back to top
15.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Romancë në pranverë… – nga Rebeka Jegeni

Gazeta

Marc Chagall - Martesa
Marc Chagall – Martesa

Romancë në pranverë…

nga Rebeka Jegeni

Maj 2022…
Koncerti me repertor të muzikës klasike për piano dhe orkester, nga kompozitorë shqiptarë dhe të huaj, mbaroi me duartrokitje të pambarimta, dhe si zakonisht u mbyll me buqeta lulesh për të gjithë trupën, ku edhe mua, si soliste në piano m’u dhurua një buqetë e mrekullueshme me zambakë (lilly) të bardhë, lulet e mija aq të pëlqyera.
Mbyllja me nokturnin opus 9 nr. 2, ishte vërtet madhështore. Publiku tejet entuziast duartrokiste papushim, bile dëgjoheshin edhe plot thirrje të ngrohta e inkurajuese “bravo, bravo!!”
U krijua një atmosferë e mrekullueshme komunikimi, ashtu heshturas, midis trupës artistike dhe publikut… gjë që nuk ndodhte shpesh në atë nivel si të asaj nate! Publiku na kishte ndjekur me vëmendje dhe respekt,
e në fund po na vlerësonte për profesionalizmin dhe përkushtimin tonë, në mënyrën më entuziaste e më të bukur të mundshme: me duartrokitje të pafundme.
Një shpërblim, si të thuash, i merituar për atëe punë sizifi e pëerpjekje të pafundme që kishim bërë të gjithë si ekip, për t’u paraqitur sa më mirë në këtë koncert në mbyllje të sezonit.
Ndjeheshim krenarë për atë ç’ka kishim arritur dhe dhuruar pa kursim: muzikë klasike të nivelit më të lartë që mund të arrinim të luanim deri atë ditë.
Përqafonim dhe i shtrëngonim duart njeri-tjetrit me gjithë zemër, duke uruar suksese të tjera.
Pak e lodhur dhe e emocionuar, u ula në dhomën time të vogël, por komode, për ta marrë pak veten, përpara se ta lija atë ndërtesë, kur dëgjova trokitje në dere dhe menjëherë pashë drejtuesin artistik që hyri direkt në dhomë, pa e pritur fjalën time “hyrë”, e kuptova ashtu rrëmbimthi, që kishte ndodhur diçka që nuk shkonte…
Andi, kështu quhejk drejtuesi ynë, m’u drejtua duke më parë drejt e në sy: “Si t’u duk performanca jote sonte?!” Ashtu papritmas e ngritur në këmbë, unë ngriva… Megjithëse e dija që e kisha shkelur ca herë gjatë lojës sime në piano, me gjysëm zëri e ngadalë iu përgjegja!
-Çka!
Ai i pakënaqur nga kjo përgjigje, vazhdoi ashtu ngulmues:
“Pse çka?! Ku është problemi? A mundem të di pak më tepër e të të ndihmoj!”
Krejt e pafuqishme ta vazhdoja debatin atë çast, ndjeva lotët të më rridhnin vetiu në faqe… Po ndjehesha vërtet keq, e në mos më keq… e pamundur të thoja qoftë një fjalë…
Ai kuptoi që kisha një problem serioz dhe insistoi duke e ulur tonin, e me një zë dyshues shtoi:
“Uroj të mos jetë problem tjetër i madh, veç atij të lodhjes!” – dhe më përqafoi lehtë, por me shumë përzemërsi inkurajuese.
Ai doli… dhe unë menjëherë mbas tij. I largova lotët me shami dhe i kreha flokët e gjatë.
Nxitova me pardesynë në duar dhe çantën e dorës të hedhur krahut, duke kapërcyer shkallët e mermerta shpejt e shpejt! Po ashtu shpejt, e kuptova se këmbët më kishin çuar te njera nga daljet anësore dhe jo tek dalja kryesore, ku partneri im Martini, më priste si gjithnjë pas shfaqjeve…
Ai nuk e ndiqte pjesën më tëmadhe të koncerteve, duke pretenduar që të mos ndikonte në emocionet e mia profesionale, por mua më dukej krejt i kotë ky justifikim.
E vërteta ishte që atij nuk i pëlqente muzika klasike, por s’e kishte kurajën ta pranonte këtë gjë.
E shtyva derën dhe dola jashtë me dëshirën më të madhe për të qënë vetëm, krejt vetëm me vehten time në ajrin e freskët të asaj nate.
Jashtë, ishte prej atyre netëve pranverore, pak të freskëta, që ju gëzohemi aq shumë për gjithë ato bukuri që na dhurojnë pa asnjë shpërblim.
Dhe vërtet, fillojmë të ndjehemi mirë që kemi lënë pas edhe një dimër të ftohtë e të lagësht plot shira e erëra të ftohta. Po ashtu edhe ditët gri e plot ngrica, ku i ftohti bënte të veten më kokfortësi, e megjithëse ne “mbroheshim” me çadra, me pallto, me shalle e doreza, tashmë kishte shkuar edhe për këtë vit, e kishim lënëe pas si të vjetër… e të harruar… aq me tepër me atë pranverë në prag.
Qielli blu i thellë, si një çatimbrojtës natyral rrinte mbi ne, i qëndisur si me dorë nga yje ndriçuesplotë… të afërt e të largët. Nje arome lulesh e bari derdhesh ngado, si një parfum delikat, duke e bërë atë mbrëmje fundpranvere, edhe më tërheqëse edhe më magjiplote…
Hena shndriste ashtu lozonjare e paqedashëse, duke dhuruar më shumë dritë, e duke na ftuar kështu për të ndenjtur më gjatë jashtë e për ta shijuar natyrën në shoqëri të njëri-tjetrit.
Si shtunë, rruget ishin plot me njerëz, të rritur e të rinj, te reja e pleq, të moshuar të hekurt e fëmijë të kapur përdore nga prindët ose në karroca ashtu gjysëm në gjume… Edhe lokalet kishin filluar t’i nxirrnin tavolinat jashtë e dukeshin që kishin filluar të mbusheshin…
Fillova të ndjehem pjesë e asaj zhurme njerëzish, megjithëse ajo gjendja melakolike brenda vetes po më rëndohej shumë e më shumë.
Vendosa të ulem e të pija diçka të ngrohtë, jashtë një lokali të vogël, diku buzë një shatërvani.
“Një çokollatë e ngrohtë”, më erdhi ashtu siç e kisha porositur! Me pak kanellë e qumësht në të, një zakon i vjetër mbetur nga fëminija.
Ngadalë, ashtu në paqe e qetësi të plotë, iu ktheva vetes me një pyetje që më rëndonte në shpirt:
“Natyra kishte ndryshuar kaq shpejt e kaq bukur përpara syve të mi dhe të të gjithëve aty rrotull, krejt pa kuptuar, si në një mrekulli, aq saq nuk po iu besoja syve. Dukej si një rreng apo një skene surreale që po luhej befas para nesh…
Po unë, si bijë e natyrës dhe asaj zhurme gazmore, a do të mundesha vallë ta ndryshoja jetën time ashtu siç kishte bërë ajo, ashtu shpejt e bukur!?
A mund të ishte e vështirë? A mund t’ia dilja dot në krye?!
Jeta është e vërtet çuditëshme. Një puzzle i pambarimtë, që bëhet gjithnjë e më e veshtirë me kalimin e viteve…
Disa herë në jetë ne ndodhemi në situata ku na bëhet vërtet e vështirë të zgjedhim se cila rrugë do të jetë më e mira peër ne!
Ndjehemi herë-herë si varka pa timon në detin e paanë të jetës e ku papritmas erërat o fati na ndalin diku në një liman krejt të panjohur, të padëgjuar a të kurrë të parë as në ëndërr…
E përhumbur në këto mendime, degjoj celularin që cëngëriste… Ishte Martini… po unë nuk kisha absolutisht asnjë dëshirë t’i përgjigjesha. Ato biseda të vazhdueshme me pse të pafundme, më kishin ardhur në majë të hundës dhe nuk kisha dëshirë t’i vazhdoja më… Çdo gjë në atë marrëdhënie tregonte haptazi që gjërat nuk po shkonin siç duhej, ajo ishte kthyer në një marrëdhënie të lodhëshme dhe krejt e humbur… e pashpresë për t’u bërë më e mirë, nga e cila nuk vinte më asgjë e bukur dhe emocionues… Por ai prap këmbëngulte ta vazhdonim… dhe kjo dukej se po i kalonte kufijtë normale të një marrje e dhënie midis dy njerëzve që pretendonin se e donin njeri tjetrin… Ishte thjesht një ndjenjë egoizmi që nuk shkonte më pranë fjalës dashuri…!
Edhe ajo “çokollatë e ngrohtë”, e mbetur në filxhan, nuk më shijoi më… Balanca brenda meje kishte kohe që ishte prishur…
Dashuria, tek e cila kisha dhënë aq shumë nga vetja, nuk ishte më ai oazi ku ndjehesha e mbrojtur dhe e qetë, ku pushoja e thurja ëndrrat më të bukura, ku ndjehesha e lumtur pafundesisht… Dukej se po zhdukej e po thahej ngadale dita-ditës…
Martini nuk ishte më ai “mendimi im i parë kur hapja sytë në mëngjes dhe as i fundit kur i mbyllja ata…!” Ndjehesha jo më e lirë dhe ëndërrimtare për jetën time… shumë gjëra po ndryshonin brenda meje, të cilat më bënin ta shihja jetën më qartë e ndryshe. Mbase monotonia o mbase-mbase kjo marrëdhënie kishte qenë e gabuar qysh në fillimet e saj… nuk e dija, nuk po e kuptoja dot si duhet dhe nuk e ndaja dot shkakun… thjesht ndjehesha në udhëkryq, i cili duhej zgjidhur… Më duhej te zgjidhja unë rrugën për të dalë nga kjo gjendje, e cila po ndikonte negativisht e drejtpërdrejtë në të gjithë jeten time dhe veçanërisht në punën time si artiste!!

U ngrita, vesha pardesynë dhe u nisa pa e ditur se për ku… Ndërkohe nata kishte rënë e plotë dhe ora po i afrohej si pa u ndjerë mesnatës.
Ashtu befas, më erdhi në mendja Lila, kushërira ime dhe shoqja ime e parë e fëminisë… E vetmja ku mund të mbështetesha në çdo kohë e pa asnjë kusht…
E njihnim njëra-tjetrën me të gjitha çka kishim, të mira e të keqia, rritur bashkë si të ishim motra. Të dyja vajza të vetme! Ajo e kishte një vëlla më të vogël se vetën! Unë asnjë…
Emri i saj, më sillte gjithnjë në mendje, një qetësi dhe një siguri që çdo gjë do të zgjidhej pa diskutim…
Ajo ishte mjeke e përgjithëshme dhe kuptonte shumë e më shumë se unë pse-në e ndodhjes së ndryshimeve psikologjike e fizike tek secila nga ne, kishte filluar të kuptonte edhe gjendjen ku ndodhesha unë, por s’më pyeste kurrë. Priste, siç duket, që unë t’ja hapja e para këtëe bisedë.
Shtëpi e saj, ndodhej fare pranë vendit ku isha dhe në më pak se 10 minuta u gjenda para portës së saj të madhe e të vjetër prej druri, duke i rënë ziles ..
Zëri i saj paksa i përgjumur “kush është?!” më erdhi ashtu i ngrohtë dhe iu përgjigja: “Hape Lila, jam unë Bela!”
Unë quhem Sibel, por të gjithë nëna, familjarë, miq e kolegë më thërrisnin Bela, qysh prej vogëlisë sime. Më priti tek dera e brendëshme, me pizhamat e saj të mëndafshta. Ishte shumë metikoloze në zgjedhjen e rrobave! Krejt ndryshe nga unë…
U përqafuam dhe hymë në dhomën e ndenjes, që ishte edhe guzhinë njëkohesisht… Modeli modern me plan të hapur… Ishte mjaftueshëm ngrohtë, e një ndriçim i butë rridhte nga abazhure e antikuare të vendosur kudo dhe era e bergamotit përzier me pakëz limon përhapej nga disa qirinj të vegjël, duke e kthyer atë vend të njohur prej shumë e shumë vitesh, në një ambient të ngrohtë e të dashur për mua.
U plandosa në një nga ata kolltukët lëkurëbutë dhe tejet të rehatshem që Lila, i kishte zgjedhur me aq merak në një nga dyqanet e shumta Italiane të mobilerive dhe s’e di pse e ndjeva aq shumë nevojën për të folur me shoqen e fëmijërise… duket se pikërisht kjo ndjenjë më kishte çuar atje atë natë fund pranvere…
Mbas një darke të lehtë, me nga një gotë verë të bardhë Sauvignon Blanc dhe me një tas porcelani antik mbushur me fruta para, filluam ato bisedat tona të pafundme, që zgjasnin shpesh deri në agim, të mbushura plot me të qeshura edhe me imitime ngandonjëherë.
Dikur biseda jonë u ndërpre nga një thirrje në celularin e saj… telefonata dukej me interes dhe Lila dukej e kënaqur dhe buzëqeshte nga pak duke folur…
Mbasi e mbylli, ajo m’u drejtua me fjalët: “E di Bela, kam takuar një njeri nga ata jashtë planetit, një shkrimtar të vërtetë?!?” dhe pa mbaruar fjalën mirë, ia plasëm gazit të dyja. Ishte kjo shprehja jonë për dikë që na dukej krejt i veçante dhe shumë tërheqës… pra dukej se më së fundi Lila kish takuar dikë që i kishte lënë mbresa asaj…
E entuziazmuar, m’u drejtua: “Bel, a do të vish edhe ti në takimin që kemi me të nesër mbrëma?! Do të jemi disa fansa të tij dhe është pjesë e promocionit të librit të tij të fundit me poezi… Si thua?!”
Ajo nuk e përmendi emrin e tij po as unë nuk e pyeta.
Ashtu pak si e hutuar dhe e kapur fare papërgatitur, lëshova një: “Po, e pse jo!?” – me një buzëqeshje vetëkënaqësie që bëra më së fundi diçka me shumë dëshirë edhe për vehten time…
Atë natë ndejtëm deri vonë duke folur edhe mbi problemin tim dhe dukej se asaj marrëdhenie i kishte ardhur fundi, por duhej pak guxim nga ana ime për t’ia thënë gjerat hapur dhe pa ekuivoke Martinit, po edhe për t’i dhënë fund kësaj gjendjeje tërhiq e mos e këput pa fund… zgjatja e së cilës po i bënte gjërat edhe më të vështira e po na lëndonte të dyve shumë e më shumë…
E nesërmja ishte e dielë plot diell e qiell të kristaltë.
U nisa për në shtëpi, mbasi lamë me Lilën vendin dhe orën për takimin e darkës.
Lokali i vendtakimit ishte një pianobar i njohur, ku zakonisht takoheshin artistë e intelektualë të njohur… Mbas një “luftë” me gjithë garderobën time, së fundi e veshur fare thjeshtë e me flokë të ngritura lart, hyra në lokal në kohën e duhur.
Lila erdhi drejt meje dhe duke më përqafuar më shpjegoi në vesh, se personi në fjalë ishte i ulur në të djathtë të një shoqes së përbashkët që punonte në Bibliotekë Kombëtare.
U drejtuam bashkë dhe ajo më prezantoi me disa nga grupi, të cilët nuk i njihja më parë… midis tyre edhe shkrimtari.
Ai ishte i gjatë, shumë i gjatë, veshur sportiv, me pak flokë, me sy të mprehtë e të zinj, moshë mesatare dhe një zë të mrekullueshëm, që ja dëgjova kur tha emrin e tij. (si pianiste tingujt, notat dhe zërat njerëzorë më bënin gjithnjë përshtypjen e parë).
Atë zë as mundem ta harroj e as ta ngatërroj. Ishte magjik dhe fliste shumë, më shumë se pamja e tij tërheqëse e burrërore.
Emri i tij s’më thoshte asgjë… kështuqë u ndjeva pak keq që nuk kisha lexuar të paktën ndonjë prej poezive të tij, të cilat Lila më tha se janë brilante dhe të pakrahasueshme… Edhe ajo ishte njohëse e mirë e letërsise shqipe po edhe asaj botërore.
Të dyja, megjithëse morëm rrugë të ndryshme në studimet tona, kishim lexuar e vazhdonim të lexonim letërsi në disa gjuhë, e shkëmbenim vazhdimisht librat që lexonim, sidomos gjatë kohës së rinisë, kur i merrnim në Bibliotekë, mbasi shumë prej tyre nuk gjendeshin në treg dhe absolutisht asfare në gjuhë të huaj.
U ulëm të gjithë rreth e qark njeri-tjetrit dhe si zakonisht në këto raste, filluan bisedat dyshe, ndonjehere edhe të gjithë sëbashku, siç ndodh ndonjëherë kur jemi në grup…
Unë po rrija ca e heshtur, kur befas dëgjoj atë zërin e mrekullueshëm që më drejtohej:
“Eshtë kënaqësi të kemi në mes tonë edhe një pianiste, si adhurues i jashtëzakonshëm, e them modestisht i muzikës në tërësi dhe asaj klasike në veçanti.
Ju falenderoj për pjesëmarrjen në këtë takim, të cilin e organizoi me shumë perkushtim Lila jonë e dashur… Le të ngrejmë gotat për të, për librin, e për të gjithë ne!” – dhe gotat me verë u përplasën lehtazi, shoqëruar me shumë urime e buzëqeshje.
Më pas filloi shpërndarja e librit të tij dhe gjithësecilit ju ofrua nga një kopje libri.
Ashtu e ndrojtur, me librin në dorë ju afrova shkrimtarit për t’i kërkuar një autograf, si gjithë të tjerët! Ai ishte në këmbë, gjë që më bëri të ndihesha shumë e vogël krahasuar me të! Ai me një buzëqeshje të lehtë ma mori librin që ja ndeha dhe me pyeti për emrin “Bela, – i thashë, – është emri im!” dhe nuk di pse u skuqa si një adoleshente… Ai shkruajti diçka dhe me ktheu librin me shumë kujdes.
U ktheva ngadalë te vendi ku isha ulur dhe po bëhesha gati ta hapja për të lexuar ç’ka më ishte shkruar si autograf… por zëri i Lilës ma ndërpreu…
“Bela do të na luajë tani në piano Spring ëaltz (Valsin e Pranverës) të F. Shopen për ne dhe në veçanti për mikun tonë të vyer e të talentuar…!”
Toni i saj ishte thuajse urdhërues e nuk mund të refuzohej… dhe ashtu ngadalë iu drejtova vendit ku ishte piano…
Ndjeva emocione me shume se zakonisht. Ambienti ishte krejt i panjohur, po ashtu edhe pianoja… e megjithatë do të përpiqesha të bëja më të mirën që mundesha në ato kushte…
E hapa me kujdes pianon, bëra disa ushtrime të shpejta e të shkurta dhe se fundi u futa në notat e valsit të mirënjohur që filluan ta mbushin sallën…
Qetësi, muzikë ca frymë e mbetur pezull dhe më pas duartrokitje…
Me faqet të skuqura prej emocioneve, iu drejtova tavolinës dhe u ula për ta lehtësuar pak frymëmarrjen.
Lokali filloi të mbushej dhe muzika moderne e ndezi sallën… Zërat e lartë dhe muzika nisën të krijonin një zhurmë jo fort të këndshme për veshët e mi të mësuar me muzikë të qetë…

Jeta... edhe në një lëvozhgë arre
Jeta… edhe në një lëvozhgë arre

Mbasi kishte kaluar mbi një orë nga ardhja, mendova se ishte koha që të shkoja, kur ndjeva një dorë të më prekte në krah: “Bela, a mund ta kërcejmë bashkë këtë vallëzim!? A mundesh!?”
Mbeta e shtangur. Ishte shkrimtari. Kërkesa më qe drejtuar me shumë politesë dhe refuzimi do të ishte krejt i paarsyeshëm.
Filluam të rrotullohemi në sallë, të rrethuar nga shumë çifte. M’u duk vetja se po kërceja për herë të parë në jetën time… Këmbët më bindeshin me vështirësi… ndrojtja e fillimit kaloi dhe fillova të ndihesha më mirë, pooo shumë më mirë, por e pazonja për të folur qoftë edhe një fjalë… Ndërsa kërceja mundohesha t’i shmangesha vështrimit të tij dhe kaq… nuk shkëmbyem as edhe një fjalë të vetme… dikur muzika rreshti dhe ne u drejtuam te tavolina jonë.
Mbas kësaj, pa u ulur, u thashë se më duhej të shkoja… duke i falenderuar të gjithë dhe mbasi u përqafa me Lilën, dola në rrugë…
Nuk e di çfarë po ndodhte me mua, por isha e gjitha në një gjendje emocionale të përzier me kureshtje po edhe njëlloj entuziazmi…
Më duhej të ulesha diku e ta mblidhja vehten! Në barin më të parë që hasa rrugës, u ndala dhe mbështeta duart mbi tavoline… Tëmthat ende më rrihnin vrullshëm e faqet i ndjeja të nxehta. Çfarë kishte ndodhur?! Çfarë po ndodhte?! – do të ishte pyetja më saktë…
E hapa çantën me nxitim, nxora librin për të lexuar autografin… “Budallaqe, – i thashë vetes, – e çfarë mund të shkruante në një autograf!?”
E hapa librin edhe në faqen e dytë, në krahun e majtë ishte shkruar: “Belës, me shumë respekt ia dhuroj këtë libër timin me poezitë e mia më të mira!” Kaq ishte e gjitha… Ah… dhe numri i tij i celularit ishte aty… A ishte normale që në një autograf të vihej edhe numri i celularit?!
Nuk e dija… e si mund ta dija kur kisha shumë kohë pa marrë ndonjë libër me autograf… Ashtu e dyzuar e lidhur me numrin e celularit në libër, arrita në shtëpi.
Kur mbarova gjërat rutinë të darkës, hapa laptopin dhe bëra disa kërkime rreth emrit të tij në Google… dhe më dolën të gjitha publikimet e tij… me ato kopertina aq të bukura, ku dukej që ishin zgjedhur me mjaft kujdes.
Përveç librave me poezitë e tij, kishte edhe shumë përkthime nga poetë të mirënjohur botërorë, si dhe shumë libra me publicistikë.
Dukej qartas se kisha takuar një njeri jo vetëm të talentuar, po edhe të ndjeshëm, me vullnet e disiplinë të çeliktë… më shumë se të admirueshëm… Kisha takuar njeriun që e kisha ëndërruar kaq shumë ta gjeja në këtë botë!!
Jeta e kishte bërë të sajën, më kishte ofruar një tjetër mundësi… Unë isha ndalur në një liman me emrin e shumënjohur “dashuri!”
Ditët filluan të rrjedhin paqëshëm. Miqësia jonë rritej e kjo na jepte kënaqësi të dyve, ai vazhdonte të shkruante, mbase edhe më shumë se më parë dhe mua mbas pushimeve të verës, me priste nje kalendar i ngjeshur me koncerte…
Romancë më të bukur nuk mund të kisha ëndërruar, se kjo në këtë fund pranvere!!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.