back to top
7.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Fati kolektiv dhe nga fati individual në romanin “Baraka e kampit” i Emmy Krosit – nga Teuta Sadiku

Gazeta

Teuta Sadiku
Teuta Sadiku

Fati kolektiv dhe nga fati individual

në romanin “Baraka e kampit” i Emmy Krosit*

nga Teuta Sadiku

“Të shkruash do të thotë
të ndryshosh kuptimin për botën…!”
Roland Barthes

Emrije Krosi - Baraka e Kampit - Roman
Emrije Krosi – Baraka e Kampit – Roman

Prozatorja Emmy Krosi e ka arritur këtë përmes kujtimeve nga ditari i saj, rrëfimeve reale për njëmendësinë e kohës ku ajo jetoi si azilante në kampet gjermane.
Në romanin autobiografik “Baraka e kampit” Krosi përshkruan udhëtimin e saj dhe të personazheve realë dhe të sajuar drejt së vërtetës, asaj të vërtete që nuk donin ta besonin edhe shumë azilkërkues të tjerë. Do guxim, kurajo, durim dhe shpresë. Të përballesh me botën, me pafytyrësinë, gënjeshtrën dhe mashtrimin e një pjese të botës, teksa pjesa tjetër e botës përpiqet të fshijë dallimin racor, etnik e fetar. Në vështrimin e saj analitik mbi romanin në fjalë Kozeta Zavalani shkruan me të drejtë se “plagët e jetës shoqërore, luten për trajtim të shëndetshëm…”
Në fq. 46, lexojmë, “kjo nuk është Gjermania demokratike dhe e shanseve të barabarta.” Të gjitha rrëfimet, përjetimet në vepër autorja i bën përmes një komunikimi të sinqertë e shpirtëror.
Po çlidhje ka “sinqeriteti” me vlerat estetike të veprës do të pyesë dikush. Nëse historiani do mbështetej mbi gjurmë, fakte e ngjarje, Krosi mbështetet në kujtime, ëndrra përjetime e mbresa të sajat, si nga ditari ashtu dhe nga rrëfimet e personazheve. Kreu i I nis me “Fletë nga ditari” dhe Kreu i XV përfundon me “Lamtumirë ditari im”.
Në fund të fundit çfarë zhanri është romani në fjalë:
-Një fiksion autobiografik apo autobiografi fiksionale.
-Studiuesja Dorrit Cohn i përcakton këto vepra si fiksione autobiografike, duke u nisur nga fakti se kriteri dallues është forma narrative dhe jo përmbajtja narrative. Romani “Baraka e kampit” fiton statusin e fiksionit autobiografik, por kjo nuk e vështirëson aspak leximin korrekt të veprës prej lexuesve.
Autorja në këtë vepër e ka ngushtuar, e ka zbehur ndjeshëm kufirin mes realitetit dhe trillimit, mes faktit dhe fiksionit. Vepra në fjalë është ndërtuar me elemente të theksuara fiksionale, ndërsa fiksioni është ndërtuar me elemente autobiografike. Ngjarje të jetuara, episode të caktuara janë letrarizuar, njerëz dhe figuara që janë njohur dhe janë mbajtur thellë në kujtesë janë bërë objekte të fiksionit, ata u ngjizën në kohë dhe hapësirë duke i dhënë tharmin librit. Jo gjithçka vjen nga brenda tekstit, por gjithsesi gjithçka është kthyer në tekst. Jagena, Siriani, Jona, Monda, Koli, Visi e shumë emra të tjerë përbëjnë bashkë me faqet e ditarit, romanin që sapo përfundova së lexuari. Si lexuese e rregullt ngre pyetjet,
-çfarë është e vërtetë dhe çfarë është e trilluar në këtë vepër.
Në mënyrë të vetëdijshme nga autorja është ndërtuar një strategji e tillë duke shfrytëzuar teknikat e ndryshme të rrëfimit dhe të shkrimit në funksion të ndërtimit apo projeksionit të imazhit dhe personalitetit të saj, duke na komunikuar ne lexuesve botëkuptimin e saj, idetë pikëpamjet, raportin e tij me tjetrin dhe qasjet e saj mbi botën dhe realitetin përreth.
Fq. 113, “Kush jam unë të gjykoj njerzit. Unë jam thjesht një rob i tij.”
Fq. 115, “A duhet të jetoj kështu pa shpresa?”
E rëndësishme në romanet narrative është të kapim domethënien. Kuptimi, domethënia e një vepre të tillë ka të bëjë me raportin mes imagjinares krijuar nga autorja dhe reales perceptuar prej lexuesve përmes shqisave. Prozatorja Emmy Krosi e ka arritur me mjeshtëri këtë.
-Kjo dëshmi biografike a mund të ndryshojë apo ndikojë në vlerësimin kritik të autores dhe veprës së saj.
Për Krosin nuk ka rëndësi vetëm narrativa e ngjarjes por edhe psika e personazheve. Ajo që e shënon narrativën e veprës është se i përket romanit me strukturë të mbyllur, pra i përket një brezi, një periudhe të caktuar, lëvizja masive e njerzve në kërkim të Tokës së Premtuar. Personazhe që nuk kanë lidhje familjare i bashkohen një kauzë, një qëllimi, një akti të përbashkët emigrimit në rastin konkret për një jetë më të mirë. Fati kolektiv zëvendësohet nga fati individual. Duke u nisur nga ky fakt romani në fjalë i shumfishon personazhet, i bën pothuajse personazhe kryesorë, duke simbolizuar kulturën e tyre, një besim fetar të përcaktuar, një komb përkatës, duke i prezantuar ata mbi një horizont kohor, historik dhe gjeografik. Personazhet nuk bëjnë histori, nuk janë heronj, por bëhen porta për të hyrë në histori. Nuk mungon edhe rrëfimi për një rrëfim, kur një histori ndërfutet tek një histori tjetër. Todorovi e quan këtë ndërfutje. Në romanin në fjalë një rrëfim i futur enkas në rrëfim është njëherazi imazhi i atij rrëfimi të madh abstrakt, për të cilin të gjitha rrëfimet e tjera janë pjesë të vogla të rrëfimit të madh, fatit të personazhit kryesor. Personazhi kryesor fillon një rrugëtim dhe e mbyll atë rrugëtim, e jeton dhe e përjeton, e ngulit në kujtesë dhe e rrëfen duke i qëndruar besnike parimeve, moralit, idealeve jo vetëm si njeri por edhe si gazetare. Një njeri me dëshirën e zjarrtë për të pasur lirinë e fjalës, mendimin e lirë në jetë, në art.
Si një roman i ndërtuar mbi një dëshmi biografike vlerat e tij më të mëdha qëndrojnë në raportin e personazhit kryesor me tjetrin, me botën jashtë saj, për tjetrin, të huajin, të ndryshmin, për tjetërkundin. Autorja guxon për ta njohur tjetrin përballë saj, të huajin jo vetëm si tip por edhe si psikologji, duke zbuluar, dashur, respektuar, mbrojtur si kulturën, traditën, besimin fetar personal, por edhe të tjetrit përballë.
Fq. 53-54, “kanë hedhur shishe me gaz dhe mjete djegëse duke thirrur, jashtë arabët, ti djegim të gjallë…”
Librin e lexova dy herë, iu ktheva përsëri për të bërë portretizimin e femrës nën këndvështrimin e Krosit.
Si vinë të portretizuara femrat shqiptare, ballkanase, ku ndryshojnë e si përshkruhen femrat e huaja, gjermane, hebreje, iraniane.
Michail Bachtin thotë: “Të jesh do të thotë të komunikosh. Të jeshë do të thotë të jeshë edhe për tjetrin, dhe përmes tjetrit të jeshë dhe për veten!” Ndryshimi bën diferencën dhe mundëson egzistencën tonë. Bashkegzistenca i jep kuptim dhe bukuri jetës në kampet gjermane të azilkërkuesve, edhe pse kushtet ishin të këqija, papastërti, ushqim i keq. Një galeri me potrete femrash, joshëse, intrigante, prostituta, nëna, vajza, motra, mashtruese, të mashtruara, të dobta psikologjikisht, plot ëndrra e dëshira, viktima, vrasëse, të pathyeshme.
Fq. 22, “Nuk jam vullnetthyer. Jam e fortë…!” – thotë autorja.
Bota në kampin e azilkërkuesve është rrëfyer përmes narrativës së vetë autores, por në të njëjtën kohë është dhe mimesisi i personazheve, gjë që e përcakton narrativën rrëfyese më afër asaj moderniste dhe larg narratorit të traditës realiste. Është Paul Ricoeur ai i cili sjell triadën e famshme të Aristotelit në Poetika – intrigë – personazh – mendim. Në romanin “Baraka e kampit” Krosi i jep rëndësi mimesisit të ndërgjegjeve përkundrejt mimesisit të ngjarjeve.
Fq. 53, “Ne thellë-thellë jemi racista, se shoh këtu brenda vetes time edhe pse mundohem ta fsheh në thellësi të qenies sime, për t’u ndier mirë me veten!”
Kasollja dhe baraka dy simbole të përzgjedhura me zgjuarsi dhe në funksion të idesë dhe objektivitetit. “Kasollja ishte bota ime e vogël. Aty ndihesha e sigurt. Kasollja më mbronte nga padrejtësitë e botës bardhë zi.”
“Baraka e Kampit”, e premte 6 nëntor.
Fq. 45, “Kampi i ferrit. Nuk jemi kafshë. E dashur shpresë, mos vdis. Na mishëro o zot!”
Koha dhe hapësira dy shënjues të narrativës moderniste. Koha është e pakohë, pa vijë lineare, thyhet herë herë, ndoshta me qëllim, ndoshta pa dashje. Hapësira është e kufizuar, e ngushtë, vend ku autorja ka shkelur, ka jetuar bashkë me protagonistët e tjerë. Jo pa qëllim jepen emra vendesh, fshatra e qytetesh pika gjeografike, pika referimi, me historikun e tyre jo vetëm për orientim të lexusit, por për grishje, kërshëri, për të vënë në lëvizje fantazinë e lexuesit. Përshkrimi i mjedisit, hapësirës ka dhe mer një rëndësi të veçantë në vepër, ku autorja mer me vete lexuesin në një udhëtim të panjohur, ose të njohur, për ta përjetuar së bashku atë përvojë personale. Prozatorja e ka të qartë që hapësira nuk është një element dekorues, përkundrazi ajo është “skena” ku do të lëvizë ajo dhe personazhet e tjerë si elementë konstruktivë të tekstit, por të lidhur në mënyrë të pazgjidhme me hapësirën. Gjurmët që lë koha në hapësirën e kampit janë të pashlyeshme në memorjen e Krosit. Këto gjurmë gjenden jo vetëm në sfondin konkret të ngjarjeve por dhe në psikikën e ndërgjegjen e personazheve. Qysh në fillimet e periudhës së letërsisë moderne shqipe i vëmë re përshkrimet e hapësirës, si tek Migjeni, përshkrimi i rrugicave, dhomës, qytetit, tek Petro Marko në “Qyteti i fundit”.
Vetë fjala barakë kthehet në figurë qendrore, në simbol të veprës, element kryesor në unitetin e veprës. Baraka lidh fatet e personazheve pjesëmarrës në përpjekjet e tyre për një botë më të mirë.
Nga njera anë baraka dhe nga ana tjetër kampi, fjalë këto që përshkruajnë hapësirën e veprimit dhe nga ana tjetër fjalët qielli, fshati, qyteti, kthehen në fjalë determinuese të kontekstit social dhe historik të veprës.
Fq.161, Krosi shkruan: “Koha nuk ka busull. Koha është mundësia që na jepet të korrigjojmë veten, duke e humbur atë, që nuk mund ta kemi më.”
“Të shkruash do të thotë të tronditësh kuptimin e botës…” – shkruan Roland Barthes.
Si lexuese e rregullt nuk di nëse për të tronditur kuptimin e botës duhet të shkruaj mendja apo zemra, pyetje kjo e ngritur nga vetë prozatorja. Le t’ia lëmë përgjigjen lexuesve të romanit “Baraka e Kampit” të Emmy Krosit.
Teuta Sadiku, Tiranë 08.01.2023

*Titulli redaksional nga radiandradi.com

Emrije Krosi
Emrije Krosi

Bibliografia

1.Barthes Roland – New Literaty and History On Narrative and narratives 6;2 1975
2.Cohn Dorrit – The Distinction of Fiction. The John Hopkins. Universiti Press. Baltimore Londen 1999
3.Eakin, Paul John – Fiction in Autobiography. Stadies in the art of self inventionPrinceton University Press 1985
4.Kazin, Alfred – Autobiografi as narrative Michigan Quarterly Review
5.Todorov Svetan – Poetika e prozës Shtëpia e librit “Panteon” Tiranë 2000
6.Vinca Agim – Alternativa letrare shqiptare. ShB “Shkupi” 1995
7.Rrahmani Zejnullah – Leximi dhe shkrimi. Shtëpia botuese “Faik Konica” Prishtinë 2003
8.Lloshi Xhevat – Stilistika dhe pragmatika. Toena 1999
9.Qosja Rexhep – Tri mënyra të shkrimit shqip. Toena – Tiranë 2005
10.Aliu Ali – Kërkime, Naim Frashëri Tiranë 1990

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.