back to top
6.5 C
Tirana
E premte, 27 Dhjetor, 2024

Kapllan Resuli, shkrimtar dhe ish i përndjekur politik vdiq ne Gjenevë të Zvicrës në moshën 88 vjeçare…

Gazeta

Kapllan Resuli
Kapllan Resuli

Kapllan Resuli, shkrimtar dhe ish i përndjekur politik

vdiq ne Gjenevë të Zvicrës në moshën 88 vjeçare...

Nga Gjeneva, lajmëruan ne më 11 gusht 2022, në moshën 88 vjeçar vdiq Kapllan Resuli, ish i përndjekur politik.
Publiku shqiptar e njeh përmes romanit “Tradhëtia” që demaskon veprimtarinë antishqiptare të komunistëve çetnikë serbë gjatë Luftës së Dytë Botërore në Kosovë. Atëkohë regjimi enverist i bëri një jehonë të madhe librit, ndoshta edhe për shkak se kalonte një periudhë e acaruar mardhëniesh me Jugosllavinë…
Më vonë Kapllani nisi të shfaqe idetë e tij plot urrejtje dhe përbuzje për shqiptarët, që shkonin paralel me tezat serbe. E folmja e Ulqinit thoshte ai në një projekt diplome vjen nga ajo e Shqipërisë së Mesme, sepse shqiptarët janë zgjeruar si bumerang nga jugu në veri. Regjimi e arrestoi dhe e dënoi me 49 vjet burg. Kjo ia shtoi urrejtjen Kapllanit për shqiptarët dhe pas viteve ’90 nisi të shkruajë dhe të botojë intervista kundër prejardhjes së tyre. Kam lexuar një libër në anglisht me përkthim të dobët: “Kush janë shqiptarët?!” (who are Albanians) shkruar nga Kapllan Resuli dhe jam skandalizuar për ato që thuhen në të.
Akademia e Shkencave e Sërbisë dhe ajo e Maqedonisë e kanë bërë anëtar për këto “merita”. Deri vonë është parë në Tiranë duke u interesuar për paret e burgut që i ka marrë si të tjerët.
Nga ana tjetër kam lexuar romane artistike të tjerë si Vejusha e Marinarit me një bukuri të jashtëzakonshme. Më vjen keq për të, që krijoi nje familje shqiptare dhe më pas i urreu shqiptarët…
Do të varroset në Ulqin sipas dëshirës së tij.
Marrë nga Bardhyl Adem Selimi
Më poshtë po paraqes një intervistë të tij të vitit 2015.

Kapllan Resuli - Tradhëtia - Roman
Kapllan Resuli – Tradhëtia – Roman

Kosova do t’i kthehet Serbisë – Shqiptarët s’janë ilirë

Këtë e thotë një albanolog shqiptar Kapllan Resuli

Albanologu shqiptar nga Ulqini, Kapllan Resuli, por që tani mbanë mbiemrin Buroviq, në një intervistë për mediat serbe, ka folur për prejardhjen e shqiptarëve dhe të ardhmen e shtetit të Kosovës. Ajo që e bën të veçantë këtë intervistë, është fakti se ai ua ka kaluar edhe historianëve dhe intelektualëve serb, sa i përket mohimit të historisë së shqiptarëve.
Por kjo çfarë thotë ai nuk duhet t’i habitë shumë shqiptarët, pasi ai së fundi veten e tij më nuk e konsideron shqiptar, por serb.
Akademiku, Kaplan Buroviq, i lindur në Ulqin, i cili për dekada të tëra jeton në Gjenevë të Zvicrës, ka folur për historinë e Ballkanit dhe në veçanti asaj të shqiptarëve dhe të Kosovës, transmeton lajmi.net.
Albanologu dhe ballkanologu, mohon pretendimet e shqiptarëve se janë populli më i vjetër dhe se kanë origjinë Ilire.
Buroviq thotë se kjo tezë, jo vetëm që shkencërisht nuk është e bazuar, por përkundrazi shkencëtarët botërorë kanë dëshmuar se Shqiptarët nuk kanë kurrfarë lidhje me Ilirët.
Sipas tij, akademikët austriakë dhe profesorët universitarë Gustav Weigand, Gustav Meier dhe Norbert Jokl, por edhe shkencëtarët më të mëdhenj shqiptar Eqrem Çabej, Aleks Buda, kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Shaban Demiraj, kryetar i dytë i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, jo vetëm që e kanë pranuar që shqiptarët nuk janë autoktonë apo me prejardhje Ilire, por edhe këtë gjë e kanë dëshmuar në studimet e tyre shkencore.
“Kështu Qabej dëshmon se gjuha shqipe është formuar në Rumaninë e sotme, qysh në shekullin e gjashtë, dhe se prej atje shqiptarët kanë arritur qysh në shekullin e dhjetë në fushën Mata mbi Tiranë. Prej aty janë shpërndarë në të gjitha anët e Shqipërisë së sotme, e cila në atë kohë ishte e banuar kryesisht nga serbët. Pas pushtimit turk, këta shqiptarë kaluan edhe kufijtë e Shqipërisë së sotme dhe do të shkuan në Serbi, Maqedoni dhe Mal të Zi”, ka thënë Buroviq për të përditshmen “Vecernje Novosti”.
“Ashtu si gjithë popujt e botës, edhe shqiptarët kanë kulturën e tyre, e cila është e lidhur me Shqipërinë e sotme, e jo për Kosovën. Kjo kulturë daton nga fundi i mesjetës, dhe në shumicën e rasteve e kanë krijuar të huajt. Jashtë kufijve të Shqipërisë e deri tek rrënjët e tyre, nuk kemi kulturë shqiptare. Libri i parë i botuar në gjuhën shqipe është nga viti 1555, dhe atë e ka shkruar një kroat dhe është botuar nga një shtëpi ortodokse e Malit të Zi. Abetaren e parë shqipe e ka përpiluar një vllah me emrin Naum Veqilharxhi në vitin 1844, derisa abetarja e parë pas çlirimit dhe shpalljes së Shqipërisë shtet i pavarur në vitin 1913, është shtypur në Serbi, dhe e ngarkuar në kuaj është transportuar në Shqipëri”.
“Pjesën më të madhe të monumenteve kulturore i kanë ndërtuar serbët. Se ekzistojnë themelet e ndonjë kishe bizantine aty, kjo nuk do të thotë se kishat e reja të ndërtuara janë bizantine”.
“Ekziston mundësia që në themelet e Kullës së Ajfellit në Paris të ketë qenë ndonjë ndërtesë romake, por ajo prap se prap u takon francezëve. Pas Luftës së Parë Botërore, në Kosovë ka pasur më pak se 400.000 shqiptarë. Ndërsa në mes të dy luftërave në veçanti pas Luftës së Dytë Botërore, numri i shqiptarëve është rritur, por jo aq sa ata sot po e falsifikojnë. Si gjatë pushtimit turk, dhe më vonë e edhe sot, shqiptarët janë vendosur në malet shqiptare në Kosovë, sepse atje në malet e tyre nuk ka pasur nga çfarë të jetojnë”, thotë albanologu kontrovers.
Për ardhjen e shqiptarëve në Ballkan ai thotë se ata aty erdhën si paganë, ndërsa besimin krishterë e kanë marrë pjesërisht nga serbët dhe pjesërisht nga Grekët por vetëm sipërfaqësisht, sepse thellë në shpirtin e tyre kanë vazhduar me paganizëm.
“Deri në vitin 1924, nuk kanë arritur të krijojnë kishën e tyre. Rrjedhimisht as nuk e kanë ndërtuar kishën. Aty ku kanë arritur i kanë minuar. Katolicizmin e kanë pranuar nga dioqeza e Barit dhe peshkopët serbë. As shqiptarët ortodoks as ata katolikë deri në ditët e sotme nuk kanë ndonjë shenjtorë të tyre. Të gjithë shenjtorëve të cilët ata i luten janë të huaj”.
Ai thotë se “Kosova do të kthehet në krahët e prindërve të saj Serbisë dhe atë së shpejti, ndoshta edhe në ditët tona”.
Buroviq flet edhe për Dimitrije Tucoviqin, dhe i thotë arsyet e tij, pse shqiptarët e respektojnë atë.
“Dimitrije Tucoviq është një serb Social-demokrat, i cili në vitin 1914 ka botuar në Beograd një libër me titullin “Serbia dhe Shqipëria”. Ai ishte indoktrinuar me historinë e falsifikuar të popullit shqiptar, kështu që problemet serbo-shqiptare i ka trajtuar me këto pozicione. Natyrisht se kjo u pëlqen shqiptarëve, dhe për atë e “respektojnë”. Në shenjë mirënjohjeje dhe respekti, po të kishte rënë në duart e Enver Hoxhës edhe atë do ta gjente belaja sikurse mua”, thotë Buroviq.
Kapllan Buroviq është albanolog, i cili sot jeton në Gjenevë. Ka diplomuar albanologjinë në Shkup dhe në gjuhën dhe letërsinë shqipe në Tiranë. Për kritikat drejtuar Titizmit dhe Enverizmit ka vuajtur një kohë të gjatë nëpër burgje. Ka kaluar plotë 33 vite në burgjet jugosllave dhe ato shqiptare. Ai ka të botuara disa libra shkencorë. Këto ditë feston gjysmë shekulli që nga publikimi i romani “Tradhtia”, i cili përdoret në librat shkollore në Shqipëri. Para pesë viteve është larguar nga Shqipëria dhe i është bërë serb, rrënjë të cilat thotë se i ka gjetur përmes kërkimeve shkencore.
(lajmi.net)

Gazeta Expresse  martë, 02 Qershor 2015

Kapllan Resul- Resulbegoviq - Buroviq (1934-2022)
Kapllan Resul- Resulbegoviq – Buroviq (1934-2022)

Historia e nje takimi me Kapllan Resulbegoviç

nga Enver Zhinipotoku

Në gusht të vitit 2004 isha Ulqin me mikun tim Misret Halilin, aktor teatri i njohur ferizajas, në javën “Skena verore e Ulqinit”.
Rreth plazhit në mbrëmje organizohej një panair 3-4 ditor i librit. Dolëm me mikun tim në mbrëmje rreth orës 22 dhe shikonim tituj librash. Shohim Kapllan Resulbegoviqin duke qëndruar në stendën me librat e tij të shumtë për t’i shitur. Në njërin prej tyre e kishte kundërshtuar Kadarenë, duke e quajtur “shkrimtar oborresh”.
Shoku im ndjesë pastë, deshi ta blente, po unë e tërhoqa dhe i thashë “Jo”. Më shikoi dhe më tha pse nuk po e lë shokun ta blejë librin?
Meqë ma çeli gojën ai, iu drejtova duke i thënë:
-Ti je zotëri Kapllan Resuli, apo Resulbegoviq, pastaj Buroviq?
-Jo, unë jam Kapllan Resubegoviq! – më thotë!
-Je shqiptar, siç je deklaruar më parë, apo malazez, siç po deklarohesh tani?!
-Jo, unë jam malazez! Ja libri, shikoji rrënjët e mia! – dhe ma ofroi një libër të tij.
-Ti je babai i Albanit dhe Albanes, (fëmijët e tij i kanë emrat Albana dhe Arben shënimi im j.r.) apo i Dushanit dhe Dushankës?! – dhe gjej librin “Tradhëtia” ku më herët në përkushtim shkruhej: “Fëmijëve të mi Albanës dhe Arbenit” e jo sikur tash: “Dushanit dhe Dushankës”
E acaruam muhabetin duke folur vetëm unë e ai. I them:
“Pse more burrë deklaroheshe se je shqiptar, e tash thua se je malazez?!” – Çka na u ke dashur të na gënjesh, ne kemi mjaft shqiptarë tradhëtarë! – dhe kjo që i thash në fund e xhindosi fare dhe na tha:
-Po ja, merrini librat e mi, nëse doni mos i paguani dhe lexoni. E shihni kush jam!
-Jo! – i them, një herë e kemi hangër ne shqiptarët e Kosovës dhe i kemi lexuar librat tu dhe kemi mundur të dënohemi me nga dhjetë vite burg, pse i kemi lexuar librat tu, se më, edhe me na i falë nuk i marrim, e aq më pak t’i lexojmë!
-Unë jetoj në Gjenevë ka vite që nga përmbysja e regjimit të Enver Hoxhës në Shqipëri, pasi dola nga burgu!
-Prej të gjithë shqiptarëve të burgosur në Shqipëri, Enver Hoxhës duhet pranuar që vetëm ty të ka burgosur me meritë, sepse ke gënjyer herë që je shqiptar, e tash që je malazez!”
Pas kësaj e kapi për krahu mikun tim Misret Halili dhe largohemi nga stenda e tij ku ai mbetet vetëm pas dialogut dhjetë minutësh që patëm me Kapllan Buroviqin e konvertuar në malazez.

Marrë nga bisedat te Muri i Bardhyl Adem Selimaj

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.