back to top
11.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Dashuria, (de)kodon realen dhe surreales, përmes paradoksit të moderniteti, në poezinë “In Love”, të Skënder Sherifit – nga Emrije Krosi

Gazeta

Studiuesja Emrije Krosi
Studiuesja Emrije Krosi

Dashuria, (de)kodon realen dhe surreales, përmes paradoksit

të moderniteti, në poezinë “In Love”, të Skënder Sherifit

nga Emrije Krosi

Rrugëtimi poetik përmes imazhit dhe trajtave të lirikës surreale, i një ndër poetët sa kontravers aq edhe unik, duke hartuar një “dekalog dashuror”, në udhën e pyjeve të ekspresionizmit, duke ndërthuar modernitetin me nota magjike të Eposit dhe Etnosit, duke ngjizur magjinë e shenjimit të besimeve biblike, mes mitologjisë klasike botërore dhe asaj shqiptare. Duke dekoduar doket dhe ritet pagane të njerëzimit, zakonet dhe etnokulturën shqiptare, përmes figurave të femrave më të shquara të botës, apo edhe atyre mitologjike si: Helena, Kleopatra, Dezdemona, Safo, Hera, Cirçja, Beatriçja, Laura, Margarita, Lolita, Monro, Ahmatova, Loren, Ajkuna, Tanusha, Jolie, Bovari etj., nëse do të besonim, tek cikli i yllësive, si një “konstelacion me pesë yje”, mund ta emërtosh këtë libër shumëfaqësh me poezi, “Love” (Sherifi: 2022).

Skënder Sherifi
Skënder Sherifi

-“substanca estetike”, si epërsi e rebelizmit modern

Poeti Skënder Sherifi, me origjinë shqiptare, ka një poezi të ndikuar nga poetët klasikë sidomos francezë. Është poetshkrues në gjuhën frënge, i përkthyer në gjuhën shqipe, i vlerësuar edhe nga poetë dhe kritikë më me zë belgë dhe francezë, një zë që ngjan vetëm me veten e tij, është një tip i çuditshëm, ku e vjetra zakonore është harta e tij e gjeneve, që gjithërrok edhe avangardën shqipe, një poet asket, në parqet e vetmisë, ku ai vështron botën dhe hedh ngjyrat e poetekës së tij (Kabo: 2019). Në kuadrin e formimit të tij kultural në të gjitha lirikat, rroken shumë galaktika, që në thebin e tij mbetet shqiptar, por nuk e kupton botën shqiptare, me një art të konfirmuar, prej tre dekash. Për klubet poetike frankofone, Sherifi, kosnsiderohet si një poet intuitiv, instiktiv, përjetues i kujtesave njerëzore, zërave të jetës, e të shijes së hollë shqisore, i energjisë, atmoferës, ndjenjës, butësisë, bukurisë sublime dhe të njeriut, i dashurive të mëdha dhe harresave të vetë qenie tonë. Një poet me fuqi shpërthyese vullkanike dhe shkatërruese tsunamike, me një ligjërim dhe topikë leksikore të papritur por edhe me një gjuhë elastike të “lartë” mjeshtërore të shkruar edhe me kujdes edhe me shkujdes, na lë gjithherë efektin suprizë: tru-humbur në qeshje,/ lindjes së agut të butë,/ Dete përmbysës e llavë djegëse për pyjet,/ Shenjat e tua shfaqen porsi një lahutë:/ Liburne e tejdukshme që në mungesë ngjyhet./ Poezia nuk e pret kurrë murrlanin,/ Këngën e dashurie në portat e ankorimit,/ Lot për tu derdhur, dhimbje në gjëmë,/ Po kush, për ç’arsye… të jemi fat-zi-thënë, nga poezia: “Balada e kardinalësh”. Libri “Love” në vitin 2012, i S. Sherifit u rendit në mes të dhjetë më të mirëve në të gjithë Evropën frankofone, ku përfshihen botimet e shumta në katër shtetet kryesore frankofone si: Franca, Zvicra, Belgjika e Luksemburgu. Një libër me poezi moderne, nga poetët më të mirë të kohës, botuar në frëngjisht.

-“dekodimi” i dashurisë si shenjë dhe tekst

Për të kuptuar dimensionin e këtij libri të madh, duhet të fillojmë me strukturën e librit që siç shkruan vetë Sherifi në f. 37: (në fillim, duke u zhytur në Egjiptin antik të faraonëve, zbulova se është një vend (ose më saktë një territor) i quajtur Dashur, në të cilin rezultonin të ndërtuara 5 Piramida. E çuditshme, apo jo, ishte si një goditje për mua!).
Mënyra e komunkimit me lexuesin vjen përmes dy dimnesioneve:
A) kodimi/dekodimi i dashurisë: (shenjëzimi që rrok erotikën si qëllim dhe për të
zgjeruar hapsirat e komunikimit me letraren përbën një befasi poetike), jo vetëm të eptimi të erosit/ dashurores si topikë poetike të shkuar, por si metaforë gjithëpërfshirëse të gjithë përmbajtësisë së tekstit:
-dashuria si piramidë: (kulmi është lidhja me Qiellin dhe baza është Toka. Lidhja
Shpirt/Trup),
-lidhja përmes vertikalitetit dhe horizontalitetit: (lidhja erotike e dëshirës dhe epshit, mes
mashkullit dhe femrës),
-koncepti i imazhit artistik të dorës, që dekodohet: (nga numri [5 pesa], simbolizon
njeriun, shëndetin dhe dashurinë. Ai kombinon numrin dy femër me numrin tre mashkullor. Pesë është numri i martesës. Pitagorianët mendonin për pesë si “hieros gamos”, martesa midis Qiellit dhe Tokës). Dashour – Dashur, Qyteti magnetik i Dashurisë, ku faraoni marsian i poezisë modern, Iliro-frankofone, si shenjë homazhi dhe respekti ndaj të gjitha femrave të Botës të dukshme dhe të padukshme, vendosi të ndërtojë 5 Piramida futuriste, si:
-gishtat e dorës,
-shqisat e njerëzisë,
-kontinentet e gjithësisë.
Për lavdinë e Erosit dhe Kupidonit, sot e përgjithmonë, të përjetoni me liri! Mbretërinë e dashurisë absolute, dehjen magjike të shqisave dhe të ndienjave, triumfin e pasionit hyjnor, ekstazën hipnotike të trupave dhe të zemrave në shmangien mahnitëse të kontinenteve… (Sherifi: Iden: 39).
B)kodimi/dekodimi tesktor; (varësia e ndërsjelltë mes tekstit të mirëfilltë letrar dhe
periteksteve që nuk mungon as poetika dhe as elementet e mirëfillta stilistike: (shih më poshtë: shën. im: e.k). Perceptimi i teksteve të sotme moderne në formën e dekonstruksionit tesktor, përmes leximi të zbërthimit të kodeve poetike, mbi një model strukturalisto-fenomenologjike, të dy entiteteve, të strukturës dhe i kuptimit të strukturës (Xhindi: 2018: 77). Përmes qasjes të modeleve të tilla, si lëvizje themelore interpretuese, dallojë këto lloje topikash:
*topike ligjërimore-poetike.
*topikë narrative shumëpërmasore,
*topika poetike, si shenjë që shpërbehet (Eagleton: 2008: 42), por edhe më tutje koncepti
i topikës është edhe një koncept pragmatik i izotopisë, rreth një teme (apo tematikave) më përtej koherencave ekoiane, ku lexuesi ndeshet me një “veprueshmëri të autorit”, përmes hapjes së tekstit: hapja e tekstit është bërë nga vetë autori në formë piramidash:
-piramida e parë: [Afrika]. Një ndërtin të çdo piramide ndahet në:
a) klipi poetik prezantues,
b) thënie të përzgjedhuar,
c) tema e poezisë,
d) dy nëntituj ose në formën e poetikës së paratekstit, si klasifikim zhanror me tipare hibride (Derrida:1979: 203), në këtë formë:
-titulli i poezisë,
-kushtim: [me shkronja italike],
-të ftuar miq specialë: (emmra shkrimtarësh, regjizorësh, kritikësh, gazetarësh, aktorësh të njohur botërorë);
-piramida e dytë: [Azia];
-piramida e tretë: [Amerika e Veriut dhe Jugut];
-piramida e katërt: [Europa];
-piramida e pestë: [Oqeania].

*Topika e piramidës së parë: [Afrika]

Lexuesi i mundshëm sipas (Eco-s), s’është aq shumë këmbëngulës, përmes shënjuesve si mbishtesë, shenjuesë të quajtur surpluse (Ricour: 13: 1976), se izotopet narrative poetike, kanë një shtirje me stuktura të tjera topike si:
-surplus-i i strukturës,
-surplusi-i kuptimit që prodhon poezia: “Fantazma në Kosovë”, me vargjet: ti je juga e Dashurisë plot shi/ që fryn në jetën time pa prerë/ ndërkohë që qielli mbushet me stuhi/ me shkreptimat e syve të tu, plot jetë… […]/ Ti je Poezia që fryn gjumin e agimeve plot ngjyra/ Verës së artë, detit të kaltër, Dashuria me një mijë fytyra!/ Ku është trupi yt, po sytë e tu, ku janë? (Korrik 1975, Prishtinë). Poeti nuk është kujdesur për të sjellë një poezi të rregullt, por shumë e çrregullt, që nga: [8 -tetë/ 14-16 gjashtëmbëdhjetë rrokëshi].

*Topika e piramidës së dytë: [Azia]

Poezia vazhdon me një strukturë izotopike, ku surplus-et erotike të dashurisë, janë në kuadrin e vazhdimësisë së lirikës erotike. Përrokja dhe ngërthimi i miteve aziatike, siapas modele të jetës, sjelljeve dhe riteve të besimeve dhe kulturat shumështresore (shartesat e popujve vendas me kolonizatorët) ku ruhet autenciteti jo vetëm i riteve fetare por edhe i stukturave të marrëdhënieve sociale, edhe sipas disa modeleve të leximit (Fish: 1982: 76). Poezia “Forma e mirë” me vargjet: kam qenë i papërballueshëm, si furtunë/ në ditët e mira, të njoma si llokum/ Qyfyret dhe shakatë e shumta, bënin bujë/ dilnin si predha të imta, në Portin Pearl Harbour, poezi me strofa katërvargore, ku tregon edhe për klimën dhe vitalitetin ekspresiv të atyrë popujve: humori si një përkëdhelje, një Rit Vodu/ shkëlqente mbi bebëzën e syve të tu, (riti Vodu është rit fetar që akoma edhe sot e kërcejnë në festat kryesisht fetare, të popujve të Togos, Ganës, Nigerisë etj.) Vetë emërtimi i një poezie “Kamping-karavaning në Burkina Faso”, tregon imazhe përshkruese të këtij vendi të panjohur afrikan, dhe ekspresiviteti natyror që dominohet tërësisht nga njeriu, ku në thelb është marrëdhënia dhe energjia njerëzore, përmes vargjeve me shumë imazhe baritore, por me një sharm modern të një poetike të lartë.

*Topika e piramidës së tretë: [Amerika e Veriut dhe Jugut]

Lexuesi për të kuptuar mesazhin e një vepre të tillë, rreket të depërtojë në strukturën komplekse, që teksti sipas Lotman-it është ndërtuar në bazë dy tipash raportesh:
-kundërvënia e ndërsjelltë e elementeve ekuivalente,
-kundërvënie e ndërsjelltë e elementeve joekuivalente, ku gjuha metaforike bashkon gjuhën natyrore, me elemente fonologjikë, duke formuar; luhatjet, dhimbjet, ekstazat, hovet e zjarrta, lotët, si futen gjitha këto përjetime intime dhe personale dhe bëhen muzikë poetike, shkruan Ndue Ukaj në parathënien. Poezia: “Kohë e krisur – Crazy times!” përmes vargjeve: tamam, si një luftëtar i vjetër, i tharë – reshkë/ i vaksinuar nga çdo gjë, në këtë Botë të pa peshë/ i kthyer në një krijesë që s’ka asgjë për të provuar/ ngaqë të gjitha aventurat tokësore, i ka pas përjetuar…/ I populluar nga lugetërit, në një masë të pamatshme:/ Maorët e Zelandës na vendosën, me Rozafën e lazdruar/ në murin e një kështjelle, akoma të pa zbuluar… Gëzuar!, autori kapërcen imazhet e ekspresionizmit edhe ndiesitë e realizmit magjik, të një bote të panjohur, që simbolikisht shenjon tjetrin (Gjoka: 103: 2022).

*Topika e piramidës së katërt: [Europa]

Në këtë nëndarje poeti, ka poezi të gjata në formë poemash ku mistika e vargjve i kushtohet sidomos, disa femrave që me sharmin e tyre femëror, janë “pushtuese” të ekraneve të mëdha të kinematografisë. Titulli: “Wonderfull Women”, me nëntituj si dedikim për: Angelina Jolie dhe Nicole Kidman, apo edhe poezitë: “Pneumatikë për miss X”, “Romantikomani”, etj., tituj/nëntituj, dedikime dhe epitafe, që shpërfaqin fizioniminë e postmodernizmit (Calinescu: 1987: 62). Poezia: “Fat flotues” me vargjet: politesa sublime e absurdit/ ja mbulonte me takt mendjelehtësinë /i donte gjërat e kota sipërfaqësore,/ që ia zbukuronin përditshmërinë/ Përtej të gjitha ndjenjave narcisiste, komentet dhe xhelozinë/ asnjërës prej këtyre dukurive, nuk ia kushtonte rëndësinë…/ Bukuria e gjestit gratis, të mirësisë pa interes,/ ja plotësonte filozofinë/ Merr çka t’ofrohet në çast, me emrin e Perëndisë[…]/ Në horizontet antike, bridhte me një putanë mistike/ nën shiun e tullave amortizuese, të Netëve biblike/ Zbritja në afektet e Baba Orestit, pas paditjes/ e shpëtoj për fat, nga një përplasje tragjike…, ndërthur poezinë e absurdit me citimet biblike, figurat mitologjike nëpërmjet miteve, nga fillesat e modelit letrar, pasi prania e strukturave mitike, lëviz sipas parimit të zhvendosjes, që mund ta indentifikojmë metaforikisht (Fraj: 1990: 189). Në këtë cikël poetik, në mënyrë analogjike, poezia njeson ritualin total, me veprimin e pakufizuar shoqëror me ëndrrat dhe mendimin e pakufizuar individual. Ethos-i poetik është është njizur jo vetëm si një njeri universal (poeti), me format e njohura më të hershme, të shkrimtarisë së letërsisë (kryesisht poezia), që janë të ndikuara edhe nga fazat “apokaliptike” të ndëshkimit të Zotit në marrëdhënie me analogjinë edhe me mitologjinë klasike. Përmes vargjeve: nga Epiri i luleve, plot shkëlqim/ tek lirat dhe lutjet, në meditim…/ Fjalët e mia kanë përflakur zemrën tënde/ rimuar jetën time, me çiltërsinë e ofruar/ fiksuar shpirtin tim, sipas orës tënde, të bekuar, diskursi poetik vazhdon, se çdo njësi kuptimore, se çdo njësi tekstore, në formë demotrative të S/Z-së (Barthes:1973: 8), përmes një marrëdhëniejeje të karakterit me “Sarrasinë” në dykuptimësinë e domethënies mes S/Z, nëpërmjet modelit shtresor, duke dhënë atë që teoria strukturaliste narratologjike e deklamonte si njëzëshmëri (Derrida: 1978: 124). Përmes titullit: “Song and Soul dhe Rock and Roll”, poeti ka ndërtuar një strukturë të tillë që: “Predikim madhor i mjekroshit të Sumatrës/ adresuar që në frorë, kodoshit të Gjirokastrës të lumtë dora, – më tha peshku korridora/ të vjen Izadora kur të pushon bora!/ kush ka parë, do sheh ende më mirë/ pushtetet në këtë dynja, shkojnë e vijnë… / bile shpeshherë dhe bijën në dhe, si vetëtimë palli në hare, mbreti “ubu i parë”,/ në Prishtinë ta përshëndesim Dardaninë/dhe dardanët nën dardhë!”, përmes vargjeve: ti je tamam, çka kam menduar dhe imagjinuar:/ Tabloja e shprehjes ekspresioniste e impresioniste/ Poema ime surrealiste/ Muzika ime simboliste/ Kinematografia avanguardiste/ Psikologjia utopike e anarshiste/ Lëvizja ime artistike/ Energjia pozitive hedonike, përballja me skema të tilla poetike, ose struktura të ndërlikuara për lexuesin e thjeshtë, qoftë edhe Lexuesi Model, e ka të vështirë të kumtojë domethënien, kur vihet përballë dy të kundërtave: klasikja dhe avangarda, modernizmi dhe postmodernizmi, lirizmi dhe epizmi, ku vetëdija është shpërqëndruar, duke shenjuar imazhe dhe ndiesi, që copëzojnë realitetin e (sub)kulturave, nga ata të lartat tek më të ulëtat, sepse qartësisht kemi një dikotomi të pastër postmoderniste (Bertens: 1995: 39).

*Topika e piramidës së pestë: [Oqeania].

Ndërtimi i parateksteve si palimpsest, apo edhe epigrami dhe hymnet/odet nëpërmjet titujve, është një risi individualiste për poezinë shqipe: (Kokteli i lumturisë, lulediellet e dashurisë, zemrat lulëzojnë nën diell, duhemi gjer në qiell…) përmes dedikimit si: [të ftuar Mysafirë Specialë: Mozart, Bach, Chopin, Mahler, Bahms dhe Haydn]. Autori Sherifi shkruan vargjet: kam të drejtën të Dua, e të mashtrohem në aksion/ që nga ora që të kam takuar, diçka më fascinon/ I love you, në ferr dhe në Eden, në bekim e në mallkim/ mes infermiereve, bluzë bardha, duke e vajtuar James Dean!/ Të Dua në pohim e përgënjeshtrim,/ në formulim e në pa formulim/ para momentit intim, ku çdo gjë e ka marrë një emërim…/ Krijuar nga tharmi i ekzistencës e misterit në çdo qosh/ për t’iu përgjigjur esencës, na cakton një orok/ Të thërras Diell, që sot dhe të Dua “On the Rock”! Ndërtuar në 12 pjesë si paratekste imagjitative dhe erotike, dashuria gjen një truall, ku parateksti jep informacion që përpunohet nga lexuesit. Termi paratekst u prezantua për herë të parë nga Genette, dhe u referohet llojeve të ndryshme të informacione që shoqërojnë një tekst, të cilat janë “si brenda [tekstit] dhe jashtë tij, që ndërmjetësojnë [tekstin] për lexuesin: tituj dhe nëntituj, pseudonime, parathënie, dedikime, epigrafe, ndërtitujt, shënimet, epilogët dhe pasthëniet (Dixon: 2015: 33). Dhe kur vetë poeti shkruan: të kam Dashur si në dimër, si në verë,/ si në vjeshtë, si në pranverë/ çdo gramatikë intime, çdo përjetim sublim, çdo kujtesë në erë:/ prodhon një tregim unik, një simfoni të ngopur me vlerë! sipas studimit të tij për efektin e tërër mjeteve ndihmëse paratekstuale: titujt, parathëniet, lloje të ndikimit paratekstuale-autoriale si dhe atribuimi dhe informacioni biografik edhe etiketat e zhanrit, që ndikojnë në përgjigjet e leximit të pjesëmarrësve të shumë komponetëve, që përbëjnë njësinë tërësore të poetikës, bashkë me formën më përmbajtësore të strukturës semiotiko-narrative (Greimas: 1966: 48), ku vetë rrugëtimi gjenerativ, na njeh me nivelin diskursiv të ndërtimit stukturor brenda një cikli poetik.
Sëfundmi: të zbërthesh kodet e një poezie të tillë, që përrok të gjitha gjinitë e llojit lirik, duhet të njohësh gjithë botën poetike të poetit, sipas Agim Vincës: “…kryqëzimi i kulturave dhe qytetërimeve, i ngjizur me natyrën rebele të një krijuesi avangard të gjeneratës “beat”. Një botë që vjen më përtej miteve dhe besimeve, i qaset vezullimeve të subkulturave dhe mitologjive”, sipas Gil Jouanard, (shkrimtar dhe poet francez bashkëkohor), Sherifi na shpërfaq: “pafundësi lirizmi dhe sensualiteti, mitesh dhe vezullimesh”. Një monument poetik, që sipas Hughes Labrusse (eseist dhe filozofi) është një “ngrehinë pentagonale” e madhërishme, që gazetari belg Francis Mathys e quan: “një lirizëm të pendur të shpirtit të tij”. “Love”, është vetë Sherifi. Ai është si “një përrua”, sipas Jean Claude Vantroyen, (gazetar/kritik belg) kurse për Koen Stassijns, (poet dhe shkrimtar flamand belg), poezia e Sherifit është një: “tsunami i dashurisë”. Udhëtimi poetik përmes dashurisë dhe mitologjisë, nëpër kontinente me shumë bashkësi racash dhe zakonesh, hapëron të gjitha kumptimësitë e jetës, pasionet, misteret, të pafundmen, të jashtëzakonshmen dhe të përjetshmin: lëngun e eleksirit të jetës: Dashurinë!

Të Dua

Shumë kohë, përpara origjinës së origjinës
para fundit të fundeve pafund
nga Zjarri i Prometeut
në rënien e Ikarit
nga Miti i Sizifit në delirin e Sherifit…
nga koha e antimateries së zbehtë
tek stralli i epokës nukleare… vaj medet!
Të Dua
nga Qielli në Tokë
nga Oqeani në Detë
nga Errësira në Dritë
në njëmijë miliarda mënyra.

Poezia asht art vetmitar...
Poezia asht art vetmitar…

Bibliografia:

1.Sherifi, Skënder – (2022): Love, përkth: Albert V. Nikolla, “Ilar”, Tiranë.
2.Eagleton, T – (2008). Literary Theory: An Introduction (Anniversary Edition). Minneapolis: University of Minnesota Press.
3.Derrida, Jacques – (1979): The Law of Genre. Université de Strasbourg.
4.Ricour, Paul – (1976). Interpretation Theory: Discourse and the Surplus of Meaning. Fort Worth: The Texas Christian University Press.
5.Fish, Stanley – (1982 ): Is There a Text in This Class? Interpreting the Variorum. Cambridge, Massachusetts: Harvard University Press.
6.Calinescu, Matei – (1987): Five Faces Of Modernity. Duke University Press, Durham.
7.Fraj, Northrop – (1990): Anatomia e kritikës, përkth: Avni Spahiu, “Rilindja”, Prishtinë.
8.Gjoka, Behar – (2022): Hejza e Pashkut, “Buzuku”, Prishtinë
9.Derrida, Jacques – (1978): Writing and Differenece, London
10.Barthes, Roland – (1973): S/Z Rolan Barthes, Editions du Seuil, Paris.
11.Bertens, Hans – (1995): The Idea of the Postmodern: A History. London. Routledge.
12.Dixon, P – (2015): Extratextual effects on the evaluation of narrative texts. Poetics: 48. http://liltsig.org/wp-content/uploads/2018/08/lilt-7_1_Cui_and_Swider.pdf
13.Greimas, Algirdas – (1966): Semantique structuarle, Larouse, Paris.
14.Xhindi, Ermir – (2018): Zhvendosjet anti-topike në lexim ose atruktura e pamundur, Seminari 37 Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, Prishtinë.
15.Kabo Përparim – (2019): Duke lexuar shpirtin pergamen të Skënder Sherifit, “Gazeta shqiptare”. http://gazetashqiptare.al/2019/02/05/duke-lexuar-shpirtin-pergamen-te-skender-sherifit/

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.