“Dialog në ferr ndërmjet Makiavelit dhe Monteskiesë”
nga Maurice Joly
Një politikan i aftë, gjakatar, pa asnjë ndjenjë atdhedashurie, kombëtare e humane, e dini çfarë bën për të marrë pushtetin ose për ta mbajtur atë? Mbështetet tek populli, kjo është abc-ja e çdo uzurpatori të pushtetit. Është forca e verbër që të jep mundësinë të bësh gjithçka pa u ndërshkuar, është autoriteti, është emri që mbulon çdo gjë që ky politikan apo prijës partiak ka bërë në të kaluarën e tij të errët e të përgjakshme. Populli, kur ka rënë prè e qeverisjes që ka sjellë shkatërrim ekonomik, juridik e intelektual është i zënë në kurth e për të dalë nga kjo gjendje dëshpëruese është i aftë të rikthejë në pushtet çdo gjakatar që e ka poshtëruar e dhunuar më parë, vetëm për të shpëtuar nga gjendja ku ndodhet. E tashmja zëvendëson njëherësh të shkuarën e të ardhmen!
Të gjithë politikanët e paskrupullt ua kalojnë pushtetin po njëri-tjetrit. Ata aderojnë në parti të ndryshme politike, janë kundërshtarë politikë të njëri-tjetrit për sy e faqe, por janë faqe e njëjtë e së njëjtës medalje. Kështu në dekada sigurojnë pandërshkueshmërinë e tyre, mbrojnë pasuritë e vjedhura të shoshoqit e garantojnë pushtet të përhershëm nëpërmjet rotacionit një herë njëri në fuqi e pastaj tjetri. E rëndësishme është të mos dalin forca të reja politike të pakontrolluara prej tyre, por vetëm flluska të tilla të sajuara po prej tyre. Populli do të mbetet peng i tyre përgjithmonë duke besuar se askush tjetër nuk është i aftë të sjellë liri, drejtësi e begati përveç atyre që tashmë njeh, por që realisht janë xhelatët e popullit. Kjo u ndodh vetëm popujve të cilëve ua kanë zhbërë kujtesën kombëtare e bashkë me të dhe atë politike, diktatorët e prijësit e mëparshëm. Diktatorët e rinj e gjejnë terrenin të gatshëm e të pastruar më së miri për mbretërimin e tyre të përhershëm.
Libri “Dialog në ferr ndërmjet Makiavelit dhe Monteskiesë”
Autori – Maurice Joly botuar në 1865, Bruksel
Shkëputi e përktheu nga frengjishtja Ervina Toptani