Mos ua merrni fytyrën njerëzve të gjorë
nga Rudina Lohja Kurti
Ju lutem kryetari im i Bashkisë mos shtro më dreka nëpër palestra të Tiranës me një kofshë pule, një garuzhdë pilaf, pak byrek, një copë bakllava, fruta dhe ujë nevojtarëve të qytetit tonë!
Së pari, sepse ky veprim “bamirësie” duket sikur ju bën mirë ju, por në fakt më besoni ju shton hijen e Uriah Heep.
Ju, dukeni i shpifur sa më s’ka sepse jo vetëm lexohet krejt qartë fallsiteti i veprimeve dhe fjalëve që ju rrjedhin nga burimi i papastërtisë si burim, por dhe se ju barkun e të gjorëve në qytet nuk e mbushni dot në ato pak dreka e në ata pak njerëz gjatë 365 ditëve.
Ju zoti kryetar, vetëm i fyeni ata duke iu nxjerrë portretet mbi pilaf ose duke ju falenderuar aq shumë sa janë gati për t’iu puthur dorën e pjesë të tjera të trupit tuaj.
Ju “bamirësinë” e zvogloni aq shumë brenda përmasave tuaja sa ajo zhytet në përparsen që vishni vetëm për TV dhe që kutërbon erë mashtrim dhe hilja ju shpërthen jo vetëm nga goja, por edhe nga hundët.
Si do të ndjehej nëna juaj zoti kryetar nëse ju do të ishit në një vend të humbur dhe ajo të lëshohej e uritur tek dreka e vetme reklamë e një kryetari bashkie, tek “bamirësia” e tij?
Të gjithë ju së bashku me klerikët gënjeni para Zotit me këtë gjest “bamirësie”. Kërkoni të krijoni fonde të tjera përmes filmimeve që i shfaqni kudo.
Unë nga prindërit e mi kam mësuar, se askush nuk duhet ta dijë të mirën që bën.
Pse ju zoti kryetar, ju intereson kaq shumë dalja në edicionet qëndrore të lajmeve me këto dreka ose darka gjithë bujë, kur parimi i bamirësisë është thënia e mësipërme?
Ju lutem Kryetar mos e bëni më dhe mos i merrni fytyrën njerëzve të gjorë që për një pilaf me kofshë pule të bien në grackën e shfaqjes tuaj! Është një mëkat i vërtetë para Zotit, të cilin ju bëni sikur e besoni dhe e keni xhan, Zoti Kryetar.
Marrë nga muri i Fb i Rudina Lohja Kurti, 29 dhjetor 2022