Populli i rrogës… s’e do lirinë!
refleksion nga Jozef Radi
Na kena jetue për nji kohë të tejet të gjatë si popull i rrogës…
Për na, shteti ishte shpërndamës i punës, i bukës dhe i jetës për çdo qytetar. Kjo mënyrë jetese për nji gjysë shekulli na shndrroi krejt si bashksi në nji popull skllav ndaj shtetit aq sa sot asht disi e vshtirë me na çmësue…
Na, për gati nji gjysë shekulli nuk dijmë nji ditë të kena punue për vedi. Tue mos punue njeriu për vedi, me kohë e humbet edhe respektin ndaj vlerave të vedit po edhe ndaj punës njiherit… Na kena funksionue si robën t’nji rroge që ishte e kalkulueme (bashkë me dozën e vjedhjes mbrenda) në kufijtë ma ekstremë të mbijetesës… Për kët rrogë mendonte shteti, i cili kishte mbrritë me krijue elemente astronomikë jo me vëzhgue hyjtë, po me na vëzhgue në tasin e kaçamakut që aj t’mos ishte njaq i vogël sa me dekë unit, e të mos ishte njaq i madh sa me e shpërfillë shtetin. Tue qenë të lumtun pse s’mujshim me dekë unit, mundeshim me e shtue ndoj kashatë buke, tue i ba shërbime të zeza pushtetit për “të pabindunit”, tue u ushqye ksisojit përgjat nji gjyse shekulli, ma shumë me rrena se me bukë. E kështu kena jetue e mbijetue n’kufijtë ma ekstremë të unit e n’tehun ma të mprehtë të dekës, tue shkue gjithnji thellë e ma thellë drejt fundit, po pa e prekë fundit…
Na nuk e duem lirinë!
Na ende sot duem nji rrogë shteti n’këmbim të lirisë, që ai t’vazhdojë me na poshtnue e me na “pshtue uni”, nji rrogë që mundena me e pritë me orë të tana n’rradhë me e marrë si t’ishte dhurim. Na nuk mundena me jetue ndryshe, veçse n’fqinjsi me nënshtrimin e paftyrsinë, pse veç kështu, na mundena me dekë të lumtun e me bindje patriotike ndaj nji shteti që s’ka me hjekë kurrë dorë prej trajektores ngjitse e krimit, ndaj qytetarve të vet…
Na mundena edhe me dekë heroikisht unit, mjaft që mos me vdekë të lirë…!!!
janar 2009