back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 15 Nëntor, 2024

Sigurimi s’u ndal asnjë çast për ta çuar deri në fund rrënimin e fisit tonë – nga Bedri Blloshmi

Gazeta

Bedri Blloshmi Bërzeshtë, 17 korrik 2022
Bedri Blloshmi Bërzeshtë, 17 korrik 2022

Sigurimi s’u ndal asnjë çast për ta çuar deri në fund

rrënimin e fisit tonë

-Rrëfimi i mamasë për 27 Korrikun e 1977-

nga Bedri Blloshmi

Me mamanë jam takuar në mbarim të burgut.
Prej saj mora vesh me hollësi se ç’kishte ndodhur në shtëpi me të mbaruar gjyqi.
Sigurimi nuk ndal asnjë çast për ta çuar deri në fund rrënimin e fisit tonë.
Pas disa ditësh, ata ishin sulur sërish në Bërzeshtë.
Këtë herë për të internuar katër familjet tona..

Dielli përvëlonte.
Të gjithë “skllevërit” e fshatit atë ditë ishin ngritur në orën tre mbas mesnate duke vrapuar pa ngrënë e pa u larë, tek parcelat e grurit. Urdhëri ishte të korrej herët, pasi ishte e pamundur pas orës 10 apo 11; jo aq nga vapa që të merrte frymën, por se kalliri i tharë shumë, shkërmoqej në korrje. Mbas kësaj ore të gjithë “skllevërit” shkonin në punë të tjera, si prashitje misri apo vaditje. Në këtë vorbull të së përditshmes merrte pjesë edhe familja jonë, edhe pse ishin të mbaruar trup e shpirt, nga gjëma e Vilsonit dhe Gencit.
Ekzekutimi i tyre nuk kishte mbushur ende 10 ditët.
Nën peshën e kësaj goditje dhe me shqetësimin për mua, i dengdisur në galeritë e Spaçit, Blloshmët ishin shpërndarë nëpër punëra si e gjithë kooperativa.
Atë ditë, rruga që gjarpëron nga Qukësi e deri te Rrapi shekullor, në krye të fshatit, e bile deri te shtëpia jonë, kishte lëvizje policësh edhe civilësh. Shenjë jo e mirë! Nazmiun (vëllanë e vogël) që punonte në fermë, në fshatin Karkavec, e kishin kthyer të parin: “Ktheu në shtëpi, – i thanë me urdhër, – jo në punë!”
Mamaja, nga dita që ishim dënuar ne, kishte zënë shtratin, me kokën e lidhur nga dhimbjet e nuk lëvizte më nga vendi.
Xhaxhai punonte në shirje, mes pluhurit dhe zhurmës shurdhuese të makinës, në fund të fshatit. Brigadieri i tij, që ishte dhe bashkëpunëtor sigurimi, i afrohet, dhe i thotë: “Hasan, lëre punën dhe ik në shtëpi!” Kështu, një e nga një, po i mblidhnin të gjithë. Qëllimi qe i qartë; mes për mes fshatit po ngjiteshin tri a katër makina të mëdha, ku iu printe xhipsi i Degës P. Brendshme. Që prej “7 çezmave”, e deri te shtëpia, ai mezi kaloi prej policëve dhe civilëve të shumtë. Kur u mblodhën në shtëpi iu komunikua, gjithë familjes sonë, vendimi i internimit…
Familja përbëhej prej 19 vetësh, duke përfshirë dhe vajzën disaditëshe të Vilsonit. Për të ngritur plaçkat e shtëpisë kishte ardhur i gjithë fshati; i merrnin në kurriz dhe i shpinin te rrapi, ku prisnin makinat. Shtëpinë e kyçi kryetari i këshillit, dhe me t’u ngarkuar makinat, ngjeshur me plaçka e njerëz, filluan të zbrisnin rrugës së Qukësit. Aty sigurimsat u futën për të ngrënë në lokalin ku shërbente bashkëpunëtori i tyre me pseudonim “Dardha”.

Shtëpia e Blloshmëve në Bërzeshtë...
Shtëpia e Blloshmëve në Bërzeshtë…

“Ne, të ngucur mbi karroceri – tregoi mamaja – duhet t’i prisnim pa lëvizur, pasi ishim të rrethuar nga policë me kallashë që s’na lejonin. Qëndruam kështu mbi dy orë, pa ngrënë e pa pirë, derisa ata mbushën barkun e, u frynë… Gocën e Vilsonit e kishim të vogël, grindej e gjora, kërkonte ujë. I thashë policit të zbriste ndonjë nga ne, për të mbushur pak ujë tek çezma – jo më larg se 5 a 6 metra – por, ai, ma ktheu: “Jo, jo, nuk lejohet!” Të lutem i thashë prapë mbas gjysëm ore, se nuk duron më fëmija. Ai më thirri me sa kishte në kokë: “Akoma s’ka plasur? Tashi të vdesi!!” Më në fund, sigurimsat dolën nga klubi duke u shtriqur e qeshur me njëri-tjetrin dhe u nisëm përsëri…
Kaluam Librazhdin e mbërritëm në Mirakë. Hodhëm Shkumbinin dhe pastaj përpjetën Polis-Gostimë. Aty na ndalën. Dy skodat me familjet e Bukuroshit dhe Eshrefit i shkarkuan aty, kurse ne, me familjen e Hasanit, na ngjitën edhe më sipër, dhe na caktuan në një përrua të thellë, te një karakatinë e rrënuar. Ishte gati në të rënë, me mure të çara, pa dyer e pa dritare. Ne u futëm në katin e parë. Në katin e dytë, u vendos Hasani me fëmijët. Na thanë: “Këtu do rrini! Rrini mirë, mbyllni gojën, ulni kokën dhe punoni!”
Nuk do lëvizni për të kaluar nga brigada në brigadë dhe, as tek njeri-tjetri… përndryshe ju presin birucat e Librazhdit. Ikën e na lanë aty pa asnjë ndihmë, si t’i rregullonim. Akoma pa futur plaçkat brenda na vjen “korrieri i fshatit”. Me një pamje të mjerueshme, foli ca fjalë që nuk u morën vesh, e u prezantua. Kishte veshur një palë opinga llastiku, pa çorape dhe nxirrte nga goja më shumë shkumë se fjalë. Samiu iu afrua dhe e pyeti: “Fol më ngadalë dhe na thuaj si e ke hallin?” Ai i kthehet: “Kush është Hasan Blloshmi? Të marrë pashaportat dhe të vijë tek zyra e këshillit për t’u regjistruar.” Hasani niset me korrierin, dhe duke kaluar tek pjesa tjetër e familjes, merr edhe Agimin (fëmija i Bukuroshit), i cili nuk i ndahej xhaxhait. Sapo futet në zyrë, njerëzit e Sigurimit po e prisnin. Kryetari i Degës i thotë: “Je i arrestuar në emën të popullit” dhe i vunë hekurat. Ishte hera e dytë për Hasanin…
Agimi u kthye në barakë duke qarë dhe u tregoi se: “Xhaxhanë e mori policia!”
Jetesa në internim zgjati dhjetë vite. Ishin vuajtje të parrëfyeshme…
Kjo është dëshmia e mamasë. Askush nuk e dinte se përballë tyre, në krah të malit të Mirakës, ishte groposur djali i tyre, Vilsoni dhe nipi, Genci.

Marrë nga Muri i Fb i Bedri Blloshmit, 27 korrik 2022, si sot 45 vite te shkuara…

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.