back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Ciganët nuk i vrasin kuajt… – nga Ervin Nezha

Gazeta

Ervin Nezha
Ervin Nezha

Ciganët nuk i vrasin kuajt

nga Ervin Nezha

Kam parë nga një kodër një vend ku thernin kuajt. Ishte kodër e lartë sepse nga aty, dielli dukej fare afër. Rrezet ranë mbi thikën që mbante kasapi në duar dhe tehu shëndriti. Pastaj u ngul lehtë në qafën e lëmuar të një mëzi. Kafsha e zënë përposh nga katër burra, hapi sytë e lebetitur dhe skrofëtiu. Deshi të lëshonte zë, por fytin e kishte të prerë dhe nuk e lëvizi më kokën.
Rradha masandaj i erdhi një pele pullalije, që qëndronte e lidhur në një dru lofate. Më erdhi keq për pelën, se nga kafsharët kisha dëgjuar se njëthundrakët e ndiejnë tmerrin dhe frikën. Ndiejnë edhe dhimbjen për veten dhe tjetrin, siç e ndiejnë njerëzit. Burrat i lidhën këmbët me litar dhe e rrëzuan. Hajde i thanë kasapit. Kasapi po afrohej ngadalë, duke mprehur thikën e përgjakur me një gurë zalli. Të tjerë që qenë më këmbë, gra e fëmijë, bënin sehirë.
-Shiko sa kalë i rrallë, – i thashë Idrizit, – gjynah që ta prishin edhe këtë. Ndërkohë, një turmë fëmijësh me këmbë të zbathura, veshur me zhele, morën kokën e prerë të mëzit dhe filluan të luajnë me të.
-Ikim, ikim, – tha Idrizi. Këta qënkan të tërbuar për gjak.
Dhe u larguam pa na vënë re kush, duke ikur prapthi. Humbëm mes shkurreve dhe rrëshqitëm drejt rrugës.
Lajmëruam xhandarin e parë që hasëm në rrugë. E bindëm me mund të na ndiqte, por në fillim ai nuk pranoi. Na ndoqi vetëm pasi i falëm tre frangat e fundit që na patën mbetur, nga paret që kishim marrë, nga shitja e kërmijëve.

Kalë i vrarë...
Kalë i vrarë…

Tërë rrugën atij nuk i pushonte goja dhe përshpëriste një e dy një frazë ankuese që ne po na bëhej muzikë për veshët, – për besë po u ndjek prapa kot!
Unë dhe Idrizi nuk flisnim por ecnim shpejt. Le që nuk kishim ç’ti thonim.
Donim të dëshmonim sa më parë mënxyrën që pamë. Me njeriun e ligjit ndiheshim të sigurtë. Dhe e ngjitëm kodrën. Pamë vijën e maleve nga lartësia që zbehej dhe bëhej njësh me ngjyrën e horizontit. Pamë edhe shtëpitë e vogla të fshatit vendosur në një pllajë të vogël. Pamë drurin e lofatës, ku pak më parë qëndronte e lidhur pela pulallije. Nën hijen e saj qëndronin po të katër burrat që tashmë kishin ndezur nga një cigare.
Në lëndinë kullosnin kuaj të lirë, ndërsa dy fëmijë të zbathur, ndiqnin me sy fluturimin e zogut të Kalit të Qyqes. Panorama qe e qetë dhe e brishtë. Vështrova i habitur Idrizin në sy, si për t’u siguruar se po shikonte të njëjtën pamje që po shikoja unë. Desha t’i them diçka, por zëri i njeriut të ligjit nuk më la. Kthyem njëherazi kokën nga xhandari që duke qeshur me shpoti na foli, – nuk ju thash që ciganët nuk i vrasin kurrë kuajt.
Ne heshtëm se nuk dinim ç’të thonim, ndërsa ai na hodhi një vështrim që shprehte qortim dhe përbuzje njëherazi dhe lëvizi me hap të qetë andej nga kishim ardhur.
15 Korrik 2021 – Qukës Shkumbin

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.