back to top
0.5 C
Tirana
E hënë, 25 Nëntor, 2024

Biografia si mallkim – nga Behar Gjoka

Gazeta

Studiuesi Behar Gjoka
Studiuesi Behar Gjoka

Biografia si mallkim
nga Behar Gjoka

Në lidhje me jetën e shkrimtarëve, më është krijuar bindja se biografia, njollat dhe kleçkat, siç emërtoheshin në kohën e realizmit socialist, është kthyer në mallkim, në nojmë shkatërrimtare, qysh me vendosjen e sistemit monist. Biografia, ma tepër verifikimi i kleçkave, ndëshkoi Fishtën, Skiroin, Konicën, Koliqin, Kutelin, Haxhiademin, që përkojnë me autorë që patën shkëlqim para viteve ’44, të shekullit të kaluar. Dikujt iu gjet veriga e lidhjes me fashizmin apo nazizmin, dikujt tjetër bartja e emrit bej, por kjo mënyrë e trajtimit të paritetit të biografisë në kurriz të veprave/tekstit, ndikoi që të kishim një histori letërsie të rrudhur, me shkrimtarë të përjashtuar. Listës së autorëve të anatemuar, vetëm për shkak të biografisë, pas viteve ’44, gjithnjë duke zbatuar parimin e hetimit të kleçkave, dalin tepër Pipa, Camaj, Trebeshina, Pashku, Xhaferri, etj. Kjo rrethanë e bëri edhe më të paktë praninë e vlerave letrare, dhe më të ngushtuar historinë e letrave shqipe. Parimi i verifikimit biografik, pra të hetimit të kleçkave, të fokusimit dhe zmadhimit të tyre, bëri që të krijohen gjasat e një historie të përjashtimit, mbase një histori e dosjeve dhe jo e teksteve letrare, që shënon edhe kontributin më të madh të shabanologjisë, gjurmimi në qilaret e dosjeve. Fakti, që biografizmi, dje buronte nga sistemi, po sot nga buron kjo dëshirë me pa nga vrima e çelsit, jetën dhe veprën letrare, duke ngritur një mur të madh në mes lexuesve dhe teksteve letrare. Biografia, sivia e shkrimtarit, shkon disa faqe, le të themi për adhuruesit e dosjeve, që prej kohës së pa kohë, dje dhe sot, shkrimtarët kanë disa dhjetëra faqe, të dosjeve të sigurimit dhe spiunimit, si harrohen mijëra faqe tekste letërsi, vepra të realizuara në zhanre dhe lloje letrare, që pasurojnë dhe formësojnë, hartografinë e letrave shqipe. Biografia ka vlerë për historishkrimin, e jo për verifikimin e vlerave letrare. Biografia si mallkim do na lërë pa shkrimtarë dhe mbi të gjitha pa letërsi shqipe. Vështrimi vetëm se biografik, madje në hetimin e kleçkave, tregon se jemi ende në të djeshmen, jetojmë me të dhe vijojmë të përdorim si standard, luftën e klasave, thelbi i të cilës, ka në qendër biografinë, njollat dhe kleçkat…
E kush nuk e harroi njëherë të ndezur dritën…
Drita e ndezur si mallkim, që lë gjurmë në dosje. Biografia si mallkim, që nëse do lexojmë Fishtën, Skiroin, Koliqin si fashist, në emër të logjikës së përjashtimit, të futet në verifikimin e Agollit, Kadaresë, Qoses, leximi komunist apo socialist…Letërsia është dritë, edhe në terr. Letërsia është ajri dhe flladi i lirisë. Letërsia është atdheu i njerëzve të lirë. Prangimi i letërsisë në kthetrat e biografizmit, përgadit kushtet që të mbetemi pa letërsi dhe “fluturimet” në hapësirat e dosjeve, kulti i sigurimit, vrima e çelësit të spiunimit, të emërtohet si letërsi, e zezë apo gri, nuk ka rëndësi. Biografia si mallkim, deri kur?
19 korrik 2022

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.