Poezia e Vinicius de Moraes,
si ushqim shpirti me dashninë…
nga Jozef Radi
Viniciue de Moraes asht pjesë e atyne poetëve delikatë e të tejmbushun me lirikë shpirtnore, sa asht thuejse e pamundun mos të bahet pjesë e gjithkujt që merr përsipër me e shfletue edhe me e lexue… Kështu m’ka ndodhë edhe mue, nji ditë vere, ndër bankarela t’librave të përdorun… ku tue shfletue faqe mbas faqeje nji emën tejt të panjoftun, me kopertinë nji fetë shalqini n’të, u harrova njaq shumë mbas tij, sa harrova edhe detyrën pse kisha dalë në qendër të qytetit… Edhe sot, që po sjell ndër ju kët vepër, jam thuejse i harruem ndër vargje tija, si dikur, njizet vite të shkueme, kur po e lexoja n’mahnitje s’pari…
Tue qenë se n’poezinë e tij asht shartue poeti, muzikanti, dipllomati, eseisti e kantautori – të gjitha këto sëbashku bajnë nji nyje të fuqishme me e admirue në vazhdimësi e thellsi poezinë e tij. Asht bash kjo shumsi e ndërthurun vlerash e tij, që ka shërbye edhe pikënisja jemje me e sjellë në shqip kët poet brazilian, thuejse të panjoftun për lexuesin shqiptar, e me mbrritë me e dimensionue në shqip n’at përmasën e lirikut të rafinuem, çka ai përfaqson… Mardhania me të m’ka kërkue nji elaborim gjithnji e ma të përsosun të fjalës, mendimit po ma së shumti ndjesive, të cilat ashtu të kapërthyeme sëbashku edukojnë muzikën e tij lirike, e mandej t’lejojnë m’u futë fillimisht në botën e tij, e mandej me guxue me e përkthye për me iu avitë sa ma afër përmasës që tij, kështu që sjellja e tij në gjuhë tande, aq sa ka qenë e vshtirë e të ka grabitë kohë po aq mundet me u konsiderue knaqsi personale po edhe ngjarje jo fort e zakonshme…
Vinicius de Moraes, përfaqëson për mue nji raport të shtrimë në kohë dhe herëmbashere ka shndrrue n’objekt të randsisë së veçantë, ndër përkthimet e mia. Disa cikle të tij kam botuem në faqet e radiandradi.com, nji tubë me rreth dhjetë poezi asht pjesë e antologjie teme: “Veç mundem me të dashtë, njashtu siç je” me 20 poetë lirikë, dhe tash ky libër me ma shumë se 60 poezi, mendoj se e legalizojnë dashamirsisht kët poet klasik e modern brazilian edhe në gjuhë shqipe…
Pra, ai ka pasë nji vend të veçantë në përkthimet e mia kahera dhe ky privilegj emocional i këtij libri, asht mbrritë pikërisht prej atij impakti shpirtnor mes nesh, të cilin un kam mujtë me e realizue përmes poezisë dhe këtyne përkthimeve të shtrime në kohë e ku besoj se edhe gegnishtja ka qenë në vetvedi “kali i betejës” me e sjellë në mënyrën sa ma dinjitoze e sa ma ambël shpirtin e tij lirik, përplot trishtime t’ambla edhe në gjuhë shqipe.
Ma parë se me iu futë betejës për transferimin figurën poetike të de Moraesit në gjuhë shqipe, jam përpjekë s’parit me u familjarizue e u aklimatizue me poezinë dhe vargun e tij, me mënyrën si ai e ndërton shpirtin e saj ndër kafazat e hekurta të soneteve të shumta që e përbajnë këtë libër, për me kuptue hap mbas hapit ato zbritjet e tij aq t’ambla, ku ma s’pari u përsillet objekteve e mandej i përthith e përthithet prej tyne me nji delikatesë të pashoqe, e ku gjithkund n’epiqendër të përkushtesës së tij asht figura e femnore në gjitha shpalosjet e magjisë poetike. Me kohë, kjo poezi nis e bahet edhe e jotja, bahet pjesë e nji relievi sentimental që të josh e të zhyt thellë e ma thellë në centrifugën e tij shpirtnore!
Raporti me de Moraesin s’ka qenë i lehtë, por asht ba intensiv e ma i ngroftë derisa m’u ba pjesë serioze e punës sime, gjithnji i shtrimë në kohë, mbasi ma së shumti e kam konsiderue nji argëtim të kohës së lirë dhe jo ndonji detyrë me ia shfaqë publikut. Pikërisht, kjo lojë argëtuese me de Moraesin mund t’jetë edhe arsyeja pse u përpoqa me u futë në shpirtin e tij, e pse prej njatij shpirti u përpoqa me asimilue e me nxjerrë at çka asht ma e vyeme për lexuesin shqiptar të poezisë, e ndoshta kjo asht edhe arsyeja pse besoj si ai, njashtu si mbetet tejet familjar me mua, besoj dhe shpresoj se i tillë ka me u shfaqë edhe për lexuesit e thjeshtë…
Tash që e kam lshue dore si t’ishte nji pulbardhë, besoj se ardhja e këtij libri n’nji gjuhë të veçantë s’ka n’vetvedi asnji sforco, përkundrazi asht kunorzim i qindra knaqësive të vogla në përkushtim, i rishikimeve t’imta e të pafundme që u kam ba poezive të tij, dhe nji çlirim prej nji peshe shpirtnore të ndryme e që sot vjen nji formën ma të plotë…
Ajo çka due të nënvizoj te shpirti lirik i de Moraesit, para se ju t’i zhyteni leximit, asht hapsina e pakufi me të cilën ai e pret dhe përcjell femnën, të dashtunën o miken e tij. E gjitha kjo poezi asht nji dialog në heshtje me të dashtunën, e në gjitha rrafshet ajo ka ngjyrosjet e veta individuale, por gjithnji mbetet si nji lloj tempulli, në të cilin ai falet pafundësishtm tue iu mrekullue çdo çasti që i asht dhurue e ka dhurue magjishëm, përmes vargjeve të veta…
Edhe nji herë besoj e shpresoj që ardhja e de Moraesit në shqip edhe pse paksa e tërthortë, mos t’jetë nji ngjarje e paverejtme e aq ma pak e shpërfillun. Ne jemi nji popull i edukuem për nji kohë të gjatë me urrejtje, bile e kemi çue urrejtjen në shkallën ma të epërme të saj, aq sa mundem me thanë se po i vuejmë edhe sot konceptet e pastra dashurore, e s’po dimë as me dashtë e as me u dashtë, s’po arrijmë me i dallue sfumaturat ma të vuejtshme të dashnisë në përmasat ma të prekshme të saj.
Besoj të kam ba gjithçka, që de Moraes të jetë i mirseardhun në gjuhë shqipe, si nji shpërfillës “par exellance” i urrejtjes, si nji edukator i thukët i sentimenteve humane në gjithë pozitivetin e tyne, si nji dipllomat i madh i dashnisë mes popujve si nji muzikant që e ka lejue Lyrën e tij me vazhdue në frymën e pavdekshme të dashnisë…
jozef radi, qershor 2022