back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Copëza shënimesh… – nga arkivi me shënime dhe dokumenta i Dr. Lazër Radi

Gazeta

Lazër Radi, Brooklyn - 1994, me të bijën dhe mbesën
Lazër Radi, Brooklyn – 1994, me të bijën dhe mbesën

Copëza shënimesh… 

nga arkivi me shënime dhe dokumenta i Dr. Lazër Radi 

Vjeshta e tretë – Historia e një kafeje
Ishte ditë vjeshte.
Një shi i imtë dhe i ftohtë, sikur i bante kunorë zymtësisë së atyne ditëve që duhej të ishin festive…
Duhej ta kalonim natën.
Aty në atë kafe “Kristal” të Tiranës, zumë nji qoshe e n’atë tymnajë duhani, ku notat e nji muzike banale, ndërthureshin në at atmosferë jo të pastër, po të ngrohtë…
Të gjeje nji skutë të ngrohtë n’atë kohë nuk ishte punë e vogël…
Aty shkrova disa nga tregimet e shkurta që i botova në gazetën “Shtypi”

***
Kafet e artistëve në Romë “Aragno” dhe “Caffe el Greco”, në Trieste “Caffe San Marco”. Në Ischia një “Caffe Internazionale”

***
Platoni i krahason fshatarët, artizanët, tregtarët me “barkun”, d.m.th. me një organ i zoti vetëm për funksione e shije poshtëruese. Ata formojnë fisin e hekurit që i nënshtrohet atij të arit (filozofët, pushtetarët) dhe atij të argjendit (luftëtarët, mbrojtësit e shtetit).

***
Hierarkia e përcaktueme nga Platoni nder tri pjesëve të natyrës njerzore: racionale (me arsye), pasionale (temperament, zjarrtë), dhe apetitive (oreks madh) – që i përgjigjet kësaj ndarjeje sociale dhe ma vonë do të hyjë tërësisht në ideollogjinë e kristianizmit primitiv.

***
Shën Pali do të flasë shpesh për nji dallim rranjësor ndërmjet shpirtit (periuma)
Ashtë gja e bukur të shkruash atë që mendon, ky ashtë privilegj i njeriut. Në vendin tonë shkruajnë ata që nuk mendojnë.

***
Në kët tokë të mallkueme, në këtë vend të Marin Barletit, Sami Frashërit, Fan Nolit e të dijetarve të tjerë, njeriu nuk mund të shprehë nji ide të vetën pa patun ma parë lejen dhe miratimin e jakobinëve të përgjakshëm.

Rruga e andrrave
-Kujtimet shpesh janë të dëmshme se na detyrojnë të jetojmë me të kaluarën.
-U bë si sëmundje e pashërueshme që nuk i ndahet njeriut deri në varr.

***
Karakteristikë e këtyne regjimeve totalitare asht jo vetëm shpërfytyrimi shpirtëror po edhe shpërfytyrimi fizik: të qethin me forcë…

***
Një zog i vogël në fole, hidhet dhe fluturon. Si e di ai që krahët do ta mbajnë, apo ka besim në vete?! Besimi e mëson të fluturoj.

Boris Pastërnak
Më 6 Nëntor 1968, në gazetën “Pravda” botohet nji letër, nji autokritikë e shkrimtarit të madh Boris Pastërnak, autor i romanit “Doktor Zhivago”, me të cilën ai e refuzonte çmimin Nobel që ishte akorduar! Pas disa ditësh botohet edhe nji letër tjetër në të cilën i lutet sekretarit të parë, Nikita Hrushovit që të mos e syrgjynoste në Siberi o të mos e dëbonte. Për nder të tij, në këtë ditë, u botua letra e Lidhjes së Shkrimtarëve Sovjetike me të cilën ata sulmonin Akademinë Suedeze, për provokacionin me rastin e dhënijes së çmimit Nobel të nji vepre (në këtë rast “Doktor Zhivagos”) d.m.th. e nji vepre që nuk ishte aprovue nga Lidhja e Shkrimtarëve e Sovjetikë. I persekutuem, i rrëzuem moralisht, në nji atmosferë mbytëse të krijueme përreth tij, nji vit e gjysë ma vonë, ai vdes, në maj të vitit 1969. Të fundmet mbetën disa poezi të tija, në të cilat i këndohet shpresës për të ardhmen.

Lazër Radi dhe bashkëshortja Vitorja
Lazër Radi dhe bashkëshortja Vitorja

Njeriu i pa kohë
Njeriu pa kohë – jeton me të kaluemen – dhe të tashmen e jeton jashtë të ardhmes.
Njeriu duhet të plaket në mënyrë inteligjente:
-ritmi i kohës
-mençuria
-gjëra të mira e të papërsëritëshme të së kaluarës e të tjera vetëm gjëra të mira – ku ai di të zgjedhë të mirën nga e keqja, pa pasë nevojë të bjerë në kompromise.

***
Thania e Ramiz Alisë se: “Shqipëria nuk ka traditë pluraliste” – më nxiti të shkruaj këtë skicë
Atje përtej kodrave tona jugore, në greqinë e lashtë, demokracia, si nocion filozofik dhe si praktikë shoqnone ka nji origjinë tepër të lashtë, që para erës kristiane.
Vetvetiu vjen pyetja a do të dijmë të qëndrojë në lartësinë e duhun?
A do të dijmë të tregojmë se diktatura gjysëm shekullore nuk e ka trullose por na ka kalitë si hekurin në kudhër?
Projektorët e vëmendjes i janë drejtue Shqipnisë. Bota do ta shikojë për të parën herë kët popull për të cilin kanë ndigjue hërë mirë e herë keq, po ma së shumë keq sepse e tillë ishte propaganda lakmiqare kundër vendit tonë. Na asht dashtë ta mbrojmë vedin dhe identitetin tonë.
Mas fushatës, të përgënjeshtrohet mendimi se do të bahet masakër. T’i japin dorën njëni-tjetrit dhe të gjithë të vejmë të gjitha forcat për t’ia përmirësue jetën këtij populli, për ta futun denjësisht në Europë, në atë shtëpi të madhe, të përbashkët, pa kufij e pa shovinizma vrasëse.
Pluralizëm nuk do të thotë vllavrasje, por pikpamje e platforma të ndryshme të cilat pastaj konvergojnë në nji pikë të vetme: liria, demokracia dhe mirëqenija e popullit.
Njeriu që bahet kangtarë i madh pa patun za asht si ai tjetri që bahet politikan i madh pa i patun cilsitë e duhuna.

Dogma e dyshimit –
Të dyshohet mbi çdo gja jo perfekte, sepse të përsosun s’ka asgja, po së paku ma të mirë.

Për shkatërrim apo për ndërtim?
Duhet të krijohet nji atmosferë e qartë.
Nevojitet nji mirëkuptim, nji tolerancë e përgjithëshme, duhen këput divergjencat parimore kur paraqiten shenjat e nji kthese të vërtetë për të shërbyer kombit e për të krijue nji bashkëjetesë të pastër kombtare pa mbrapamendime dinake e të mbrapshta, pa qëllime keqdashëse e pa yryshe për poste dhe lavdi.
Duhej të përcaktoheshin sa më shpejt e me saktësi grupet politike të afta për të marrë pushtetin sapo të largohen… ky diagnostikim i parakohshëm ishte tepër i vështirë në… ku lufta politike kishte munguar plotësisht. Në të njëjtën kohë këtu nuk ka elemente që të formojnë bërthamën e nji klase politike drejtuese të aftë për të ngjallë tek masat popullore nji interes të vërtetë për problemet politike…

***
Shtetet kanë edhe periudhat e tyne të dekadencës: Ka ranie në vlerat tradicionale, ranie në traditat morale, juridike e politike.

***
Gjykatësit, vegla të këtij regjimi, përfituen për të ba karrierë, siguruen të ardhuna të majme, e dinin mirë se drejtësia kishte ra aq poshtë sa që mund të quhet nji fyemje për drejtësinë vetë: nuk u la metodë pa u përdorur.

***
Provat siguroheshin me nji cinizëm të neveritshëm, në rastet ma të shumta në formë pohimesh të shkuluna pas orësh e nga njiherë ditësh të tana torturash nga ma çnjerzoret, mesjetare.
Tortura e arkës (si në Siçili): 1 m e gjatë, 70 cm e gjërë, 50 cm. e lartë… duart dhe këmbët i lidheshin me tela të hollë çeliku në faqet e arkës. Fatkeqi spërkatej me ujë të krypun dhe goditej me nji kamxhik me fije kali. Goditjet ishin tepër të hidhuna po nuk linin shenja. Tortura të tjera: të shkulnin qimet nga trupi, thonjtë, i digjnin shputat e këmbëve, i vinin në tension elektrik, i shtrëngonin me forcë organet gjenitale. Herë i vinin në gojë ujë të kripun dhe duke i mbyllun vrimat e hundëve i fryhej stomaku.
Vetëm nji diktaturë që shtyp çdo liri informacioni e kritike e që asht indiferente ndaj reagimeve të opinionit publik mund të përdorte metoda të tilla…

Marrë nga muri i Fb i Luçiano Radit, 29 tetor 2022

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.