vitet si tespihe
Edhe ti, sa shpejt u rrite!
Shih babanë: i kanë rënë flokët,
Si një gruaje me kancerin e gjirit!
Ti tmerrohesh të më shohësh dorën:
Thonjtë?
M’i morën, bir, për kullat e fildishit,
Të ngrenë kështjella disney të rreme,
Kështjella kartoni marramendëse
Që ne t’i thamë sa ishe i vogël.
Na fal, bir, për ëndrrat e kota,
Që të “gatoi” babi, mami, motra!
3.
Po prap je i vogël, ndaj s’të duan këtu,
S’ka vend për ty, se ende ke prindër.
S’të veshin dot për Irak kapotën,
Prindërit aq keq e flasin anglishten.
S’je ende gati për kostum për të rritur.
Kostumet që priten në rrobaqepësitë ushtarake,
Je ende i mitur të të varin zinxhirin
Si medalion në kakinë kollare!
4.
Të morëm në gjyq – ti vetëm 5 vjeç!
Gjyqtaren zezake e sjell ndër mend?
Të pyeti për emrin, të pyeti për moshën.
Të vështirë e kish
Të shqiptonte emrin tënd.
Të pyeti në të pëlqente këtu.
Pse serioz i the një “No” të thatë?
Të trembi zezakja me ryben e zezë,
Apo prisje të kishte lodra në gjykatë?
Si e parandjeve
Vendimin e zi që do marrë?!
Të morëm në gjyq për të pagëzuar:
Atje për ne ishte kisha e parë.
Të morëm.
Kuptove që këtu s’të duan.
Më fal, biri im, ke baba të marrë!
5.
Si të bëjmë me dhomën tënde të gjumit,
Pse ngulmon ta marrim me vete.
T’ia falim ndonjë të gënjyeri si ne,
Të paguaj avokatët e gënjeshtrave
Të tmerrshme!
Ti prap ngulmon për lodrat e shumta.
Sigurisht, dikujt tjetër t’ia lëmë përsëri!
Përndryshe dënimin do ta kemi të rëndë
Veç pse të gënjyem për të tillë fëmijëri!
Ne t’i blemë lodrat, bir, t’i blemë,
Amerika t’i mori. Por ti mos shaj,
Se të hidhen në grykë, të vrasin, të urrejnë.
Fali shqiptarët, bir, nuk kanë faj
Se janë si ne dikur, me ëndrra, me shpresë;
Pa ditur akoma – ah ëndërr e pabesë!
Fali prindërit që me lodrat vetëm të lanë,
Mos shto dhimbje për nënën dhe babanë!
Na duhej, bir, të punonim aq gjatë
Dhe ty të burgosur të linim në shtëpi!
Se mbete jetim me prindër të gjallë,
U rrite pa dhele, pa fëmijëri!
6.
Do të ikim, bir, se ku s’e dimë akoma.
E ç’të duhen lodrat, librat, dhoma,
Kur babin sapo të dalim përjashta
Një polic pa grada mundet t’i vërë pranga!
Mund të jetë kinez, italian, çifut, spanjoll,
Polak çubardhë, ose sykuq mongol,
Hundëpipë nga Xhamajka, a dreqi e di se ku,
Ka urdhër që të huajt mos t’i lërë këtu.
7.
Si thua, bir, a shkojmë nga erdhëm?
Ikim atje ku emrin ta dinë,
Të takosh gjyshen nga nëna,
Se edhe babi është përvëluar nga malli
Për prindërit e tij që jetojnë në varreza.
Se i dënova sa ishin të gjallë:
Të çova larg, përkëdhelje s’të dhanë.
E prap ne do të kërkojmë falje
Derisa të kuptosh çdo të thotë gjyshe,
Mami fshehtas do të fshehë lotin
Se do t’i duhet të punojë “përkthyese”.
S’pati kohë, bir, të rrinte me ty gjatë,
Punonim për taksa, avokatë.
Po kemi frikë se edhe atje do të trembesh,
Bombat e Gërdecit shpërthejnë çdo ditë.
Ndonëse s’do shohësh gjyqtare të zezë
Që të “pandehur” të marrë fëmijtë,
Se në vendin tonë të gjithë janë njësoj,
“Të pandehur” janë të rriturit dhe fëmijtë.
(Sa të rritesh, bir, të kuptosh nga qeveritë.)
8.
E di që malli mundet të të marrë
Për përrallat që babi i kthente në vjersha.
Për Edenin, mitin e rrallë,
Që fëmijërisë sate i gjeta…
Për Manhatanin që qiellin ka ombrellë,
Statujën e Lirisë me farin e ngritur.
Besomë mua: janë prej kartoni,
Tullumbace në qiellin e verës.
Ne t’i zgjodhëm (sa rëndë gabuam)
Të të mbushnin fëmijërinë e ëndrrës…
9.
S’pate fat për baba, more bir.
Nuk ke faj, fatin ta jep jeta.
Babin nuk e duan këtu,
Se ai flet dhe shkruan të vërteta.
Babi s’di të bindë me gënjeshtra
Dhe së zezës nuk i thotë e bardhë.
S’di pse emrin ende s’e ka ndërruar;
Mbetet i pagëzuar, mysliman!
Është shqiptar, nuk është siçilian,
Madje s’hyn anëtar i Kubesë.
S’është sheik, nuk është arabian
Që së paku të kish naftë të shesë!
Gjithsesi, ne duhet të ikim,
Jemi të huaj, pa emër këtu.
Për ty, biri im, ne harrrojmë vetveten,
Veç na trego udhën.
Të ikim,
Po ku?!
Vaid Hyzoti në pak rreshta
Vahid Hyzoti ka lindur në Ishëm të Durrësit me 1960. Studimet për letërsi në Universitetin e Tiranës i kreu më 1982, ndërsa specializimin pasuniversitar për kritikë letrare më 1986.
Ka botuar këto libra
Poezi artistike:
-Zërat e ditës së re, Tiranë, 1986
-Qyteti i të marrëve, New York 2006
-Jemi të pandehur, New York 2008
-I dënuar të qesh, New York 2011
-Kafe me djallin, New York 2013
– Dita ime – një cigare, New York 2017
Prozë
-Thashetheme të vërteta, Detroit 2002
-Fëmini e vjedhur, New York 2007
Eshtë përfshirë në disa antologji letrare me poezi brenda dhe jashtë vendit. Gjatë një periudhe 30-vjeçare ka botuar artikuj kritike, analiza e reçensione për shumë krijues në organet letrare
.