back to top
7.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Kur Idhujt Zgavrohen – nga Visar Zhiti

Gazeta

Visar Zhiti
Visar Zhiti

Kur Idhujt Zgavrohen

nga Visar Zhiti

(Po flasim për zgavrën në letrat tona…)

Shkrimtari Ardian Vehbiu nxori në revistën “Peizazhe të Fjalës” shkrimin e radhës, në 21 korrik 2002, me titullin metaforik “Idhuj të zgavërt”.
Një ditë para kësaj, po në revistën e tij kishte paraprirë me shkrimin “Kundër biografizimit”, që si pikënisje kishte një vëzhgim të një studiuesi dhe kritiku tjetër të njohur, Behar Gjoka, që “shkruan për efektet e mbrapshta të qasjes biografiste në vlerësimet dhe studimet letrare”.
Që në fillim them se çështjet e shtruara te dy artikujt sintezë të njëpasnjëshëm të A.V. janë me interes dhe patjetër të diskutueshëm për shqetësimet në letrat tona sot:

1.Biografizimi i letërsisë, përzierja e biografisë së autorit me prodhimin letrar, ndërveprimi i ndërsjelltë midis tyre, jo vetëm në vepër, por në gjykimin e veprës si përcaktues, kur, thënë më troç, njëra mund të quhet histori vetanake dhe tjetra letërsi për të gjithë, janë larg njëra-tjetrës, madje krejt të ndryshme, edhe pse me ndikim, shpesh të pashmangshëm.
2.Idhujt e zgavërt të letrave tona, pra, thënë troç dhe kjo, shkrimtarë të rremë, që nuk kanë vepër, më katastrofikja që trajtohen si të tillë për shkak të biografisë. Biografizimi që dhunon letërsinë…
Autorin e shkrimeve në fjalë e “lë të dyzuar në gjykim” gjendja apo gjykimi kësisoj i gjendjes “dhe dua ta ndaj me ju”, shkruan që në krye tek “Idhuj të zgavërt”, ku siguria e dyshimtë te shkrimi i parë zëvendësohet nga dyshimi i sigurt.
Bashkohem me autorin për pamjen që paraqit, ku na përshfaqet herë-herë diçka donkishoteske, kur mullinjtë e erës duken si gjigandë, ku biografitë me lavdi apo tronditëse nxjerrin idhuj të kotë apo shkrimtarë të rremë, që i dëmtojnë seriozisht letrat tona.
Një mirëdashje e tillë për ta ndarë me të tjerët këtë gjykim, është dhe ftesë për debat. Që dhe ka munguar, që jo dhe aq shumë, por që është dashur dhe duhet më profesionalizëm rigoroz, aq i nevojshëm, kulturor dhe jo vetëm, etik, por estetik së pari, pse jo dhe moral, do të thosha, aq i domosdoshëm për letrat shqipe sot. Ndërsa dhimbja dhe dashuria i duhen lënë krijimeve, po kritikës për to?
Çështjet duken si të koklavitura a i kanë bërë si të tilla në opinionin kritik kolektiv të sotshëm, janë dhe ekstra-letrare, por dhe as sociologjike, një mishelë, një si dyplanësí, mendoj, jo prej vetvetes, por për ndërhyrjet deri ideopolitike, duke e bërë kështu dhe çështje sociale, ideopolitike, ndarëse dhe jo përbashkuese, letrare gjithnjë e më pak,
E çmoj kthimin e vëmendshmërisë ndaj kësaj çështje, ndjeshmërinë ndaj saj. Ndërkaq, lidhur me to, edhe unë kam botuar një studim sensibilizues, “Panteoni i nëndheshëm ose letërsia e dënuar”, libër i shtypur dy herë në Tiranë nga “Omsca-1” në 2010 dhe 10 vjet më vonë, duke u ndeshur me materiale të reja, me vlerësime e gjykime, më shumë paragjykime e pengesa deri edhe në ligësi, por jo dhe aq të reja, e zgjerova edhe më esenë time, ishte koha që më dha trefishin e së mëparshmes dhe doli botimi “Kartela të Realizmit të Dënuar” nga “Uegen”, Tiranë 2020, pjesë të të cilit janë botuar begatshëm dhe në “Peizazhet e Fjalës”.

Visar Zhiti - Kartela të Realizmit të Dënuar
Visar Zhiti – Kartela të Realizmit të Dënuar

Zanafilla e biografizimeve

Unë bashkohem me mendimin, nëse ka një të tillë, se nuk janë veprat letrare në përgjithësi e as biografitë e shkrimtarëve në veçanti që të çojnë në një grackë të tillë, në “parimin e verifikimit biografik”, sipas Gjokës, të cituar nga Vehbiu, që “bëri që të krijohen gjasat e një historie të përjashtimit, mbase një historie të dosjeve, jo të teksteve letrare.”, (ne ende nuk kemi tonën një Histori të re të Letërsisë Shqipe në shqip) për të mbërritur kështu te “Idhujt e zgavërt”, gjë për të cilën duhen alarmuar ndërgjegjet intelektuale. Ngatërresat kësisoj, sipas meje, janë të një gjykimi jashtë letrar që e kanë bërë zakonisht jashtë-letrarët.
Por ka mbetur dukuria. Prandaj ngacmueshëm studiuesi A. V. e ngre çështjen në dobi të kthjellimit sa më shumë të saj, por dhe të qëndrimeve aktuale, në mbrojtje të letërsisë si e tillë dhe për thjeshtësim, që të kuptohet nga kushdo, ai na fton në bashkëbisedim e tij: “Të marrim personazhin fiktiv X.Y”, që ka shkruar dikur, në kohëra jo shumë të dikurshme, shtoj unë, por fati i tij që është përndjekur nga regjimi dhe ajo që ka shkruar ai, “Le të supozojmë tani, se këto tekste janë artistikisht të dobëta, të papërpunuara, madje disa as që e meritojnë të botohen. Merita e tyre është se janë të XY, i cili tani gëzon statusin e një shenjti laik – rreth tij organizohen konferenca, jeta e tij studiohet në shkolla dhe emri i tij pagëzon rrugë dhe institucione…” Natyrisht që kjo është një vuajtje, një padrejtësi në letrat tona, nxitoj të them, dhe, që të mos ndodhte, duhej parandaluar më herët. Vuajtja e autorit, burgu apo konforti i tij, plagët apo dekoratat nuk janë vlera letrare. Vepra letrare nuk ka më biografi, as të sajën, por vetëm vlera, ngulmoj siç kam ngulmuar dhe më herët. Ky gabim fatal, madje si krim në letrat shqipe u bë menjëherë pas vendosjes së detyruar si metodë Realizmi Socialist nga diktatura e fitimtarëve fill mbas Luftës II Botërore. Partia që mori pushtetin e ri, ndërhyri brutalisht në letërsi, e qëroi traditën, mbajti ç’deshi dhe hoqi ç’nuk i duhej asaj dhe dënoi shkrimtarë dhe vepra deri në fundin e vet. Dhe vazhdon ajo mënyrë të gjykuari, biografizimi në letërsi. Pasi u dënuan shkrimtarë të mirëqenë, At Gjergj Fishta i vdekur apo u dënua me vdekje shkrimtari i ikur Ernest Koliqi dhe futën në burg Mitrush Kutelin e Arshi Pipën, që do të arratisej , më pas, ndërsa për t’i shpëtuar burgut do të ikte dhe Martin Camaj, për t’u bërë poet hermetik dhe shkrimtar nëpër Europë, ndërsa romancieri i parë shqiptar, është i pari, do ta pranojmë siç është, Dom Ndoc Nikaj, burgoset plak dhe vdes në burg, po kështu dhe tragjediani Et’hem Haxhiademi dukej se ishte burgosur për të vdekur atje. Edhe shkrimtarja Musine Kokalari, grua që futet në burg si disidente, do të vdiste në internim në Rrëshen. Dhe ishte diplomuar për letërsi në Romë, ndër të paktat…
Ploja do të ishte më e madhe, e hatashme. Me sistemin e ri, diktatura bëri shkrimtarët e saj të rinj me metodën e biografizimit, aq sa dukej se u krijua psikoza që mjaftonte të kishe qenë partizan dhe mund të ishe dhe shkrimtar. Shkrimtarëve si Fatmir Gjata e Shefqet Musaraj e Llazar Siliqi, etj, mjafton të kërkosh dhe sot në tekstet përkatëse, histori letërsie apo informime enciklopedike, para veprës së tyre citohet partizanllëku. Dhe kështu u vazhdua, por me mizori. Bijtë e fitimtarëve i kishin mundësitë e hapura për t’u bërë dhe poetë, ndërsa ishin me të hapura dyert e burgjeve për bijtë e atyre që nuk i honepste dot regjimi. U shkua skëterrshëm më keq, janë pushkatuar poetë të vërtetë si Trifon Xhagjika e Vilson Blloshmi. Natyrisht poezitë e tyre janë të pakta, ata i vranë të rinj. Dhe u arrit që në tekstet e letërsisë shkollore të kishte teksteve të komandantëve të lartë regjimit, poezi të Shefqet Peçit, prozë të Mehmet Shehut dhe memuaristikë të Enver Hoxhës, madje duke e parë si rival dhe sfidant të shkrimtarit më të madh të epokës, Ismail Kadare. Grotesk dhe turp!

Visar Zhiti i Burgosur
Visar Zhiti ne vitin e arrestimit

Vazhdimi në të kundërt

Por unë dua të heq tani një paralele mendimi me kritikun A.V. dhe po arsyetoj si ai: “Të marrim një person real XY”, që ka shkruar dikur, në kohëra jo aq shumë të dikurshme, shtoj unë, por që, jo fati, por diktatura nazifashiste apo komuniste apo të dyja bashkë, regjimi e ka përndjekur dhe ajo që ka shkruar ai, “Le të supozojmë tani se këto tekste janë artistikisht të mira, të përpunuara, madje disa meritojnë dhe të përkthehen. Dhe merita nuk është se janë të XY, edhe pse tani ai duhet të gëzojë statusin e një shenjti laik – rreth tij duhet të organizohen konferenca, jeta e tij të studiohet në shkolla dhe emri i tij duhet të pagëzojë rrugë dhe institucione…”.
Të dy mendimet tona janë nisur nga “supozime” dashamirëse me kahe të kundërt për letrat tona, për shëndetin e tyre, me gjakimin:

1.Duke hequr atë që është e tepërt, jo vlerë nga letrat tona.
2.Duke futur atë që e kishin hequr, që mungonte, vlerë në letrat tona.

Studiuesi A.V., me të drejtë dhe ai, kërkon vlerën, letërsinë në letërsi dhe imagjinata e tij si shkrimtar jep një fund të atyre krijimeve të dobëta, që lansohen prej biografisë autoriale:
“Ku përfundojnë pastaj këto vepra? Në bibliotekat e akullta të institucioneve, në zyrat luksoze të ministrave dhe të drejtorëve, në sallat e heshtura të pritjeve dhe të përcjelljeve; në selitë e selitura të OJQ-ve dhe të instituteve të kulturës. Me siguri një pjesë u dërgohen edhe bibliotekave të shkollave, si dhuratë (“bujare”). Janë libra që nuk i lexon dhe që nuk do t’i lexojë kush; dëshmi politikash kulturore dhe vullnetesh të mira, që kanë dhënë efekte të kundërta nga të synuarat. Askush nuk ka të drejtë të dyshojë, a priori, për qëllimet e atyre palëve, që kërkojnë të ruajnë dhe të restaurojnë traditën – aq më tepër kur kjo ka qenë sakatosur nga politikat totalitare; por ka një art, një masë dhe një takt edhe në zhvarrosje – dhe nguti, ose instrumentalizimi shpesh rrezikojnë të ngrenë në këmbë zombies.”
Absolutisht kështu, kur është kështu. Rreziku i idhujve me gjoksin të zbrazët është real. Dhe jo se nuk na kanë mbetur të tillë bashkë me rrekjen për të rikrijuar asisoj. Të shkulen. Shembje idhujsh të rremë dhe në tempull a në piedestalin bosh të mos vendosen një i atillë i ri siç dhe ishte i vjetri. Që të mos merremi veç me shembje!
Dhe më vjen të pyes: idhujt e zgavërt a e kishin bosh gjoksin apo ua boshatisën? Nëse po, a u ka mbetur gjë në gjoks? Që duhet? Dua të them që a ka vepra, që pa ato vetë letërsia shqipe vërtet bëhet një “idhull i zgavërt”. Duhen ditur dhe qëndrimi ndaj tyre duhet përcaktuar.
Letërsi është ajo që është vetëm letërsi. Po si përcaktohet, si trajtohet apo keqtrajtohet dhe ta mbrojmë?
“Kush ka kohë të lexojë veprën, kur mund të argalisemi nga një konferencë në tjetrën, ‘kushtuar’ jetës së autorit përkatës, me foto nga jeta e tij, filma dokumentarë dhe dëshmi arkivore?” –
pyet me ironi të hidhur A.V. duke na venë përballë një dukuri të qortueshme dhe ngulmon në pyetjen e tij trallisëse:
“Kush ka kohë të merret me veprën e Kadaresë, kur mund t’ia lexojmë këtij dosjen dhe të shohim se kush e ka spiunuar dhe kush e ka ‘mbrojtur’?”.
Po ndodh vërtet kështu. Duke e dëmtuar dhe kompromentuar institucionin e shkrimtarit. Si mund ta mbronte kryehetuesi i diktaturës enversite shkrimtarin, cilindoqoftë, nga kthetrat dhe dhëmbët e diktatorit, kur ata të hanin menjëherë, nëse të ndjenin si kundështar? Dhe kur u duhej, vepronin ndryshe, gllabërimi ishte i dalëngadaltë, me qejf të ndërsjelltë, buzagaz si para një torte festive.
“Çfarë shansi ka Lahuta e Fishtës, përballë rrëfimit se poetit ia prishi varrin regjimi i Hoxhës?” – shqetësohet studiuesi ynë.
Letërsisë i duhet vepra. At Gjergj Fishta e humbi lexuesin për 50 vjetët e diktaturës, u ndaluan librat që mbanin emrin e tij dhe ai u anatemua nga sundimtarët dhe shkrimtarët e tyre. Edhe atij ia bënë bashkë dhe ia përzien biografinë, priftin katolik me letërsinë e tij, me Lahutën e Malsisë dhe i quajtën pandashëm të dy, atë dhe krijimin: reaksionarë, patriarkalë, kanunore, shpellarë, rapsodikë, dialektorë, në shërbim të pushtuesit etj, etj dhe ende s’po e marrin veten. Edhe pse në lartësinë e poetit kombëtar, sot ende s’ka studime serioze e profesionale për vlerën e veprës së tij, për mangësitë, dobitë dhe zbehjen e tyre, monumentalizmin, etj. Disave Fishta u duket proliks dhe i prapambetur, duke e krahasuar madje me bashkëkohësit e tij në botë, kur kishte një Xhejms Xhojs dhe një Uliks të tij, e drejta e tyre kjo, teksa shpesh at Gjergj Fishtën e krahasojnë me Homerin e fundit në Ballkan, por ç’do ky Homer mbas 3000 vjetësh në shekullin XX? Adhuruesit e Fishtës e shohin atë si një idhull, por në tempullin e letrave shqipe, që vonë s’ishte ai, por Shqipëria e tij, dhe, nëse nuk pararendi, përmbylli një epokë. Është shtëpi e shpirtit të shqiptarit, megjithëse do të donin që ajo shtëpi të ishte pallat apo rrokaqiell, por që s’ishin dhe ai s’mund të dilte nga realiteti, etj, etj. Dhe s’mund ta nxjerrësh dot nga Panteoni…
Dua të them se kritika letrare në fakt duhet të dalë në fushë betejën, ku lëvron letërsia dhe personazhit/person fiktiv/real XY t’i vëmë një emër dhe një mbiemër, të preken veprat, t’u hiqet pluhuri i përzier me gjak dhe të shihen jeta, e autorit dhe e veprës, në Shqipëri edhe veprat kanë biografi, përndjekje dhe djegie e harrim, ndërpleksja e tyre të njihet dhe të ndahen, të lidhen me kohën e tyre dhe kohën tonë dhe me gjithkohësinë, etj., punë studimesh të kritikës profesionale kjo, historianësh të letërsisë, akademive, institucioneve gjegjëse etj, dhe të nxirret një gjykim që të përcaktojë sa të jetë e mundur një qëndrim sa më përfaqësues, sa më përbashkues.

Visar Zhiti - Kopertina e Antologjise
Visar Zhiti – Kopertina e Antologjise

Letërsia tjetër e letrave shqip

Letërsisë së sotme shqipe i ndodhi një çudi, mrekulli do të thosha, zbuloi dhe një “letërsi tjetër”, që i erdhi nga burgjet dhe internimet dhe sirtarët e varfër të shkrimtarëve të beftë. E pamësuar me të, s’po dinte ç’të thoshte dhe as si ta priste dhe as si të mos ta priste, të dyja të mundshme, dëshiruara nga grupe të veçanta.
Dhe më përpara se të çmohej ai zell skëterror shkrimtarie, ajo shtysë si e shenjtë për të shkruar dhe në ferr, për të lënë dëshminë artistike, një poezi, një tregim, një gdhendje a skicë, edhe atje ku e kishin të ndaluar, në burg nuk të futnin për të bërë shkrimtarin, artistin, por përkundrazi, për të mos shkruar kurrë më, u nxitua dhe u tha menjëherë, pa dalë ende e gjithë llava e saj, pa e njohur, që “na zhgënjeu letërsia e burgjeve”. Kur ajo ende vazhdon, dua ta them se një pjesë e atyre shkrimtarëve që mbijetuan e jo vetëm ata, po shkruanin dhe po shkruajnë. Në fakt zhgënjyese ishte letërsia e Realizmit Socialist dhe shkrimtarët e saj në demokraci, që donin të ndryshonin duke mbetur të njëjtë ata dhe letërsia e tyre.
Letërsia tjetër, që do të donin të ishte e paqenë, e ndaluara, e panjohura, edhe pse në kushte të mjerueshme, ia ka dalë të barabitet dhe shpesh dhe ta sfidojë letërsinë e mbetur zyrtare, atë që ishte prodhuar në vend me forcat e veta.
Dua të qëndroj pak këtu, po flasim për letërsinë, e gjitha është jona dhe dua të jem më konkret.
Nëse pati një poemë p.sh., për “Epopenë e Ballit Kombëtar”, një satirë e arrirë nga një shkrimtar partizan, Shefqet Musaraj, e cila botohej dhe ribotohej, që u dramatizua, u bë teatër, u fut në tekstet e shkollës, studiohej në universitet, në fakultetin e letërsisë, etj, në burgun e Burrelit, një burgosur i uritur me vite e vite, brenda telave me gjemba, Uran Kostreci shkroi po ashtu kundërvënshëm “Epopenë e karkalecave”, një satirë dhe ajo, po aq e arrirë për kundërshtarët, megjithëse “Epopeja e Ballit Kombëtar” që gjatë luftës civile brenda në Luftën II Botërore pati një epikë, aspak satirike, por elegjiake që iu kundërvu, jo poemës, por realitetit gjakatar, “Dy kundërshtarët” e Hekuran Zhitit, e cila mbas çlirimit u çua të riciklohej në kartë në fabrikat e letrës. Po kështu dhe romani i realizmit socialist, “Këneta” e Fatmir Gjatës, gazetaresk dhe propagandistik, i bërë dhe film, që ka në thelb një sabotim, pushkatimin si armiq të sabotatorëve, inxhinierë që drejtonin punimet e tharjes së kënetës së Maliqit nga klasa punëtore në aleancë me fshatarësinë kooperativiste, është mashtrim aspak letrar, që shkel të vërtetën e asaj historie, teksa ka dalë më pas romani i një ish të burgosuri politik, Makensen Bungo, që ka punuar në tharjen e asaj kënete, punë që bëhej me të burgosur dhe romani titullohet “Këneta e vdekjes”, që e tejkalon artistikisht kënetën socialiste dhe sjell të vërteten, për aq sa ka nevojë dhe letërsia. Moderniteti i romanit të ri shqiptar do të kishte për autor dhe një shkrimtar luftëtar, që do futej në burg nga çdo regjim e do ia ndalonin herë pas here veprën, Petro Marko.
Nëse është e njohur poezia e bukur e Ismail Kadaresë “Sahara”, në dosjen e një poeti të pushkatuar në moshën 29 vjeçare, Vilson Blloshmi, është gjetur një poezi e mëpërparshme me po me atë titull, “Saharaja”, e konsideruar një metaforë e fortë për vendin nën shkretimin diktatorial. Poeti tjetër i pushkatuar, Trifon Xhagjika, ka poema për republikën, artistikisht po aq lart sa poemat entuziaste që botoheshin për Republikën Socialiste të Shqipërisë, vetëm se ato të Xhagjikës kanë akuza, janë kundër, armiqësore për atëherë dhe, nëse ato të poetëve të realizmit socialist janë harruar, të Xhagjikës nuk kanë gjetur ende vlerësimin e duhur. Poetit Kudret Kokoshi, i cili nga kampet naziste kaloi në burgjet komuniste, nuk iu dha koha që të botonte aq libra, p.sh., sa poetit Dritëro Agolli. Poeti hermetik me kuptimin letrar të këtij termi, Zef Zorba, i ngjashëm me kolegët e tij në Europë, nuk u mor vesh se ishte, që jetonte për shkak të burgut të tij. Dhe më pas do të burgosnin bashkëqytetarin e tij edhe poetikisht, Frederik Rreshpja. Shkrimtari i burgjeve, partizan edhe ai, Kasem Trebeshina, ka dashur të bëjë me romanin e tij “Tregtari i skeleteve” parodinë e romanit të përbotshëm “Gjenerali i ushtrisë se vdekur” të Kadaresë. Ndryshe nga “Kështjella” e po këtij autori, lexohet me ëndje dhe “Ra Berati” i Bilal Xhaferrit që pasi u ndalua, u arratis në SHBA; ashtu si edhe poezia e tij me frymë çame.
Edhe romanet e shkrimtarit Astrit Delvina sjellin realitete që nuk mund t’i sillnin dot kurrë romanet e socrealizmit. Memuaristika e At Zef Pllumit dhe jo vetëm ajo, janë epope, por edhe romanore dhe së bashku u sollën letrave shqipe ato që i mungonin, të vërtetat dhe moralin. Letërsia e madhe ka nevojë për të dyja, sipas Franz Kafkës. Dhe na erdhën si risi nga e dikurshmja krijimtaria e Faik Konicës me të harruar të tjerë, eseistikë, gazetari, përkthime, me emrat si të Isuf Luzajt, Branko Merxhanit, Lazër Radit, Mustafa Greblleshit…
Nuk mund të rri pa thënë atë që Kadare tha për Danten, “I pashmangshëm” për tragjedianin Et’hem Haxhiademi, i tillë është për letrat shqipe me 7 tragjeditë e tij, aq kishin dhe Eskili, edhe Sofokliu, edhe pse aq vonë, humnershëm vonë si në mallkimin me At’ Gjergj Fishtës, por solli një univers shqiptaro-biblik, pa e zgjatur po them: të mrekullueshëm! Mund të vazhdohej, i kam shtjelluar gjatë këto dhe unë në librat që lartpërmenda, shumëçka dihet, por desha të shtoj që edhe unë, i dënuar me 10 vjet burg për poezitë e mia, çuditërisht kam në dosje poezinë “Dreri”, të shkruar që student, që dhe Kadare do të kishte një të tillë në libra, shumë të bukur. Simbolika e tyre është gati e përafërt. Shtegtim subjektesh dhe ndjesish: kjo njihet. Ndërkaq unë nxora nga burgu të gjitha poezitë e mia, të shkruara fshehurazi atje, botova prej tyre në librat e mi të mëpastajmë, janë vlerësuar me çmime letrare në Shqipëri dhe jashtë saj, ku janë përkthyer, në Itali, etj.

Që të mos jetë idhull i zgavërt letërsia jonë

Duhet ta duam. Ta kërkojmë. T’ja heqim ç’nuk duhet. Ta mbrojmë atë që u bë me sakrifica e gjak…
Ndërkaq do desha të jem disi dhe teorik, janë dy ndarje të mëdha në fushën e letrave, që, gjithmonë sipas meje, mund të mos jenë të barabarta midis tyre dhe assesi njëlloj funksionuese:
Letërsia vetë – Historia e Letërsisë
Në të parën janë veprat që janë në letërsi tani, pra, ato që janë dhe dalin, të çdo kohe tjetër, që lexohen vazhdimisht, që bëjnë jetë letrare ashtu si në kohë e tyre, etj, etj, por ka dhe vepra që shkojnë në historinë e letërsisë, në nënndarjen e dytë, jo të gjitha, për fat, ndërkaq mjaft vepra janë dhe në letërsi dhe në historinë e saj ashtu si shumë e më shumë nuk janë në asnjërën.

Visari dhe Eda në 1993, me Elsienë dh Lazrin
Visari dhe Eda në 1993, me Elsienë dhe Lazer Radin

Letërsia, në ndryshim nga historia e saj,

është gjithmonë e tashme.

Çdo popull ka letërsinë që meriton, thotë një poet i njohur. Më është dukur sikur e ka thënë me qëllim për ne. Mendoj se ne jemi të detyruar që disa vepra të veçanta, me histori, që dëshmojnë se do të duhet t’i ruajmë në magazinën e Historisë së Letërsisë, se ashtu do ta kuptojmë më mirë letërsinë tonë. Nuk e kemi luksin të flakim aq shumë, por nuk jemi dhe aq të mallkuar sa letërsia jonë të jetë një idhull i zgavërt.
Albanologu dhe studiuesi i letërsisë shqipe, Dr. Robert Elsie, në historinë për të, të shkruar në anglisht, thotë se Letërsia Shqipe është Europiane, por e veçantë. Edhe në historinë që ka botuar së fundmi në rumanisht studiuesi dhe kritiku i njohur Dr. Luan Topçiu ngulmon në këtë çështje, por ai, më profesionalisht se çdo pararendës i ka të përfshira në një “histori” dhe “letërsi” të gjitha “letërsitë” shqipe, dua të them të kohëve dhe vendeve duke futur si të barabartë dhe atë që erdhi së fundmi nga burgjet dhe internimet.
Termi “letërsi tjetër”, ku kemi dhe ndarjen dramatike “letërsi burgu”, aq veçuese dhe e padrejtë, vetë-dënuese, e përdorur dhe me qëllime të mbrapshta, jo letrare, etj, vendoset për arsye studimore apo debati. Dhe kam thënë se ajo, letërsia e burgjeve, është e copërluar si ato copat e mermerit të statujave, të idhujve të nxjerrë nga nëntoka. Koka e krahë e gjymtyrë, pjesë trupi, kraharorë të zgavërt, por e plotë në copëzimin e vet, që tregojnë shumë, ndonjëherë më shumë se veprat e krijuara sipër mbi tokë, qofshin dhe shtatore idhujsh, që nuk u duket zgavrimi. Së bashku janë art shqiptar e jo kundër tij dhe as kundër njëra-tjetrës, u nënshtrohen ligjësive të brendshme si tek çdo letërsi në botë, gjyqit të saj pa kërkuar mëshirë.
Po çdo të bëhet dhe si? Çfarë do zgjidhet e nga kush e çdo mbetet? Letërsia është një dhe e përbashkët, e përsërisim. E gjitha ç’prodhohet shqip në Shqipëri e Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, (e Jugut për ne) dhe në Mal të Zi, ku ka troje shqiptarë në Ballkan dhe shqiptarë në Europë, që nga arbëreshët në Itali e deri në Australi e Amerikë. Në fund të fundit është koha që vendos, të përafrojë një autor ose ta përlargojë, pra ka vend ose jo ky apo ai, le ta themi me një metonimi, në “Tabelën e Mendelejevit” të letrave shqipe apo do të mbetet jashtë saj, pra a është “element” që duhet të ketë “kutinë” e tij, përkohësisht apo dhe më tej? Është djepi apo varri, sipas Migjenit, apo një gur i humbur, i mbuluar nga bari i harresës.
Me gjithë ndërhyrjet dhe interesimet, pse jo dhe me dhunimet, këtë s’e vendos dot për përherë as të qenit me partinë në pushtet e as të qenit kundërshtar i saj, as të qenit në burg apo internim dhe as të qenit shkrimtar zyrtar, as nacionalist apo kolaboracionist apo socialist apo demokrat, etj, as dje dhe as sot, profesionalisht as Lidhja e Shkrimtarëve e as ndonjë akademi apo Ministria e Kulturës (ministri letërsie nuk ka për fat), e jo më një kritik i vetëm, megjithë ndikimet e mundshme, kur dhe ai vetëm mund të jetë sa një institucion, madje s’e vendos dot as populli me vota, as parlamenti, teksa konferencat, televizioni e promovimet, mitingjet mund të ndërhyjnë në opinion dhe të ndikojnë në njohjen, por as kanë rendësi e as janë veprimtari letrare.
Përpjekja për të qenë shkrimtar, pse jo dhe i lavdishëm, me mjete jashtë-letrare s’e di se sa duron, por e di që është e kotë. Përpjekja duhet të jetë vetëm që të bësh letërsi të vërtetë. Letërsia është një realitet tjetër dhe ka ligjësitë e veta dhe ajo që vendos, duket se s’është tërësisht as koha që thamë, ajo e të gjithëve bashkë dhe e asnjërit, e atyre që s’janë më dhe e atyre që do të jenë, por duhet dhe një sekret tjetër misterioz, leximi si magji, si kohë plus, si institucion. Duhet mbi të gjitha siguria e vlerës, sa do t’i shërbejë ajo, vlera, njerëzorja artistike njeriut, sa emocion do t’i japë botës… përreth. Energjia ajnshtajniane, pra.
Ndërkaq mund të themi se vlerat letrare janë dhe trillane si vetë letërsia, si koha, si njerëzit, ka që duhen për një fare kohe a për një kohë të caktuar, ka ca, s’dihet se si, bëjnë dhe për dy kohë të ndryshme, kanë një fill përbashkues e ka për shumë kohë e të gjithmonta siç ndodh me tragjedianët e antikitetit me Homerin në krye, janë Dantja dhe Shekspiri dhe Servantesi, me Uitmanin dhe Gëten, Xhojsin dhe Kafkën dhe Borgesin dhe jo vetëm këta, gjithkush mund të shtojë të vetët që janë për të gjithë, edhe pse mua më erdhën tani emra vetëm nga Perëndimi dhe do të guxoja të shtoja dhe legjendat tona, atë të Gjergj Elez Alisë dhe të Kalasë së Rozafës, më e bukura në botë për nënat, sipas meje, letërsia shqipe është vetë si Rozafa, ndër më të përvuajturat e martiret, me pabesi vëllezërish dhe e durueshme deri në përhumbje, e përgjëruar për krijesën e vet, nxjerr qumësht dhe gjak nga gjiri, do ta duam siç është, me murin të zgavërt, po jo me Rozafën, nënën tonë.

27 Korrik 2022, nga Visar Zhiti

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.