Guri i Qoshes
nga Muçi Xhepa
Pranë rrugës automobilistike është një shtëpi, që prej vitesh nuk është parë të dalë, apo të hyjë njeri. E vendosur në fushën e gjerë përrallore të fshatit Bulgarec, rreth saj gjithnjë kullosin lopë. Të patrazuara. Kur afrohesh, i shtyrë nga kureshtja, ndjen një energji, forcë, si të jesh përshkuar nga rrymë elektrike e ulët dhe veshët të gumëzhijnë. Zhurmë. Tinguj. Udhëtojnë nëpër hapësirë. Muret e njollosur me ankth, trishtim, fshehin biseda, lot…
-Vëllavrasja nisi me tradhti. Luftëtarët e lirisë nën komandën e Bexhet Agollit kishin thyer njëra pas tjetrës, në luftime të përgjakshme, hordhitë sllavo-komuniste të drejtuara nga agjenti serb, Agush Gjergjevica.
Demir Pojani, ka vuajtur një çerek shekulli në Gulagun shqiptar – burgjet dhe kampet e shfarosjes komuniste, si antikomunist i vendosur. Të njëjtin fat patën edhe dy vëllezërit e tjerë, Meti dhe Edi. Të gatuar me gjak të pastër shqiptari, tre heronjtë i qëndruan torturave pa u thyer. Jemi mbledhur te lokali modern i Metit. Biseda merr zjarr, sapo përmendet përkrahja perëndimore, kriminale: si të jemi kthyer në kohën, kur mbështesnin pushtuesit komunistë. Demiri ka oratori të lindur. Natyrë ekspresive. Tregon fakte që historiografia zyrtare i ka lënë me qëllim në harresë.
-Forcat e Bexhetit dhe Safet Butkës ishin vendosur në Melçan, Teqen e Melçanit, ku kishin gjetur edhe mbështetjen e babait të teqesë, Baba Zylfos. Patriot e trim i vërtetë. Përkrahja në popull ishte e madhe. Vendi ishte i pasur. Komunizmi nuk kishte mundur të zinte rrënjë në ato anë. Por, me forma të sofistikuara, kishin bërë për vete Xhevat Starovën. Ky, i urdhëruar, kishte dislokuar forcat e ballit.
Demiri ndërpret tregimin dhe porosit kafe. Të fortë. Ashtu bëjmë edhe ne. Menjëherë më zë ankthi.
-Bexheti, Xhevdeti dhe Qani Panariti shkojnë të marrin bukë. Në teqe, u kërkojnë parrullën. Bexheti e kupton se ishin të tradhtuar dhe menjëherë hap zjarr. Të rrethuar nga forca të shumta, mbeten të vrarë, mes tyre edhe Baba Zylfo, që e kishin tradhtuar nipërit.
Demiri merr frymë thellë. Kuptohet se do të tregojë diçka që e kalon njerëzoren.
-Edhe pse Bexhet Agollin e kishin vrarë, shtazët nuk ishin ngopur. Kushërira ime, Vera Pojani, kishte marrë pjesë vetë në gjymtim.
“Gjymtim”: mos do të thuash heqjen… tredhjen, heqjen e organeve të brendshme, heqjen e lëkurës…
Fjalët më dalin të gjakosura.
-Jo, më keq akoma. Copëtim. I prenë kokën, krahët, duart, këmbët… Ashtu e gjeti vëllai i tij Veri. E mblodhi me çarçaf dhe në pikëllim të thellë e varrosi. Në fshehtësi.
Kënaqësia e të qenit e dhunshme, “evolucionare”, “revolucionare” – një mbetje parahistorike e luftës për mbijetesë në një të kaluar të egër, them me vete. Apo, gjaku e sillte në kontakt me një botë të mbinatyrshme që komunistët e përdorën për ta çuar shoqërinë njerëzore drejt çmendurisë.
-Demir, shtëpia e vetmuar buzë xhadesë është e lidhur me këtë tmerr.
-Je i vëmendshëm. Po. Ver Agolli, duke parë se lufta civile e ktheu vendin në ferr, mori udhën drejt kufirit. Të arratisej. Fati s’ishte me të. E zunë dhe e burgosën. Ndërsa e torturonin në qeli, nënës sime, Safetes, motrës së Verit, i kërkonin para për ta liruar. Dorëzoi çdo gjë që kishim, kërkoi motra ku mundi para. Derë më derë te të njohurit tanë. Hienat nuk nginjeshin.
Demiri tregon me sy të lagur. Ndërsa mua më vjen ndërmend thënia:
“A e dini se çfarë është miqësia, sakrifica… është të jesh vëlla dhe motër; dy shpirtra që prekin pa u përzier, dy gishta në njërën dorë!” – Victor Hugo
-Mësuan se e kishin pushkatuar. 1946. Natë dimërore me shi. Buzë lumit Dunavec. Ashtu mes llucës kishin lënë pa mbuluar një copë pizhame. E njohu motra. E nxorri nga balta. Sytë i kishte të mbushur me akull. E vajtoi vëllanë. Pikëllimi si lumi i rrëmbyer; me valë. Dërrmues.
Demiri fshin lotët e nxehtë. Palos shaminë me kujdes. T’i ruaj. Dhimbjen.
U mblodhën burrat. E vunë në kopësht. Pritën të mos i shihte kush. Dhe, kur errësira mbuloi vendin e futën në shtëpi, kuzhinë. Në qoshe. Hapën vendin. Të përjetshëm. Pranë kokës motra i vendosi gur…
Marrë nga muri i Fb, Muçi Xhepa, 6 tetor 2022