back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Në vorbullën e vrasjeve të vogla – nga Agim Morina

Gazeta

Agim Morina
Agim Morina

Në vorbullën e vrasjeve të vogla

nga Agim Morina

Vrasje e vogël asht me gjujtë bërllogun në rrugë.
Vrasje e vogël asht me bërtitë në mes të rrugës e me shqetësu gjindjen. Mos me pritë në rend kur blen biletë. Me derdhë ujë prej ballkonit e në mes të rrugës. Dikush që laget nga ky ujë tashma asht nervozu prej bërllogut në rrugë, prej shamjes, bërtimës apo faktit që dikush nuk ka pritë në rend dhe tash ban ndonjë veprim kriminal, tue mendu se kështu i zgjidh të gjitha vrasjet e vogla përnjëherë.
Vrasje e vogël asht me e tejkalu radhën para sporteleve, sepse e ke “të njofshëm” dikënd që punon aty. Me shku te një mik vetëm kur të kap zori e je në hall. Me rrejtë shumë, për me mujtë me përfitu pak. Vrasje e vogël asht me kqyrë prej dritares se çka ban kojshia, për me mujtë me përgoju atë në kafe. Me ngu çka po flet dikush tjetër e m’ia përcjellë të përgojuemit.
Vrasje e vogël asht me uzurpu prona, me qenë i pangopshëm, sepse e ke zanë një karrige në pushtet. Me dënu dikend ma pak, pse krimineli të paguen. M’ia qitë notën ma të mirë një fëmije që e njeh apo ke interes prej prindëve të tij. Fëmija që vlerësohet padrejtësisht ma pak prej një mësuesi bahet kriminel potencial.
Vrasje e vogël asht me ba plagjiaturë. Me qenë mosmirënjohës. Me provu me e mbajtë hundën nalt tue u veshë me pendla të hueja. Mos me mshelë derën kur del nga një godinë. Mos me lëshu ujin në nevojtore e mos me ndalë kronin ku i ke la duert. Me iu gëzu fatkeqësisë së tjetrit asht vrasje e vogël.
Me i kqyrë punët e hueja asht serial vrasjesh të vogla. Me rrejtë asht koxha një serial vrasjesh të pandalshme. Edhe me i kqyrë punët e hueja, edhe me rrejtë: qe, asht shtru rruga për krimin e madh.
Vrasje e vogël asht mos me u ngopë tue u pasunu padrejtësisht, sepse kështu e vorfnon dikënd padrejtësisht. Fëmija i atij të vorfnuemi padrejtësisht bahet kriminel, jo pse asht i sëmutë prej mendjes, por ngaqë e ka traumatizu vorfnija. Aj nuk ka zgjidhje tjetër, pos me u ba kriminel, dhunues e vrasës.
Vrasje e vogël asht mos me mujtë me ndalë zilinë tande për suksesin e dikujt tjetër. Vrasje e vogël asht me ndërhy për me punësu dikënd “tandin”, sepse ke pushtet, apo pare. Vrasje e vogël asht kur e regjistron fëmijën tand në fakultet pa merita, sepse e vret ardhmëninë e një fëmije që e ka meritu këtë.
Vrasje e vogël asht me jetu në zhurmë të vazhdueshme e të pandalshme, çdo ditë, çdo muej, çdo vit.
Vrasje e vogël asht me i ra burisë pa nevojë në mes të qytetit, me gjujtë me armë gjatë dasmave. Me qeshë me fatkeqësinë e dikujt tjetër. Me kallxu sa je i fortë – dmth. sa je kriminel – kundër një ma të dobëti.
Vrasje e vogël asht me komentu mbas çdo vrasjeje histerikisht.
Vrasje e vogël asht me shfaqë hipokrizinë tande, tue mendu se kështu bahesh ma i mirë, pa mendu ma parë se a e ke gjujtë bërllogun para derës, a je tue pengu me zanin e naltë të muzikës që je tue e ngu, a ke sha dikënd në rrugë, a ke përgoju dhe, gjithsesi, pa e mendu a i ke fshi qyrrat që të varen prej hundësh.
Vrasje e vogël asht me ble prodhime të Serbisë, tue harru sa njerëz kanë vdekë nga dora gjakatare e saj. Mos me u çu e m’ia lëshu ulësen një ma të moshuemi në autobus. Mos me i thanë “faleminderit” shoferit, sa herë që del prej autobusit asht vrasje e vogël.
Me e nënçmu veten asht vrasje e vogël, por e rrezikshme. E kjo vjen tue nënçmu apo tue poshtnu gjuhën tande apo tue i nënçmu herojtë e tu kombëtarë. Me mbiçmu veten asht vrasje e vogël pak ma e rrezikshme, sepse ta kurthon hundën që e mban përpjetë ndërmjet dërrasash të marrëzisë sate.
Vrasje e vogël asht mos me dijtë.
Vrasje pak ma e madhe se kjo asht mos me dashë me dijtë. Mos-dash-ditunia asht nana e madhe e të gjitha vrasjeve të vogla.
Vrasje e vogël asht me besu se veç ti ke të drejtë.
Vrasje pak ma e madhe asht kur këtë e ban parim të jetës.
Vrasje e vogël asht mos m’ia kthy kusurin arkatares që të ka dhanë gabimisht ma shumë pare, sepse ajo qortohet prej shefit pse llogaria financiare në fund të orarit të punës del ma pak. Tue u kthy në shpi ajo e sheh bërllogun nëpër rrugë. Dikush i derdh ujë në krye nga ndonjë ballon. Dikush e shan. Dikush i fishëkllen, për kambët e bukura që i paska. Dikush e shtyn në autobus apo i afrohet me duhmën dhambëve të palame. E shqetësueme, ma në fund, mbas kaq vrasjesh të vogla, ajo kthehet në shtëpi. Burri, që po ashtu ka kalu nëpër gjithë mizërinë e vrasjeve të vogla e të përditshme, asht në kulmin e zemërimit. Të traumatizuem çifti ngatërrohet kot për një gotë të palame. Edhe gota e palame del me qenë vrasje e vogël, që ndez dinamitin e të gjitha vrasjeve të vogla bashkë.
Krejt këto vrasje të vogla mblidhen pahetueshëm, dalngadalë, – sikurse onkogjeni, qeliza kanceroze, që e pushton trupin tue u shumëzu – dhe e përgatisin njeriun për vrasjen e madhe. Një vrasje e madhe asht vetëm manifestim përfundimtar i krejt këtyne vrasjeve të vogla, që, njerëzit, tue mos u dhanë fare randësi, as nuk i mendojnë.

Marrë nga muri i FB Agim Morina, 1 dhjetor 2022

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.