Në vitin 2017, Ermira Xhomaqi – Godo, kishte mbledhur një material të bollshëm për të botuar një libër kushtuar gjyshit të saj, figurës së nderuar të Abdulla Ramit… Mbasi e lexova dorëshkrimin, vërejta një punë e shkëlqyer, me dokumente, foto, udhëtime nëpër vende ku gjyshi i saj kishte jetuar, udhëtime nëpër burgje ku kishte vuajtur, intervista, biseda me të afërm e të njohur të tij… informacione nga institucione në Francë, Kosvoë, Shqipëri po edhe arkivat e familjes, një punë e pashëmbullt e një mbese që përbën një libër më vete, se si ajo ia doli ta ringjallte Gjyshin e saj, njeriun e dashur që asaj i kishte venë edhe emrin, por nuk arriti ta gëzonte, sepse ai vdiq mjaft herët, ende pa mbushur e mbesa nji vjeç e gjysëm…!!!
Libri u botua dhe u promovua në shkurt të 2018, dhe qe një sukses i vërtetë… dhe një ndër dëshmitë më sublime të dashurisë së një brezi, për atë brez që kishte pësuar aq padrejtësisht katastrofën e një diktature që askush s’e kishte parashikur të Keqen që do të prekte…
Në kët fragment të librit sjellim edhe dosjen e diktatorit, në Universitetin e Montpellier-së ku qe regjistruar dhe aq shumë trumbetuar, me faktin se aty s’ka asnjë notë dhe asnjë provim të dhënë… dhe me të drejtë autorja shtron pyetjen: A mos ishte kjo një arsye thelbësore për të masakruar të gjitha ata që shkëlqyen jo vetëm në universitetet e Francës po të gjithë Europës?!?
Lexojeni dhe gjykojeni vetë…!
jozef radi, 10 korrik 2022
Fati i mjaft nga bashkëliceistët e Diktatorit
.
nga Ermira Xhomaqi – Godo
.
“Përtej Harrimit” – Botime ISKK 2018
.
Në hyrje të Fakultetit të Drejtësisë, në Montpellier ndodhen dy auditorë ku leksionet mund të ndiqen në mënyrë fakultative; madje në to mund të asistojnë edhe jo-studentë.
Zura vend diku aty nga fundi e fillova të merrja shënime. Kishin kaluar plot 80 vjet që prej fillimit të studimeve të tim gjyshi në atë universitet.
Shumë kohë ka rrjedhur prej atëherë…
M’u shfaq përpara syve në ato banka imazhi i tij tronditës e i qartë, ashtu si imazhi i dhjetëra e dhjetëra studentëve shqiptarë të etur për dije e kulturë, të cilët kishin lënë pas familjet e tyre, vendlindjen e atdheun e tyre dhe ishin nisur në atë rrugëtim, drejt atij qyteti krejt të panjohur, drejt atij universiteti aq të ëndërruar…
Ishte një drithërimë besnike emocionesh, e cila ndiqte vitet e shkuara, jetën e kujtimet mbetur pas – jo pak herë të shkruara e të transmetuara me idenë e kamuflimit e të gënjeshtrës, si një mënyrë kirurgjikale maskimi, për të heshtur përballë së vërtetës…
Sepse shumë të rinj shqiptarë studiuan në ato vite në mbarë Francën: në Montpellier, Paris, Toulouse, Grënoblë, Lyon etj, duke krijuar atë plejadë të çmuar të elitës shqiptare në ato vite, por ëndrra e tyre për një mëmëdhe ndryshe, do të zhytej shpejt e dhimbshëm në terrin e një sistemi totalitar, në greminën e diktaturës. Pjesa më e madhe e atyre të rinjve, kishin mbaruar Liceun Francez të Korçës, i cili prodhoi asokohe një kontigjent të rëndësishëm frankofon në Shqipëri. Kjo edhe për faktin se vetëm studentët që kishin mbaruar atë lice, pranoheshin pa kryer studime plotësuese në universitetet franceze dhe integrimi i tyre në to ishte i menjëhershëm: nga 265 liceistë që kishin mbaruar në vitin 1939 Liceun Francez të Korçës, 105 prej tyre shkuan për studime universitare në Francë.
.
***
E ndërsa për disa prej tyre jeta pasuniversitare fillimisht vazhdoi një rrjedhë relatisht të patrazuar e të qetë, për shumë të tjerë vorbulla e saj i përthithi në një tragjedi të vërtetë. Tragjedi kjo e mbarsur me ideologjinë bolshevike të Lindjes dhe konceptin stalinian diktuar në atë periudhë Shqipërisë nga Enver Hoxha, një ish-liceist i Liceut Francez të Korçës, i cili u kaloi tangjent studimeve të tij për biologji në Montpellier.
Dosja e tij Universitare – e bashkëlidhur në versionin e saj të plotë të dokumenteve origjinale – ruhet ende sot në arkivat Departamentale Herault të këtij qyteti, në fondin e arkivave te Fakultetit te Shkencave të Natyrës, në regjistrin me numrin: 15 ETP 20439.
Në dosjen e Hoxhës nuk figuron asnjë notë dhe asnjë vit universitar i përfunduar.
A mos ishte vallë ky dështim i Hoxhës, shkaku i armiqësisë së tij të thellë kundrejt shumë prej bashkëstudentëve të Montpellier-së, të Francës dhe bashkëliceistëve të Liceut Francez të Korçës?!?
Ja një parashtrim…
.
***
-Abaz Omari, u diplomua për Drejtësi në Shkencat Juridike në Montpellier, u kthye në Shqipëri dhe u emërua jurist në Ministrinë e Financave. Pas vendosjes së komunizmit në Shqipëri, ishte nga të parët që u vra me urdhërin direkt të Enver Hoxhës.
-Abaz Ermenji, i njohur për veprimtarinë e tij politike, filozofike dhe letrare. Pasi studioi në Fakultetin e Letërsisë në Sorbonë, me specializim në histori, ai u kthye në Shqipëri dhe, në vitin 1938, u emërua profesor në Liceun Francez të Korçës. Pas vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, detyrohet të largohet nga atdheu dhe mori rrugën e gjatë të mërgimit. Ermenji u vendos në Paris ku drejtoi Komitetin Kombëtar Demokrat “Shqipëria e Lirëˮ, i cili ka kontribuar në luftën dhe përpjekjet kundër totalitarizmit të vendosur në Shqipëri.
-Gjergj Kokoshi, i lauruar për letërsi në Paris. Në vitin 1945, u emërua ministër i parë i Arsimit i qeverisë komuniste. Me 23 janar 1946, edhe ai do të përfundonte në Burgun e Burrelit, si opozitar i regjimit, ku edhe vdiq në vitin 1960.
.
-Sabiha Kasimati, vajza e parë shqiptare e diplomuar në Liceun Francez të Korçës, bashkëliceiste e Hoxhës, përfundoi studimet e larta në Fakultetin e Shkencave Biologjike në Universitetin e Torinos, në Itali. U arrestua në vitin 1951, pas incidentit të bombës në Konsullatën Sovjetike në Tiranë. U pushkatua pa gjyq, më 26 shkurt 1951, së bashku me 21 intelektualë të tjerë.
-Abdulla Rami, bashkëliceist e në të njejtën klasë me Hoxhën në Liceun Francez të Korçës, i lauruar në jurisprudencë në Universitetin e Montpellier-së. Arrestohet në dhjetor të vitit 1944, vuan 18 vjet burg në birrucat e Burrelit dhe vdes në internim.
-Qenan Dibra, i cili pas mbarimit të Liceut Francez të Korçës përfundoi studimet e larta në fakultetin e Drejtësisë në Sorbonë, e më pas shërbeu si atashe në Legatën Shqiptare në Paris. Arrestohet në vitin 1946 dhe pushkatohet së bashku me 6 shokë të tjerë.
-Hilmi Hysi, i pushkatuar në moshën 35 vjeçare. Pas pëfundimit të Liceut Francez të Korçës, në profilin e filozofisë ai diplomohet në Fakultetin Juridik të Sorbonës dhe pas kthimit në atdhe shërbeu si Gjyqtar Paqtues në Burrel, Berat e Tiranë. Arrestohet në gusht të vitit 1947, për “veprimtari kundër regjimit” të sapoardhur në pushtet dhe pushkatohet në janar të vitit 1948.
.
.
-Foto Bala, pas Liceut Francez të Korçës, studioi filologji dhe filozofi në Universitetin e Montpellier-së. Pas kthimit në Shqipëri, emërohet mësues i filozofisë dhe i gjuhës frënge në Liceun Francez të Korçës. Arrestohet menjëherë pas zgjedhjeve të vitit 1945 dhe dënohet me burgim të përjetshëm, nga të cilat vuajti 17 vjet. Atëherë ai i shkroi një letër Enver Hoxhës, shokut të liceut, ku e kritikonte për veprimet e tij dhe si pasojë e kësaj familja e tij u dergj në internim.
-Hasan Rami, bashkëliceist me Hoxhën në Liceun Francez të Korçës, kujdestar konvikti në vitet 1927-1928 në Liceun Francez, më pas drejtor shkolle në Krujë e në Vlorë. U arrestua në vitin 1945 dhe vuajti 10 vjet burg. Vdiq në internim, pa asnjë pension të akorduar.
-Myslim Çarçani, një nga liceistët më të talentuar në matematikë në Liceun Francez të Korçës. Shërbeu si kryetar komune në disa qytete të vendit. Gjatë luftës, edhe ai u përfshi në Organizatën e Ballit Kombëtar të Delvinës. Më 15 prill të vitit 1945, arrestohet për veprimtari antikomuniste dhe prangoset. Dënohet me vdekje, por dënimi i tij u kthye në burgim të përjetshëm dhe së fundi vuajti 7 vjet në burgun e Burrelit.
-Nedin Kokona, diplomuar në jurisprudencë, në universitetin e qytetit Toulouse në Francë, dënuar menjëherë pas çlirimit si “armik i pushtetit popullor” me dhjetë vite burg dhe i internuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit;
-Isuf Luzaj, një nga figurat e njohura të Ballit Kombëtar në kohën e luftës, i cili studioi gjithashtu në Sorbonë, punoi më pas si mësues në liceun e Korçës së bashku me Enver Hoxhën dhe megjithëse u detyrua të largohej nga Shqipëria, e vazhdoi aktivitetin e tij politik e intelektual deri në fund të jetës së tij.
.
-Sulo Klosi, i diplomuar për inxhinieri minierash në Strasburg. Regjimi i Hoxhës e akuzoi për bashkëpunim me agjenturat anglo-amerikane dhe për lidhjet e tij me ish-eksponentët e Ballit Kombëtar. Klosi u arrestua së bashku me një grup intelektualësh, të cilët u quajtën “grupi i deputetëve” dhe u ekzekutua me varje në litar në mes të qytezës së Rubikut në tetorin e vitit 1947.
-Enver Zazani, pas studimeve për mjekësi në universitetin e Lyon-it në Francë, u kthye në Shqipëri. Ai u lidh në ato vite me lëvizjen Nacional Çlirimtare dhe u zgjodh deputet pas zgjedhjeve të para në Shqipëri. Por nuk vonoi shumë dhe në vitin 1947, u pushkatua me “Grupin e Deputetëve” për idetë e tij perëndimore.
-Jusuf Vrioni, diplomati dhe përkthyesi i talentuar, i diplomuar në “École des Hautes Études Commerciales” (HEC), një nga shkollat më me emër në Paris. U arrestua në vitin 1947, dhe përfundoi në qelitë e burgut të Tiranës. Mundi t’i mbijetojë diktaturës, por nuk u vlerësua asnjëherë për vlerat e vërteta që mbarti dhe mishëroi gjatë gjithë jetës së tij. Ishte pikërisht mendja dhe talenti i tij i rrallë prej përkthyesi që kushtëzuan ndjeshëm suksesin e veprave të shkrimtarit Ismail Kadare, të botuara në Francë.
-Mit’hat Aranitasi, studioi për drejtësi në Francë, u arrestua dhe u burgos në vitin 1945. E kaloi gjithë jetën në burgje dhe internime.
-Andre Xega, kishte studiuar për inxhinieri minierash në “Ecole Nationale Superieur des Mines” në Saint-Etienne dhe në Paris. U dënua me vdekje në vitin 1948 nga Enver Hoxha, por nuk u ekzekutua.
-Aleko Turtulli, pas mbarimit të Liceut Francez të Korçës, përfundoi studimet në shkollën e Lartë të Tregtisë në Montpellier. Pas kthimit në atdhe ai i kushtohet marrëdhënieve tregtare, por shumë shpejt arrestohet dhe burgoset për “veprimtari armiqësore” e vuan 10 vjet në burgjet dhe kampet e punës
-Adem Beli, pas mbarimit të Liceut përfundoi studimet e larta për agronomi në Toulouse. Pas kthimit në atdhe, me titullin e inxhinierit agronom, ai shërbeu si Drejtor i Përgjithshëm i Bujqësisë në Ministrinë e Ekonomisë dhe aderoi në Organizatën Balli Kombëtar. Arrestohet në vitin 1946, me grupin e deputetëve dhe dënohet me 20 vjet burg nga të cilat vuajti 8 vjet.
-Mustafa Kadilli, bashkëliceisti i Hoxhës në Liceun Francez të Korçës – pushohet nga puna si mësues për motive politike dhe megjithëse në një gjendje shumë të rëndë shëndetësore, detyrohet të punojë punë krahu të rëndomta.
-Kostaq Stefa, studioi gjithashtu në Institutin e Magjistraturës, u dënua dhe u pushkatua prej regjimit në vitin 1948.
-Petrit Hoxha, një nga studentët e veterinarisë në “Maison Alfort”, pranë Parisit, i cili madje punoi në vitet ’30 edhe dy vjet në “Institutin Pasteur”. Pas vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, u dënua me 12 vjet burg.
–Niko Lezo, diplomuar në Toulouse për shkencat e natyrës, krijoi laboratorin e parë kimik në Shqipëri. U pushkatua në vitin 1951.
-e të tjerë e të tjerë…
.
Historia e tyre më sjell ndërmend një shprehje të famshme të Hugo-së që thotë: “Rruga e dijes shpesh kalon mes qelive…” madje edhe më tej, në Shqipëri për mjaft nga bashkëstudentët e Hoxhës, ajo kaloi përmes tragjedive…
Foto dhe fragment shkëputur nga “Përtej Harrimit” – Ermira Xhomaqi-Godo – Botime ISKK 2018
.