back to top
11.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Prekë Cali – Nderi i Kombit: Kreshniku i Kelmendit  të Malësisë së Madhe dhe Hero i Kombit Shqiptar – nga Frank Shkreli

Gazeta

Legjenda e Malsisë - Prek Cali (1872-1945)
Legjenda e Malsisë – Prek Cali (1872-1945)

Prekë Cali – Nderi i Kombit: Kreshniku i Kelmendit 

të Malësisë së Madhe dhe Hero i Kombit Shqiptar*

nga Frank Shkreli

Me rastin e Sofrës së Madhe të Kelmendit – Sofër, që u shtrua të shtunën, më 17 Dhjetor 2022, në lagjen Bronks të Nju Jorkut – përkujtoj Kreshnikun trim të Malësisë së Madhe dhe Heroin trupmadh, me një forcë të jashtëzakonshme atdhetare e morale, kreshnikun e maleve, burrin e shquar për trimëri, për vepra heroike dhe fisnikëri – Prekë Calin – Nderi i Kombit.
Prekë Calin, të parin e Kelmendit, i cili bashkë me malsorët gjatë gjithë jetës së vet luftoi në mbrojtje të Atdheut. Fillimisht, kundër perandorisë osmane, pastaj kundërshtoi zgjerimin djallëzor territorial të Malit të Zi, në kurriz të trojeve shqiptare, ndërsa ka mbrojtur integritetin territorial të Shqipërisë në takimet me komisione europiane. Dhe, në fund të jetës së tij, ka kundërshtuar me vendosmëri instalimin e komunizmit sllavo-aziatik të Enver Hoxhës në Shqipëri. Kujtojmë Prekë Calin, bashkëpuntor i qeverisë së Fan Nolit, Prekë Calin e internuar nga Ahmet Zogu dhe Prekë Calin e pushkatuar nga regjimi barbar komunist Hoxha-Shehu – Prekë Calin, të cilit as varri nuk i dihet!!!
Një përshëndetje për Sofrën e Madhe vjetore të Kelmendit, kësaj kalaje të vjetër. Por kur përmendet Kelmendi, qoftë në gëzime e festa qoftë në vuajtje, nuk mund të anashkalohet emri i Prekë Calit. Nuk mund të ndodh që të mos përmendet veprimtaria patriotike dhe sakrificat personale të tija, të këtij burri të madh, me cilësi të larta e të rralla prej malësori.
Me të drejtë, Prekë Cali është quajtur nga vendasit, “Prijsi i Popullit”, “Piramida e kufirit shqiptar”, “Kreshniku i Vermoshit” dhe i krejt Malcisë së Madhe dhe mbarë Shqipërisë.
Në këtë sofër të madhe gëzimi kelmendase këtu në Nju Jork, me këngë e valle, përkujtojmë edhe Prekë Calin, kët burrë malësor, megjithëse pa asnjë ditë shkollë, emri i tij u bë i njohur në kryeqendrat e politikës europiane të kohës.
“Vërtetë, jam malësor pa shkollë, por jam Shqiptar”, citohet të ketë deklaruar Preka në gjyqin komunist në Shkodër, që e dënoi atë me vdekje me 25 Mars 1945, krah për krah, me Dom Ndre Zadejën dhe 14 anti-komunistë të tjerë malësorë – pasi i torturuan dhe i munduan deri në vdekje.
Përkujtojmë Prekë Calin, Malësorin dhe Shqiptarin e madh, i cili luftoi dhe kundërshtoi synimet e armiqëve të Kombit shqiptar si edhe vendimet e padrejta të kancelarive të Evropës, në dëm të Shqipërisë dhe të trojeve shqiptare.
Përkujtojmë Prekë Calin, mbrojtësin e kufijve të vendit dhe të terësisë tokësore të Shqipërisë dhe trojeve shqiptare nga kthetrat e synimeve grabitqare të shovinistëve sllavë.
Përkujtojmë Prekë Calin e Kelmendit, bartësin e traditave dhe virtyteve ma të shenjta të malësorit e të shqiptarit: të atdhedashurisë, nderit e burrnisë, të mik-pritjes e bujarisë, gjithmonë sy-patrembur ndaj armikut.

Prek Cali mes kelmendasve
Prek Cali mes kelmendasve

Përkujtojmë Prekë Calin, i cili gjithë jetën ia kushtoi, jo vetëm, mbrojtjes së integritetit tokësor të Shqipërisë, por edhe lirisë e demokracisë, dhe i cili dha edhe jetën duke kundërshtuar vendosjen e komunizmit ndërkombëtar në Shqiperi. Vrasja nga komunizmi i patriotëve shqiptarë si Prekë Cali – harresa dhe anashkalimi i tyre zyrtar nga historiografia shqiptare, duhet të shqetësojë ndërgjegjen e çdo shqiptari, edhe sot 30 e sa vjet mbas shembjes së komunizmit.
Prandaj, të paktën kelmendasit dhe shqiptarët e diasporës në përgjithësi, sidomos këtu në Amerikë, nuk duhet të harrojmë, por ta – Përkujtojmë Prekë Calin, atdhetarin dhe anti-komunistin, i cili para se të pushkatohej nga regjimi i Enver Hoxhës, pyetjes së Mehmet Shehut se pse nuk bëhej me komunistët shqiptarë, se ashtu do ta mbyllte historinë e tij me shkronja ari, Prekë Cali i është përgjigjur: “Zotëni, faji bie mbi ju, se ju u batë aleatë me anmikun tonë shekullor, Serbinë!”.
Përkujtojmë Prekë Calin, për bindjen e tij se komunizmi ishte gjeja më e keqe që po i kërcënohej Shqipërisë dhe bashkë me burrat ma të njohur të Kelmendit e të Malësisë së Madhe i bëri një qendresë të fortë këtij sistemi sllavo-aziatik – i huaj për shqiptarët – sllavo-aziatik, kriminal për nga natyra dhe morali, e që me forcë iu imponua shqiptarëve.
Përkujtojmë Prekë Calin, i cili para se t’i rrëzohej trupi i tij vigan nga plumbat e mitralozit të komunistëve të Enver Hoxhës, bërtiti me zërin e fuqishëm të malësorit: “Rrnoftë Shqipnia, Rrnoftë populli shqiptar. Herët a vonë, Shqipnia do të fitojë!”
Përkujtojmë pra, Prekë Calin – edhe si simbol i gjakut të derdhur – në shenjë nderimi e respekti edhe për bashkluftëtarët e tij, shumë prej të cilëve u pushkatuan gjithashtu, si edhe ata mijra martirë nacionalistë anti-komunistë, anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkan, të burgosur e të internuar për pothuaj një gjysëm shekulli komunizëm.
Prandaj, le të bashkohemi sonte në përkujtimin e këtij burri të madh – tri dekada pas shembjes së komunizmit enverist dhe atij ndërkombëtar – e të shpresojmë që më në fund – të peshohet mirë dhe me të drejtë e Vërteta Historike, e cila është aty për t’u zbuluar – dhe vetëm asaj t’i jepet arsyeja. Ashtuqë, heronjve si Prekë Cali, më në fund, t’u kthehet lavdia, nderi dhe vendi që u takon patriotëve të vërtetë si ai, në historinë e Kombit Shqiptar.
Duke kujtuar burrat si Prekë Cali, në përsërisim premtimin e vazhdimit të atdhedashurisë së vërtetë dhe punës në favor të çështjes kombëtare – dhe në të njëjtën kohë, mundësisht, të përshpejtohet distancimi nga trashëgimia e regjimit diktatorial komunist, që pushkatoi patriotë – mbrojtës të kufijve të Shqipërisë – si Prekë Calin.
I përjetëshëm qoftë kujtimi i Prekë Calit!
Nder e lavdi, veprës dhe qëndresës se tij anti-sllave dhe anti-komuniste, në shekuj!
Frank Shkreli

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.