back to top
19.5 C
Tirana
E martë, 5 Nëntor, 2024

Enigma e zbulimit te kodikve te Beratit – nga Ylli Polovina

Gazeta

Kodikët e Purpurt të Beratit
Kodikët e Purpurt të Beratit

Enigma e zbulimit te kodikve te Beratit

nga Ylli Polovina

Kush i zbuloj kodikët? – Nas Papapavli apo, Sigurimi Shtetit?

“…Ruajtja e dy kodikëve i qe besuar një këshilli sekret të tipit okult. Ai përbëhej prej tre vetësh dhe në këtë treshe hermetike vetëm njëri prej tyre kishte të drejtën ta dinte vendfshehjen. Kur ky ndërronte jetë, në cilësinë e tij prej treshes misterioze zgjidhej një tjetër. Në vitet e Luftës së Dytë Botërore edhe i fundmi i celulës treshe, kishte ndërruar jetë.
Ja pse mundësia e marrjes së informacionit për kodikët që do të bëheshin të famshëm në botë, u zhduk krejtësisht. Ata u gjetën në vitin 1968, pra në kohën e murlanit ideologjik kundër institucioneve dhe besimit fetar. Atëherë ndonjëri me hamendje e ka çelur gojën ose gjithçka ka rrjedhur drejt një gjetjeje rastësore. Një pjesë e kishave u prishën apo u shndërruan në mjedise me tjetër funksion, kështu u futën shumë duar kureshtare dhe plaçkitëse nëpër kthinat e tyre.
Ndërkaq studiuesja beratase aspak nostalgjike e periudhës prokomuniste, Parashqevi Sahatçiu, në pranverë të vitit 2011, më kërkoi ndihmë për të botuar në shtypin e Tiranës një shkrim të saj për kodikët dhe në të cilin ajo qe e mendimit se zbulimi i tyre qe kryer nëpërmjet Sigurimit të Shtetit…”

Kishë në Berat
Kishë në Berat

***
Në gazetën “Zëri i Popullit” të 28 janarit 1972, dijetari që pas disa muajsh, me themelimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë do të bëhej kryetari i saj më jetëgjatë, Aleks Buda, botoi një shkrim.
Kjo ndërhyrje e tij komunikative me opinionin publik u bë për të dhënë dhe përhapur lajmin shumë të gëzueshëm se në Arkivin Qendror të Shtetit qenë dorëzuar me një ceremoni të nivelit të lartë të pjesëmarrjes, dy kodikë shumë të çmuar të gjetur në Berat në vitin 1968. Këta ishin mjaft të dëmtuar dhe restaurimi i tyre qe bërë me shumë përkushtim në Kinë.
Dijetari Buda në shkrimin e vet vendosi edhe këto rradhë: “Të fshehur gjatë Luftë së Dytë Botërore, dy kodikët mbetën për më shumë se 20 vjet në qimitirin e lagur të një kishe të Beratit, ku u gjetën, më në fund, pas kërkimesh këmbëngulëse, për t’i siguruar tani përfundimisht për shkencën e kulturën tonë”.
Vazhdon profesori: “Na pëlqen të tregojmë, me këtë rast, se si nganjëherë historia përsëritet. Peripecitë e vuajtjet që pësuan gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore kodikët tanë beratas nuk i pësuan për të parën herë. Shënimet kronikale të ruajtura në disa dorëshkrime të tjera, gjithashtu me prejadhje nga Berati, tregojnë se edhe në vitin 1536 edhe në vitin 1400, kodikët e ruajtur në këtë qytet u detyruan për të marrë rrugët për gjetur strehim dhe për t’u fshehur nga rreziku i ushtrive të huaja që po i kanoseshin qytetit. Me këtë rast shkruesit e këtyre shënimeve kanë rreshtuar emrat e kodikëve të vyer, që ata u kujdesën t’i “evakuonin” dhe nuk çuditemi që midis tyre, pranë kodikëve që ndërkohë kanë humbur, figuron edhe Beratasi ynë i Purpurt me germa të argjendta. Edhe diçka më tepër: edhe në këto kohra të lashta kishte njerëz patriotë që i donin dhe dinin t’i çmonin librat. Shënimi na thotë se në 1356, dy vetë ngarkuan mbi shpatullat e tyre 27 kodikë dhe i shpëtuan duke i çuar në një vend të sigurt. Nga mirënjohja, na jepet edhe emri i këtij patrioti beratas të shekullit XIV, të quajtur Skuripeqi. Tradita e Skuripeqëve nuk u shua në Berat. Gjatë Luftës nacionalçlirimtare qytetarë beratas u qëndruan me rrezik jete nazistëve që kërkonin të grabitnin dorëshkrimet e ruajtura”.
Ja edhe fraza përmbyllëse e të gjithë shkrimit të Aleks Budës: “Më në fund, meriton të përmendet patrioti plak Nasi Papapavli, i cili mori pjesë aktive në gjurmimin e kodikëve të humbur”.
Kaq bëri të ditur Aleks Buda në 28 janar 1972, duke lënë të kuptohet se psalti beratas që nga 1956 me banim në Tiranë, ishte njëri prej ndihmësve për gjetjen e kodikëve. Dijetari në shkrimin e tij nuk përmend ndonjë emër tjetër të jashtëm. Pra Nasi Papapavli, sipas tij, është më i spikaturi, ndoshta kryesori.
Profesori nuk lë ndonjë shteg për për pikëpamjen e përhapur më pas, sidomos pas viteve nëntëdhjetë se Papapavli është zbuluesi i kodikëve, i vetmi i tillë. Profesor Buda e konsideron kërkues shumë të rëndësishëm, por gjithsesi vetëm kërkues.
Ndërkohë ka një të dhënë tjetër të paraqitur prej rrëfyesve të shumtë të kësaj historie tashmë të shndërruar në triller: “Kur i biri e falënderoi atë pėr çka kishte shkruar në gazetë, Prof. Dr. Aleks Buda iu përgjigj: “U çlirova nga një barrë e rëndė morale karshi babait tuaj, i cili me një përkushtim, këmbëngulje dhe durim të habitshëm nuk reshti së ardhuri në Institut çdo dy javë, për 15 vjet rresht, për të marrë ndonjë përgjigje për fatin e Kodikéve”.
Nasi Papapavli këto çaste të bërjes publike të superngjarjes shkencore jo vetëm shqiptare e kontinentale, por plotësisht botërore, kishte ndërruar jetë.
Sipas pohimit të Aleks Budës, tërthorazi, të krijohet bindja se psalti beratas dinte ekzistencën në kala të dy kodikëve të çmuar, të fshehur në një kishë (mbase dinte edhe cila qe kjo kishë), por jo vendin konkret.
Nasi Papapavli kishte qenë shtytësi dhe nxitësi kryesor i aksionit të kërkimit, sepse është e sigurt dhe prej autorit të këtij shkrimi e konfirmuar nga disa burime, se ishte ai që e kishte vënë në lëvizje të gjithë procesin, kur që në muajt e parë të vendosjes në Tiranë, shkoi në Institutin e Shkencave dhe pas disa përpjekjesh u takua me drejtorin e tij, Aleks Budėn.
Sipas studiuesit të Krishtërimit Ortodoks, Andrea Llukanit, “Ai e priti, e dëgjoi me vëmendje dhe i premtoi se do të interesohej dhe do ta njoftonte. Në takimin tjetër Prof. Dr. Aleks Buda i tha se çështjen ja kishte referuar Degës së Brendshme të Beratit, kishte shkuar edhe vetë në Berat, por përgjigje nuk kishte marrë”.
Pas Nasi Papapavlit dhe Aleks Budës ja edhe protagonisti i tretë i kërkimit për gjetjen e vendndodhjes së kodikëve të fsheshur: Sigurimi i Shtetit.
Kjo hollësi nuk doli kurrë në dritë gjatë regjimit të shkuar dhe u fut dhe u ngurtësua nën rregullin e mbajtjes sekret, siç ishte e zakonshme dhe e detyrueshme të zbatohej për çdo veprimtari të këtij Sigurimi, në të cilin për fat të keq zinte vend të madh policimi politik.

Kodiket e Beratit
Kodiket e Beratit

Por duhet thënë se në këtë sektor të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në çdo qytet, sidomos atje ku kishte monumente të ndryshme historike dhe kulturore të së shkuarës, përfshi edhe ato fetare, funksiononte edhe një seksion, i cili merrej me inteligjencën dhe rininë. Krahas përgjimit të jetës së njerëzve, ku nën direktivën e PPSH-së dhe të Enver Hoxhës janë kryer faje shumë të rënda, mbrohej edhe trashëgimia e sipërcituar.
Duhet thënë njëkohësisht se zgjatja 15-vjeçare e këtij kërkimi deri në gjetjen e dy kodikëve duhet të ketë ardhur pikërisht prej natyrës shumë të vështirë të procesit të zbulimit edhe nëpërmjet informatorëve. Sigurimi i Shtetit në degën e Punëve të Brenshme në Berat ka të ngjarë të ketë ndeshur në një “mur gome”, në “zero të dhëna”. Jo vetëm Nasi Papapavli nuk ngjan besueshëm se e ka ditur dhe treguar vendin real të fshehjes, siç ende qarkullon një rrëfim i legjendarizuar, por askush tjetër në Lagjen Kala.
Ruajtja e dy kodikëve i qe besuar një këshilli sekret të tipit okult. Ai përbëhej prej tre vetësh dhe në këtë treshe hermetike vetëm njëri prej tyre kishte të drejtën ta dinte vendfshehjen. Kur ky ndërronte jetë, në cilësinë e tij prej treshes misterioze zgjidhej një tjetër. Në vitet e Luftës së Dytë Botërore edhe i fundmi i celulës treshe, kishte ndërruar jetë.
Ja pse mundësia e marrjes së informacionit për kodikët që do të bëheshin të famshëm në botë, u zhduk krejtësisht. Ata u gjetën në vitin 1968, pra në kohën e murlanit ideologjik kundër institucioneve dhe besimit fetar. Atëherë ndonjëri me hamendje e ka çelur gojën ose gjithçka ka rrjedhur drejt një gjetjeje rastësore. Një pjesë e kishave u prishën apo u shndërruan në mjedise me tjetër funksion, kështu u futën shumë duar kureshtare dhe plaçkitëse nëpër kthinat e tyre.
Ndërkaq studiuesja beratase aspak nostalgjike e periudhës prokomuniste, Parashqevi Sahatçiu, në pranverë të vitit 2011, më kërkoi ndihmë për të botuar në shtypin e Tiranës një shkrim të saj për kodikët dhe në të cilin ajo qe e mendimit se zbulimi i tyre qe kryer nëpërmjet Sigurimit të Shtetit.
Artikulli i saj studimor u botua në shtojcën kulturore “Milosao” të “Gazeta Shqiptare”, në 12 qershor 2011. Titulli ishte i drejt për drejtë: “Enigma e kodikëve të Beratit. Si arriti t’i shtjerë në dorë Sigurimi i Shtetit”.
Studiuesja Sahatçiu ndërkohë më kish shkruar se “Një punonjës i Sigurimit në Berat më pati thënë se “Turistët e parë që vinin, kërkonin me këmbëngulje kodikët. Ne nuk dinim se çfare ishin. Pyetëm lart dhe na thanë: “Janë libra me shumë vlerë”. Kjo çështje ishte punë në sektorin e Hamit Qoses dhe të Anastas Bojaxhiut. Ata filluan intesivisht të kërkonin dhe gërmonin. Uné kaq di”.
Më shkruante më tej Parashqevi Sahatçiu: Ky zotni mbas insistimit tim, që me siguri e dinte, e humbi qetësinë dhe më tha: “Unë kam qenë ushtarak dhe pse ra ai rregjim nuk dua t’i nxjerr sekretet”. Nuk e zgjata më.
Pas kësaj letre të hershme email, studiuesja Sahatçiu, e përkorë dhe serioze me faktet historike, kur para disa muajve i kërkova rikonfirmim të pikëpamjes së saj, sepse një rol shumë të rëndësishëm në gjetjen e vitit 1968 e ka luajtur i paharuari Nasi Papapavli, m’u përgjigj: “Ylli, bindu që kodikët i zbuloi Dega e Punëve të Brendshme e Beratit”.
Po ashtu më shkruante: “Po ta them se në ato kohë Nasi Papapavli ishte i sklerozuar. Por ishte burrë i urtë, ia papërzjerë, fetar si i thoshin, esnaf”.
Sigurisht për arsye të një lidhjeje familjare me të bijën e Nasi Papapavlit, Elpiniqi, unë e dija se shtatë motet e fundit të jetës së tij në Tiranë, pra pas vitit 1964, psalti beratas i pasionuar pas kërkimit dhe gjetjes së dy kodikëve dhe sidomos kryeveprës së quajtur më pas “Kodiku i purpurt i Beratit” ose“Beratinus-1”, ishte vërtet në gjendje të rënduar sklerozimi.
Ndërkohë në Berat Nasi Papapavli është shpallur “Qytetar nderi”, punë e mënçur kjo. Kontributi i profesor Aleks Budës po ashtu nuk mund të mohohet, por në të kundërt: duhet spikatur edhe më. Por nuk ka përse të rrijë në “top sekret” apo të mbesë në gjirizin e pjesën famëmbrapësht të policimit politik, protagonizmi i vyer për kodikët e Beratit i Sigurimit të Shtetit.
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.