back to top
7.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Romani që të trondit me të vërtetën historike – shënime kritike – Shefqet Dibrani per romanin “Dashuri Diktatori“,

Gazeta

Xhevat Mustafa - Dashuri Diktatori - Roman
Xhevat Mustafa – Dashuri Diktatori – Roman

Romani që të trondit me të vërtetën historike

Shefqet Dibrani shënime kritike romani “Dashuri Diktatori“

Xhevat Mustafa, “Dashuri Diktatori“,
roman i karakterit historik e dokumentues, botoi Sh. B “EMAL”,
Tiranë 2021. Faqe 342. ISBN 978-9928-04-726-7.

Shefqet Dibrani
Shefqet Dibrani

Prologu

Romani “Dashuri Diktatori”, shkruar nga Xhevat Mustafa, publiçist, shkrimtar dhe ish diplomat i karrierës, është strukturuar në rrëfime të shkurtëra kronologjike, të cilat mund të botohen edhe si skica a rrëfime veç e veç. Një tmerr i tërë dhune e krimi urdhëruar nga Enver Hoxha mbi Elitën Intelektuale të kohës! Të gjithë ata që dëshirojnë të mësojnë për fatin e shumë intelektualëve shqiptarë, veçmas ata që kanë lexuar dhe janë ndikuar nga dokumentet e PPSh-së, Historia e PKSh-së dhe sidomos nga librat e Enver Hoxhës, (të cilët i kam lexuar dikur edhe vetë me pasion), ua sugjeroj ta lexojnë këtë roman, i shkruar mbi fakte e dokumente historike. Personazhet e romanit janë figura reale, sikurse edhe ndodhitë e shumta. Rrëfimi i ngjarjeve është letrarizuarar mirë e bukur, për të qenë më tërheqës dhe më i pranueshëm për lexuesin.

Bukuritë fatkeqe

Fill pas mbarimit të shërbimit ushtarak në APJ, në verën e vitit 1984, për të parën herë kam udhëtuar jashtë Federatës së atëherëshme Jugosllave. Përveç kontaktit me lëvizjet ideologjike, kryesisht marksiste-leniniste, kam pasur fatin të lexoj veprat e Enver Hoxhës si dhe dokumente të tjera dhe Historinë e PKSh-së. Në këto janë apostrofuar edhe personazhet e romanit. Ata janë cilësuar si grupe antikombëtare dhe të dëmshme për doktrinën komuniste, që ndiqte Partia Komuniste e Shqipërisë e shndërruar me vonë në Partia e Punës e Shqipërisë. Besimi im në PPSh dërmohet në Varshavë të Polonisë gjatë vitit 1987, kur për të parën herë vizitova atë vend të katandisur nga doktrina komuniste. Realiteti që pashë në Poloni, hidhte poshtë dhe çvleftësonte përfundimisht hymnizimin propagandistik, që i bëhej Shqipërisë si “vend i zhvilluar”, dhe me një popull të “lumtur”, nën qeverisjen e Diktatorit, siç thuhej në “demokracinë” e proletariatit komunist. Në anën tjetër, për mua ishte krijuar një konfuzion mbi doktrinën komuniste e staliniste, në ideologjinë e organizatave gjysëm ilegale të shqiptarëve në Zvicër dhe Gjermani. Siç dihet, qysh më 6 gusht 1940, me vendim të parlamentit, në këtë vend, është ndaluar veprimtaria e Partisë Komuniste në Zvicër, që udhëhiqej nga Franz Welti. Kurse në Republikën e Gjermanisë Federale veprimtaria e Partisë Komuniste ndalohet më 17 gusht 1956. Çuditërisht veprimtaria e “Frontit të Kuq Popullor” të shqiptarëve nga Kosova e ka nismën në vitet e shtatëdhjeta. Në ato vite, nga krerët e saj, me mburrje, u është thënë gjermanëve se koncepti stalinist për Gjermaninë është doktrina më e bukur dhe më e drejtë për ta, kur dihej se ajo bukuri fatkeqe kishte përpirë gjysmën e Gjermanisë, pas kapitullimit të saj gjatë Luftës së Dytë Botërore. Për mua ky konfuzion ka vazhduar, siç thashë më lartë, deri sa i kam vizituar disa nga vendet e Paktit të Varshavës gjatë vitit 1987. Mëpastaj kam arritur të dyshoj në ato prosperime propagandistike që vinin nga propaganda e PPSh-së. Ndërsa me ndryshimet e sistemit politik, dhe veçmas atëherë kur filloi të thuhet e vërteta për krimet dhe barbaritë e sistemit komunist në Shqipëri, doli në pah bukuria fatkeqe e sistemit totalitar. Pra, filloi të ndriçohej e vërteta për shumë personalitete dhe intelektualë, të cilët sistemi komunist i kishte burgosur me shumë vite, internuar, eleminuar dhe pushkatuar. Në këtë fokus të qartësimeve ideologjike, si ndihmesë artistike për të ndriçuar të vërteta historike e jetësore, është edhe romani i Xhevat Mustafës, “Dashuri Diktatori”.

Mesazhi dhe trajta e re e rrëfimit historik

Romani përçon artistikisht mesazhe historike. Në planin artistik, me mjaft mjeshtri janë letrarizuar pjesë të gjëra nga jeta e disa prej figurave – personazhe. Krahas këtyre është letrarizuar artistikisht edhe masakra e 26 marsit 1951 në Tiranë, ku me urdhër të Enver Hoxhës dhe nën drejtimin e Mehmet Shehut, janë pushkatuar 22 intelektualë dhe tregtarë të mëdhenj atdhetarë, mes të cilëve edhe e vetmja femër, Sabiha Kasimati. Autori ka rikthyer në vetëdije dhe me vetëdije kujtimin për tri gra të jashtëzakonshme, Sabiha Kasimati, Aurelia Terrusi dhe Musine Kokalari, jetët e të cilave e shkatërroi diktatori komunist Enver Hoxha. Veçanërisht për njohësit e asaj periudhe dhe për ato gjenerata që e përjetuan atë diktaturë, romani “Dashuri Diktatori”, është rrëfim në formë të re të historive tragjike, realizuar në formën e rrëfimit, nga Xhevat Mustafa.
Romani “Dashuri Diktatori”, pavarësisht rrëfimit artistik dhe përpunimeve të herëpashershme letrare, përcjell emocione tronditëse, qoftë për mënyrën e bukur të realizimit të syzheut, dhe për psikologjinë e krimit, që ka zbatuar diktatori Enver Hoxha, duke i zhdukur dhe eliminuar të gjithë kundërshtarët e tij. Ai i ndëshkoi të gjithë ata që mund t’i kenë ditur bëmat e tij, qoftë në Liceun e Korçës, në vitet e para të shkollimet, në Universitetin e Montpelje të Francës, për sjelljet e tij në Konsullatën e Shqipërisë në Bruksel e më vonë në Korçë, sa ishte mësues, në Tiranë dhe gjetiu.
Çuditërisht edhe sot, ajo diktaturë, ka ndryshuar vetëm formën, por jo edhe mendësinë e qeverisjes e të veprimit. Tashmë fuqia e shtetit është koncentruar në duart e tyre. Prandaj dhunimi i Elitës Intelektuale të kombit, po vazhdon edhe në ditët e sotme. Romani i Xhevat Mustafës, si strukturë tematike është tërheqës dhe me tronditje marramendëse, dhe ashtu si në histori e jetë përfundon me tragjedi.

Fobia e Diktatorit

Protagonisti kryesor i romanit është diktatori Enver Hoxha. Në tërë historinë jetësore, udhëheqëse ai ishte kontravers dhe egoist, veti karakteristike që i shpalosen edhe brenda romanit. Për të qenë më i pranueshëm, Xhevat Mustafa, nis me dromca letrare, rrëfime të shkurtëra qysh nga mosha e re, veçmas nga periudha sa Enveri ishte nxënës në Liceun Francez të Korçës. Me mjeshtri artistike janë relativizuar sjelljet e kompleksitetit që kishte Enver Hoxha qysh në atë moshë, vese të cilat vetëm sa i shtoheshin, rriteshin dhe zgjeroheshin, varshmërisht nga mundësitë që ia krijonte koha. Pasionin e tij për femra, autori e pasqyron në mënyrë psikoanalitike. Përmes kësaj linje ai do t’i zbulojë mjaft teka të tij, dhe në mënyrë të shkëlqyeshme do t’i arsyetojë edhe refuzimet e tri shoqeve të tij të moshës së rinisë. Ato nuk do të pranojnë të kenë lidhje të afërta e dashurore me një karakter përplot dyshime, por fundi i jetës së tyre përmbyllet dhunshëm dhe tragjikisht.
Ky fat e përcolli edhe Aurelian, vajzën e një italiani, i cili ishte vendosur në Gjirokastër dhe jetonte me familjen në një shtëpi fare afër me atë të prindërve të Enver Hoxhës. Derisa babai i saj punonte ndërtues dhe meremetues i shtëpive, ajo vazhdonte shkollimin në një kolegj murgeshash në Selanik. Diktatori bie në dashuri me Aurelian, e cila përveç inteligjencës, ishte edhe e bukur. Por ajo kategorikisht e ka refuzuar Enver Hoxhën, gjë që ai do të xhindoset nga ky qëndrim refuzues i saj. Po ashtu, sa ishte në Korçë, Enveri i vardisej edhe një vajze tjetër, që e kishte shoqe të klasës në Liceun Francez të Korçës. Sabiha Kasimati ishte e bukur dhe e sjellshme, kurse Enver Hoxha pa humbur kohë i shpreh dashurinë, siç dinte ai, me lajka e premtime, për t’u martuar dhe për ta bërë të lumtur. Refuzimi edhe i Sabihasë do ta tërbojë edhe më tej Enver Hoxhën. Për këtë arsye ai qysh në atë kohë ishte betuar se do t’u hakmerrej kur t’i vinte koha. I kësaj natyre është edhe raporti i tij me Musine Kokolarin, vajza gjirokastrite, e cila bashkë me familjen, jetonin në qytetin e vogël të Gjirokastrës dhe për më tepër, ishte kushërirë jo fort e largët.

Musine Kokalari (1917-1983)
Musine Kokalari (1917-1983)

Frika nga epërsia intelektuale

Pas mbarimit të Liceut francez në Korçë, Sabiha Kasimati shkon për studime në Universitetin e Torinos në Itali, në fushën e biologjisë, dega Ihtiologji, përkatësisht për studimin e pasurive nën-ujore dhe shumimin e peshqve në ujrat e Shqipërisë. Përveç studimeve, që i kreu me sukses të lartë, ajo po në Torino i përfundoi edhe studimet e doktoraturës, duke u bërë gruaja e parë shqiptare me gradën kaq të lartë në këtë fushë deficitare për Shqipërinë. Profesorët e atjeshëm do ta këshillojnë Sabihanë të mos kthehej në Shqipëri, pasi lufta tashmë ishte zgjeruar edhe në vendlindjen e saj. Por Sabihaja ishte e vendosur të kthehej dhe ashtu bëri. Me pikëpamje politike ajo ishte liberale, prandaj asnjëherë nuk e mbështeti komunizmin, por as nuk iu kundërvu hapur. Megjithatë, kudo në biseda, ajo fliste për veprimet e dëmshme, që bënte shoku i saj nga Liceu Francez i Korçës. Pa dyshim, zgjuarsia dhe epërsia intelektuale e Sabihasë e pengonte Enver Hoxhën, i cili tashmë e kishte futur në listën e njerëzve që do t’i hakmerrej. Bashkë me Musine Kokalarin do të jenë tri gratë fatkeqe, që do të pësojnë nga hakmarrja komuniste e Enver Hoxhës.
Trajtimi i figurës së Aurelias dhe Sabihasë përbëjnë pjesën kryesore të romanit, pasi edhe subjekti kishte për qëllim pasqyrimin sa më real të Ego Karakterit të Enver Hoxhës. Autori jep detaje të hollësishme, ku përmes personazhit dhe dramave jetësore të këtyre tri grave ai do të nxjerrë në pah karakterin e një individi me komplekse, deri në shkallë skizofrenie. Për shkak të fobisë që kishte nga njerëzit që e njihnin për bëmat e tij jetësore, do t’i eleminon njërin pas tjetrit, për të vazhduar karrierën e tij prej një përbindshi monstër. Para pushtetit të tij absolut Enver Hoxha nuk do të njihte mirësitë dhe ndihmat e askujt, as të njerëzve të familjes e rrethit familjar. Janë të njohura ndëshkimet e pashpirt nga Enver Hoxha të dhëndrit të tyre, Bahri Omari, burri i motrës së madhe Fahrijes. Ai, edhe pse e kishte ndihmuar për shkollim e punësim, u pushkatua më 14 prill 1945, me udhër e dijeni të Enverit, pa u prekur aspak as nga lutjet dhe lotët e të motrës, një ditë më herët. Po kështu, shpreh mosmirënjohjen edhe ndaj Abaz Omarit, djali i vajzës së axhës. Pastaj Enver Hoxha do të burgosë drejtorin e bankës italiane në Vlorë, Xhuzepe Terrusin, burrin e Aurelia Pozelit, poetin e publicistin Manush Peshkëpia, Qemal Kasaruhon dhe shumë të tjerë.
Ndëshkimeve të Enver Hoxhës nuk i shpëtoi, pothuajse asnjë intelektual që kishte studiuar në Francë, Itali, Austri, Gjermani, Kroaci e gjetkë. Me theks të veçantë kanë pësuar të gjithë ata intelektualë që i kishte fqinjë në Gjirokastër, shokë shkolle në Liceun Francez në Korçë, sikurse edhe të njohur të tjerë, që dinin për sjelljet e turpshme të tij gjatë studimeve në Montpelje (Montpellier), të Francës, dhe sa kishte punuar në Konsullatën e Shqipërisë në Bruksel.

Vetëdija e Ego Karakterit

Hakmarrja e Enver Hoxhës, jo vetëm kundër tri grave që nuk u dashuruan me atë, por të të gjithë atyre që e ndihmuan dhe e njohën, është esenca e nënvetëdijshme e romanit. Nëpërmes tre protagoisteve gra, autori ka zbërthyer tërë maninë e një diktatori, cili të gjitha i arrin falë aftësisë së tij spekulative, dhe me kalimin e kohës, është shndërruar në monstrum, në përbindësh, kundër të gjithëve që kanë mundur të shprehin mospajtime me të. Por dashuria si nocion ngërthen vetëm pjesën e brendshme aventuriere të Enver Hoxhës, pjesa tjetër është refuzimi i Aurelias, Sabihasë dhe Musine Kokalarit, që e shndërrojnë karakterin e tij në egocentrik dhe hakmarrës. Pa dyshim, romani është pasuri shumë e bukur e letërsisë së sotme shqipe, falë qasjes tematike që ka trajtuar. Mbase më duket është i pari i këtij lloji që i kushtohet veprimit dhe manisë së diktatorit Enver Hoxha. Së këndejmi autori përveç se ka qenë njohës i saktë i rrethanave duket të ketë shfrytëzuar material arikivor dhe është shërbyer edhe me rrëfime të përjetuara të të afërmëve dhe të atyre pak shokëve e miqve të Aurelias, Sabihasë e të Musinesë, të cilët i kanë shpëtuar diktaturës komuniste.
Arroganca e Enver Hoxhës, jo vetëm ndaj kundërshtarëve politikë, por ndaj të gjithëve që e njihnin, ndaj atyre që e kishin ndihmuar, po sidomos kundër shokëve të shkollës dhe studimeve, të cilëve nuk ua duronte epërsinë intelektuale e bëjnë Egon e Diktatorit specifike dhe unikale. Nga romani shihet se ai nuk ua duronte gradat akademike, që ata i kishin fituar nëpër universitetet prestigjioze të kohës. Vetë Enver Hoxha e degradoi vlerën intelektuale, duke e kthyer vendin nën udhëheqjen e çobanëve dhe individëve të kompleksuar siç ishte ai vetë. Ky karakter udhëheqësi nuk ndeshet askund në kampin socialist dhe as në udhëheqjet më primitive që ka njohur historia e njerëzimit. Enver Hoxha i posedonte të gjitha epitetet e një udhëheqësi me marrëzi të bollshme, duke persekutuar dhe ekzekutuar vajza, të cilat nuk iu kanë nënshtruar epsheve të tij qysh në rininë e tyre të hershme. Pushkatimi dhe internimi i bashkëpunëtorëve të vet ka vazhduar tërë karrierën e tij politike. Por, në roman kjo ilustrohet vetëm me rastin e Nako Spiros. Eliminimet e kundërshtarëve politikë, kualifikoheshin si vetëvrasje ose me epitete të tradhtisë ideologjike dhe të vlerave të revolucionit komunist, i cili tashmë kishte triumfuar në Shqipërinë e pas Luftës së Dytë Botërore, dhe madje karshi numrit të banorëve duhet të jetë shembull i krimit ndërvëllazëror. E nëse statistikat reale nxjerrin numrin e pushkatimeve, internimeve dhe eliminimeve ndaj Elitës Intelektuale në raport me numrin e kufizuar të të shkolluarve, që kishte Shqipëria në ato vite do të duhej diktatura staliniste e Enver Hoxhës, të hynte në Librin e Rekordeve Guiness, për krime që ia ka bërë shoqërisë dhe Elitës Intelektuale të vendit. Padyshim sundimi i tij do të konsiderohet si pushteti më diktatorial në tërë Kampin Socialist, jo vetëm në Evropën Lindore, por në përmasa globale. Këtë të vërtetë historike dhe trishtim e përjetojmë edhe nga romani “Dashuri Diktatori” të Xhevat Mustafës. Ai ka ndërtuar një roman monumental kushtuar tri grave, që kanë pësuar tragjedi nga hakmarrja e Enver Hoxhës. Po ashtu ai ka ndërtuar një piedestal artistik për 22 viktimat në natën e 26 marsit 1951, nën komandën e Mehmet Shehut dhe drejtuesit të lartë të Policisë, Arqile Derrit (emër i trilluar nga autori), ku janë pushkatuar intelektualët e pafajshëm: Sabiha Kasimati, Reiz Selfo, Zyhdi Herri, Qemal Kasaruho, Manush Peshkëpia, Pjerrin Guraziu, Gjon Temali, Zyhdi Herri, Ali Qorraliu, Petro Konomi, Thoma Katundi, Pandeli Nova, Fadil Dizdari, Hekuran Troka, Niko Lezo, Anton Delhysa, Tefik Shehu, Myftar Jegeni, Gafurr Jegeni, Haki Kodra, Mehmet Shkupi dhe Lluka Rashkoviç, (faqe 314).
Viktimat e 26 marsit 1951, deri në vitet e nëntëdhjeta u anatemuan, madje nuk iu diheshin as eshtrat, kurse për gjatë viteve të diktaturës komuniste u trajtuan si tradhtarë, antikomunistë e epitete të tjera, por e vërteta shkon në dy kahe. E para, hakmarrje e drejtpërdrejt e Diktatorit me të gjithë ata që njihej. E dyta, ishte fobia e sistemit komunist nga intelektualët, të cilët pse mbajtën qëndrim refuzues ndaj partisë komuniste ose drejtpërdrejt ndaj diktatorit Enver Hoxha, nëpërmes intrigave që i sajonin njerëzit e pushtetit, ndëshkoheshin egërsisht. Çfarëdo epiteti kundër atyre viktimave ndoshta mund të kapërdihej, por në asnjë mënyrë si bandë terroriste që paskan hedhur Bombë në Ambasadën Sovjetike në Tiranë. Për Diktatorin dhe diktaturën komuniste, Bomba në Ambasadën Sovjetike në Tiranë, ishte pretekst dhe u bë shkas për t’u hakmarrë, për t’i eliminuar edhe disa nga intelektualët që ua kishte frikën edhe vetë Diktatori. Ndërsa në anën tjetër kishte për qëllim ta shtonte frikën dhe tmerrin te pjesa tjetër intelektuale, e cila kësaj radhe i kishte shpëtuar hakmarrjes së paskrupullt komuniste.

Sabiha Kasimati - Shqiptarja e parë shkenctare
Sabiha Kasimati – Shqiptarja e parë shkenctare

Saktësia e shtjellimit dhe fati tragjik

Shtjellimi i saktë, i ndjeshëm dhe përjetues i figurës së vajzës së re italiane, siç ishte Aurelia, e cila asaj kohe jetonte në Gjirokastër bashkë me familjen e saj dhe përshkrimi aq i përafërt me realitetin, e bën romanin për t’u përjetuar, dhe për të mos u harruar shpejt. Përfytyrimet e figurës së Aurelias në romanin “Dashuri Diktatori”, janë fine, dhe të kapshme. Portreti i saj shpaloset nga rrjeshti në rrjesht dhe nga faqja në faqe, prandaj mendoj se me pak mund, kinematografia shqiptare ose ajo italiane, mund ta shndërronin këtë prozë në film, për t’i shprehur nderim familjes Terrusi dhe të gjitha viktimave të tjera italiane, të cilët bartnin të vetmin mëkat se kishin ushtruar veprimtari ekonomike dhe të biznesit në Shqipëri, kurse koha e luftës i kishte gjetur në këtë vend, nga i cili nuk nxituan të iknin, edhe kur koha shënoi fitoren e Partisë Komuniste të Shqipërisë. Për fat të keq të të gjitha viktimave dhe të vendit në përgjithësi, në krye të Partisë Komuniste u gjend manjaku, që vuante nga komplekset e inferioritetit intelektual. Prandaj eliminimi i të afërmve dhe i shumicës së gjeneratës së tij, i të gjitha grave që i kishte njohur dhe ëndërruar, ishte shndërruar në mani, kurse me kalimin e kohës iu bë paranojë, eliminimi i të gjithëve, nga të cilët ai mund të shihte ndonjë rrezik. Epshet e shfrenuara të Diktatorit dhe defektet psikike të tij, artistikisht dhe letrarisht nuk janë trajtuar asgjëkundi më bukur se në këtë roman, i cili urojmë të jetë i pari, por jo edhe i fundit, që trajtojnë njeriun monstrum, sundimtar abosolut i Shqipërisë për më shumë se gjysëmshekulli diktaturë të hekurt dhe primitive.
Nëse romani “Dashuri Diktatori”, i Xhevat Mustafës, merret me vesin hakmarrës ndaj tre grave dhe të një elite të caktuar intelektuale, vepra të tjera dhe nga autorë të tjerë, mund t’ia zbulojnë edhe veset e tjera siç janë prirja e tij homoseksuale, (shih faqe 62), dhe dyshimi për atësinë biologjike, ku pjesa e parë brenda romanit nuk është interes i trajtimit, pasi këto vese i janë përmendur në mënyrë periferike, ndërsa dyshimi për atësinë theksohet edhe nga Fahria, motra e Enverit (faqe 187). Diktatori ka pasur edhe shenja të pedofilisë, kanibalizmit, kur dihet se nëpër koluare është shkruar se janë sakrifikuar me dhjetëra foshnje për gjakun e tyre të mirë, sa për t’i zgjatur jetën atij. Gjithashtu është e njohur edhe urrejtja patologjike dhe fobia e Diktatorit kundrejt klerit shqiptar dhe kundrejt shtresës aristokrate të Shqipërisë, që nuk janë pjesë e romanit, por janë me interes për t’u trajtuar. Kjo, sepse vetëm veprat artistike e letrare mund ta shkëpusin shoqërinë demokratike nga mëdyshjet dhe nostalgjia, për një periudhë kaq të errët, me pasoja të bartura edhe në vitet e demokracisë së brishtë, e cila nuk po këndellet. Prandaj si në asnjë vend të Evropës Lindore tranzicioni nga botëkuptimi komunist në mendësinë pluraliste ka zgjatur së tepërmi në Shqipëri. Për fat të keq edhe sot ka prirje të mendësisë së dhunës, eliminimit dhe të diktaturës.
Romani “Dashuri Diktatori” është një vepër e mirëfilltë artistike në shërbim të proceseve dhe të vërtetës historike. Njëkohësisht, mund të konsiderohet një homazh artistik për Sabiha Kasimatin, Aurelia Poceli Terrusin, Musine Kokalarin dhe për të gjithë viktimat e 26 marsit 1951.

Format e hakërrimit egoist

Fatin e Aurelias, vetëm me një formë tjetër, do ta pësojë Sabiha Kasimati. Derisa hakmarrja e Diktatorit kundër italianes kap linjën e nxirjes së jetës, duke ia burgosur burrin dhe shkatërruar familjen, te Sabihaja ndiqet një linjë kriminale tjetër, e hakërrimit egoist, një urrejtje patologjike, duke mos ia duruar suksesin universitar, akademik dhe shkencor. Prandaj hakmarrja e Diktatorit përfundon me pushkatimin e saj, pa pasur mëshirë se ajo ishte e vetmja shkencëtare që merrej me kultivimin dhe shtimin e peshkut në ujrat e Shqipërisë. Po ashtu në roman shpaloset edhe një linjë tjetër e hakmarrjes komuniste të vetë Diktatorit kundrejt Musine Kokalarit, të parës grua shkrimtare që kishte Shqipëria. Kësaj intelektualeje, përveç se ia shkatërroi familjen, duke ia vrarë dy vëllezërit, të cilët ishin edhe mësimdhënës të tij, do ta përplasë e poshtrojë gjatë tërë jetën nëpër burgje e kampe internimi, pa shprehur pendim dhe pa bërë asnjë amnisti për të. Dhe sikur të ishin vetëm këto tre raste ia vlente të shkruhej ky roman. Autori ishte i vetëdijshëm se përmes këtyre tre grave kryente një shërbim edhe për gratë e tjera, që pësuan ngjashëm tragjedi tronditëse nga diktatura komuniste.

Tragjikët dhe pësimi i tyre tragjik

Një ditë më parë në duart dhe zyrën e Mehmet Shehut ishte vrarë tregtari Jonuz Kaceli, të cilin ai së bashku me një tjetër, e kishin hedhur për vdekje nga dritarja e zyrës së tij. Për të treguar mosmirënjohjen, ligësinë apo çmendinë, Enver Hoxha me të rrëmbyer pushtetin në duart e tij, kishte vrarë Bahri Omarin, bashkëshortin e motrës së madhe Fahrijes, pastaj Abaz Omarin, djalin e vajzës së axhës, që i bie nipin e vet. Në vijim, kishte vrarë dy vëllezërit e Musine Kokalarit, kurse vetë ajo kishte kaluar vite të tëra në Burgun e Burrelit. Po ashtu Diktatori kishte degdisur në burgun e tmerrshëm të Burrelit edhe Xhuzepe Terrusin, burrin e Aurelias, ish drejtor i filialit të Bankës Italiane në Vlorë. Ky personazh është ndër më tragjikët e romanit, prandaj zë vemendjen e autorit. Ai ka pësuar tragjikisht për fajin e vetëm pse ishte martuar me Aurelian. Akuzat e tjera kundër tij janë farsë dhe sajesa për të justifikuar krimin morbid. Roli i Aurelias, në këtë roman është trajtuar dinjitetshëm, si personalitet i gruas fisnike e të ndërgjegjshme, por me fat tragjik pse për shumë vite ishte fqinja e Enver Hoxhës në Gjirokastër. Refuzimi i saj për lidhje dashurie me Diktatorin në kohën e rinisë së tyre është vetëm shkas i hakërrimit të Enver Hoxhës, për t’ia nxirë jetën Aurelias së gjorë.

Dhuna si mani për vetëkënaqësi

Vetëkënaqësia, përmes dhunës dhe krimit, ishte shndërruar në mani për Diktatorin, siç përshkruhet edhe në këtë roman. Këto detaje janë përfolur në shtypin e kohës, nëpër artikuj të shumtë, po sidomos nëpërmes intervistave dhe rrëfimeve të viktimave, që kanë mbetur gjallë. Ky narracion artistik sjell në vetëdijen e shoqërisë së sotme atë kohë që ishte shndërruar në frikë e tmerr për shoqërinë, sidomos për Elitën Intelektuale.
Dashuria e Diktatorit me Aurelian është vetëm një histori dhe një rast i trajtuar me finesë e besueshmëri nga autori autori, i cili ka arritur që t’i zbërthejë disa pamje të panjohura nga karakteri i Diktatorit. Për atë djalosh të ri me urrejtje kundër të gjithëve, që nuk iu kanë nështruar veprimeve aventureske, e bëjnë edhe më paradoksale prirjen kriminale për moshën që kishte. Aurelia, është vajzë italiane, e bukur dhe e admiruar nga brezi i saj, pra edhe nga Enver Hoxha, i cili i prirë nga ambiciet egoiste dëshironte të realizonte me këtë vajzë çdo pasion dhe epsh që kishte. Ishin përpjekje të kota për ta bindur Aurelian për lidhje serioze, për fejesë dhe martesë me të. Ajo e njihte prandaj e refuzoi, gjë që do ta dëshpërojë Enver Hoxhën. Refuzimi i saj, në Egon e Diktatorit që po lindte, do të ngjallë instiktin për hakmarrje të herdokurdoshme, instikt ky që shkon duke ia sforcuar egon dhe pasionin për të dominuar mbi rrethin dhe shoqërinë e brezit, në kohën kur shkollimi dhe studimet nuk i kishin shkuar mbarë.
Lajmi për fejesën e Aurelias me drejtorin e Filialit të Bankës Italiane në Vlorë Xhuzepe Terrusi, do ta xhindosë tejmase diktatorin e ardhshëm dhe shefin e Partisë Komuniste të Shqipërisë, Enver Hoxhën, dhe si duket egoja hakërruese këtu nis fillin e deformimit të saj. Jeta e Aurelias me Xhuzepen do të përshkruhet e lumtur në ato vite. Por me të përfunduar lufta dhe me triumfin komunist, do të kthehet në ferr, pasi atëherë do të nisë kalvari i vuajtjeve të saj. Hezitimi për t’i nisur apo jo një telegram urimi, dëshirë të cilën e kishte shprehur fillimisht Xhuzepe Terrusi, është një detaj i vogël që shpreh frikën e tmerrshme që prej kohësh e kishte kapluar Aurelian (faqe 97), e cila ia njihte edhe karakterin hakmarrës Enver Hoxhës. Kjo njohje dhe frikë do të frenojë Aurelian për t’ia nisur telegramin e urimit Diktatorit, që ta uronte për triumfin komunist. E pikërisht për shkak të këtij triumfi edhe martesa e saj me Xhuzepe Terrusin do të jetë jetëshkurtër.

Triumfi komunist dhe pasojat ideologjike

Siç dihet Shqipëria përfshihet në Luftën e Dytë Botërore, kurse mbarimi i saj lidhet me triumfin komunist, me ardhjen e Enver Hoxhës në majat e pushtetit absolut komunist. Nga atje ai do të nisë hakmarrjen ndaj të gjithë atyre, që e njihnin dhe dinin shumë të vërteta diskretituese për atë. Po ashtu, hakmarrja egoiste do të nisë edhe kundër tri grave tashmë protagoniste të këtij romani. Diktatori, më parë se të vinte rendin popullor, yshtet për aventurë hakmarrëse kundrejt Aurelias, të cilës do t’ia burgosë burrin. Me burgosjen e Xhuzepes do të nisë kalvari i vuajtjeve të saj dhe këtu e ka fillimin edhe zhgënjimi i madh i Aurelias. Ngjarjet zhvillohen përplot me emocione dhe mbresa. Nëpërmjet tyre utori shpalos edhe pamje të panjohura të Ego Karakterit, që posedonte Diktatori me probleme të rënda psikike, dhe asnjëherë të një udhëhqësi normal, për të cilin kishte nevojë Shqipëria e asaj kohe. Këto ambicie hakmarrëse lidhen me një datë historike, të triumfit komunist në Shqipëri, më 29 nëntor 1944, kur Enver Hoxha, arriti të bëhej kryetar i Partisë Komuniste dhe kryeministër i Shqipërisë.
Një gjysëm viti më vonë, (më 25 mars 1945), me urdhër të Enver Hoxhës, do të burgoset Xhuzepe Terrusi, me porosinë e Diktatorit për t’ia nxirë jetën jo vetëm Aurelias, por të gjithëve që guxonin të flisnin e vepronin kundër tij. Edhe Xhuzepe Terrusi ishte viktimë e Egos së Diktatorit. Ai dënohet me tetë vjet burgim të rëndë dhe pas një kohe e transferojnë në Burgun e Burrelit. Autori ka përshkruar me ndjenjë përjetimi, përpjekjet e Aurelias për ta shpëtuar burrin e saj. Po ashtu ajo bën përpjekje për ta takuar Enver Hoxhën me shpresë se do ta zbuste shpirtin e një xhindi që tashmë gllabronte viktimat, duke i sjellë vendit zi. Po ashtu përjetuese janë takimet nga vizitat e saj në Burgun e Vlorës dhe në Burgun e Burrelit. Xhuzepe Terrusi ishte i vetëdijshëm për fundin e tij tragjik, prandaj e këshillon Aurelian për t’u riatdhesuar në Itali, të paktën ajo të mos vuante dhe në anën tjetër t’ia shpëtonte Aldon, djalin e vetëm të tyre. Këto ngjarje kanë zhvillimin e vet, dhe në secilin rast autori ka dhënë emocione të çastit e rastit, që janë përjetime të rënda dhe mbresëlënëse, pasi përmes këtij rrëfimi është sjellë në këtë kohë realiteti i hidhur, i cili errësonte Shqipërinë e asaj kohe.
Romani, përveçse rrëfen Dashuritë e Diktatorit, shpalos egërsinë e tij të pamëshirshme, qoftë në takimin e vetëm që pati me Aurelian, kundrejt së cilës është sjell si diktator, duke u arsyetuar se ai nuk mund ta ndihmonte, pasi nuk ndërhynte në punët e drejtësisë, që ushtronte Pushteti Popullor!? Enver Hoxha i thotë Aurelias se ai nuk kishte ndërhyrë në punët e drejtësisë as për familjarët e tij, të cilët i kishte ndëshkuar pamëshirshëm. Këto momente janë përjetime trishtuese edhe për lexuesin e sotëm se si ka mundësi të vinte në majat e Pushtetit Komunist një njeri kaq i pashpirt, siç u tregua Enver Hoxha me të gjithë, dhe veproi kundër të gjithëve që e njihnin dhe ia dinin bëmat aventureske të tij. Sikurse me Aurelian, Enver Hoxha, ngjashëm është sjellë edhe me Musine Kokalarin dhe familjen e saj, si dhe me motrën e tij të madhe, të cilës do t’ia pushkatojë burrin. Më në fund Aurelia riatdhesohet diku në fund të viteve të dyzeta, kurse Xhuzepe Terrusi nuk do ta përballojë gjendjen e rëndë në Burgun e Burrelit. Ai vdes në mars të vitit 1952, kurse vetëm pas tre muajsh Aurelia merr telegramin nga personeli i burgut me njoftimin se Xhuzepe Terrusi ka vdekur, pa informacione shtesë se ku dhe si ishte varrosur.

Skena nga Gjyqi Special 1945
Skena nga Gjyqi Special 1945

Hakërrimi egoist për shkak të nivelit intelektual

Historia e njohjes së Diktatorit me Sabiha Kasimatin nis qysh në vitet e shkollës, në Liceun Francez të Korçës. Më vonë Sabiha Kasimati, kryen studimet në Itali dhe bëhet shkencëtare në fushën e biologjisë. Edhe Sabihaja e ka refuzuar kërkesën e Enver Hoxhës, për t’u fejuar e martuar me të. Edhe ky rast do ta xhindoste Diktatorin e ardhshëm, i cili edhe ndaj saj ishte betuar qysh atëherë se do t’i hakmerrej. Refuzimi i Sabihasë lidhet drejtpërdrejt me njohjet që kishte për karakterin e Enver Hoxhës, pastaj ajo dinte shumë edhe për të shkuarën aventureske të tij, qysh në Liceun Francez në Korçë dhe në Montpelje (Montpellier), të Francës. Por refuzimi që Sabihaja i kishte bërë Enver Hoxhës, në vetëdijen e tij do të ndikojë në forcimin e egos, për t’ia rritur dozën e hakmarrjes së mëvonshme. Hakmarrja ndaj Sabihasë duket të jetë edhe më primitive. Derisa hakmarrja e Diktatorit kundër Aurelias kishte qëllim t’ia nxinte asaj jetën, përmes burgosjes së bashkëshortit dhe nëpërmes formave të dhunës fizike e psikologjike, hakmarrja kundër Sabihasë është e motivuar kundër nivelit të saj intelektual, pasi Diktatori nuk mund t’ia duronte sukseset Sabihasë, e cila kishte arritur t’i kryente me sukses të gjitha studimet universitare dhe akademike.
Enver Hoxha, do të arrijë t’ia shkatërrojë jetën dhe madje edhe ta pushkatojë shkenctaren e vetme që kishte Shqipëria në fushën ihtiologjisë. Ajo, me urdhër të vetë Enver Hoxhës, bashkë me 22 të tjerë do të pushkatohet në mbrëmjen e datës 26 mars 1951. Autori ka përshkruar me hollësi jetën e saj, peripecitë jetësore, shkollimin, mjekimin në sanatorium në Torino të Italisë, pastaj punën e saj shkencore dhe takimin e saj me Enver Hoxhën, të cilit do t’ia përplasë në surrat pikëpamjet e saj, përkitazi me udhëheqjen e gabueshme, veçmas për krimet monstruoze që bënte në ato vite. Sabihaja, si shoqe e Liceut Francez të Korçës, duhet të mbetet figura më tragjike e krimit komunist, e cila bashkë me Musine Kokalarin do të pësojnë për shkak te njohjeve, që kishin me Diktatorin, po më shumë për shkak të epërsisë së tyre intelektuale dhe krejt natyrshëm edhe për shkak se nuk iu kishin nënshtruar pasioneve aventureske, që kishte Enver Hoxha qysh në rininë e tij të hershme. Krimi dhe aventurat do t’i bëhen pasion i përhershëm në tërë karrierën e tij udhëhëqëse, kurse vrasjet dhe krimet vazhdojnë njëri pas tjetrit, madje ato bëhen pjesë e procesit të spastrimit ideologjik edhe brenda udhëheqjes së lartë shtetërore. Kjo ego kriminale e drejtuesit të partisë dhe të shtetit e kanë shëndërruar atë në monstrum dhe në kanibal, veçmas për shkatërrimin e familjeve të shumta intelektuale. Ato kishin të vetmin faj pse ishin intelektualë dhe nuk iu ishin nënshtruar diktaturës komuniste, e cila tashmë bënte kërdinë mbi secilin individ që guxonte të mendonte ndryshe.
Kur jemi te Sabihaja duhet përmendur koha e Studimeve sa ishte në Torino, këshillat e dekanit të fakultetit, (faqe 114), vallëzimet me Enrikon, një studenti italian, i cili pastaj kishte sakrifikuar për të ardhur në Shqipëri në kuadër të kontigjentit ushtarak italian, që vepronte në Shqipëri, për ta bindur Sabihanë për sinqeritetin e tij, (faqe 124-126). Gjatë këtij shërbimi, në një aksident ai do të humbasë sytë, kurse jeta e tij merr tjetër kahe, (faqe 131-132). Ky detaj është mjaft prekës dhe përjetues. Po kështu, edhe vizita e Sabihasë sa ishte në sanatorium, kur ajo do ta vizitojë Enrikon e verbër në shtëpinë e tij. Ai takim është rrëfyer me ndjenjë dhe posedon nota tejet prekëse, (shih faqe 144-149). Po aq interesant duket edhe njohja me shkrimtarin Manfredo Bernardini, në kohën sa ishte për shërim në atë sanatorium, (faqe 133-144). Po me kaq nota lirike janë përshkruar edhe raportet e Sabihasë me të fejuarin e saj Astritin. Një personalitet i qetë, intelektual i formuar që me sjelljen e tij i kishte krijuar asaj çaste të lumtura, telin e të cilave e këputi hakmarrja e Diktatorit, kur e pushkatoi Sabihanë si “armike e popullit”, duke dëshmuar për mizorinë e pashpirtshme që kishte ndaj të gjithëve, që nuk iu kanë nështruar diktatit të tij komunist.

Rreziku që mund t’i vinte nga ata që e njihnin

Në kuadër të këtyre eliminimeve, vend me rëndësi në romanin e Xhevat Mustafës zë edhe rasti i poetit dhe publicistit Manush Peshkëpia, sidomos në vitet pas triumfit komunist në Shqipëri, deri në pushkatimin, tashmë të njohur në vitin 1951. Gjithsesi mbresa të përjetuara dhe njëkohësisht edhe të trishta janë ato në natën e fundit para se t’i pushkatonin, siç është biseda e Sabihasë me Reiz Selfon ose me Qemal Kasaruhon dhe të tjerët. Të gjithë këta emra bashkë me tregtarin Jonuz Kaceli i mbytur një natë më parë nga Mehmet Shehu, kanë pasur njohje të drejtpërdrejta me Enver Hoxhën, në periudha të ndryshme, madje disa sish edhe e kanë ndihmuar. Por për Diktatorin kjo s’kishte rëndësi, pasi fobia e tij kishte krijuar paranojën se rreziku mund t’i vinte pikërisht nga njerëzit që e njihnin, prandaj të gjithë i pushkatoi më datën 26 mars 1951, duke gjetur pretekstin e hedhjes së Bombës në Ambasadën e Sovjetike në Tiranë, që kishte ndodhur, më 19 shkurt 1951.

Arti letrar flet për të vërtetën historike

Ky përceptim letrar e artistik lidhet drejtpërdrejt me të vërtetën historike, si dhe me realitetin e kompleksuar të Enver Hoxhës. Lidhet me urrejtjen e shëmtuar, e cila nga fobia i ishte shndërruar Diktatorit në ves me përmasa patologjike. Xhevat Mustafa, ka përdorur me mjeshtri faktet historike, njohjet me të afërmit e disa prej viktimave dhe shfrytëzimin e arkivave shtetërore, gjë që si askush tjetër ka arritur t’i letrarizojë si duhet ngjarjet, për t’u përjetuar kjo prozë artistike sa më mirë.
Ngjarja me Bombë në Ambasadën Sovjetike në Tiranë, e cila ka ndodhur më 19 shkurt 1951, dhe pushkatimi pa procedura të rregullta gjyqësore të 26 marsit 1951, e bëjnë rastin historik edhe më tragjik, i cili tash vjen në mënyrë artistike në romanin “Dashuri Diktatori”, si rrëfimi më i përjetuar për hakmarrjen komuniste ndaj Elitës Intelektuale. Fati i këtij krimi, i cili u mbulua me heshtje, madje duke bërë përpjekje për t’ua humbur edhe gjurmët, do të zbulohet vetëm pas dyzet e ca vitesh, në saje të një bariu (Xha Bedriu), që i ka përgjuar në natën e errët dhe të punëtorit teknik (Eskavatoristit), i cili të nesërmen duhej të rrafshonte terrenin për t’i fshehur e mbuluar të gjitha gjurmët. Edhe ky detaj është mjaft interesant dhe përjetohet thellë, sikurse edhe përpjekja e Aldo Terrusit, i biri i Xhuzepe Terrusit i cili as pas shtatëdhjetë e sa vitesh nuk ka arritur t’i gjejë eshtrat e babait tij, të groposura diku në oborrin e Burgut të Burrelit, që mbetet epilogu më tragjik i këtij krimi, i kësaj barabarie në romanin “Dashuri Diktatori” të Xhevat Mustafës.

Epilogu

Mund të përfundojmë se Enver Hoxha ka vuajtur nga fobia e përhershme e të kaluarës aventureske që kishte, prandaj të gjithë të njohurit i ka pushkatuar, internuar dhe eliminuar për t’i fshehur gjurmët e tij, të cilat duken se përfaqësojnë udhëheqësin me komplekse të pashërueshme, shndërruar në mani. Nga kjo që thamë, mund të përfundojmë se Diktatori i Dashuruar, nuk ka mundur të mbajë pushtetin e vet diktatorial pa vrasje dhe krime makabre, andaj është shndërruar në kanibal, elemente të cilat janë përfolur edhe në dokumente të tjerë. Ai ishte vetë xhindi që përpiu tërë mirëqenien e Shqipërisë, pasojat e së cilës po i përjeton edhe sot e kësaj dite shoqëria shqiptare.
Autori Xhevat Mustafa, përmes këtij romani të bukur, tronditës dhe emocionues ka synuar të arrijë e të rikthejë, artistikisht, për aq sa ka mundur, të kundërtën e asaj urrejtjeje, që kishte kultivuar diktatori Enver Hoxha!

Shefqet Dibrani CH – St. Gallen, 19 qershor 2022.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.