back to top
7.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024

Letër e t’Munguemit poezi prej Vinicius de Moraes (55 Poezi)

Gazeta

Vinicius de Moraes 1913-1980
Vinicius de Moraes 1913-1980

Letër e t’Munguemit

poezi prej Vinicius de Moraes

marrë nga libri 55 poezi – në shqip nga Jozef Radi

Miqtë e mi,
n’se gjat largimit tim, rastësisht vreni se asht tue kalue
e dashtuna jeme,
mbajeni frymën të tanë. Mandej
drejtojuni pafundësisë. Ajo ka me hecë
si nji somnambule, mbështjellë n’nji brerore
trishtimi, e sytë e saj
kanë më vrejtë veç mungesën teme. E ajo ka m’u shfaqë
e verbër ndaj kujdo që s’asht e jemja dashni (ajo e parrfyeshmja
dashni që jeton ndry mbrenda meje si n’nji burg
tue ndjekë veç hijen e vet).
N’se do t’jetë mbramje, i bleni e i shpuploni do drandofille
çapimit t’saj të trishtuem, e n’se mundeni
provojeni njat cantus primus. Trafiku krejt le t’ndalet
e boritë le t’heshten, le t’ndihet sa ma gjatë
njajo fërfërimë e hapave t’saj. Ah, mor miqtë e mi
puthitni duert që çdo qenie a hyjni t’lutet
për fatin e s’dashtunës seme të bukur
gjat largimit tim, pse jeta e saj
asht jeta jeme, e vdekja e saj vdekja jeme. N’se asht e mujtun
lshoni do pllumba të bardhë n’masë të mjaftë,
me krijue përreth saj
njat dritën e ambël dalldisëse. E n’se diku rreth do t’jetë
ndoj hi-fi, le t’jehojë “Nokturni në si bemol” i Chopinit;
e n’se befas
ajo nis m’u përlotë, oh ia mblidhni
njata lot’t ndër shishe t’vogla o sfera
e m’i nisni rregullisht me postë diplomatike.

55 Poezi Vinicius de Moraes - shqipëroi Jozef Radi
55 Poezi Vinicius de Moraes – shqipëroi Jozef Radi

Miqtë e mi, vllaznit e mi (e krejt
ju që e doni poezinë teme)
n’se ju rastis me vrejtë tue hecë të dashtunën teme
e shejtnoni me vargjet e mia. Ajo, shalue do t’jetë mbi ndoj re
mbulue n’nji brerore trishtimi
me njat zemër si pasqyrë drite. Asht bash njajo
çka s’e besoja se mundesh me lindë
prej dëshprimit tim pse s’mujta kurrë me e takue. Asht bash njajo
për t’cilën hecin kambtë e mia,
për t’cilën janë krijue krahtë e mi,
asht bash njajo që e dashuroj n’tempullin tim
edhe kam me e dashtë n’përjetsi teme – e dashtuna
e vetme edhe e pashoqe n’botë. E bash për kët
vazhdoni n’urtsinë ma të thellë: që ajo
mos m’e ndje njat shtegtimin e saj, pse veç tjerash, kjo
m’ofron edhe sigurinë ma t’madhe. Do t’ishte pa ma t’voglin dyshim mjaft e drejtë
n’se s’do t’lëvizte fare, që n’njifarë mnyre
me i shmangë rreziqet që lidhen me ligje t’gravitetit
e me Momentum-in e trupave, e mbi tana ato që dëshmojnë
gabueshëm reflekset njerzore. Do t’ishte tejet e parapëlqyeme
ajo me mbetë mbyllë n’nji kat përdhesë brenda mureve
t’nji mjedisi t’kaltërt paqeje e muzike. Oh, shmangeni
doemos drejtimin e makinës netve tue ekspozue t’papritunat
e çmendunisë së kohnave. Ruejeni të dashtunën teme
prej të këqijave të tmerrshme të kësaj mungese
me muzikë e quantile.* Mendoni tash e gjithmonë
për mue që endem n’kotsi larg saj
ndër kopshtet e natës së pasionit
e trishtimit ma t’thellë. Mbrojeni, miken teme
prej gjithçkaje që hecë, që fluturon, që vrapon e noton; e mos harroni
se duhet m’u takue patjetër, e për kët
asht e domosdoshme me qenë të plotë, pse
rreziqet janë aq t’pafundme, sa edhe dashnia ma e madhe befas
gjithçka mundet me e ba t’brishtë jashtëzakonisht, jashtëzakonisht t’brishtë!

Montevideo, korrik 1958

*quantil – meprobamato, farmaco ansiolitico

Related Images:

More articles

2 KOMENTET

  1. Elda Filipeu
    Gjithmone kthehesh te poezia… në të tëra format e saj! Ti affascina të bashkosh në pak vargje, shumë vende, shumë mendime… emocione. Dhe e jeton poezinë si udhëtar, me spektër aristokrat… duke iu rikthyer, përsëri e përsëri… për ta prekur, për ta rizbuluar, thellë… deri në detaje… Dhe kjo më pëlqen shumë!!
    Ke shkruar për de Moraes edhe vite të shkuara, dhe kam lexuar disa nga poezitë e tij të përkthyera nga ty, dhe me kane entuziazmuar! E dua edhe unë! muzikaliteti i vargjeve, sensibiliteti, delikatesa e tij, il suo gusto di amare!?
    Jozef i dashur,
    urimet e mia më të mira për librin! “La vita è l’arte del incontrò!” thotë Vinicius dhe libri yt është një shans për ata që do ta marrin ta lexojnë, për t’u takuar me poetin, in una storia “tra sogno e verità!?”

    Jozef Radi
    Elda Filipeu de Moraes është një kapitull i rëndësishëm në jetën time Një stacion që edhe kur largohem kthehem sërish… Në 20 vite me të asnjëherë s’e kisha menduar ta trajtoja si një libër për të tjerë, po si një libër për vete… Ai edhe kur do t’i ikë dashurisë e te merret me gjëra të tjera, sërish aty del… Kjo më ka habitur edhe pse vende-vende i del ajo tendenca e majtë, që unë e kam shpërfillur, sepse poetët e mëdhenj e kanë pasur edhe këtëdell iluziv brenda tyre, së paku këta të shek. të XX.
    Të falenderoj Elda! Por ajo çka më ka bërë më shumë për vete është shpirti i tij muzikor, poezia e tij në vetvete është muzike, e unë jam munduar që kët thelb të tijin ta sjell në shqip, e për këtë një dorë ma ka dhënë gegnishtja… ajo e ambla, qytetarja e rafinuemja!
    Të qafoj fort e të uroj çdo të mirë, përmes de Moraesit!

    Kazanova Aliaj
    Elda Filipeu oh sa bukur e saktë e vërtetësisht ishte ky shkrimi yt bukur.. e shijova shumë bukur një analizë e shkurtër, klas për një punë të Jozefit, po ashtu klas… bukur??!
    Një nga shkrimet me bazë artistike dhe shpirtrore me muzikalitet të ndjerë që kam lexuar gjatë kohës, shumë bukur, kjo më jep emocion sepse ka klas ke dalë përtej të zakonshmes, sepse ke përmbajtje mbrenda vetes, bukur…!

  2. Edhe nji tjetër punë fort e dashtun që m’ka marrë kohë pafund, po edhe m’ka dhurue emocione të pafundme asht poezia e brazilianit Vinicius de Moraes, të cilin prej ditës së hanë mund ta gjeni në libraritë kryesore të kryeqytetit…
    Si nji popull i mbrujtun me urrejtje, de Moraes, asht dritë, dhimbje, përkushtim e dashni, dashni e pakufi… Mbas leximit të de Moraesit, un besoj se shpirti i çdo lexuesi riformatohet… se’paku un prej thuejse njëzet vitesh e mendoj kështu dhe kështu po e përcjell… mandej secili prej jush asht në të drejtë të vet me mendue si ai e ndjen…
    Udhëtim të mbarë librit të dytë të Kolanës 55 poezi, e lexim të kandshëm kujtdo që merr guxim me e pasë në bibliotekë t’vet…
    jozef radi, 25 qershor 2022

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.